Shkolla në Medvegjë me vetëm një nxënëse Valentina Zuka, nga fshati Gjylekreshtë i komunës së Medvegjës në shkollën e saj
Lokale

Shkolla në Medvegjë me vetëm një nxënëse

24.Dec.2015 23:12
0
Është vetëm 6 vjeçare. Akoma nuk i ka mësuar mirë shkronjat e para e mosha e re nuk është se ka zbuluar ende ndonjë talent tek ajo. Megjithatë, Valentina Zuka, nga fshati Gjylekreshtë i komunës së Medvegjës lirisht mund të quhet heroinë e fshatit të saj.

Ndonëse nuk bën asgjë të veçantë, ajo mban gjallë shkollën fillore në këtë fshat që dikur kishte rreth 120 nxënës e që sot funksionon vetëm nën mëshirën e Valentinës. Pasi bën rreth katër orë rrugë në këmbë nga shtëpia e saj, sapo përfundon në oborrin e shkollës ajo i shton edhe një ditë më shumë jetë fshatit të saj.

“Krejt më kanë thanë që në shkollë ka shumë fëmijë, e që kam me gjet shumë shokë e shoqe, por unë këtu nuk kam gjet asnjë prej tyre”, thotë ajo, teksa qëndron e vetme në klasë.

Ndonëse e pavetëdijshme për misionin e saj, Valentina e di shumë mirë se pse mëson e vetme në shkollën që dikur numëronte qindra nxënës shqiptarë, transmeton Telegrafi. “Krejt kanë ikë në Kosovë dhe në vendet tjera”, shprehet ajo, teksa nuk i ndan sytë nga dritarja e klasës, jashtë së cilës e priste babai i saj, i cili çdo ditë e sjell në shkollë dhe e kthen përsëri në shtëpi.

Atmosferën e zymtë që mbretëron çdo ditë në klasë, e shuan vetëm buzëqeshja e mësuesit Sabit i cili nuk përton ta fal atë sa herë që bëhet fjalë për nxënësit e tij. Mbi rrudhat e shpeshta që ia kanë mbuluar ballin peshojnë pesha të rënda ngase mësuesi Sabit ka vite që i ka të zbrazëta pothuajse të gjitha bankat e klasës së tij.

Ai thotë se edhe dy vitet e kaluara ka punuar vetëm me nga një nxënës. Ndonëse nuk është aspak e lehtë për të, ai tregon se kjo është mënyra e vetme për të mbajtur gjallë shkollën dhe fshatin. “Nëse mbyllet shkolla, mbyllet edhe fshati, dhe unë nuk e llogaris të gjallë një fshat në të cilin nuk ka nxënës”, shprehet ai teksa përcjell me vëmendje Valentinën që rri e heshtur, duke mos e kuptuar peshën e fjalëve tona.

Bashkëbisedimi ynë thyen heshtjen mes mureve të çara të shkollës, që plot dy muaj ishin mësuar të dëgjonin vetëm zërin e mësuesit Sabit dhe të Valentinës së vogël. Vetëm cicërimat e zogjve që lehtësisht arrinin deri në klasë ndonjëherë ndërprenë dialogun e tyre.

Peizazhi i bukur i fshatit të saj, që pikturohej në dritaren e klasës shpeshherë ia rrëmben vëmendjen Valentinës. Dielli i ngrohtë që lëshon rrezet e tij në këto ditë nëntori nuk arrin të depërtoj dot deri te fytyra e saj. Mbi bankë ka shpërndarë një sërë librash nga të cilat po merrte njohuritë e para. Ndonëse nuk ka munguar asnjë ditë të vetme në shkollë, prania e saj nuk është evidentuar askund. Mësuesi Sabit tregon se kanë mungesë të teksteve shkollore, shumicën prej të cilave i kanë të përkthyera nga librat serbë. Madje, ai tregon se akoma nuk është pajisur as me ditar në të cilin do të mund të evidentonte orët që mbanë.

“Ndonjëherë them, shyqyr që kemi pak nxënës se kam frikë që po marrim në qafë shumë njerëz”, është përgjigjja që ai jep i shqetësuar nga gjendja ekzistuese. Numrin e banorëve të mbetur në fshatin Gjylekreshtë e numëron në gishta, teksa tregon se pas Valentinës nuk ka më asnjë nxënës që do të ulet në vendin e saj. Edhe për katër vite, Valentina do të qëndroj e heshtur në bankën e saj duke hyrë në histori mbase si nxënësja e fundit që i dha lamtumirën shkollës së fshatit të saj. 
Pas saj, zilja e shkollës asnjëherë nuk do të bie më në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Gjylekreshtë të Medvegjës.

 (Reportazhi është punuar nga Egzona Krasniqi, e diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë). /Telegrafi/

Ndahen solemnisht certifikatat për pjesëmarrësit e programit "YouthBuild" (foto)
Halimi: Qeveria nëpërmjet Trupit Koordinues po rezervon një status kolonial për Luginën e Preshevës (video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration