Lojërat pa kufij
Vështrime

Lojërat pa kufij

07.Dec.2012 22:07
0
Kosova dhe krahu i saj lindor (Lugina e Preshevës), kanë hyrë në një fazë të re të zhvillimeve politike, shumë karizmatike, si për vendorët ashtu edhe për ndërkombëtarët. Shkruan: Drilon Hyseni Dy kryeministrat e dy shteteve sovrane Thaçi dhe Daçiqi, deri dje të shikuar përmes grykës së pushkës, bëjnë plane e nxjerrin marrëveshje në Bruksel, për t’i kthyer kufijtë shtetëror në administrativ, pa simbole shtetësie dhe pa ngjyra nacionaliste, tamam si në kohën e shokut Tito. Prishtina e Beogradi, si duket janë dorëzuar para këtyre dy burrështetasve, të cilët qoftë edhe në darkë pune, bëjnë pazare për vijat kufitare sikur ato të ishin mexhet e baballëkut, për të kaluar pastaj në demarkacion, siç ndodhi dikur me Maqedoninë. Kjo marrëveshje do të filloj jo rastësisht, më 10 dhjetor, pikërisht në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM)  dhe zyrat e ndërlidhjeve, janë dy marrëveshje, që duhet sa për fillim të zgjidhen e të zbatohen në praktikë, për të filluar pastaj me problemet e tjera shqiptaro-serbe, të cilat nuk kanë arritur të zgjidhen me qindra vjet.   Dogana  Hapi i parë ngatërrestar, që do të lind te marrëveshja e parë është gjithsesi çështja e doganave. Ku do të derdhen mjetet e vjela nga këto të ardhura?! Shefi i Grupit serb për implementimin e kësaj marrëveshjeje, Dejan Paviçeviq, ka thënë për B92: "Jemi marrë vesh që malli të mos doganohet në pikëkalimet e kufirit, por në terminalet doganore në brendësi të territoreve”. Ai, më tej ka shtuar se malli që del nga Kosova të doganohet në terminalet në Nish, apo Vranjë, ndërsa malli që hyn në Kosovë të doganohet në terminalin në jug të Mitrovicës. Pse terminali të mos jetë në Bujanoc, komunë shumë e afërt me vijën kufitare Kosovë-Serbi?! Paramendoni: Bujanoci, zonë doganore mes Serbisë dhe Kosovës, e Presheva zonë doganore mes Serbisë dhe Maqedonisë. Kjo nuk ndodh askund në botë, zona kufitare në tokat shqiptare! Mediat serbe alarmojnë se Kryeministri Thaçi ka premtuar, që 70 për qind e TVSH-së nga veriu t’i dhurohen Beogradit, me një kusht që “Serbia të pranojë marrëveshjen për menaxhimin e Integruar të kufirit, në katër komunat serbe në veri të Kosovës”. Brukseli për ta zgjidhur këtë sherr banal, ka ofruar një opsion alla-evropçe, për ta hapur një llogari në të cilën do të derdheshin të ardhurat nga këto vendkalime, e për t’i ndarë pastaj fifti-fifti! Për ta sqaruar këtë dilemë, më së miri është të pyeten kryetari i Komunës së Preshevës, ose ai i Komunës së Bujanocit, se sa para fitojnë ata, nga dogana e vendkalimit Serbi-Maqedoni, ose Serbi-Kosovë, ngase komunat në fjalë, bien në zonat doganore?! Ka me dhjetëra e dhjetëra vjet, që shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë kërkuar nga ndërkombëtarët, që ky rajon të shpallet zonë e lirë doganore, por kërkesat e tyre janë heshtur dhe injoruar për motive politike. Pse, tashti, Brukseli ngutet ta zgjidh këtë problem si me shkop magjik?!   Albanofobia Brukseli dhe Beogradi, janë shqetësuar me manifestimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë si dhe me deklaratat e përfaqësuesve institucionalë rreth idesë për bashkim kombëtar. Shqetësimi vjen e bëhet më i tmerrshëm, nga këto dy qendra të vendosjes, kur kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, në Vlorë, ka deklaruar se do të japë shtetësinë shqiptare për shqiptarët kudo që ndodhen. Kryeministri shqiptar me një gjentilencë, u kërkoi mirëkuptim fqinjëve dhe ndërkombëtarëve, ngase siç tha, ai, ky është ligji i 100- vjetorit. “Kërkoj mirëkuptimin e fqinjëve dhe të faktorit ndërkombëtar. Çështja shqiptare është sërish një çështje që ekziston në mënyrë të padiskutueshme. Ka një albanofobi ndaj shqiptarëve dhe kjo duhet të zhduket nëpërmjet procesit të bashkimit të shqiptarëve. Kjo nuk zhduket nëpërmjet status-quo-ve që e thellojnë më shumë albanofobinë” tha Berisha. Brukseli i preferon Beogradit, t’i ul tensionet në veri të Kosovës nga rebelët e rrugëve dhe t’i zbus tonet e zyrtarëve rreth menaxhimit të integruar të kufijve. Po qe se kufijtë nuk e humbin kuptimin klasik shtetëror, nesër askush nuk mund t’i ndaloj shqiptarët për një referendum gjithë-popullor, për një bashkim kombëtar. Parlamenti evropian ka hequr dorë nga mbajtja e një takimi ndërparlamentar në Tiranë, për tu mbajtur diku në pranverën e vitit të ardhshëm, kur do të mbahen edhe zgjedhjet e reja. Për zgjedhjet e ardhshme po përgatitet edhe Kosova. Dëshirat Gjendemi në vigjilje të festave të motmotit. Dëshirat dhe mundësitë, nuk duhet t’ia zënë për të madhe njëra-tjetrës, në rrugën e realizimit të kërkesave njerëzore. Babadimri edhe këtë Vit të Ri, ka përgatitur dhurata për shqiptarët kudo qofshin ata, jo me ndonjë tortë gjigante, por me sheqerpare e karamele allashqiptarçe. Shqipëria natyrale, është dëshira më e madhe e këtij fundviti dhe vitet në vijim të qindvjeçarit të ardhshëm. Rroftë bashkimi ynë kombëtar!    
Jo përkohësisht, por përjetësisht!
Nëse mbahet, çka të deklarohet?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration