Serbia: Kanë nisur negociatat mes Rusisë dhe MOL-it hungarez për NIS-in
Rajoni dhe Politika

Serbia: Kanë nisur negociatat mes Rusisë dhe MOL-it hungarez për NIS-in

26.Dec.2025 06:20
0

Ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ka thënë më 25 dhjetor se janë duke u zhvilluar negociatat mes aksionarëve rusë në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) dhe MOL-it të Hungarisë për shitjen e aksioneve të kompanisë.

Ajo ka thënë se NIS-i dhe MOL-i e kanë informuar Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja të Departamentit amerikan të Thesarit për këto zhvillime.

“Qeveria hungareze i ka mbështetur bisedimet dhe ne si Qeveri e Serbisë do të ofrojmë mbështetje , në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për heqje të sanksioneve dhe krijim të kushteve për t’i garantuar NIS-it një licencë për punë operacionale”, ka thënë zyra e ministres serbe.

Sipas saj, Qeveria e Rusisë e ka informuar Qeverinë e Serbisë se i mbështet negociatat për largimin e kapitalit rus nga NIS-i, prandaj Serbia do t’i mbështesë këto zhvillime.

Ministrja citohet të ketë thënë se nuk ekziston asnjë kapacitet logjistik për të importuar sasinë e nevojshme të produkteve të naftës, andaj bisedimet do të vazhdojnë që NIS-i të rikthejë operimin, pavarësisht kohës që i duhet MOL-it dhe aksionarëve rusë që të dakordohen për marrëveshjen.

 

Autoritetet amerikane i kanë lëshuar licencë NIS-it një ditë më parë, duke ja zgjatur afatin për negociata për shitjen e aksioneve ruse të kompanisë deri më 24 mars 2026.

Siç ka bërë të ditur Radiotelevizioni i Serbisë më 24 dhjetor, vendimi i autoriteteve amerikane nuk e ka autorizuar NIS-in që të punojë përgjatë kohës së bisedimeve.

Industria e Naftës e Serbisë është në pronësi të Rusisë, përkatësisht të degës së Gazpromit shtetëror rus, Gazprom Neft. Ajo i zotëron 56.16 për qind të aksioneve, Serbia 29.87 për qind ndërsa aksionarë tjerë kanë më pak aksione.

Shtetet e Bashkuara e kanë sanksionuar NIS-in më 9 tetor me qëllim të parandalimit të Rusisë që t’i përdorë të hyrat e energjisë për të financuar luftën në Ukrainë.

Kushti i administratës amerikane për ta larguar NIS-in prej regjimit të sanksioneve është që të lirohet nga pronësia ruse. Uashingtoni e ka zgjatur vazhdimisht afatin e zbatimit të sanksioneve.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë më 19 dhjetor se Gazprom Neft ka investuar më shumë se 3 miliardë dollarë në NIS dhe që dialogu me Serbinë është duke u zhvilluar, me qëllim të zgjidhjes së problemit.

Ikonë me plasaritje: Film i ri për nënë Terezën
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration