"Shoqëria civile në Bujanoc në gjendje të mjeruar, mungesë strategjie, fondesh..." (Foto & Video)
Lokale

"Shoqëria civile në Bujanoc në gjendje të mjeruar, mungesë strategjie, fondesh..." (Foto & Video)

28.Aug.2015 12:01
0
Në Bujanoc ekzistojnë shumë shoqata të qytetarëve të regjistruara. Disa prej tyre janë aktive, por disa ekzistojnë vetëm në letër. Cilat janë sfidat e këtyre organizatave, me çfarë probleme po ballafaqohen, në çfarë gjendje është aktualisht shoqëria civile dhe çfarë projekte kanë realizuar këto organizata deri më tani, janë temat e shtjelluara me katër përfaqësues të organizatave joqeveritare në Bujanoc.

Mungesa e strategjisë së shoqërisë civile, interesimi jo i kënaqshëm i të rinjve, mungesa e fondeve, gjegjësisht ndarja e me shumë mjeteve nga pushteti qendror dhe lokal për organizatat e shoqërisë civile, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare janë disa nga sfidat e sektorit civil në Bujanoc.

Organizata joqeveritare “The future” është themeluar në vitin 2009 dhe kryesisht merret me kulturë. Projektet e kësaj organizate që si grup qëllimor kanë të rinjtë, sipas kryetarit Gëzim Murati, kanë qenë të financuara kryesisht nga Trupi Koordinues për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, por edhe nga komuna e Bujanocit dhe Komisioni Evropian.

“Pasi të gjithë projekte tona kanë të bëjnë me kulturë do të theksojë realizimin e një filmi, gjegjësisht komedie, në vitin 2010. Jemi ndarë të kënaqur me realizimin e një projekti të këtillë sepse kemi pasur suksese. Filmi është shfaqur në disa televizione, edhe jashtë vendit”, thotë Murati për Titullin.

Sipas tij, gjendja e sektorit civil në Luginë të Preshevës nuk është e kënaqshme për shkak të mungesës së strategjisë së vetë OJQ-ve, e pastaj edhe e pushtetit qendror dhe pushteteve lokale, e gjithashtu mungon edhe vetë iniciativa dhe motivimi i të rinjve për të kontribuar në sektorin civil dhe zhvillimin e shoqërisë ku jetojmë.

“Hartimi i një strategjie të sektorit civil, njohja e vlerave të këtij sektori nga ana e të rinjve dhe gjetja e resurseve financiare, do të ishin zgjidhje për realizimin e qëllimeve të shoqërisë civile në rajonin tonë”, përfundon Murati.

Në Bujanoc ka edhe organizata, përkatësisht shoqata të qytetarëve nga Beogradi, që zyrat i kanë këtu. E tillë është “Iniciativat qytetare”, e cila është e pranishme në rajon që nga viti 2011 me projektin e fuqizimit të të rinjve nëpërmjet trajnimeve “Youth Build”.

Fismir Jahiu, koordinator i zyrës së kësaj organizate në Bujanoc, thotë se “Iniciativat qytetare” përveç këtij projekti, është duke e realizuar edhe programin për forcimin e kapaciteteve dhe politikat publike”.

Edhe Jahiu mendon se mungesa e strategjisë së shoqërisë civile ndikon që ky sektor të ketë ngecje.

“Kemi ngecje për arsye se shoqëria civile nuk po mund të përcjell ndryshimet. Jemi në një periudhë kur po hartohet strategjia e parë e shoqërisë civile në nivel shtetëror dhe si duket sektori civil në Bujanoc nuk është duke përcjell ato ndryshime. Kjo nevojitet sepse po vie faza kur donatorët e huaj nuk do të jenë më të pranishëm në Bujanoc dhe duhet të përqendrohemi që fondet tona t’i fitojmë përmes taksapaguesve tonë”, thekson Jahiu.

Sa i përket bashkëpunimit me institucionet lokale, koordinatori i zyrës së “Iniciativës qytetare” në Bujanoc, thotë se “bashkëpunimi është i kënaqshëm, por duhet të avancojë”.

“Ka ardhur koha që mos të merret asnjë vendim pa debate publike, është e rëndësishme që të gjithë të kyçemi e të kontribuojmë. Neve na duhet gjithashtu që të kemi rini aktive në të gjithë proceset dhe që merr pjesë në vendimmarrje”, thotë Jahiu.

Edhe një organizatë që është aktive prej vitit 2011 është “Vëllazërimi”, nga Bujanoci, e cila gjithashtu merret më të rinjtë, nxënësit e shkollës së mesme, por edhe me profesorët e tyre.

Sipas kryetarit të kësaj organizate, Ibrahim Rustemit, që nga ky vit “Vëllazërimi” ka realizuar disa projekte që kanë pasur për qëllim ngritjen e edukimit dhe arsimimit tek rinia e këtushme.

“Kemi pasur trajnime të ndryshme me profesorët, kryesisht ata të shkollave të mesme, këtu dhe jashtë Luginës, në Turqi më tepër. Pastaj kemi organizuar seminare dhe simpoziume ndërkombëtare, ndërsa për nxënësit gjithashtu trajnime dhe kurse të gjuhës, e kohëve të fundit kemi ndihmuar ata që kanë shprehur dëshirën të studiojnë në Turqi”, thotë për portalin Titulli, Ibrahim Rustemi.

Projektet e organizatës “Vëllazërimi” kryesisht janë financuar nga Turqia, përkatësisht ministria turke e diasporës, kurse bashkëpunon me organizata të ndryshme nga gati të gjithë vendet e Ballkanit.

Ndërsa sa i përket bashkëpunimit me institucionet apo organizatat lokale, Rustemi thotë se “Vëllazërimi” gjithnjë ka qenë i hapur për bashkëpunim, me pushtetet lokale kemi bashkëpunim, por duke marr parasysh mënyrën e financimit të projekteve nga komunat e Bujanocit dhe Preshevës, fatkeqësisht ka shumë organizata që ekzistojnë vetëm në letër dhe përfitojnë projekte që asnjëherë nuk dalin në opinion”.

Sipas mendimit tim, thekson Rustemi, “këto organizata udhëhiqen nga njerëz të pandërgjegjshëm të cilët ndoshta kanë edhe raporte tjera me institucionet lokale. Ata përfitojnë shumat më të mëdha dhe aktivitetet e tyre nuk duken në opinion. Kjo i dëmton seriozisht organizatat që kanë strategji dhe punojnë për të mirën e të rinjve tanë”, përfundon ai.

Bashkësia Kulturore Shqiptare (BKSH) “Perspektiva” nga Bujanoci, si pjesë e shoqërisë civile ekziston prej vitit 2001.

Sipas kryetarit të kësaj organizate, Sevdail Hysenit, “Perspektiva” në agjendë ka veprimtarinë informative, kulturore dhe ka zhvilluar aktivitete për afirmimin e kulturës shqiptare jo vetëm në Luginë të Preshevës, por edhe më gjerë.

Sa i përket projekteve Hyseni thotë se “Perpsektiva” në kuadër të saj ka themeluar një revistë javore po me të njëjtin emër, e cila ka funksionuar katër vjet, ka dal në 2.000 numra dhe është ndihmuar me projekte nga Ministria e kulturës dhe informimit e Republikës së Serbisë.

Hyseni gjendjen e shoqërisë civile në Bujanoc e vlerëson si të “mjerueshme”.

“Në krahasim me vendet e rajonit të zhvilluara, shoqëria civile tek ne është në gjendje shumë të mjeruar. Nuk ndahen mjete sa duhet nga pushteti lokal e që janë të parapara për zhvillimin e sektorit civil. Ky pushtet në tre vitet e fundit pak kujdeset për aktivitetet e shoqërisë civile në stilin e regjimeve të mëhershme kur shoqëria civile është cilësuar si armik i shtetit”,  thekson Sevdail Hyseni.

“Apeli ynë është që në të ardhmen, pushtetet lokale, por edhe Trupi Koordinues dhe Ministria e kulturës të ndajë më shumë mjete në mënyrë që  shoqëria civile të zhvillojë aktivitetet në mënyrë të papenguar, të nxisë debate dhe të profesionalizohet”, thotë kryetari i BKSH “Perspektiva” në Bujanoc.

Drejtuesit e këtyre organizatave shpresojmë se një strategji e mirëfilltë e shoqërisë civile dhe gjetja e fondeve  nëpërmjet projekte të dobishëm për shoqërinë, në të ardhmen do të funksionojë, në mënyrë që edhe të rinjtë të aktivizohen, por edhe që sektori civil të ketë vendin që i takon në shoqëri. /Titulli.com/

VIDEO

 

Rama: Vuçiq i hapur ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Porosia e Krasniqit dhënë medimut në Preshevë më 1996: "Të bashkuar do të fitojmë, të përçarë-do të humbim"
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration