Situatë më e rënduar në komunën e Preshevës me Covid -19, s'ka të dhëna zyrtare për vdekjet
Lokale

Situatë më e rënduar në komunën e Preshevës me Covid -19, s'ka të dhëna zyrtare për vdekjet

26.Nov.2020 10:14
0

Situatë edhe më e rënduar është në komunën e Preshevës, ku vetëm në muajin nëntor janë regjistruar 149 raste të reja me koronavirus, nga 287 sa janë gjithsej që nga muaji korrik, kështu ka thënë për lajmi.net, Driton Salihu, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë.

Sipas Salihut, sidomos në 10 ditët e fundit është përkeqësuar edhe më shumë situata me pandeminë COVID-19, ku vetëm të hënën 27 persona kanë rezultuar pozitivë me këtë virus dhe siç theksoi Salihu, në Preshevë janë duke u bërë edhe testet anti-gjen. 

“Situata në këto 10 ditët e fundit është rënduar goxha shumë, është rritur edhe numri i pacientëve që po vinë në kontroll e që po kërkojnë ndihmë për shkak se kanë ndonjë simptomë të koronavirusit. Vetëm mbrëmë i kemi pasur 97 pacientë që kanë kërkuar ndihmë në Covid-ambulancë. Edhe ne që nga dita e djeshme kemi filluar të përdorim testet anti-gjene, për herë të parë këto teste janë duke u përdorur në Serbi edhe na kanë sjellë neve në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Këto teste po përdoren në vend të elisa teste, do me thënë tash po përdorim testet anti-gjen, do me thënë në qoftë se vjen pacienti dhe ka pasqyrë klinike të rëndë edhe del negativ me këtë test, atëherë udhëzohet që ta bëj testin PCR, sepse PCR prapë mbetet testimi definitiv për ta konfirmuar nëse një pacientë është me COVID-19 apo jo. Mirëpo nëse edhe me testin anti-gjen del pozitiv, atëherë pacienti është i konfirmuar se është i infektuar me koronavirus. Dhe kjo është arsyeja përse në Preshevë është rritur numri i të infektuarve, për shkak të testimeve që janë bërë. Vetëm gjatë ditës së djeshme (hënë), kanë qenë 27 qytetarë që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus nga 63 sa i kemi testuar gjithsej. Është rritur edhe numri i hospitalizimeve”, ka treguar Salihu.

Mirëpo sa i përket numrit të përgjithshëm, Salihu thotë se që nga korriku e deri më 23 nëntor në Preshevë janë 287 raste të konfirmuara me koronavirus, por vetëm gjatë muajit nëntor janë regjistruar 149 raste të reja.

Sipas Salihut, zyrtarisht në këtë komunë kanë ndërruar jetë pesë persona të cilët kanë qenë të prekur me koronavirus, por që sipas tij, këto shifra mund të jenë edhe më të larta pasi që siç theksoi Salihu, autoritetet serbe nuk i japin komunave të dhëna për pacientët që ndërrojnë jetë nëpër spitale. Ai ka treguar se vetëm pas kërkesës zyrtare të tyre kanë arritur që të marrin përgjigje se në Spitalin e Vranjës kanë qenë pesë pacientë nga Presheva që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi.

“Gjithsej numri i të infektuarve me koronavirus që nga muaji korrik e deri dje është, 287, por vetëm në muajin nëntor i kemi 149 raste të reja. Sa i përket rasteve të vdekjeve, ne zyrtarisht nuk i marrim të dhënat, sepse ka pacientë që ndërrojnë jetë në Vranjë, në Nish apo në Surdulicë edhe ne nuk i kemi shifrat zyrtare. Shifrat e fundit zyrtare që i kemi marrë prej Nishit me kërkesë tonë, në Nish nga 1 nëntori e deri më 18 nëntor kanë ndërruar jetë 5 pacientë, pra këto janë të dhënat zyrtare që i kemi. Do me thënë për 18 ditë pesë pacientë kanë ndërruar jetë të cilët zyrtarisht kanë qenë të prekur me koronavirus. Për pikat e tjera nuk kemi shifra sepse nuk i publikojnë, nuk na japin neve të dhënat dhe jo vetëm neve por askujt në asnjë komunë nuk i japin të dhënat, vetëm e publikojnë numrin e viktimave brenda 24 orëve. Ne si komunë nuk kemi raport ditor ose javor të pacientëve nga Presheva që ndërrojnë jetë nëpër spitale. Në muajin mars, prill e maj, Presheva nuk ka pasur asnjë rast, pasi që në njëfarë mënyre ne kemi qenë të izoluar, pasi që kufijtë me Kosovën e Maqedoninë e Veriut kanë qenë të mbyllur. Prej korrikut gati se çdo muaj i kemi pasur nga 30 deri në 40 pacientë të infektuar me koronavirus. Mirëpo në muajin nëntor kemi pasur raste shumë më shumë se muajt e tjerë, do me thënë më shumë se gjysma e rasteve të reja janë regjistruar vetëm këtë muaj”, tregoi Salihu.

Sipas tij, edhe më shumë e vështirëson situatën transporti, pasi që në Shtëpinë e Shëndetit autoambulancat janë të vjetruara dhe ka pesë vite që asnjë autoambulancë e re nuk është sjellë nga Ministria e Shëndetësisë apo edhe nga ndonjë donator i huaj.

“Çdo ditë minimumi nga tre pacientë i transportojmë për në Vranjë apo Surdulicë ose atyre që iu përkeqësohet gjendja na thirrin neve që t’i transportojmë në Nish. Ne me vetura me autoambulanca i kemi punët keq. Në pesë vitet e fundit nuk kemi marrë asnjë autoambulancë të re as nga ministria apo ndonjë donacion i organizatave të huaja. Do të thotë kemi shumë nevojë për autoambulanca. Kërkesat tona nuk janë ndalë. Unë kam kontaktuar edhe me presidentin Vuçiq edhe me kryeministren Bërnabiq, edhe Ministrisë së Shëndetësisë, iu kam drejtuar edhe Shtabit të Krizave për luftën kundër koronavirusit që është selia për Serbinë Jugore në Nish, që së paku të na ndihmojnë me një autoambulancë sepse me të vërtetë kemi nevojë, sepse përveç pacientëve me koronavirus kemi edhe pacientë të tjerë që kanë nevojë. Në Serbi tashmë i kanë reduktuar shumë operacionet përveç atyre rasteve urgjente. Ne kemi edhe pacientë të tjerë që i transportojmë për në Nish apo Beograd, e nuk janë vetëm pacientët me koronavirus, sepse ne nuk mund t’i lëmë pas dore pacientët e tjerë që nuk janë të prekur me kronavirus, por që kanë urgjenca të tjera”, ka thënë Salihu.

Njësoj sikurse në Bujanoc edhe në Komunën e Preshevës tashmë është shpallur situatë e jashtëzakonshme për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus.

Salihu ka thënë se edhe në këtë qytet nga sot hyjnë në fuqi edhe masat që ka marrë Qeveria e Serbisë dhe se tani e tutje, kushdo që del pa maska do të ndëshkohet pasi që edhe në të kaluarën maska ka qenë obligim mirëpo nuk është respektuar aq shumë, por që siç theksoi ai, tani e tutje kushdo që nuk vendos maskë në ambiente të mbyllura dhe ato të hapura ku nuk ka mundësi të mbajtjes së distancës, do të pasojnë dënimet.

“Presheva ka shpallur situatën e jashtëzakonshme qysh para një jave. Do të thotë lokalet janë të mbyllura, gastronomia është e mbyllur, janë të mbyllura që nga ora 18:00. Në Serbi tashmë sot hyn në fuqi masat e reja në fuqi, ku nga ora 18:00 në tërë Serbinë nuk do të punojnë lokalet e gastronomisë pas orës 18:00, maskat do  të jenë të obligueshme edhe pse ka qenë ky vendim për maska edhe më herët mirëpo tash mund të dënohen për mosmbajtjen e maskave edhe në ambientet e mbyllura edhe mbajtja e maskave në ambientet e hapura është bërë e obligueshme në ato raste kur nuk ka mundësi që të mbahet distanca sociale. Presheva është në situatë jashtëzakonshme dhe është një ndër komunat e pakta që ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve gjatë këtij muaji”, theksoi Salihu.

Arifi: Situata me pandeminë COVID-19 në Bujanoc e rëndë
Kamberi me dy flamuj para vetes në parlamentin e Serbisë, varrezat janë punë e Kosovës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration