"Thirrje" ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese
Rajoni dhe Politika

"Thirrje" ushtrisë serbe të kthehet në Kosovë, Beogradi pa reagim ndaj grafiteve kërcënuese

02.Aug.2023 07:17
0

Grafiti i ri “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” u shfaq në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është pikturuar flamuri i Serbisë.

Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.

Grafiti në qendër të qytetit

Pos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shfaqur në stadium, para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të qytetit.

Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radios Evropa e Lirë se ishte një mesazh i shëmtuar dhe se në ato fasada mund të vizatohej diçka shumë më e mirë.

“Nxitja, kujton disa prej gjërave negative”, tha ai.

Ai tha se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propagandë nacionaliste.

Grafit me të njëjtin mbishkrim në qendër të Beogradit.
Grafit me të njëjtin mbishkrim në qendër të Beogradit.

Milica Jovanoviq, banore e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo i percepton këto mbishkrime si shpërfytyrime të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.

“Mendoj se mesazhi nuk përkon me atë që është ky qytet, një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo, nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë", tha ajo.

Sipas një sondazhi të Institutit për Çështje Evropiane të realizuar në gusht të vitit 2022, gjysma e të anketuarve (49.9 për qind), besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh, por është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

Në mesin e kalimtarëve ishte edhe Rade Grozdaniq, i cili tha për REL-in se “shkrimi i mesazheve të tilla është utopi e pastër”.

Ai deklaroi se iu desh të largohej nga Kroacia në vitin 1995 pas operacionit "Stuhia", i cili i lejoi Kroacisë të rimarrë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj, ku serbët formuan të ashtuquajturën Republikë Serbe e Krajinës.

“Ajo thirrje dhe ajo politikë nuk mund t'i bëjë askujt mirë”, tha Rade Grozdaniq, duke komentuar lidhur me grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
“Ajo thirrje dhe ajo politikë nuk mund t'i bëjë askujt mirë”, tha Rade Grozdaniq, duke komentuar lidhur me grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

“Çfarë kthimi, çfarë Kosove, çfarë ushtrie, mendoj se ka gjëra më të bukura që u interesojnë njerëzve”, tha ai.

"Kur të kthehet ushtria në Kosovë" është varg i një kënge popullore.

Një qytetar i Beogradit, i cili është prezantuar si Miodrag, i tha Radios Evropa e Lirë se i kupton ata që shkruajnë mesazhe të tilla, por se nuk do t'i shkruante vetë.

"Ka nga ata që e përdorin për t'i ngatërruar njerëzit, mendoj se e bëjnë të rinjtë. Dikush e fut si temë, nuk mendoj se ata që e shkruajnë janë nga ata që lexojnë dhe shumë të arsimuar", tha ai.

“Kur të kthehet ushtria në Kosovë” edhe gjatë ndeshjes

Grafitet e shkruara nëpër qytet u pasuan me koreografi në stadiumin e klubit të futbollit Crvena Zvezda me të njëjtin mesazh “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Bashkë me pankartën, gjatë ndeshjes me Fiorentinën më 26 korrik, tifozët e Crvena Zvezdës krijuan edhe një koreografi që tregonte një tank dhe flamurin e Serbisë.

Deri në publikimin e këtij teksti, klubi i futbollit Crvena Zvezda, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për veprimin e tifozëve të tij.

Edhe nga UEFA (Bashkimi Evropian i Futbollit), deri në publikimin e këtij teksti, nuk iu përgjigjën pyetjes nëse do të reagonin ndaj shfaqjes së një mesazhi politik në stadiumin e Beogradit.

Koreografia në ndeshjen e futbollit të Crvena Zvezdës së Beogradit me tank dhe mbishkrimi "Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë".
Koreografia në ndeshjen e futbollit të Crvena Zvezdës së Beogradit me tank dhe mbishkrimi "Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë".

Lajmi për “koreografinë militante” në stadium gjatë ndeshjes së Crvena Zvezdës mori vëmendjen e mediave në rajon dhe nxiti reagimin e liderëve të Kosovës.

“Crvena Zvezda i ka bërë thirrje ushtrisë serbe që të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të vazhdueshme”, shkroi ndër tjerash në Twitter kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 korrik.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në të njëjtën ditë ka njoftuar në Twitter se pankarta është shpalosur në një ndeshje ku mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Bislimi, po ashtu, ka deklaruar se Delije, tifozët e Zvezdës, “shpesh dërgojnë mesazhe që Vuçiq nuk mund ose nuk dëshiron t'i thotë publikisht”.

Disa media në Serbi kanë bërë të ditur se Vuçiq ka qenë në tribunë gjatë ndeshjes Crvena Zvezda – Fiorentina dhe në llogaritë e tij në rrjetet sociale nuk ka asnjë fotografi nga ajo ngjarje.

YIHR: Një mesazh kërcënues

Maja Zhiliq, koordinatore e programit të Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR (Youth Initiative for Human Rights), i tha Radios Evropa e Lirë se mesazhi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shumë i qartë dhe shumë kërcënues.

“Sepse të gjithë e dimë se çfarë bëri ushtria serbe në vitet '90 në Kosovë dhe çfarë do të thotë ky mesazh në kontekstin e sotëm të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo.

Maja Zhiliq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Maja Zhiliq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë.

Serbia dhe Kosova në fund të shkurtit kanë pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian dhe në prill palët kanë rënë dakord për Aneksin për zbatimin e saj.

Partitë dhe lëvizjet e djathta në Serbi e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Maja Zhiliq nga Nisma Rinore ka vlerësuar se mesazhi i grafitit “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është se nuk ka rrugë paqësore për zgjidhjen e kontestit. Ajo theksoi se për këto grafite nuk ka asnjë reagim nga asnjë institucion në Serbi.

Grafite të reja si reagim ndaj ngjyrosjes në shkurt

Nuk dihet se kush qëndron mbrapa grafitit “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, por postimet me fotot e tyre shpërndahen në kanalet e djathtistëve në Telegram. Gjithashtu, ato shpërndahen në postimet në rrjetet sociale të disa anëtarëve të partive të djathta.

Sipas atyre njoftimeve, grafite me këtë varg ka edhe në qytete të tjera të Serbisë.

“Duket se disa forca nga e djathta, pas aksionit të ngjyrosjes filluan ta lyejnë qytetin”, ka theksuar Maja Zhiliq.

Në shkurt, aktivistët e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe shoqatës Krokodil, në parkun në sheshin Slavija të Beogradit, ngjyrosen grafitin "Kur të kthehet ushtria në Kosovë".

Tani, ky grafit është rishfaqur në të njëjtin vend.

Grafiti “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shkruar sërish pranë sheshit Slavija në Beograd.
Grafiti “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shkruar sërish pranë sheshit Slavija në Beograd.

Në një portal, i cili thuhet se është një portal informativ jozyrtar për të gjithë tifozët e Crvena Zvezdës, shkruhet se tifozët kanë krijuar grafite me atë mbishkrim në disa vende të Beogradit ditëve dhe javëve të fundit.

Në portal thuhet se ky është një reagim ndaj “shkatërrimit” të grafiteve pranë sheshit Slavija. Klubi i futbollit Crvena Zvezda nuk është prononcuar ndaj këtyre pretendimeve.

Zhiliq pranon se për të, si aktiviste, është shkatërrues që grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është rishfaqur në vendin ku ishte lyer.

Maja Zhiliq: “Kthimi” i grafiteve tregon se si nuk ka ndryshuar asgjë dhe se problemet janë më të thella sesa vetë grafiti.
Maja Zhiliq: “Kthimi” i grafiteve tregon se si nuk ka ndryshuar asgjë dhe se problemet janë më të thella sesa vetë grafiti.

“Sa mendojnë të rinjtë se përgjigjja për zgjidhjen e problemeve mes Serbisë dhe Kosovës është që ushtria të kthehet në Kosovë dhe të përsërisë të njëjtat që kanë ndodhur në vitet '90”, pyeti ajo.

Maja Zhiliq thotë se përveç heqjes së këtyre grafiteve, duhet edhe më shumë edukim dhe punë me të rinjtë për këto tema për të ndryshuar perceptimin.

Në dhjetor të vitit 2022, Serbia i dërgoi një kërkesë KFOR-it, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, për kthimin e deri 1000 ushtarëve dhe policëve të saj.

Kjo kërkesë ishte bërë, siç thanë autoritetet në Beograd, për shkak të pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Beogradi i ishte referuar Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara.

KFOR-i e refuzoi këtë kërkesë në fillim të janarit.

Ashtu si grafiti "Kur të kthehet ushtria në Kosovë" që po shfaqen tani në Beograd, nga fundi i vitit 2021 qyteti është përmbytur me vizatime të Ratko Mlladiqit, i dënuar i Hagës për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar 250 prej tyre, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që t'i largojnë ato.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi-REL
Policia e Serbisë gjen migrantë dhe armë në kufirin me Hungarinë
Abazoviç: Nëse të tjerët nuk arrijnë ta formojnë qeverinë, do ta propozoj një model
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration