Studimi mbi Luginën i akademik Hivzi Islamit dhe profesor Arsim Ejupi
Lokale

Studimi mbi Luginën i akademik Hivzi Islamit dhe profesor Arsim Ejupi

26.Mar.2015 12:33
0
Parathënia e studimit "POPULLSIA DHE VENDBANIMET SHQIPTARE TË LUGINËS SË PRESHEVËS "“ GJENDJA DHE RRJEDHAT BASHKËKOHORE", të autorëve Hivzi Islami dhe Arsim Ejupi, botoi ASHAK, 2015, ff. 639.

Lugina e Preshevës si tërësi është e shtrirë në një territor prej afër 1.250 km², në të cilin jeton një popullatë shqiptare rezidenciale prej rreth 100.000 banorëve, që aktualisht përbëjnë rreth 80% të popullsisë së përgjithshme rezidenciale të rajonit.

Nga 136 vendbanime sa ka ky territor, popullata shqiptare shtrihet në 64 sish të tipit rural dhe në tri qendra të karakterit urban të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me të njëjtin emër, ndërsa vendbanimet e tjera janë të populluara nga serbët. Shqiptarët me shumicë absolute jetojnë në 41 vendbanime. Përveç selive komunale, edhe disa vendbanime rurale janë të përziera në pikëpamje etnike, ku dominojnë shqiptarët.

Para 4 dekadave, në shumë vendbanime kishte më tepër popullatë të përzier, ku serbët ishin me prejardhje kolonizuese, të instaluar nga koha e pushtimit të Kosovës dhe Maqedonisë në vitin 1912 dhe veçanërisht pas konstituimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, me vendimin e Konferencës së Versajës (1919).

Lugina ishte dhe mbeti rajoni më i pazhvilluar në Serbi dhe në Ballkan: pjesët e banuara me shqiptarë sot janë më se 7 herë më të pazhvilluara se mesatarja e Serbisë. Shqiptarët e atjeshëm deri vonë ekskluzivisht jetonin nga bujqësia ekstensive dhe natyrale dhe brenda saj nga kultivimi i duhanit, ndërsa sot kryesisht jetojnë nga remitancat që i sjellin migrantët e punës nga ky territor në vendet e Evropës dhe jashtë saj; rreth 60% të mjeteve të fituara u dërgojnë familjarëve në vendlindje për plotësimin e nevojave elementare jetësore dhe pjesa tjetër për nevoja të tjera (shërimi, shkollimi i fëmijëve, ndërtimi i shtëpive, martesat etj.).

Lugina e Preshevës është studiuar shumë pak. Edhe kur janë prekur disa aspekte të studimit të saj, ato janë bërë në kuadër të regjioneve më të mëdha, si të Anamoravës, të Pçinjës, të Vranjës, të Kumanovës etj. dhe vetëm nga këndvështrimi i autorëve serbë. Studimet e deritashme kanë qenë të pjesshme si në rrafshin fiziko-gjeografik, ashtu edhe në aspektin demografik dhe socioekonomik, me një qasje dhe metodologji klasike, të shkollës antropogjeografike të Cvijiqit. Të vetmin studim për Luginën, me përmbajtje gjeohapësinore dhe gjeopolitike, nga autorët shqiptarë deri tash e kemi nga dr. Arsim Ejupi, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në vitin 2013, që hapi mundësi për studimin dhe të aspekteve të tjera.

Studimet për popullsinë dhe vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës nga autorët shqiptarë mungonin krejtësisht. Ky botim, me karakter monografik, është i pari i këtij lloji për dinamikën dhe strukturën e popullsisë dhe vendbanimet, tipologjinë dhe proceset transformuese të tyre për këtë pjesë të trojeve tona, ku shqiptarët kanë një shtrirje territorialisht kompakte (me një shkëputje, meqë komuna e Medvegjës lidhet me rajonin e Gallapit në Kosovë).

Territori i komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës bën pjesë në tërësitë e mëdha etnogjeografike ku përfshihen edhe rajonet e Gallapit dhe të Karadakut, e bashkë me to të tërë Kosovës, të lidhura pashkëputshëm me Luginën e Kumanovës-Shkupit dhe zonën e Karadakut, që sot pjesa më e madhe shtrihet në Maqedoni.

Është evident fakti se numri i shqiptarëve atje në mënyrë dramatike po zvogëlohet, veçanërisht në komunën e Medvegjës, ku popullata shqiptare dikur përbënte një të tretën ose një të katërtën në numrin e përgjithshëm të popullsisë, ndërkaq sot ky numër mund të jetë vetëm simbolik, pasi të gjitha vrojtimet flasin se atje aq shumë është tëholluar komponenti demografik sa që nuk kanë mbetur më shumë se disa qindra shqiptarë.

Studimi “Popullsia dhe vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës – gjendja dhe rrjedhat bashkëkohore”, me rezultatet e tij mbi bazën e analizës së të dhënave relevante, argumenteve shkencore dhe të trajtimit të problemeve me një metodologji bashkëkohore shkencore mendojmë se është i dobishëm për opinionin profesional e shkencor dhe për hulumtuesit nga fusha e shkencës mbi popullsinë dhe vendbanimet, klasifikimin, tipologjinë dhe funksionet e tyre në kontekstin teorik dhe empirik.

Shqyrtimi i kompleksit demografik, veçoritë, gjendja dhe proceset transformuese të zhvillimit të popullsisë dhe të vendbanimeve shqiptare në Luginë, trajtimi i zhvillimit ekonomik dhe i trashëgimisë kulturore, si dhe i përparësive të Luginës në bashkëpunimin ndërkufitar gjithnjë mund të shërbejnë si burim informacioni për rrjedhat demografike, për problemet dhe perspektivën e vendbanimeve dhe zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Studimi paraqet edhe një kontribut shkencor për planifikimin hapësinor, rajonal dhe shoqëror dhe mund të jetë një bazë e mirë për përpilimin e strategjive dhe politikave zhvillimore ekonomike, sociale dhe më gjerë.

Publikimi në tërë kompleksitetin e tij, me argumentimin që përmban, përveç vlerave të qëndrueshme, afatgjata shkencore, do të jetë padyshim dhe në funksion të sensibilizimit të çështjes së shqiptarëve të Luginës. Me të dhënat, analizat dhe konkluzionet shkencore që ofron, studimi do t’u shërbejë edhe faktorëve shoqërorë e politikë (vendorë dhe ndërkombëtarë), që të mbështesin të drejtën e popullatës shqiptare dhe deklarimin e saj plebishitar që Lugina e Preshevës të bëhet subjektivitet i pavarur dhe entitet i veçantë territorial-politik.

Deri tash, fatkeqësisht, Lugina e Preshevës u injorua në të gjitha takimet dhe nivelet nga faktorët politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në bisedimet midis autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë në prani të faktorit ndërkombëtar në Vjenë në vitet 2005-2007 Lugina u anashkalua krejtësisht, duke mos u zënë në gojë as emri i saj dhe i shqiptarëve të atjeshëm.

E njëjta gjë ndodhi edhe në bisedimet e Brukselit midis kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë nga fillimi i vitit 2013 e që po vazhdojnë edhe sot. Për të qenë një cinizëm i llojit të vet, në mbledhjen e dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, të mbajtur në Prizren më 11 janar 2014, Luginës iu premtuan 100.000 euro ndihma, secila nga 50.000, të destinuara për objektin e maternitetit në Preshevë. këto Por doli edhe më përbuzës fakti se akordimi i këtyre mjeteve, që nuk janë as para xhepi, ende po zvarritet! Para kësaj ndodhi një befasi në rrafshin fqinjësor: me rastin e një vizite të serbëve të Kosovës në Qeverinë e Shqipërisë, kryeministri Sali Berisha u premtoi dhe pastaj dhe ua ndau serbëve të Graçanicës 400.000 euro!

Në këtë botim, mbi bazë të së dhënave dhe fakteve, analizohet dhe shpjegohet ndikimi i një kompleksi rrethanash për një periudhë të gjatë kohore në krijimin e një tabloje karakteristike demografike të popullatës shqiptare, që shtron nevojën e domosdoshme për hulumtimin e të gjitha aspekteve të zhvillimit demografik të shqiptarëve të Luginës dhe gjetiu.

Popullata shqiptare e Luginës, sikundër e gjithë hapësirës etnike shqiptare, paraqet transicionin e fundit demografik në Evropë dhe specificiteti i gjendjes demografike këtu deri vonë përshkohej para së gjithash nga normat e larta të komponentëve vitalë, ku baraspesha demografike midis lindjes dhe shuarjes së jetës arrihej me humbje të mëdha njerëzish, sikundër që ishte mjaft e theksuar autarkia demografike, me përqindje shumë të lartë të popullsisë imobile (autoktone), e lidhur për suaza familjare, vend të lindjes dhe bashkësi lokale, por të pavolitshme ishin edhe strukturat bazë sociodemografike (sipas moshës, gjinisë, arsimit, aktivitetit ekonomik dhe strukturës sociale etj.).

Edhe në rastin e Luginës të dhënat zyrtare të vetë burimeve serbe tumirin faktin shkencërisht të pranuar në shqyrtimet teorike dhe empirike se lindshmëria nuk është as etnikisht e as konfesionalisht e determinuar, por është rrjedhojë e proceseve komplekse zhvillimore shoqërore-ekonomike në kuptim të gjerë.

Niveli i lartë dhe rënia e ngadalshme e normave të variabëlve demografike të zëna në gojë dhe procesi i vonuar i transicionit demografik në përgjithësi në të gjitha trojet etnike shqiptare lidhen me dominimin e deridjeshëm të strukturës rurale, të tipit agrar të ekonomisë dhe izolimit social e hapësinor, shkallës shumë të ulët të shkrim-leximit e të arsimit, veçanërisht të femrave, pastaj me normat shumë të larta të mortalitetit të foshnjave e të fëmijëve të vegjël, me funksionimin specifik të familjes e të ekonomisë shtëpiake në kuadër të së cilave kryheshin shumë funksione, para së gjithash funksioni biologjik dhe ekonomik, me nevojën dhe vetëdijen për numër më të madh të lindjeve si domosdoshmëri në ekonominë e karakterit natyral dhe për kontinuitetin familjar dhe social.

Në anën tjetër, këto vitet e fundit, për shkak të moszhvillimit ekonomik, të paramenduar e të qëllimshëm të regjimit serb dhe presioneve policore-ushtarake të Serbisë, Lugina intensivisht po boshatiset nga shqiptarët, jo vetëm selektivisht si përpara (sipas moshës, gjinisë, profesionit, nivelit të arsimit dhe veçorive të tjera), por në procesin e braktisjes po marrin pjesë familje të tëra dhe shumë vendbanime kanë mbetur pa njerëz, duke u mbyllur edhe shtëpitë, dhe rrjedhimisht duke u zvogëluar në mënyrë drastike numri i nxënësve dhe paraleleve në klasat e ulëta të shkollës fillore si indikator kryesor i procesit intensiv emigrues dhe i regresit të përgjithshëm demografik. Në shumë mjedise të Luginës, por edhe në nivel të saj këto dy dekadat e fundit, emigrimi gëlltiti jo vetëm pjesën dërmuese të shtimit natyror, por edhe masën demografike më parë të pranishme, që është fenomeni më i pavolitshëm në zhvillimin popullativ të një territori a bashkësie etnike.

Për Luginën e Preshevës, problemet nuk janë të vogla sa i përket të dhënave për studimin e popullsisë dhe vendbanimeve, si nga aspekti i shtrirjes në retrospektivë, që e përshkon një mjegullnajë, ashtu edhe sasisë dhe cilësisë së tyre sot. Çështja del komplekse para së gjithash varësisht se si janë organizuar regjistrimet e popullsisë, si ka qenë e organizuar statistika vijuese demografike dhe në cilën zonë okupuese gjendej territori, çfarë ishin zonat turke, bullgare, serbe nga viti 1912 dhe sidomos midis dy luftërave botërore, serbe në pjesën e dytë të shekullit XX dhe sot.

Edhe në indikatorët themelorë demografikë, në mungesë të së dhënave, shqyrtimi nuk mund të shkojë më larg se viti 1948 dhe për shumë komponentë madje jo më herët se fillimi i viteve të 60-ta. Por këtu ka një rrethanë lehtësuese, sepse disponohet me të dhëna nga regjistrimi i vitit 2002, në të cilin mori pjesë edhe popullata shqiptare.

Janë shfrytëzuar të dhënat edhe të regjistrimeve të tjera të popullsisë nga viti 1961, 1971 dhe 1981 dhe vlerësimet e institucioneve profesionale-statistikore për vitet 1991 dhe 2011, pastaj statistika vitale-demografike, faktet nga literatura shkencore (historike, gjeografike, gjeopolitike, demografike, ekonomike etj.) në dispozicion, rezultatet e hulumtimeve anketuese sociodemografike dhe njohuritë e tjera teorike.

Disa të dhëna për komunat e Preshevës dhe të Bujanocit në pjesën e dytë të shekullit XX mund të gjenden në arkivin dhe dokumentacionin e qarkut statistikor të rajonit të Vranjës apo të rajonit të Pçinjës sot, ku përfshihen këto dy komuna dhe pesë komuna të tjera (Vranja, Vladiçki Hani, Surdulica, Tërgovishta dhe Bosiligradi), të banuara kryesisht me popullatë serbe, ose të komunës së Medvegjës brenda rajonit të Jabllanicës. Këto komuna serbe kanë karakteristika demografike dhe sociokulturore krejtësisht të kundërta nga komunat e Bujanocit dhe të Preshevës, ku dominojnë shqiptarët.

Prandaj, duke marrë parasysh ngjashmëritë pothuajse të plota demografike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me zhvillimin demografik të shqiptarëve të Kosovës, para së gjithash në sferën e lëvizjes natyrore, në strukturat biologjiko-demografike, në përbërjen dhe raportet familjare etj., gjendja prezantohet në kontekst më të gjerë, duke e krahasuar me zhvillimin e popullsisë së Kosovës në kufijtë e sotëm. Këtu janë shfrytëzuar dhe studimet e autorëve të këtij botimi në rrafshin demografik dhe gjeohapësinor, veçanërisht sa i përket aspekteve të përgjithshme, teorike, si dhe studimet për zhvillimin e popullsisë dhe të vendbanimeve, strukturën e popullimit, tipet dhe dimensionin funksional të vendbanimeve të Kosovës, të bëra këto dekadat e fundit.

Arsyeshmëria e krahasimit të çdo komponenti të zhvillimit të popullsisë së Luginës së Preshevës me zhvillimin demografik të Kosovës del edhe nga fakti se gjatë gjithë historisë së tyre, shqiptarët e kësaj treve ishin pjesë përbërëse e tërësisë etnike shqiptare, duke marrë pjesë aktive në të gjitha proceset dhe lëvizjet kombëtare e çlirimtare, politike, ekonomike dhe humanitare të kombit shqiptar.

Në kohën turke Lugina dhe shqiptarët e atjeshëm ishin pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës, në periudhën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1919-1941) bënin pjesë në Banovinën e Vardarit, ndërsa pas Luftës II Botërore, ky territor sërish në pikëpamje territoriale-administrative mbeti jashtë hapësirës së pakëputur etnike. Megjithatë, shqiptarët e këtij rajoni ishin dhe mbetën në të gjitha rrafshet pjesë përbërëse e një tërësie me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, duke i ndarë vetëm një vijë artificiale administrative-politike.

Në këto dekadat e fundit morën pjesë në ndihmat solidare dhe ishin pjesë aktive në konfliktin e shqiptarëve të Kosovës me regjimin serb (1998-1999) dhe në Maqedoni me pushtetin maqedonas (2001). Në pikëpamje kulturore dhe shpirtërore, në rrafshin etnografik (martesat, doket, zakonet etj.) dhe në hapësirat e zhvillimeve kulturore dhe arsimore (shkollimi universitar) si në të kaluarën, ashtu edhe sot, çdo gjë te shqiptarët e Luginës është e lidhur me Kosovën.

Në verën e vitit të kaluar u realizua një hulumtim anketues për migrantët e jashtëm. Qëllimi i anketimit ishte të shihet rrjedha dhe karakteristikat kryesore të migrimeve të jashtme nga Lugina: shkaqet e shkuarjes, statusi i migrantit, adaptimi dhe asimilimi, lidhja me familjen dhe vendlindjen, investimet, çështja e kthimit, pasojat e emigrimit për familjen, bashkësinë lokale e rajonale dhe shoqërinë etj.

Autorët mirëpresin çdo sugjerim dhe këshillë konstruktive dhe të dobishme në mënyrë që t’i marrin parasysh në ribotimin eventual të studimit.

Paralajmërim: Komuna e Preshevës do të mbetet pa energji elektrike
Komunat shqiptare në Luginë të krijojnë Asociacionin e tyre
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration