Lokale
Ambasadorë të OSBE-së informohen për situatën në Luginë (foto)
Liderët politik shqiptar dhe ata serb në Luginë sot kanë zhvilluar një takim në Bujanoc me 25 ambasadorë të shteteve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE).
Në këtë takim kanë prezantuar edhe përfaqësuesit institucional lokal, Nagip Arifi kryetar i komunës së Bujanocit, Ragmi Mustafa kryetar i Preshevës, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Riza Halimi dhe Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe përfaqësues të tjerë institucional e politik.
Qëllimi i këtij takimi ishte njohja e drejtpërdrejt e problemeve shqiptare në Luginë si dhe ecuria e procesit të zhvillimit të bisedimeve mes liderëve shqiptarë dhe qeverisë së Serbisë me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.
“Takimi i sotëm me ambasadorët është një hapë shtesë i aktivitetit të qeverisë së Serbisë për të ndihmuar proceset në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Gjithashtu i kemi prezantuar edhe 7 kërkesat që i janë dorëzuar qeverisë nga liderët politik shqiptar të këtushëm”, tha Zoran Stankoviç i ngarkuari i qeverisë së Serbisë për të zgjidhur problemet shqiptare në Luginë, raporton Titulli.
Stankoviq, ka përsëritur se liderët politik shqiptarë dhe institucional të këtij rajoni duhet të definojnë qartë problemet e tyre dhe se ai së bashku me faktorin ndërkombëtar po mundohen që qytetarët e këtij rajoni të gëzojnë të drejtat e tyre si gjithë qytetarët e Serbisë.
Ndërsa kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi njëherit edhe nikoqirë i takimit më ambasadorë është shprehur se janë prezantuar të gjitha problemet të grumbulluara me vite në këtë rajon dhe se përfaqësuesit politik të këtushëm përkrahin rrugën paqësore të zgjidhjes së problemeve.
“Konsiderojë se platforma politike e aprovuar gjatë këtij viti nga kuvendi i këshilltarëve shqiptar të Luginës është një parakusht i mirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura shqiptare në këtë rajon. Gjithashtu konsiderojë se problemet e këtushme duhet të zgjidhen mbi të njëjtat parime me të cilat po zgjidhen problemet e serbëve të Kosovës”, deklaroi Arifi pas takimit me ambasadorë, i vetmi lider shqiptar që u prononcua për media.
Delegacioni i përbërë nga 25 ambasadorë të OSBE-së ka nisur turin e tij diplomatik duke zhvilluar takime me përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Serbisë, dhe pas takimit me përfaqësuesit politik në Luginë kanë vazhduar udhëtimin drejt Prishtinës ku do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Vlen të theksohet se prezenca këtij grupi diplomatik evropian në Bujanoc është ndër delegacionet më të mëdha ndërkombëtare që nga përfundimi i konfliktit të armatosur të UÇPMB-së dhe sipas bashkë biseduesve politik shqiptar do të shtohet trysnia ndaj qeverisë në Beograd për realizimin e kërkesave legjitime që ka ky rajon./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!