Shqiptarët në Serbi po tkurren në aspektin demografik, social e territorial
Lokale

Shqiptarët në Serbi po tkurren në aspektin demografik, social e territorial

28.Sep.2015 22:33
0
Njohësi i zhvillimeve politike në Serbi dhe në Kosovë, Belgzim Kamberi, nuk sheh efekt të krijimit të Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi.

“Asociacioni i Luginës është realisht një kopje false që legjitimon një origjinal të keq (Asociacioni në Kosovë)”, ka thënë ai në një intervistë për portalin Online.

Kamberi është shprehur se qeveritarët lokalë shqiptarë në Luginë vetëm improvizojnë politika dhe nuk kanë qasje e veprim serioz politik.

Ai ka thënë se shqiptarët sot në Serbi jo vetëm se janë të nënpërfaqësuar në sistemin publik/shtetëror dhe të getoizuar fizikisht e ekonomikisht: por ata nuk munden të realizojnë as të drejtat më elementare kombëtare, për shkak të politikës së Serbisë ndaj Kosovës në veçanti dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi.

Sipas Kamberit, lidershipi politik shqiptar në Luginën e Preshevës është sot kryesisht i orientuar në realizimin e politikave klienteliste në dobi të interesave të individëve nëpër parti politike.

Ai është shprehur se në rastin më të mirë, Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë qasje pasive ndaj Luginës së Preshevës, kurse në rastin më të keq, ato kanë qasje negative instrumentalizuese.

Sipas Kamberit, Serbia nuk është e interesuar për shkëmbie territoresh, por për “kontrolle territoriale” në fqinjësi, në krijimin e disa “Serbive të vogla” që realisht i kontrollon dhe i eksploaton nga Beogradi.

Ai ka thënë se energjia dhe presioni politik për trajtimin e komuniteteve duhet fokusuar ndaj Serbisë dhe jo ndaj Kosovës.

Online: Çfarë efekti ka themelimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi?

Kamberi: Nuk ka asnjë efekt politik dhe shoqëror. Si shumë kërkesa të tjera të mëparshme, ai ka ngelur në sirtarët e subjekteve lokale politike, si kapital për konsum të brendshëm politik. Së pari duhet kuptuar se nuk kemi të bëjmë me themelim, por me kërkesë politike për themelim. Pikërisht themelimi është në këto rrethana i parealizueshëm dhe i pajetësueshëm, ngase siç e kanë projektuar ideatorët e tij – “me të njëjtën fuqi juridike” me Asociacionin e Serbisë në Kosovë, themelimin dhe jetësimin e tij nuk e mundëson kuadri kushtetues dhe ligjor i Republikës së Serbisë. Pastaj, edhe po të bëhej, ku ngeli Medvegja e cila nuk është komunë me shumicë shqiptare? Përpjekja e ideatorëve të asaj që po quhet Asociacion i komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës ishte të krijohet në mënyrë improvizuese një presion politik për kinse ndërtimin e një paralele/reciprociteti me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që përveç se në aspektin deklarativ dhe të vullnetit politik; çdo mendje serioze e di se realiteti është që nuk jemi aspak në një kornizë kushtetuese/ligjore dhe në një dinamikë politike paralelizmi e krahasuese midis shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë, e aq më pak të harmonizimit dhe të standardizimit të të drejtave të minoriteteve në rajon. Aq më keq, Kosova po federalizohet, teksa Serbia po centralizohet edhe më shumë. Përderisa në Kosovë, Asociacioni serb është projekt real – në zbatim e sipër – si projekt i Qeverisë së Serbisë, pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe miratuar nga Brukseli; Asociacioni në Luginë është projekt virtual i cili nuk është i Qeverisë së Kosovës/Shqipërisë dhe nuk mbështetet nga Brukseli, e mos të flasim për Qeverinë e Serbisë! Mbase tendenca është edhe të relativizohet krijimi i Asociacionit të serbëve në Kosovë duke e manipuluar opinionin se po bëhet edhe në Luginën e Preshevës. Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se pikërisht përpjekjet e tilla avantureske, për të ndërtuar paralelizma vetëm se deklarative me politikën e Serbisë në Kosovë kanë përfunduar vazhdimisht në atë që Serbia i ka realizuara projektet e saj në Kosovë, e jo shqiptarët në Serbi. Pra, Asociacioni i Luginës është realisht një kopje false që legjitimon një origjinal të keq (Asociacioni në Kosovë).

Online: Çfarë flet për politikën shqiptare që menjëherë pas pranimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë të pasohet me vendimin për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi?

Kamberi: Kjo flet se në Luginën e Preshevës, qeveritarët lokalë shqiptarë vetëm improvizojnë politika dhe nuk kanë qasje e veprim serioz politik. Por, kjo flet gjithashtu se nuk ka asnjë bashkërendim serioz politik midis Luginës së Preshevës dhe qeverive në Kosovë e Shqipëri. Madje, këto avantura politike lokale shqiptare në Luginën e Preshevës i bën shumë më joserioze Qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri, sesa vetë liderët provincial shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Online: Çfarë është gjendja e shqiptarëve sot në Serbi?

Kamberi: Serbia nuk shfaq vullnet politik për t’i avancuar të drejtat e shqiptarëve sikur komunitete. Ajo përpiqet t’i përkufizojë të drejtat e tyre në të drejta individuale duke i mohuar në esencë të drejtat e tyre kolektive dhe sidomos ato kombëtare. Shqiptarët sot në Serbi jo vetëm se janë të nënpërfaqësuar në sistemin publik/shtetëror dhe të getoizuar fizikisht e ekonomikisht: por ata nuk munden të realizojnë as të drejtat më elementare kombëtare, për shkak të politikës së Serbisë ndaj Kosovës në veçanti dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Shqiptarët në Serbi nuk kanë ende të drejtën e përdorimit zyrtar të flamurit dhe simboleve të tjera të tyre kombëtare, apo edhe të përdorimit të teksteve mësimore të shtetit amë, pikërisht sepse Serbia nuk e njeh historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare. Shqiptarët në Serbi tkurren çdo ditë e më shumë, si në aspektin demografik dhe social, ashtu edhe në aspektin territorial, në hapësirat ku jetojnë.

Online: Cili është vlerësimi juaj për lidershipin e shqiptarëve në Serbi?

Kamberi: Lidershipi politik shqiptar në Luginën e Preshevës është sot kryesisht i orientuar në realizimin e politikave klienteliste në dobi të interesave të individëve nëpër parti politike, duke shfaqur mungesë të kapaciteteve për t’u profesionalizuar dhe modernizuar, e duke vërtetuar njëkohësisht se nuk e gjen veten në Serbinë post-Millosheviqiane. Në fakt, spektri politik shqiptar përfitoj nga kjo gjendje për të maskuar paaftësinë dhe abuzimet e tij. Viteve të fundit, ai ka humbur edhe më shumë kredibilitetin e tij, si për shkak të degradimit të gjendjes politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në fushat që i administron lidershipi lokal shqiptar; por edhe për shkak të dështimeve dhe skandaleve të njëpasnjëshme të tij (lapidari, regjistrimi i popullsisë, mirënjohja, tekstet mësimore etj). Sigurisht se është e logjikshme se periferitë e politikëbërjës vuajnë më shumë për nga cilësia; por gjendja e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk e ka luksin që të pret me vite proceset e emancipimit politik dhe shoqëror, aq më tepër që nuk është në përmirësim e sipër. Prandaj, në kushte kur edhe Beogradi vepron drejtpërdrejtë në përkeqësimin e mëtejmë të politikëbërjes lokale shqiptare; në ripërtërirjen cilësore të politikëbërjes lokale do të ishte dashur të kontribuonin jo vetëm qytetarët vendorë; por të marrin përgjegjësinë e tyre edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare, përmes politikave të “shkopit dhe karrotës” për lidershipin lokal politik shqiptar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; që ka nevojë të mbështetet, por edhe të qortohet për politikat e tij dhjetëvjeçare regresive, të cilat ndikojnë negativisht në thellimin e prapambetjes politike, kulturore dhe ekonomike.

Online: Çfarë qasje kanë Tirana dhe Prishtina në raport me Luginën?

Kamberi: Në rastin më të mirë, Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë qasje pasive ndaj Luginës së Preshevës. Në rastin më të keq, ato kanë qasje negative instrumentalizuese. Dy qeveritë duhen të paktën të bashkërendohen për ta ndërtuar një plan dhe program veprimi progresist për shqiptarët në Ballkan; që përfshin sidomos Preshevën , Bujanocin dhe Medvegjën; si rajoni më i prapambetur i hapësirës shqipfolëse. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është dashur të përfshijë të paktën të drejtat e shqiptarëve në Serbi si një nga parakushtet për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë; përderisa Qeveria e Shqipërisë ta përfshijë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe të fqinjësisë së mirë me Serbinë.  Të dy qeveritë duhet të ndihmojnë gjithashtu urgjentisht lidershipin lokal edhe në çështjet profesionale, në raport me procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian; përkatësisht me procesin e hapjes së kapitujve të caktuar që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me çështjen e minoriteteve në Serbi.

Online: Çfarë mendimin keni për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës?

Kamberi: Personalisht nuk jam ithtar i idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, në fazën e tanishme, nuk mendoj se edhe Serbia është e interesuar për të shkëmbyer territore, e aq më pak me Luginën e Preshevës, të cilën e kontrollon në të gjitha aspektet. Më shumë se për “bashkime territoriale” me Serbinë shtetërore, mendoj se Serbia është sot e interesuar për “kontrolle territoriale” në fqinjësi; respektivisht në krijimin e disa “Serbive të vogla” që realisht i kontrollon dhe i eksploaton nga Beogradi.

Online: Çfarë gjendje do të duhej të arrihej që shqiptarët në Luginë të kenë të drejtë të ndihen mirë?

Kamberi: Energjia dhe presioni politik duhet fokusuar ndaj Serbisë. Në thelb, problemi qëndron te modeli kushtetues i Serbisë, që pasohet edhe me organizimin e tanishëm territorial dhe politik të shtetit, që nuk garantojnë të drejtat e duhura minoriteteve në përgjithësi, por sidomos shqiptarëve në veçanti; e as zhvillim ekonomik për rajonet e margjinalizuara siç është Presheva, Bujanoc dhe Medvegja. Në vend të presionit ndaj Serbisë, po ushtrohet presion ndaj Kosovës. Në vend se të decentralizohet dhe rajonizohet Serbia si shteti më i centralizuar i rajonit; po federalizohet Kosova si shteti më i decentralizuar. Në vend që të përmirësohet Kushtetuta dhe legjislacioni i Serbisë si shtet edhe zyrtarisht të (mbi)dominuar nga serbët, por degradohet vazhdimisht Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës me minoritete edhe ashtu të mbipërfaqësuara. Po nuk ndryshuan paradigmat dhe narrativat aktuale, mbetet iluzore të pritet ndryshimi i gjendjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Takohen liderët, terminali doganor letër KKSH-së për librat (Foto & Video)
Ambasadori Davenport flet për mungesën e teksteve mësimore në Luginë dhe diplomat e Kosovës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration