Kontrollimi i fakteve gjatë një pandemie
Titulli Lab

Kontrollimi i fakteve gjatë një pandemie

15.Apr.2020 17:57
0

Këto janë udhëzime dhe burime të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM) për kontrollimin e fakteve.

Pandemia e koronavirusit dhe rritja e shpejtë e kërkesave për informacion kanë krijuar një ambient ideal për përhapjen e keqinformacioneve dhe dezinformacioneve në gjithë botën.

Nga aktorët keqdashës dhe politikanët që përpiqen t’i avancojnë interesat e tyre deri te përdoruesit e dyshimitë të mediave sociale, pandemia ka krijuar një stuhi të përsosur që mundëson përhapjen e informacioneve të manipuluara me shpejtësi të paparë.

Derisa numri i përdoruesve të mediave sociale vazhdon të rritet në të gjithë botën, audienca duket se preferon organizatat kryesore të lajmeve si burim kryesor të informacionit.

Kjo vë përgjegjësi shtesë mbi organizatat e lajmeve, sepse, përveç sigurimit të informacionit në kohë dhe të saktë për publikun, ato gjithashtu duhet t’i korrigjojnë dhe hedhin poshtë manipulimet e qëllimshme ose të paqëllimshme me informacione.

Më poshtë mund të lexoni disa nga praktikat më të mira për kontrollimin e fakteve, të vlerësuara nga shkencëtarët socialë, reporterët, qendrat kërkimore dhe organizatat joqeveritare:

 Mos u hutoni në demaskimin e çdo pjese të parëndësishme ose të paqartë të informacionit të rremë, që qarkullon në mediat sociale. Kjo e largon audiencën nga çështja kryesore dhe, në fakt, mund të shërbejë për të forcuar të pavërtetën dhe për të shkaktuar konfuzion të mëtejshëm.

Jini përzgjedhës kur vendosni se cilat të pavërteta do t’i demaskoni dhe korrigjoni. Merrni vendime bazuar në rëndësinë e gënjeshtrës dhe ndikimin e saj të mundshëm.

✘ Mos e theksoni ose mos e përsërisni se është gënjeshtër, nëse është e mundur. Nëse audienca ju njeh, ajo do ta kuptojë menjëherë, pa e përsëritur atë në mënyrë të qartë. Nëse nuk e kupton, ju duhet të shmangni zmadhimin më tej të mitit.

✔ Nëse duhet ta përsërisni pavërtetësinë, sigurohuni të jepni një paralajmërim të qartë - përmes sugjerimeve tekstuale ose vizuale - që informacioni i mëposhtëm është i rremë. "Sanduiçi i së vërtetës" mund të sigurojë një qasje efektive, që do të thotë të filloni së pari me të vërtetën, pastaj me pretendimin e rremë dhe në fund me korrigjimin. Në këtë mënyrë, ju e deklaroni të vërtetën më qartë dhe e përsërisni atë më shpesh sesa vetë gënjeshtrën, duke e bërë korrigjimin më të paharrueshëm.

✘ Shmangni besimin ndaj deklaratave të rreme ose keqinformuese të udhëheqësve politikë. Nëse deklarata vjen nga një figurë e spikatur, mund të jetë e lehtë ose praktikë normale që ta vendosni atë informacion në titull ose në hyrje të raportit dhe ta lini adresimin e natyrës së tij të diskutueshme për më vonë. Megjithatë, kjo qasje i jep rëndësi të pavërtetës dhe ia zvogëlon rëndësinë korrigjimit.

✔ Demaskojeni ose sqarojeni menjëherë deklaratën - në titull ose në hyrje të raportit - duke thënë se ekspertët mund të mos pajtohen ose ka prova që sugjerojnë ndryshe. Miratojeni qasjen "sanduiç i së vërtetës" për artikuj që përmbajnë pretendime të rreme ose keqinformuese.

✘ Mos përdorni terminologji të ngarkuar shkencore ose mjekësore dhe gjuhë komplekse, që mund të humbë vëmendjen e audiencës suaj.

✔ Përqendrohuni në një ose dy fakte kryesore dhe jepni ato në mënyrën më të qartë dhe të thjeshtë të mundshme. Audiencat u kushtojnë vëmendje dhe mbajnë mend gjërat, me të cilat mund të lidhen - informacione që sjellin përgjigje emocionale dhe bëhen "personalisht domethënëse" për to. Prandaj, është e rëndësishme ta bëni prezantimin e korrigjimit të besueshëm dhe bindës.

Këshilla të tjera:

✔ Imazhet dhe pamjet janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe e bëjnë shumë më të lehtë shpërndarjen dhe përpunimin e informacionit kompleks. Kur është e mundur, përforcojeni informacionin e saktë me imazhe, grafika ose harta të thjeshta, por bindëse. Shmangni përdorimin e imazheve të aksioneve që përmbajnë stereotipe ose shkaktojnë më shumë konfuzion dhe panik.

✔ Shfryëzojeni kontrollimin e fakteve si një mundësi për të promovuar median, duke siguruar përmbajtje shtesë që demaskon lajmin e rremë. Për shembull, nëse është një teori konspirative, shpjegoni se si funksionojnë konspiracionet, pse janë të suksesshme dhe si t'i identifikoni ato.

✔ Meqenëse ngjarjet dhe informacionet zhvillohen shumë shpejt gjatë një pandemie, është e rëndësishme të përfshini një etiketë kohore në përmbajtjen e publikuar ose të transmetuar, së bashku me një shënim që tregon se gjërat mund të kenë ndryshuar deri në kohën kur audienca e sheh atë.

✔ Vëllimi i madh i keqinformimit dhe dezinformimit gjatë kësaj pandemie dhe shpejtësia e përhapjes së tyre mund të jenë ngarkesë e madhe për një redaksi, por krijojnë mundësi për bashkëpunim me organizatat e tjera të lajmeve në SHBA dhe më gjerë. Bashkëpunimet dhe hetimet e përbashkëta mund të ndihmojnë në rritjen e efektivitetit dhe kontrollimin e fakteve.

Përgatiti: Valona Tela-REL
Palmeri mesazh Kosovës e Serbisë: Bashkëpunoni në luftën kundër koronavirusit
Serbi: Shkon në 99 numri i të vdekurve nga COVID-19 të testuar gjithsej 26.227 persona
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration