Ekonomia e Serbisë dhe Lugina në vitin 2013
Vështrime

Ekonomia e Serbisë dhe Lugina në vitin 2013

29.Dec.2012 19:47
0
rast i pad simbolViti 2013 nga aspekti ekonomik nuk do të jetë vit i ndryshimeve të mëdha për ekonominë e Serbisë. Rreziqet kryesore akoma do të vijnë nga kriza në eurozonë dhe rritja e inflacionit. Rritja e çmimeve, gjegjësisht rënia e vlerës së parasë ka ndikuar në rënien e fuqisë blerëse të njerëzve ndërsa kjo e fundit ka ndikuar në zvogëlimin e kërkesës në treg. Ky efekt në anën tjetër është shoqëruar me reduktimin e prodhimit ose të ofrimit të shërbimeve nga ndërmarrjet, që zakonisht përcillet me pushimin e të punësuarve nga puna, dobësimin shtesë të pozitës ekonomike të popullatës gjegjësisht standardit të tyre jetësor dhe kështu me radhë. Bruto Produkti Vendor në Serbi gjatë periudhës 2005-2011 është rritur me normë mesatare vjetore prej 2%, në përjashtim të vitit 2009 kur është shënuar rënie prej 3,5%, si pasojë e ndikimit të efekteve negative të krizës globale ekonomike. Sipas Draft strategjisë fiskale të Ministrisë së financave dhe ekonomisë së Serbisë parashikimet makroekonomike për ekonominë e Serbisë për periudhën 2013-2015 janë: rritje e vogël në vitin e ardhshëm (2013) prej 2%, ndërsa pastaj rritje më e shpejtë prej 3,5% në vitet 2014 dhe 2015. Norma mesatare e projektuar e rritjes për tre vitet e ardhshme prej 3,2% të Bruto Produktit Vendor do të mundësojë rritje të punësimit në vitin 2014, shoqëruar me rritje të produktivitetit që do të forcojë pozicionin konkurrues të ekonomisë së Serbisë. Me strategji fiskale është paraparë që borxhi publik të zvogëlohet deri në vitin 2014 dhe që në suaza ligjore të kthehet në vitin 2022, gjegjësisht të jetë 45% nga Bruto Produkti Vendor. Si qëllim themelor i politikës ekonomike theksohet përshpejtimi i procesit të integrimeve evropiane, në këtë kuptim të punohet në stabilitetin ekonomik, që është supozim kryesor për rimëkëmbje ekonomike dhe rritje të ekonomisë në bazë të rritjes së investimeve dhe eksportit. Zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duhet të jetë bazë e zhvillimit ekonomik të Serbisë, të rritjes së punësimit dhe standardit jetësor të popullatës. Në këtë kuptim Unioni i Punëdhënësve të Serbisë si organizatë që tubon numrin më të madh të bizneseve të vogla dhe të mesme ka tërhequr vëmendjen për përkeqësimin e ambientit për zhvillimin e këtyre bizneseve gjatë periudhës kohore 2008-2012. Sipas Strategjisë Kombëtare është paraparë që në Serbi në vit të hapen 10.000 ndërmarrje të reja të vogla dhe të mesme me qëllim që deri në vitin 2016 të sigurohen 150.000 ndërmarrje të tilla që do të punësonin afro 2 milion qytetarë por statistikat tregojnë se deri më tani mesatarisht është shënuar rënie në hapjen e këtyre ndërmarrjeve prej 20%. Sa i përket bizneseve që zhvillohen në Luginë të Preshevës, ato janë kryesisht të vogla dhe ballafaqohen me sfida të ndryshme. Një nga sfidat kryesore është qëndrueshmëria politike dhe ekonomike. Menaxherët/pronarët e bizneseve kanë parasysh faktin se qëndrueshmëria politike dhe ekonomike e një vendi duhet të jetë stabile. Të gjitha kushtet tjera të volitshme që i ka firma për zgjerim janë të kota nëse situata politike dhe ekonomike e vendit është jostabile. Presionet dhe format e tjera të pasigurisë së pasurisë private janë elemente të mjaftueshme për menaxherët/pronarët si dhe për investitorët e huaj që të mos zhvillojnë aktivitetin ekonomik në atë vend. Politika ekonomike nga udhëheqësit e sektorëve të ekonomisë në komunat e Luginës së Preshevës ndër të tjera duhet të fokusohet në tërheqjen e investitorëve të huaj. Zhvillimi ekonomik duhet bazuar në shfrytëzimin e pozicionit të përshtatshëm gjeografik në komunat Preshevë dhe Bujanoc si dhe në resurset natyrore të pashfrytëzuara që ekzistojnë në komunën e Medvegjës. I tërë aktiviteti i politikë bërësve makroekonomikë duhet të fokusohet në stabilitetin ekonomik sepse ky është kushti themelor për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për krijimin e klimës për të bërë biznes ndërsa ndër kushte të tjera po ashtu qenësore duhet përmendur edhe ndërtimin e infrastrukturës së përshtatshme. Shteti duhet të fokusohet në subvencionimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme sidomos në zonat ku ushtrimi i biznesit është mjaft i vështirë, siç janë komunat e pazhvilluara. /Mr. Fidan Kosumi& Mr. Albana Maloku/  
Vlerat e Grabovskit!
Politika europiane, e paaftë dhe në agoni
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration