
Shqipëria rol i pazëvendësueshëm për shqiptarët në Luginë
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi me bashkëpunëtorë po qëndron për vizitë zyrtare në institucionet e Republikës së Shqipërisë, duke filluar me një takim me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë,Igli Hasani, me të cilin u diskutuan temat me rëndësi thelbësore për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
"Këshilli Kombëtar Shqiptar, mbetet institucioni kyç për avokimin dhe ngritjen e çështjeve në afirmimin e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginë. U dakordua se është mëse e rëndësishme një qasje e vazhdueshme për bashkërendim në mes të institucioneve të Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për të adresuar të gjitha temat që preokupojnë Luginën e Preshevës", thuhet në njoftimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Sipas këtij njoftimi Shqipëria ka një rol të pazëvendësueshëm në mbështetjen e shqiptarëve në Luginë, si në nivel diplomatik, ashtu edhe përmes politikave konkrete që nxisin zhvillimin dhe garantimin e të drejtave themelore.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka vlerësuar se mbetet i përkushtuar për të qenë një urë bashkëpunimi dhe një zë përfaqësues i interesave të shqiptarëve të Luginës, në bashkërendim të plotë me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe ato të Republikës së Kosovës.