BE Nga Moldavia, Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje për ndalje të dhunës Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në Kishinjev të Moldavisë më 1 qershor 2023.
Rajoni dhe Politika

BE Nga Moldavia, Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje për ndalje të dhunës

01.Jun.2023 14:51
0

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar për një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës.

Përpara fillimit të samitit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ata që shkaktojnë dhunë në veri të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi për ato akte.

“Më duhet të insistoj se dhuna nuk është zgjidhje. Dhuna duhet dënuar. Dhe autorët e kësaj dhune duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Borrell.

 

Ai paralajmëroi takim për situatën në veri me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi për të njëjtën temë kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bratislavë, të mërkurën e 31 majit.

Kreu i diplomacisë evropiane paralajmëroi se duhen shmangur përshkallëzimi dhe lëvizjet e pakoordinuara.

Në një postim në Twitter pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ai i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës në Sllovaki, të mërkurën, që të luante rolin e tij në zbutjen e krizës dhe shtoi se shpreson që të njëjtin mesazh t'ia transmetonte presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi.

 

“Ne duhet ta shtensionojmë [situatën]. Ne duhet të qetësohemi”, u tha Borrell gazetarëve në Kishinjev të mërkurën në mbrëmje.

"Ne kemi arritur në një pikë që është e domosdoshme që nivelet alarmante të dhunës të vërejtura në fillim të kësaj jave të ndalen menjëherë. Dështimi për ta bërë këtë mund të çojë në një situatë shumë të rrezikshme", tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndodhen në Kishinjev për këtë samit. Të dy presidentët, sapo arritën në këtë eveniment, akuzuan institucionet e shteteve përkatëse për tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës.

Osmani tha se Serbia duhet të ndalojë aktivitetet e saj që synojnë destabilizimin e Kosovës për t'i dhënë fund dhunës në veri të vendit, ndërsa Vuçiq tha se për t'u ulur këto tensione, autoritetet e Kosovës duhet t’i tërheqin, siç i quajti ai, "kryetarët e supozuar" nga komunat me shumicë serbe në veri.

Samiti në Moldavi do të prekë gjithashtu një sërë çështjesh strategjike, duke filluar nga energjia te siguria kibernetike dhe migrimi.

 

Ai, gjithashtu, ofron një mundësi për të adresuar tensionet e tjera në Evropë, përfshirë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, udhëheqësit e të cilëve do të zhvillojnë bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe zyrtarë të BE-së.

Moldavia, ashtu si Ukraina, aplikoi për t'u bashkuar me BE-në vitin e kaluar menjëherë pas pushtimit rus dhe Kishinjev po planifikon të përdorë samitin për të shfaqur reformat dhe për t'i bindur liderët që të hapin bisedimet e pranimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Moldavia ka pranuar më shumë refugjatë ukrainas për frymë se çdo vend tjetër, ashtu si çmimet e ushqimit dhe energjisë u rritën si rezultat i konfliktit.

Qeveria e ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë vendin përmes ndikimit të saj mbi lëvizjen separatiste në rajonin e saj kryesisht rusishtfolës, separatist të Transdniestrisë./REL/

“Urdhëroni serbët të mos sfidojnë KFOR-in”, SHBA ngre tonet edhe me Beogradin: Ulni statusin e gatishmërisë për ushtrinë
Bujanoc: Arrestohet personi përgjegjës i shkollës fillore për marrje ryshfeti
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration