Drejt Luginës së Preshevës, e përsëri mendja e shpirti me Kosovë…
Vështrime

Drejt Luginës së Preshevës, e përsëri mendja e shpirti me Kosovë…

01.Jun.2013 23:26
0
E premtja e 31 majit, do të jetë një kujtesë e re e mirë historike për bashkëvendasit e mi të Luginës së Preshevës, kudo që ndodhen ata, qoftë në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë apo në diasporë, sepse siç dihet, e gjithë dita ishte temë aktuale në Parlamentin e Kosovës, çështja e Miratimit të Rezolutës së Parlamentit të Kosovës për Luginën e Preshevës, e propozuar nga deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, e që edhe televizioni publik i Kosovës RTK, ia kushtoi komplet këtë dritare informative gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Se si ka shkuar kjo ditë në Parlamentin e Kosovës, kush foli e çka tha, jeni të njoftuar përmes mediave tona, por, se si u prit, menjëherë pasi ky Parlament nuk e miratoi Rezolutën për shqiptarët në Luginën e Preshevës për shkak të mungesës së kuorumit, si u ndien përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, disa ministra, deputetë, si dhe përfaqësuesit e diasporës shqiptare nga Medvegja, do të mundohem, me disa fjalë, ti përshkruaj.  Shkruan: Dashnim Hebibi dashnim-hebibi Nga diaspora shqiptare e Medvegjës të pranishëm ishin: Zenel Neziri kryetar i Shoqatës Humanitare "Medvegja"-Fully, Zvicër, Fadil Selmani sekretar i kësaj shoqate, si dhe Ismet Selmani, ish kryetar i shoqatës, veprimtarë i dalluar i kësaj treve, si dhe bëmirës i pandalshëm për të mirën e Medvegjës. 

kuvendi-Kosove-1 Edhe diaspora shqiptare e Luginës së Preshevës, e konkretisht e Zvicrës, si edhe herave tjera, nëpër kohëra të ndryshme, nuk ka ndejt indiferent zhvillimeve të ndryshme, që ka përjetuar atdheu, prandaj edhe kësaj here e ka përshëndetur, iniciativën e deputetit të LDK-së, Lutfi Hazirit, që më 31.05.2013, ditë e premte, u debatua për Luginën e Preshevës në Parlamentin e Kosovës edhe pse nuk u realizua ajo që ishte pritur, për të marrur një dritë jeshile e një Rezolute, që do të ndihmonte në sigurimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanocë dhe Medvegjë. Zenel Neziri kryetar i Shoqatës Humanitare "Medvegja"-Fully, Zvicër, Fadil Selmani sekretar i kësaj shoqate dhe Ismet Selmani, morën ftesë zyrtare nga deputeti Lutfi Haziri, që të jenë në Parlament të Kosovës dhe të dëgjojnë aty për aty kërkesën e tij dhe të kolegëve të tjerë deputet të Kosovës. Z.Neziri dhe Selmani, para nisjes, janë konsultuar me kryesinë e shoqatës dhe anëtarët e saj, por edhe me shumë medvegjas mërgimtarë, që të përcjellin realisht mesazhin e zërit të medvegjasëve. Edhe pse dita e premte, është e njohur për të gjithë, se është ditë pune, e këta veprimtarë është dashur të jenë në detyrë pune, ata, vendosën, që ta lëjnë këtë ditë, sikurse shumë ditë të tjera, kur Kosova ishte para luftës, gjatë luftës e pas saj, për të ndihmuar vëllezërit në Kosovë, sepse ishte ndihmë që kërkohej me emergjencë, prandaj, edhe kësaj here, iu nisën Prishtinës. 300 km nga Gjeneva dhe afërsisht, po aq edhe nga Fully, këta veprimtarë, kishin marrur rrugën për në drejtim të Aeroportit të Cyrihut, sepse nga Gjeneva nuk ishte e mundur të shkojnë në Prishtinë, me që, nuk kishte aeroplan dhe menjëherë në mëngjes të nisen për në Prishtinë. Me shumë emocione këta veprimtarë, me shumë vullnet, ishin drejtuar për në këtë ngjarje të madhe historike për ata banorë autoktonë, që janë në një situatë, që dihet nga të gjithë. Ndërsa nga diaspora shqiptare e Preshevës dhe të Bujanocit, me ftesë të deputetit Lutfi Haziri, ishin Dashnim Hebibi dhe Llukman Halili. E së bashku me veprimtarët nga Medvegja, u takuam në mëngjes në Aeroportin e Cyrihut dhe iu drejtuam Prishtinës. Me të arritur në Prishtinë, kishin dalur për të na pritur disa miqë dhe veprimtarë, për të shkuar menjëherë në Parlamentin e Kosovës, pra, për të mos humbur as një minutë dhe ashtu ndodhi.

kuvendi-Kosove-2 Hyrja në Parlamentin e Kosovës Ishte ora 09.45, nga Aeroporti i Prishtinës, për fat, deri në qytet, nuk kishte kolonë veturash dhe shkuam shumë shpejt, pa asnjë pengesë. Si zakonisht në hyrje të këtij Parlamenti, ishin masat e sigurisë dhe tek dera, shiheshin shumë gazetarë të mediave të Kosovës, Maqedonia, Shqipëria, Lugina e Preshevës, por edhe të huaja. Pa shikuar shumë djathtas apo majtas, iu drejtuam sallës së Parlamentit, me të hyrë në sallë, aty tek vendi i musafirëve, nuk kishte ardhur asnjë person, të parët ishim ne të diasporës, ashtu si gjithmonë, diaspora shqiptare, si ka vepruar nëpër histori të ndryshme e deri tek më e fundit, e luftës së Kosovës, që ishte arteria kryesore e luftës, këtë e kanë thënë edhe shumë veprimtarë të dëshmuar të kombit, se është kjo diasporë, që natën e ka bërë ditë, për të ndihmuar atdheun. Nëpër çdo karrike, ishin të shkruara emrat e pjesmarrësve nga Lugina e Preshevës dhe ne e gjetëm emrin tonë dhe pritshim që të vijnë të tjerët dhe të filloj punën Parlamenti. Nuk shkuan pak minuta, erdhën përfaqësuesit e Preshevës dhe të Bujanocit, së bashku, kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, ai i Bujanocit Nagip Arifi, kryetari i kuvendit komunal të Bujanocit Jonuz Musliu, Ramiz Latifi kryetar i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sevdail Hyseni nga Shoqëria Civile, Bujanoc, Nexhmedin Saqipi revista Jehona, pastaj Riza Halimi kryetar i PVD-së, njëherit deputet në Parlamentin e Serbis, Galip Beqiri, Prof.Ramiz Fazliu, Zijush Ahmeti dhe të tjerë. Më pastaj erdhën përfaqësuesit e Medvegjës, Florim Sahiti, zëvendëskryetar, Femi Beha nënkryetar Kuvendi, Ismet Zeqiri ndihmës kryetar, Burim Uka dhe Jonuz Fetahaj. Pasi u përshëndetëm thuajse me të gjithë, pritej në çdo moment të filloj kjo seancë. Ndërsa, ishte për të përshëndetur, delegacionin e Luginës së Preshevës, para se të filloj seanca, Ministri i Diasporës z.Ibrahim Makolli, Ministër i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli, deputeti i LDK-së Lutfi Haziri, deputeti Jeton Svirca, zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, deputeti i LDK-së Arben Gashi, deputetja e PDK-së Flora Brovina, Blerta Deliu deputete e PDK-së, deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami,  Ahmet Isufi deputet i AAK-së, e shumë të tjerë.

kuvendi-Kosove-3 Kur filloi seanca ? Ishte paralajmëruar, që në ora 10.00, por filloi me 20 minuta vonesë. Në Parlament nuk ishin të gjithë deputetët, por ata vinin ndërkohë. Se si filloi dhe çka u diskutua kemi mësuar nga mediat tona, drejpërdrejtë nga RTK dhe mediat e tjera. Lutfi Haziri, Iniciuesi i këtij debati parlamentar, deputeti Lutfi Haziri, përveç se bëri përshëndetjen e tij të zakonshme, kryetarin e Parlamentit, e kolegët e tij, ai përshëndeti edhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës dhe ndër përshëndetjet tjera, përmendi edhe Shoqatën Humanitare "Medvegja", Zvicër me përfaqësuesit e saj. Gjatë seancës… Gjersa diskutohej për Luginën e Preshevës, nga vendi ku ishim duke i përcjellur fjalimet, na binin në sy, shumë gjeste të pahishme të disa deputetëve të këtij Parlamenti, që herë dilnin e herë hynin, por më kryesorja, bisedat e tyre të zëshme në Parlament me telefonat e tyre celularë dhe kur donin të flasin edhe më shumë, pengonin edhe deputetët e tjerë për t`ia liruar vendin e për të dalur jashtë dhe pastaj hynin e dilnin. Jemi mësuar, të shohim shumë ndeshje të futbollit, dhe në T-shirt të futbollistëve shkruhet edhe : "Respekt", por edhe në katër anët e stadiumit. Gjersa në një lojë futbolli, kërkohej respekt, po në Parlament… Të mos ndalem në këtë drejtim… E të kujtojmë, se ishte një debat shumë i rëndësishëm për vëllezërit e Luginës së Preshevës.

kuvendi-Kosove-4 Gjatë dy pushimeve të deputetëve… Edhe në pushimin e parë, e të dytin, që ishte i papritur, me që priteshin të vijnë edhe deputetët e tjerë, që të bëhej numri i duhur, që të kaloj kjo Rezolutë, delegacioni i Luginës së Preshevës, bisedonte me deputët dhe prisnin, që të kapërcej, si duhet dita e sotme. Ishte emocionuese, kur thuajse të gjithë deputetët përqafonin vëllezërit e tyre nga këto treva dhe bisedat ishin shumë të lira, e miqësore. Gjatë pushimit të dytë, atëherë, kur ishte koha e drekës, Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli, i cili është një mik i madh i Luginës së Preshevës, i cili disa herë, provoi që të vij dhe të shoh vëllezërit e tij në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe i cili, sa herë që vjenë në diasporë me punën e tij, ai, takon me zemër edhe vëllezërit e Luginës së Preshevës, i shoqëruar me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli, i cili është me prejardhje nga Medvegja, shtruan edhe një drekë miqësore, për disa nga përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, ose më sinqerisht, ata që erdhën me dëshirë pas delegacionit të mërgatës së diasporës Medvegjase, drekë pa protokoll, drekë miqësie pa petkun e ministrin, por me petkun e qytetarit të lirë, për të biseduar si miqë gjatë drekës, u biseduan edhe tema të tjera, ide për të mirën e atyre trevave stërgjyshore. Çka i tha në ato momente i pari i qeverisë së Kosovës Hashim Thaqi? Ishte e përzemërt edhe kur kryeministri i Kosovës Hashim Thaqi, i shoqëruar me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuqi, erdhën afër dhe na përshëndetën të gjithëve, që ishim duke drekuar dhe na kujtoi, se asnjëherë, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, nuk kanë qenë të harruara, nuk janë dhe as, që do të jenë të harruar, edhe atje, do të bëhet mirë, nuk shkon me shpejtësi dhe me emocione, kemi Kosovën e pavarur, Shqipërinë në NATO, kemi miqtë tanë ndërkombëtarë me në krye SHBA-të, prandaj, në çdo bisedë me ndërkombëtarët, përmendet edhe ajo trevë shqiptare, këtë ua them me përgjegjshmëri. Nuk dua të bëjë qefe, ose të bëj fushatë me gjendjen tuaj atje. Gjë, që, të gjithëve, që ishim në drekë, na la përshtypje të papërshkrueshme dhe na dërgoi edhe një pije të freskët, ashtu, si e donë tradita shqiptare, që musafirët të nderohen.

kuvendi-Kosove-5 Si u vlerësua rezoluta e ideuar nga deputeti i LDK-së Lutfi Haziri nga delegacioni i Luginës së Preshevës, të paktën ata që i takuam dhe bashkëbiseduam? Thuajse me të gjithë nga Lugina e Preshevës, që ishin prezent, biseduam, me dikë më shumë e me dikë më pakë, me rëndësi, që të gjithë, e kanë përshëndetur këtë nismë, këtë ide historike të deputetit Haziri. Ndërsa deputeti Haziri, disa herë, ishte afër nesh, ai mundohej në çdo moment, që të na nderoj të gjithëve dhe ashtu bëri, duke respektuar e duke i përshëndetur të gjithë të ftuarit nga Lugina veç e veç. Momentet e fundit… Atëherë, kur Parlamenti i Kosovës, dështoi të miratojë rezolutën për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc edhe pse për disa orë më radhë u diskutua, shqetësoi një pjesë të delegacionit të Luginës së Preshevës, por edhe të mërgatës, por megjithate, në tërësi me shumë vëmendje, është përcjellur dhe shpresojnë, se në ditët në vazhdim, do të kenë kohë për të bashkëbiseduar edhe më shumë dhe të vendoset e mira për ato treva për një afat të gjatë dhe të përhershëm edhe pse në zemra e çdo shqiptari në Kosovë, është Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

kuvendi-Kosove-7 Si u ndje i pari i Preshevës Ragmi Mustafa, ai i Bujanocit Nagip Arifi dhe ish shefi politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu? Që të tre këta liderë, u ndjenë, jo mirë me të përfunduar në këtë formë, ky debat, por në përgjithësi, të kënaqur dhe mbeten me shpresa, se do të bëhet më e mira për ato treva shqiptare nga ana e Kosovës. Këta liderë, edhe para debatit, gjatë debatit dhe pas debatit, patën takime me të parët e Kosovës dhe nuk qëndron, e as që duhet të mendohet, se Kosova, nuk po bënë sa duhet për këto treva. Ata, presin, që së shpejti, e gjithë qeveria e Kosovës dhe me opozitën, do të bashkëbisedojnë dhe të bijnë në harmoni, që Lugina e Preshevës, të mos jetë hije për Kosovën, por të jetë mbështetëse kryesore për të drejtat natyrore, që duhet ti gëzojnë vëllezërit e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe në seancën e ardhshme të realizohe më e mira.

kuvendi-Kosove-6 Me çfarë përshtypje, u ndanë, përfaqësuesit e diasporës shqiptare të Medvegjës, që shkuan enkas në këtë debat, Zenel Neziri, Fadil e Ismet Selmani? "Nuk e pritëm të përfundoj kështu. Ne pritëm që të vendoset njëzëri apo, që idetë, që u parashtruan, ndrrim kushtetute, etj, etj, të ishin diskutuar më herët. Por, ne falënderojmë nga zemra, deputetin Haziri, këtë mik të madh të Kosovës Lindore, të treguar sa herë që është kërkuar. E nuk na erdhën të mira, disa fjalë nga disa kolegë të tij deputetë, që thanë, se mundet të jetë fushatë, e kështu me radhë, teke fundit, gjithçka është politike, por z.Haziri, e njeh shumë mirë, situatën në ato treva shqiptare, sepse edhe ai vjenë nga Karadaku i Preshevës dhe ne sinqerisht e përgëzojmë dhe presim, që të shkoj deri në fund, që të realizohet, më e mira për këto treva shqiptare. Diaspora shqiptare, si edhe herave tjera, dëshiron, që të jemi bashkë, të pazëshëm, por të vendosur, për hapat e mëdhenj historikë. Ato treva shqiptare, pra Presheva, Bujanoci e në veçanti Medvegja, është në situatë të rëndë, e këtë situatë e ka pasur Kosova më herët, por Medvegja, është vërtet shumë keq, në terr të rëndë. Ne falënderojmë edhe deputetët e tjerë, por edhe kryeministrin Hashim Thaqi, e ministrin Makolli, pastaj Ministrin e vendasin tonë, Ismajli, deputetin me prejardhje gjithashtu nga Medvegja z.Svirca etj, etj.

kuvendi-Kosove-8

Ne përgjithësisht u pritëm mirë, u pritëm si musafirë të veçantë, që patëm rastin të flasim me shumë ministra, e deputetë edhe për tema të tjera. Përcollëm mesazhin e gjithë anëtarëve të shoqatës sonë, por edhe të mërgatës medvegjase, se edhe diaspora shqiptare, nuk rrinë duarkryq për raste madhore, ajo ka qenë aktive, është dhe do të jetë përgjithmonë. Ato treva janë shqiptare dhe domosdoshmërisht, duhet të kërkohet më shumë nga faktori ndërkombëtarë, që të mos lejoj, që ky pushtet i Serbis, që po aludon të jetë pjesë e BE-së, duke shkelur të drejtat elementare të shqiptarëve atje, po bënë, ate që dikur e ka bërë i pari i tyre, që u dënua nga gjygji ndërkombëtarë i Hagës dhe vdiq me turp të madh. Ne duam, padyshim, që edhe faktori politikë shqiptarë atje, të jetë unik, të lëjnë me një anë inatet e interesat personale, ti japin hapësirë të rinjëve, ata që janë lodhur me politikë të largohen, sepse Lugina e Preshevës, ka plot djemë dhe vajza, që kanë kryer shkolla të ndryshme. Ti jepet drita e punës edhe atyre për të mirën e atyre trevave. Përgjithësisht, kemi kaluar mirë, morëm realisht shumë ide të mira, folëm edhe për kontributin e shoqatës sonë, që jo më pak se 30 vjet është në shërbim të atdheut, përcollëm çdo zë të mërgimtarit medvegjas, që mos e harroni edhe Medvegjën". A munguan përfaqësues të tjerë të Luginës, edhe pse e kishin emrin në listë? Po, munguan edhe disa përfaqësues, që e kishin emrin në listë, por pse nuk ishin prezent, nuk u përmend nga askushi. Prezent nuk ishte ish kryetar i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi kryetar i degës së PVD-së, Bujanoc, Skender Destani, nënkryetar i Komunës në Preshevë. Tërësisht numri i të ftuarëve ishte 33 persona.Llukman Halili-politikolog dhe unë Dashnim Hebibi, në listë ishim të shkruar, si përfaqësues të shoqatës PBM, por ne realisht, ishim të ftuar, si publicista të atyre trevave, që po veprojmë në mërgim.

kuvendi-Kosove-9 Kush ishte i ftuar në Televizion Publik të Kosovës RTK, në emisionin "Imazh"? Kryetari i SH.H "Medvegja", z.Zenel Neziri dhe sekretari i kësaj shoqate Fadil Selmani, ishin të ftuar nga gazetari e modetarori Resul Sinani, në emision "Imazh". Ata, me drejtuesen e këtij emisioni, bashkëbiseduan për disa minuta, në lidhje me debatin e Parlamentit të Kosovës, për të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe diskutuan edhe për punën, që ka bërë kjo shoqatë, jo më pak se 30 vjetë, duke u mos u ndalur, nëpër periudha të ndryshme, që ka përjetuar atdheu ynë. Përfundimi Krejt në fund, pas gjithë asaj agjende të stërngjeshur, që patëm në Kosovë, e që në mbrëmje, takuam edhe shumë miqë të tjerë, politikolog, publicista e analista, u vlerësua, si përfundim, se idea e deputetit të LDK-së Lutfi Haziri, ishte shumë e mirë dhe do të mbetet historike për Parlamentin e Kosovës, që për herë të parë, iu kushtua një sencë e tërë, jo më pak se tetë orë, kryesisht Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. E mbi të gjitha, duhet patur parasysh, se edhe Shqipëria shteti amë, duhe të bëj edhe më shumë edhe ajo, me që është pjesë e NATO-s dhe plot të drejta të tjera nëpër organizata ndërkombëtare, që të ngrejë çështjen e Luginës së Preshevës dhe pastaj edhe Kosova, kështu, që të dytë shtetet shqiptare, të kujdesen, për vëllezërit e tyre, që kanë mbetur pa dashjen e askujt, aty ku janë, jashta, Shqipërisë natyrale. E më kryesorja, për çëshje, si kjo e të tjera madhore, natyrisht, se do të duhej, të konsultohemi me miqtë tanë ndërkombëtarë, e me në krye SHBA-të. Ia lëjmë kohës… E sot, pas dite, delegacioni nga diaspora shqiptare e Medvegjës, së bashku me Llukman Halilin, u kthyen në Zvicër, në Gjenevë, Argau e CyrihE titullin e këtij reportazhi e gjeta, aty te realiti dhe dëshira e madhe e gjithë vëllezërve të Luginës së Preshevës, që e kanë treguar edhe me referendumin e 1, 2 Marsit 1992: "Drejt Luginës së Preshevës, e përsëri mendja e shpirti me Kosovë…".

Foto dhe teksti: Dashnim Hebibi

Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com

Një punë për Shaqën!
Rezoluta...
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration