Kongresisti amerikan ia dorëzon personalisht Kamberit projektligjin për diskriminimin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se sot, në Uashington, Kongresisti amerikan Keith Self i ka dorëzuar personalisht projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt që për herë të parë e vendos zyrtarisht çështjen e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përfaqëson një instrument zyrtar të shtetit amerikan, i cili synon vlerësimin, dokumentimin dhe ekspozimin e formave të ndryshme të diskriminimit me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Ky akt synon të adresojë pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës shqipe, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,” ka theksuar Kamberi.
Ai ka vlerësuar se, për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë ndërkombëtare, por futet drejtpërdrejt në qendër të politikës së Shteteve të Bashkuara, jo si çështje protokollare, por si detyrim moral dhe institucional.
Kamberi ka falënderuar kongresistin Keith Self në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke theksuar rëndësinë e këtij angazhimi në një kohë kur, sipas tij, shumë aktorë ndërkombëtarë zgjedhin të heshtin për shkak të interesave politike.
“Në një botë ku shumë heshtin nga interesi, Kongresisti Keith Self zgjodhi të flasë nga parimi,” ka përfunduar Kamberi.
Projektligji H.R. 6411 pritet të shërbejë si bazë për raportime zyrtare dhe vlerësime institucionale mbi trajtimin e shqiptarëve në Serbi, duke rritur vëmendjen dhe përgjegjësinë ndërkombëtare ndaj kësaj çështjeje.
