Siguria në shtëpi mund të ofrohet nga monitorimi i valëve WiFi (video)
Shkencë dhe teknologji

Siguria në shtëpi mund të ofrohet nga monitorimi i valëve WiFi (video)

03.Sep.2021 10:56
0

Kompanitë e shërbimit të sigurisë për shtëpitë shpesh e realizojnë monitorimin nëpërmjet kamerave dhe sensorëve të lëvizjes. Por, sinjalet e rrjetit WiFi mund të shërbejnë edhe si një mënyrë më elegante për monitorimin.

Balanca mes sigurisë dhe shqetësimeve për privatësinë mund të rezultojë sfiduese për sistemet e monitorimit të shtëpive, shumica e të cilave mbështeten tek kamerat e ndërlidhura.

 

Por një kompani sigurie thotë se sinjalet e rrjetit WiFi mund të ofrojnë të njëjtin shërbim, pa shqetësimet e privatësisë.

“Origin Wireless përdor WiFi-n për të diktuar mjediset e brendshme”, thotë Daniel Bugos, menaxher i produkteve në kompaninë “Origin Wireless”.

Valët e rrjetit WiFi mbulojnë të gjithë mjedisin e shtëpisë, shpjegon zoti Bugos.

“Kur lëviz përmes këtij rrjeti valësh, ato kërcejnë përreth teje dhe i përshtaten mjedisit”, thotë ai.

Teknologjia e kompanisë Origin Wireless dikton ndryshimin e valëve.

Sistemi i saj Hex Home gjeneron valë që mund të kalojnë përmes mureve dhe qosheve, siç veprojnë valët WiFi.

“Kur këto dy paisje futen në punë, ato krijojnë një ombrellë sensorësh në shtëpinë tuaj. Në çdo hapësirë të mbuluar nga ky rrjet, ne mund të mësojmë lëvizjet që ndodhin”, thotë zoti Bugos.

Opsioni i “lëvizjes në kohë reale” u mundëson përdoruesve të monitorojnë aktivitetin nëpërmjet një aplikacioni.

“Nëse nuk ka njeri në shtëpi, grafiku i monitorimit në kohë reale rezulton bosh – një lloj vize horizontale. Dhe nëse dikush ndodhet në shtëpi, grafiku lëviz”, thotë zoti Bugos.

Niveli i ndjeshmërisë mund të përshtatet për të përjashtuar lëvizjet e kafshëve shtëpiake apo të objekteve mekanike, si ventilatorët. Formimi biologjik i njeriut gjithashtu e ndihmon sistemin të dallojë mes njerëzve dhe objekteve.

“Jemi të formuar kryesisht nga uji, ndaj të cilit valët reagojnë ndryshe, krahasuar me reagimin p.sh. ndaj një libri”, thotë zoti Bugos.

Kjo teknologji mund të shërbejë edhe si një mënyrë më elegante që personeli i kujdesit shëndetësor të monitorojë të moshuarit në shtëpi, duke i sinjalizuar për rrëzimin në tokë.

“Kur kjo ndodh ka një përshpejtim të lëvizjes,të pasuar nga një ngadalësim. Sensorët tanë mund t’i diktojnë me shpejtësi këto ndryshime të papritura”, thotë zoti Bugos.

Kjo ofron një mendje të qetë, pa patur frikën e syve të paautorizuar.

Mustafa: Mbështetje e palëkundur për shqiptarët e Luginës nga qeveria Rama
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration