Rruga e përgjakshme e Kosovës: Nga një vilajet osman, nëpër terrorin serb te pavarësia
Vështrime

Rruga e përgjakshme e Kosovës: Nga një vilajet osman, nëpër terrorin serb te pavarësia

19.Nov.2018 11:38
0

Ngaherë në prapaskenë zien një pyetje, shtjellimi i së cilës me kujdes ishte lënë anash që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore: kush dhe për ç’arsye ka pretendime ndaj Kosovës? Kjo pyetje ishte shtruar për herë të parë me rastin e Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Që nga atëherë kjo pyetje ishte shtruar në periudha të caktuara dhe kishte shkaktuar si debate kontroverse ashtu edhe konflikte të dhunshme. Tri modele argumentimi i bënin konkurrencë njëri-tjetrit: thirrja në të «drejtën historike», e drejta moderne e vetëvendosjes dhe thirrja në të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket të drejtës ndërkombëtare do të flasim në kontekst të Deklaratës së Kosovës për pavarësi të vitit 2008. Këtu fillimisht do të trajtojmë raportin e tensionuar mes «të drejtave historike» dhe të drejtës së vetëvendosjes së popujve. Si shpeshherë edhe në këtë rast perceptimi apo konstruksioni i së kaluarës luan rol vendimtar në interpretimin dhe konstruksionin e së tashmes. Të hedhim një shikim të shkurtër prapa.

Gjatë luftërave ballkanike të viteve 1912/13 Kosova, e cila deri atëherë ishte osmane, u pronësua nga trupat serbe. A ishte ky çlirim apo pushtim? Nga perspektiva e serbëve përgjigjja ishte e qartë. Retorika e tyre çlirimtare i referohej dhe i referohet faktit se Kosova rreth dy shekuj e gjysmë (prej fillimit të shekullit të 13-të deri nga mesi i shekullit 15-të) i kishte takuar Perandorisë mesjetare serbe të dinastisë së Nemanjiçëve dhe shteteve të tyre pasardhëse, para se për katër shekuj e gjysmë të bie nën «zgjedhën turke». Kosova ka qenë (dhe është) – shprehimisht nga pikëpamja e Kishës Ortodokse Serbe – tokë e «shenjtë», «zemra» e Serbisë mesjetare. Në Mesjetë patriarku serb kishte selinë e tij në Pejë. Shumë prej kishave dhe manastireve që gjenden në Kosovë (Deçani, Graçanica, etj.) i përkasin monumenteve më të bukura të kulturës mesjetare serbe. Në rrethinën e kryeqytetit të sotëm të Kosovës, Prishtinës, më 28 qershor 1389, në ditën e Shën Vidit (St. Veitstag/Vidovdan), u zhvillua Beteja e Fushë-Kosovës, e cila është e thurur me mite. Prijësi i aleancës së trupave të krishtera, princi Lazar, me atë rast kishte lënë jetën dhe menjëherë pastaj nga kisha serbe ishte shpallur «martir» i shenjtë. Në rrjedhën e krijimit të kombit serb në shekullin e 19-të Beteja e Fushë-Kosovës u ngrit në vendin më të rëndësishëm përkujtimor serb, ndonëse ajo historikisht ishte më pak e rëndësishme se betejat e tjera para dhe pas 1389-ës. Rëndësia që Kosova zë në rrëfimet e kishës që nga fundi i shekullit 14-të dhe në kujtesën kulturore të serbëve që nga mesi i shekullit 19-të bazohet më pak në ngjarje historike dhe më tepër në shenjtorët, heronjtë dhe tradhtarët, të cilët ndërlidhen me këto ngjarje (princi Lazar, Millosh Obiliqi, Kraleviq Marko, Jug Bogdani, nëntë Jugoviqët nga njëra anë dhe, në anën tjetër, tradhtari i supozuar Vuk Brankoviqi); ajo bazohet në mitet, të cilat u ushqyen pjesërisht nga rrëfimet kishtare, pjesërisht nga ato të përbotshme dhe u «nacionalizuan» në rrjedhën e shekullit 19-të dhe 20-të.

Rëndësia që ka Kosova si vend përkujtimor serbo-nacional ofron shumë ngjashmëri me «territoret perëndimore» që (pas Luftës së Dytë Botërore) iu bashkëngjitën Polonisë në narrativin polako-socialist pas mbarimit të luftës. Thirrja në sundimin dinastik në Mesjetë (në Piastët përkatësisht Nemanjiçët), kuptimi i rajonit si vende të lashta polake (Ziemie Staropolski) respektivisht «Serbi e Vjetër» (Stara Srbija), kujtimi i betejës së Tannenberg-ut të vitit 1410 përkatësisht Betejës së Fushë-Kosovës të vitit 1389, toposi mbi «marrjen e sërishme në pronësi» respektivisht «çlirimin» pas shekujve të shtypjes dhe sundimit të huaj si dhe synimi për «repolonizim» përkatësisht «reserbizim» të territoreve të rifituara (polonisht: Zemie odzyskane) ndjekin një model të njëjtë argumentues. Por këtu përfundojnë ngjashmëritë, sepse «zhvendosja perëndimore» e Polonisë ndodhi nën presionin e Bashkimit Sovjetik, ndërsa «zhvendosja jugore» e Serbisë respektivisht «çlirimi» i Kosovës u arrit pa ndikimin e palës së tretë.

Kush i referohet «të drejtave historike», ai niset nga ky përfytyrim: kombi ekziston prej se mbahet mend; ai është një lloj personi kolektiv, i cili fiton të drejta pronësie në një territor, të cilat pastaj atij nuk guxon t’ia marrë askush – së paku jo pa pëlqimin e tij. Nëse diçka e tillë ndodhë (gjë që ka rastisur vazhdimisht), atëherë bëhet fjalë për padrejtësi, e cila sërish duhet të shpaguhet. Kush ka fituar diçka njëherë – pa marrë parasysh në ç’mënyrë: përmes popullimit zanafillor, luftërave respektivisht pushtimit, kontratave dinastike apo të ngjashme -, këtë e ka fituar përgjithmonë, madje edhe nëse kjo është në kundërthënie me të drejtën e vetëvendosjes të popullsisë aktuale. Por, ekzistojnë dy probleme në këtë argumentim historik, të cilat mbesin të pazgjidhura: 1. Cila e drejtë peshon më shumë: e drejta e popullimit zanafillor, të cilin e pretendojnë shqiptarët për paraardhësit e tyre të supozuar, ilirët, apo e drejta shtetërore e projektuar në të kaluarën, në të cilën thirren serbët? Dhe 2.: Cila kohë paraqet pikënisjen për arsyetimin e të drejtave? Në rrjedhën e shekujve Kosova i ka takuar shumë shteteve: Perandorisë lindore romake/Bizantine, Perandorisë mesjetare bullgare, Perandorisë mesjetare serbe dhe pastaj Perandorisë Osmane. Më së gjati i ka takuar Perandorisë Bizantine dhe asaj Osmane. Atëherë si mund të argumentohet që përkatësia e Kosovës në Serbinë mesjetare është vendimtare për atë se kush ka sot të drejtë pretendimi ndaj këtij territori? Një arsyetim kompatibël për këtë nuk ekziston.

Kjo dilemë zakonisht «zgjidhet» duke futur në argumentim kritere morale respektivisht religjioze. Sipas kësaj ekzistojnë shtete të «mira» dhe të «këqija» ashtu siç ekzistojnë edhe kombe të «mira» dhe të «këqija» – të tilla që e kanë mbrojtur «Europën» kundër «Azisë», krishterimin kundër islamit, «civilizimin» kundër «barbarisë» etj., dhe të tilla që përfaqësojnë të «keqen» apo kanë «bashkëpunuar» me të «keqen». Shumë kombe në Europë – polakët, hungarezët, kroatët, serbët, rumunët (madje edhe vetë shqiptarët me heroin e tyre kombëtar Skënderbeun) – pretendojnë se kanë qenë «mburojë e Europës», «Antemurale christianitatis» dhe për këtë presin mirënjohje. Perandoria Osmane sidomos nga kombet e krishtera të Ballkanit konsiderohet pafundësisht si «Perandori e së keqes». Gjithçka që ka ndodhur gjatë sundimit osman është per se padrejtësi. Kjo domethënë: pretendimi serb ndaj Kosovës nuk mbështetet vetëm në atë se Kosova para disa shekujve i ka takuar njëherë Serbisë dhe se pjesëmarrja serbe në popullsinë e Kosovës gjatë shekujve ka qenë më e lartë se sot, por po ashtu dhe para së gjithash në atë se serbët në Fushë-Kosovë më 1389 kanë mbrojtur «krishterimin kundër islamit» dhe janë sakrifikuar për «Europën» dhe/apo për një «Perandori hyjnore». Pasi në shekullin e 17-të sërish kishin luftuar për krishterimin, ata qenë të shtyrë të braktisnin atdheun e tyre nga frika e hakmarrjes. Tek pastaj shqiptarët myslimanë paskëshin zaptuar tokën serbe dhe padrejtësisht qenkëshin shpërngulur në Kosovë. Fakti që shumica e shqiptarëve janë myslimanë, që kanë hequr dorë nga besimi i krishterë i paraardhësve të tyre, dhe fakti që ata i qëndruan pak a shumë lojalë Perandorisë Osmane deri në çerekun e fundit të shekullit 19-të, i damkos ata po ashtu si «renegatë», «tradhtarë» dhe «dorë të zgjatur të së keqes». Kështu, prania e tyre në «Kosovën serbe» është rrjedhojë e një padrejtësie të madhe historike, e një «tragjedia të pashembullt». Dhe si çdo padrejtësi edhe kjo kërkon zhdëmtim. Kuptohet vetvetiu se ky argumentim me bazë të krishterë nuk mund të jetë parim universal juridik. Ashtu siç nuk mund të jetë, nga ana tjetër, parim universal juridik «lufta e shenjtë» me vulë islamike. Fakti që përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe përdorin një retorikë të mbështetur në religjion, është e kuptueshme, por ndërkombëtarisht nuk është as kompatible, as konsesuale. Për shumicën e serbëve Kosova në radhë të parë është një vend simbolik, një mit, i shkëputur nga realiteti kryeneç. Deri në vitet 80-të ky vend u perceptua si regjion periferik, si i varfër, i prapambetur dhe i banuar me «šiptari të pacivilizuar». Qendër banimi e serbizimit modern Kosova nuk ka qenë kurrë. Sipas rezultateve të numërimit të popullsisë të vitit 1981 në Kosovë jetonin vetëm 2,6 për qind e të gjithë serbëve vendas në Jugosllavinë e atëhershme.

Mbi raportet e popullimit të Kosovës nga antika deri më sot janë zhvilluar pandërprerë debate që nga fundi i shekullit 19-të. Kush u vendos atje së pari? Kush jetoi atje para «pushtimit sllav të vendit»? Dhe si u zhvilluan pastaj raportet e popullimit? Përkundër problemeve me burime është e pakontestueshme se qysh në kohën e Perandorisë mesjetare serbe të Nemanjiçëve në Kosovë ka pasur shqiptarë. Nëse ata kanë qenë atje vendas para serbëve apo kanë ardhur nga territori fqinj nuk e dimë. Po ashtu e pakontestueshme është se raporti i forcave i serbëve dhe shqiptarëve gjatë katër shekuj e gjysmë nën sundimin osman për shkak të migracionit është zhvendosur në favor të këtyre të fundit. Kjo nuk ishte e pazakonshme. Ndryshime të tilla ka pasur edhe në pjesë të tjera të Europës, të cilat ishin të prekura nga thyerjet e thella si rezultat i pushtimit dhe ripushtimit. Me të drejtën moderne të vetëvendosjes së popujve nuk mund të arsyetohej bashkëngjitja e Kosovës Serbisë, pa marrë parasysh se si mund të jetë dukur përbërja etnike e popullsisë në kohën paramoderne. Po ashtu një territor nuk mund të çlirohet; mund të çlirohen vetëm njerëzit, të cilët jetojnë në atë territor. Dhe në kohën e luftërave ballkanike në Kosovë shumica e këtyre njerëzve ishin shqiptarë myslimanë. Pas pushtimit dhe bashkëngjitjes së territorit Serbisë shqiptarët e «çliruar» u diskriminuan në mënyrë masive. Ata u bënë objekt i një «misioni» serb «të civilizimit», qytetarë të rangut të dytë apo të tretë. Në Jugosllavinë e parë ata nuk ishin të pranuar si pakicë dhe nuk gëzonin asnjë mbrojtje si pakicë. Synimi i pushtetmbajtësve të rinj për ta «reserbizuar» Kosovën dhe për ta «civilizuar» – pjesërisht përmes popullimit të saj me kolonistë serbë, pjesërisht përmes asimilimit respektivisht konvertimit të atyre shqiptarëve, të cilët «në të vërtetë» ishin serbë me gjuhë të «gabuar» dhe besim të «gabuar» (të ashtuquajturit arnautaši), pjesërisht përmes përdorimit të dhunës fizike – nuk solli sukseset e dëshiruara. Edhe plani i përgatitur në gjysmën e dytë të viteve 30-të për shpërnguljen e një pjesë të shqiptarëve të Kosovës në Turqi (!) nuk u arrit të realizohej më para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë luftës fuqitë pushtuese – së pari Italia, pastaj Gjermania – u premtuan shqiptarëve themelimin e një shteti gjithëshqiptar dhe shqiptaromadh. Në këto parakushte shumë shqiptarë të Kosovës qenë të gatshëm të bashkëpunojnë. Ata më shumë i frikësoheshin rikthimit të sundimit serb se sa bashkëpunimit me italianët e padëshiruar. Megjithatë, popullsia mbeti politikisht e ndarë. Disa shpresonin në fitoren e «Fuqive të Boshtit» derisa të tjerët llogarisnin në fitoren e aleatëve. Disa e donin një Shqipëri të bashkuar nën protektoratin italian, të tjerët një Shqipëri të bashkuar nën Mbretin Zog, i cili ishte shkarkuar në prill 1939 nën presionin italian, sërish të tjerët synonin një republikë. Edhe në aspektin social popullsia shqiptare ishte e ndarë në bejlerë dhe bujq me vizione përkatësisht të ndryshme mbi ardhmërinë. Kësaj duhet shtuar dallimet mes toskëve shqiptarojugorë dhe gegëve shqiptaroveriorë dhe kosovarë. Shqiptarët e Kosovës ishin të një mendjeje vetëm në një pikë: ata nuk dëshironin kthim në rrethanat e paraluftës. Zemërimi i tyre drejtohej sidomos kundër fshatrave të kolonistëve serbë. Gjithsej 20 mijë kolonistë serbë dhe malazezë ikën apo u dëbuan, 10 mijë të tjerë ranë viktima të akteve hakmarrëse. Nga ana tjetër përvetësimi i shqiptarëve për qëllimet e Italisë apo të «Rajhut të Tretë» nuk solli suksese domethënëse. Themelimi i SS-divizionit shqiptar «Skënderbeu», i mbështetur nga nacionalsocialistët në fillim të vitit 1944, ishte dështim. U paraqitën vetëm 7’000 pjesëtarë, të cilët morën pjesë kryesisht në deportimin e hebrenjve vendas të Kosovës. Edhe njohja e «Shqipërisë etnike» (përfshirë edhe Kosovën) nga ana e Rajhut Gjerman më 13 korrik 1944 mbeti kryesisht pa efekt.

Në fund të vitit 1941 në Shqipëri me mbështetjen vendimtare të komunistëve jugosllavë Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës u themelua një Parti Komuniste shqiptare e dobët, anëtarët e së cilës rekrutoheshin në radhë të parë nga jugu tosk. Në luftën e saj për pushtet partia nën drejtimin e Enver Hoxhës mbeti e varur nga përkrahja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Çmimi për këtë ishte heqja dorë nga Kosova, një vendim që u mbajt fshehur. Ndonëse shqiptarëve të Kosovës nuk u shkonte mendja në një «tradhti» të tillë, ata – me përjashtim të grupeve të vogla – i qëndruan larg lëvizjes kryengritëse komuniste. Përvojat fund e krye negative me Jugosllavinë e parë e errësuan edhe themelimin e Jugosllavisë së dytë, komuniste. Mbështetje më të madhe gëzoi Balli Kombëtar, i themeluar në fund të vitit 1942, i cili angazhohej për një Shqipëri të bashkuar dhe reforma sociale dhe në luftën kundër komunistëve – ngjashëm sikur çetnikët serbë – lidhi aleanca me fuqinë pushtuese. Në fazën përfundimtare të luftës ballistët luftuan kundër «titistëve», të cilët me krejt ashpërsinë asgjësuan njësitë jokomuniste dhe e vunë nën presion masiv popullsinë civile. «Ata rekrutuan dhjetëra-mijëra të rinj shqiptarë, të cilët me forcë i detyruan të luftojnë kundër bashkëkombësve të tyre ose i dërguan drejt veriut në luftë kundër Wehrmacht-it. Me gjasë qëllimisht qindra rekrutë u vranë gjatë marsheve të dhunshme deri në Mal të Zi respektivisht në Mal të Zi (në Tivar). Si në pjesët e tjera të Jugosllavisë sundimi komunist filloi me një kasaphanë, e cila pashkëputshëm vazhdoi aktet e dhunshme të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore» (cituar sipas librit «Kosova…» të Oliver Jens Schmitt-it). Numri i viktimave kosovare-shqiptare vlerësohet në disa dhjetëra-mijëra.

E ardhmja e Kosovës nën sundimin komunist fillimisht mbeti e paqartë. Nga njëra anë «titistët» theksonin të drejtën e popujve për vetëvendosje, respektimin e «vullnetit të popullit», përfshirë edhe të drejtën e shkëputjes, dhe kështu shpresonin se do të gjenin më shumë mbështetje te popullsia shqiptare e Kosovës. Nga ana tjetër udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë – për dallim nga Enver Hoxha – nuk mendonte seriozisht të heq dorë nga Kosova, sepse sikur të bënte këtë ajo do të humbte përkrahjen e një pjese të shoqërisë serbe. Me krijimin e një Federate Ballkanike komuniste, të drejtuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë pritej të zgjidhej edhe «problemi i Kosovës» ashtu si «çështja maqedonase» respektivisht konflikti me Bullgarinë dhe Greqinë. Siç është theksuar më herët këto plane dështuan për shkak të dredhive të Stalinit. Bashkëngjitja e Kosovës së pajisur me të drejta autonomie Republikës së Serbisë që në vitin 1945 dhe mosrespektimi i të drejtës së vetëvendosjes, e cila u propagandua gjatë luftës, nga shqiptarët e Kosovës u perceptuan si mashtrim dhe ndër ta shtoi simpatitë për grupet – politikisht heterogjene – të ilegales.

Edhe kur Enver Hoxha pas prishjes mes Beogradit dhe Moskës më 1948 ia doli të shkëputet nga tutoria e Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në çështjen e Kosovës nuk ndryshoi asgjë për shkak se merrej parasysh lufta për pushtet mes toskëve dhe gegëve. Ndonëse kur i jepej rasti Hoxha në retorikën e tij shfrytëzonte çështjen e Kosovës, ai i frikësohej bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë në kohën pasuese u ndanë gjithnjë e më shumë nga njëra-tjetra, ndonëse njerëzit për shkak të mundësive të kufizuara të udhëtimit dinin shumë pak për këtë. Pas përjashtimit të Jugosllavisë nga Kominformi dhe përkrahjes që Hoxha ia dha Stalinit shqiptarët e Kosovës, «šiptari», u gjendën nën dyshimin paushall si tradhtarë potencialë. Dhe deri në rrëzimin e shefit të shërbimit sekret Aleksandar Rankoviq në vitin 1966 ata mbetën qytetarë të rendit të dytë. Tek me reformat kushtetuese në fund të viteve 60-të/në fillim të viteve 70-të situata ndryshoi thellësisht. Tani serbët e Kosovës ishin ata që u margjinalizuan dhe diskriminuan, për çka do të flitet pastaj.

Gjenerata e re e shqiptarëve të Kosovës dhe trazirat e pranverës 1981

Që nga fundi i viteve 60-të Kosova përjetoi një modernizim marramendës, i cili natyrisht vuante nën mangësitë e njëjta si zhvillimi ekonomik në pjesët e tjera të Jugosllavisë (joefikasiteti, investimet ekonomikisht jorentabile, rritja ekonomike e realizuar me huamarrje etj.) dhe sukseset e saj (mashtruese) «gëlltiteshin» pjesërisht nga nataliteti i lartë i shqiptarëve. Një ofensivë impozante arsimimi nxori një gjeneratë të re të sigurt në vete. Hisja e analfabetëve, e cila në vitin 1948 ishte mbi 62 për qind, deri nga fundi i viteve 80-të zbriti në 12 për qind. Numri i atyre që ndiqnin një shkollë të lartë apo universitetin tamam kishte «eksploduar». Në fillim të viteve 80-të në Universitetin e Prishtinës studionin 36’000 studente dhe studentë, 18’000 të tjerë kishin ndjekur studime pasuniversitare. Shoqëria shqiptare ndodhej në një ndryshim social dhe kulturor si kurrë më parë në historinë e saj. Por, siç është treguar gjetiu në këtë punim, Kosova mbeti e fundit në mesin e republikave dhe krahinave jugosllave. Hendeku me rajonet e zhvilluara më mirë thellohej vazhdimisht. Derisa në Slloveni në fillim të viteve 80-të mbretëronte punësim i plotë, në Kosovë më shumë se 23 për qind e popullsisë aktive (kryesisht të rinj përkatësisht fillestarë në profesion) kërkonte një vend pune. Elita e arsimuar, e cila ishte nisur me pritje të mëdha sa i përket zhvillimit të mëtutjeshëm, e shihte veten të bllokuar. Mungesa e perspektivës që rezultonte nga kjo gjendje ishte themeli mbi të cilin zunë fill lëvizjet nacionaliste. Atyre u dhanë flakë – siç ka treguar Oliver Schmitt-i – shkencëtarët nga Republika Popullore e Shqipërisë, të cilët që nga fillimi i viteve 70-të, pasi ishin shtendosur marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, u lejuan të ofrojnë «ndihmë zhvillimore» kulturore dhe me mendësinë e tyre nacional-staliniste infektuan rininë studentore, e cila po shtohej shumë shpejt. Celula të majta ekstremiste kosovare-shqiptare, të cilat simpatizonin me Enver Hoxhën, si dhe pjesë të radikalizuara te diasporës shqiptare u përpoqën ta indoktrinojnë popullsinë kosovare respektivisht ta kanalizojnë pakënaqësinë. Faktin që shqiptarët e Kosovës jetonin pakrahasueshëm më mirë se bashkëkombësit e tyre në shtetin fqinj të idealizuar nuk e kishin parandier as mbështetësit e bashkimit me Shqipërinë e panjohur, pra enveristët. Po ashtu për «tradhtinë» e Enver Hoxhës ata nuk dinin asgjë. Por, atmosfera në Kosovë ishte dhe mbeti e tensionuar dhe konfuze.

Më 11 mars 1981 – gati një vit pas vdekjes së Titos – në Universitetin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, shpërthyen trazira. Dy mijë studentëve, të cilët protestuan kundër cilësisë së mangët të ushqimit të mensës dhe të konvikteve, në ditët në vijim iu bashkuan disa dhjetëra-mijëra shqiptarë, të cilët kërkonin përmirësime sociale dhe statusin e Republikës për Kosovën. Pas përleshjeve me policinë dhe burgosjes së shumë demonstruesve protesta fillimisht sociale mori trajta gjithnjë e më shumë politike dhe nacionaliste. Duke pasur parasysh pabarazinë ekonomike dhe sociale të kosovarëve në Jugosllavi demonstruesit i brohoritën regjimit egalitar të diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Trazirat pjesërisht të dhunshme u zgjeruan në Maqedoni, ku në Tetovë shqiptarët po ashtu dolën në rrugë me parulla kombëtare. Qeveria në Beograd vendosi t’i shtyp trazirat me përdorim masiv dhe disproporcional të armatës dhe njësive speciale të policisë. Gjithsej 30 mijë ushtarë u dërguan në Kosovë, të cilët ndërhynë brutalisht kundër demonstruesve. Sipas vlerësimeve disa qindra shqiptarë u vranë. Mes marsit dhe qershorit u burgosën 1700 persona, prej të cilëve 226 pjesërisht u dënuan me burg shumëvjeçar. Udhëheqja partiake dhe shtetërore jugosllave ishte politikisht e mbingarkuar dhe e tmerruar i shikonte demonstratat e shqiptarëve, të cilat u dënuan unanimisht (edhe nga udhëheqja shqiptare në Kosovë). Në vend se të hiqej barra ideologjike dhe të hetoheshin shkaqet, nisi një fushatë kundër «kundërrevolucionit» shqiptar dhe rrezikut të ndërlidhur me këtë për integritetin e shtetit jugosllav. Stigmatizimi shkumëzues i shqiptarëve, dënimi i tyre paushall si «kundërrevolucionarë», «separatistë», «fashistë», «kominformistë» etj. si dhe tabuizimi i çdo debati serioz mbi problemet ekzistuese i dhanë hov një spiraleje, e cila – si profeci e vetërealizuar – çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë. Reagimet e ashpra të politikanëve dhe medieve jugosllave i dhanë demonstratave një cilësi, të cilën – sipas informatave që deri më tani i kemi në dispozicion – ato nuk e kishin. Teoritë e komplotit, skenarët e fundosjes dhe mitet ua zunë vendin analizave.

Shkaqet dhe rrjedha e trazirave të vitit 1981 ende janë të paqarta. Gazetari Viktor Meier në vitin 1995 shkruante: «Përkundër shumë pyetjeve dhe bisedave autori deri në ditën e sotme nuk ka arritur që bile përafërsisht ta ketë të qartë se çfarë dëshironin konkretisht demonstruesit shqiptarë në mars dhe prill 1981». Paqartësia mbi motivet e demonstruesve rezultonte me gjasë nga një lëmsh vështirë i zgjidhshëm i pakënaqësisë sociale, tensioneve ndëretnike, nacionalizimit të vonshëm, lëvizjeve të ndryshme brenda shoqërisë kosovare-shqiptare dhe pasiguria mbi të ardhmen. Por, kërkesa për pranimin si republikë e shtatë ishte mbizotëruese. Dhe nga frustrimi mbi refuzimin e statusit të republikës deri te kërkesa për shkëputje ishte vetëm një hap relativisht i vogël, madje edhe kur fillimisht shumica e popullsisë shqiptare të Kosovës si dhe liderët e saj politikë hidhnin poshtë dhunën për realizimin e kërkesave.

Ankesat serbe dhe preludi i diskursit mbi gjenocidin

Më 15 maj 1982 revista «Pravoslavlje», organ i Kishës Ortodokse Serbe, botoi një «Apel për mbrojtjen e popullsisë serbe dhe objekteve të shenjta të saj në Kosovë». Atij i kishin paraprirë demonstratat e shqiptarëve – «poturice» (të turqizuarve), siç thuhet në apel – si dhe shumë zjarrvënie të pasqaruara kundër objekteve të shenjta serbe, mes tjerash kundër ndërtesës së Patriarkatit në Pejë. 21 popët dhe murgjit që nënshkruan apelin në maj 1982, mes tyre teologët murgj Anastasije Jevtiq, Amfilohije Radoviq dhe Irinej Buloviq (ky i fundit në fillim të vitit 2010 u kurorëzua patriark), e arsyetuan qasjen e tyre me këto fjalë: «Kisha Ortodokse Serbe po akuzohet se deri më tani zëri i saj nuk është dëgjuar në publik sa i përket kësaj çështjeje. […] Ne jemi të vetëdijshëm […] për faktin se heshtja do t’i ngjante pranimit apo edhe më tepër krimit të tradhtisë ndaj popullit tonë, prandaj kemi vendosur që këtë fjalim modest t’ia drejtojmë përgjegjësve dhe të gjithë njerëzve që e duan të vërtetën». Autorët e theksojnë rëndësinë e Kosovës në kujtesën kolektive të serbëve: «Sipas fjalëve të serbes më të mençur, Isidora Sekuliqit, ‹serbizmi nuk është buka, as shkolla, as shteti, por Kosova, një kriptë, kripta, në të cilën janë të varrosura të gjitha. Ringjallja kalon nëpër kriptë, sepse nuk ka ringjallje pa vdekje›. […] Nuk ka serb që nuk ka menduar për Kosovën, nuk ka folur, shkruar, vajtuar dhe nuk është ringjallur mbi Kosovën. […] Kosova është kujtesa jonë, vatra jonë, fokusi i karakterit tonë. T’ia marrësh një kombi kujtesën e tij, domethënë ta vrasësh dhe ta shkatërrosh shpirtërisht». Fjalia kyçe e «fjalimit modest» ishte kjo: «Pa asnjë teprim mund të thuhet se populli serb në Kosovë po duron një gjenocid të ngadalshëm dhe mirë të planifikuar». Në një vend tjetër nënvizohej: «Duket se lufta shekullore për Kosovën këto ditë po i afrohet fundit – me shpërnguljen e tretë dhe të fundit të serbëve [pas shpërnguljeve të viteve 1690 dhe 1739], domethënë me humbjen përfundimtare, e cila do të jetë më e tmerrshmja në historinë e këtij populli dhe vendi».

Përmendja e «gjenocidit mirë të planifikuar» ishte sa e rrejshme po aq edhe provokuese. Sigurisht që kishte deficite të mëdha. Që nga rrëzimi i Aleksandar Rankoviqit dhe avancimit kushtetues të Kosovës në fund të viteve 60-të/në fillim të viteve 70-të raporti etnik i forcave në krahinë kishte ndryshuar për 190 gradë. Ashtu si udhëheqja serbe në Kosovë edhe prijësit shqiptarë të Kosovës ndiqnin një politikë të përjashtimit nacional. Serbët dhe malazezët vendas në Kosovë e shihnin veten të nënshtruar një margjinalizimi të shtuar dhe diskriminimi psikologjik. Shumë prej tyre braktisën rajonin për arsye të ndryshme: humbja e pozitës më herët të privilegjuar, animozitete dhe sulme nga ana e popullsisë shqiptare, pasiguri ligjore dhe mungesë e perspektivës ekonomike, e cila edhe shumë shqiptarë i shtynte të kërkojnë punë në botën e jashtme. Në qëndrimet serbe vazhdimisht flitej për 150 mijë deri 200 mijë serbë të shpërngulur nga Kosova. Ky numër mohohet nga rezultatet e numërimit të popullsisë. Në vitin 1971 u numëruan 228’000 serbë (këta ishin një mijë më shumë se në vitin 1961, por më pak se ç’pritej në bazë të kuotës së shtimit të popullsisë). Dhjetë vjet më vonë ishin 209’000, pra 19’000 më pak se më 1971. Për shkak të natalitetit të ndryshëm hisja e serbëve në popullsinë e përgjithshme të Kosovës u pakësua vazhdimisht dhe dukshëm: prej 23,5 për qind (1961) në 18,4 për qind (1971) dhe 13,2 për qind (1981). (Pasi që hisja e serbëve në popullsinë e republikave të tjera, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci, po ashtu pakësohej, shifra të tilla shkaktonin vazhdimisht atmosfera paniku). Nëse merret parasysh kuota e natyrshme e natalitetit të serbëve të Kosovës dhe nëse rezultatet e numërimeve të popullsisë rriten përkatësisht, atëherë shpërngulja neto mes viteve 1971 dhe 1981 mund të ketë qenë afër 40 mijë persona. Nëse këtu i llogarisim edhe ata që braktisën Kosovën mes viteve 1961 dhe 1971, atëherë arrijmë në gjithsej 85’000 persona (prej të cilëve gati gjysma ishin pasardhës të «kolonistëve» serbë nga periudha mes dy luftërave botërore). Kjo ishte shqetësuese, por nuk ishte gjenocid.

Se në mesin e shqiptarëve të Kosovës kishte nacionalistë fanatikë, këtë më së voni e kishin treguar demonstratat e vitit 1981. Dhe ky nacionalizëm nuk ishte më i mirë se nacionalizmat e tjerë. Sa i përket ekseseve – e sidomos dhunimet e shumëpërmendura të vajzave dhe grave serbe -, duhet thënë se dëshmi të verifikueshme paraqiteshin në rastet më të rralla, gjë që nuk do të thotë se nuk ka pasur eksese. Vetëm shkrimtari serb dhe politikani i mëvonshëm Vuk Drashkoviqi besonte se e dinte saktësisht. Në romanin e tij «Konsulli rus», botuar në vitin 1988, thuhet se që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore 400’000 serbë paskëshin braktisur Kosovën, se ishin shkatërruar 28 kisha ortodokse, ishin rrahur 46 murgj dhe murgesha dhe ishin dhunuar 3’743 vajza dhe gra serbe. Këto të dhëna nuk mund të verifikoheshin as përmes hulumtimeve empirike në vendin e ngjarjes, as përmes akteve policore apo gjyqësore. Mes 1 janarit 1981 dhe 1 nëntorit 1986 në Kosovë u paraqitën 380 raste të dhunimit, tentimdhunimit, ngacmimit seksual dhe të ngjashme. Në 277 raste viktima dhe i inkriminuari ishin shqiptarë, në 38 raste ishin serbë. Në 65 raste i inkriminuari dhe viktima ishin me përkatësi të ndryshme kombëtare. Një grup i juristëve serbë dhe ekspertëve të të drejtave të njeriut në vitin 1990 arriti në përfundim se numri i dhunimeve në Kosovë gjatë viteve 80-të kishte qenë më i vogël se në pjesët e tjera të Jugosllavisë. Në dhjetë vitet mes 1979 dhe 1988 në Kosovë u dënuan gjithsej 210 burra për dhunim apo tentimdhunim. Kështu në 10’000 banorë numëroheshin 0,5 delikte. Kjo ishte më pak se mesatarja jugosllave (0,69) dhe dukshëm më pak se në Serbinë e ngushtë (0,83). Gjatë pesë viteve 1982-86, sipas të dhënave zyrtare, u fajësuan (!) gjithsej 31 shqiptarë se kanë dhunuar një serbe apo malazeze. Niveli relativisht i ulët i kriminalitetit në Kosovë mund të jetë edhe rrjedhojë e asaj se kuota e zbulimit të krimeve ishte e ulët dhe se pak a shumë ekzistonte një shifër e lartë e rasteve të paraportuara (njëjtë si në pjesët e tjera të Jugosllavisë), por mund të jetë se raste të supozuara thjeshtë ishin thashetheme. Por, në këtë rast llafet poshtë e lartë ishin më influencuese se sa realiteti. Në lidhje me këtë edhe njëherë Viktor Meier: «Hulumtimet në fshatrat serbe të Kosovës zhvilloheshin […] në mënyrë stereotipe si vijon: së pari renditeshin tirada të panumërta mbi dhunimet, plaçkitjet, dëmtimin e pronave, bezdisjet dhe të ngjashme; rregullisht tirada të njëjta përsëriteshin edhe kundër Universitetit të Prishtinës si çerdhe dhe burim i këtyre të këqijave. Në pyetjen nëse këtu diku afër vërtet kanë ndodhur gjëra të tilla, pothuaj rregullisht pasonte përgjigjja se s’kishte raste të tilla, por nuk duhej pritur që ato vërtet të ndodhnin».

Nataliteti i lartë i shqiptarëve të Kosovës (me 2,3 për qind në vit ndër më të lartit në Europë) nxiti histerinë mbi dëbimin biologjik të serbëve, «një populli të masakruar» (siç thoshte poeti Matija Beçkoviqi), dhe u interpretua si instrument i politikës antiserbe, si «bombë e natalitetit», respektivisht «luftë e ndryrë demografike për një Kosovë etnikisht të pastër». (Edhe në diskurset nacionaliste të kroatëve dhe sllovenëve demografia u instrumentalizua politikisht. Ishte një obsesion i vërtetë). Fakt është natyrisht se revolucioni «kundërrevolucionar» demografik te shqiptarët nisi vetëm disa dekada më vonë se te shoqëritë e tjera të Ballkanit dhe në rrjedhën e saj nuk dallon në mënyrë thelbësore nga zhvillimet pararendëse demografike të fqinjëve, përfshirë dhe serbët. Faktit që serbët dhe malazezët në krahinë ishin pakicë qarqet kishtare ortodokse përpiqeshin t’i përgjigjeshin duke thënë se «në këtë rast më e rëndësishme është ideogjeneza se sa etnogjeneza». Kosova, sipas këtij mendimi, nuk është vetëm vendqëndrim fizik, por dhe një krijesë metafizike. «Qielli dhe toka përbëjnë këtë vendlindje serbe». Për këtë arsye përbërja aktuale etnike nuk qenkësh vendimtare. Një anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Serbë në vitin 1989 në mënyrë empatike shtoi: «Në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës ne bëjmë me dije se Kosova është Serbi dhe ky fakt nuk varet as nga nataliteti shqiptar, as nga mortaliteti serb. Ka aq shumë gjak serb dhe aq shumë relikte të shenjta që Kosovën e bëjnë vend serb, madje edhe nëse atje nuk mbetet asnjë serb». Ta interpretosh Kosovën si vendlindje metafizike serbe është një gjë, por krejtësisht diçka tjetër është ta kesh në pronësi fizike territorin.

Një hap tjetër në rrugën drejt histerisë nacionale paraqiti «rasti i Gjorgje Martinoviqit» nga pranvera e vitit 1985 – kinse keqtrajtimi seksual kurrë i sqaruar tamam i një serbi të Kosovës nga shqiptarët, që në shtypin serb me muaj të tërë nxiti raporte pafundësisht të tepërta dhe të papërgjegjshme. Ngarkimi diskursiv i rastit gjeti shprehje simbolike në një pikturë të piktorit të njohur serb Miça Popoviqit (1923-1996) në formën e një kryqëzimi (!). Madje edhe në vetë Parlamentin e Jugosllavisë u zhvillua një debat mbi «rastin Martinoviq». Në vjeshtë 1985 nacionalisti Kosta Bullatoviqi formuloi një letërankesë, «Peticioni i 2016», ndaj organeve jugosllave dhe serbe të Lidhjes Komuniste në Beograd, në të cilën nënshkruesit luteshin të merrej në mbrojtje popullsia serbe e Kosovës. Po ashtu në vitin 1985 historiani serb Dimirije Bogdanoviqi botoi një histori të Kosovës (Libri mbi Kosovën), në të cilin erdhi në përfundim se shqiptarët e atjeshëm gjoja po i kërcënojnë serbët me një «gjenocid biologjik». Në shkurt 1986 gjithsej 160 serbë dhe malazezë nga Kosova i dorëzuan Parlamentit Federal jugosllav një katalog me ankesa. Folësit e tyre deklaruan se nuk janë qytetarët e thjeshtë shqiptarë ata që i kanë sjellë serbët në situatë të mjerueshme, por politikanët udhëheqës të krahinës. Një muaj më parë 212 intelektualë serbë, mes tyre 52 profesorë, 34 anëtarë të Akademisë Serbe të Shkencave dhe katër anëtare të ish-grupit «Praxis», nën udhëheqjen e Dobrica Qosiqit, nënshkruan një peticion, në të cilin serbët e Kosovës u shpallën viktima të «gjenocidit».

Përfaqësues të studimeve të mobilitetit social theksojnë se protestat serbe kishin karakter nxitës. Kjo është e saktë për aq sa në mesin e serbëve të Kosovës ekzistonte një potencial i fuqishëm i pakënaqësisë (ashtu si në mesin e shqiptarëve të Kosovës). E saktë është po ashtu se lëvizja protestuese e serbëve fillimisht nuk u përkrah nga elita politike në Beograd, e lëre më të jetë organizuar prej saj. Ajo u organizua nga Mirosllav Sholleviqi, Kosta Bullatoviqi dhe të tjerë në fshatin Fushë-Kosovë (në jugperëndim të Prishtinës). Si në mesin e shqiptarëve të Kosovës ashtu dhe ndër serbët e Kosovës kishte ekstremistë nacionalë (akademikë të rinj të frustruar dhe intelektualë nga njëra anë dhe akterë lokalë në anën tjetër), të cilët nxitnin palët reciprokisht dhe përpiqeshin të kanalizonin pakënaqësinë e popullsisë sipas interesit të tyre. Por, pa këtë kanalizim, pa durim «nga lart» dhe pa mbështetjen masive të elitave serbe të interpretimit (si dhe në fund edhe të politikanëve) këto protesta që buronin nga baza e popullsisë nuk do të kishin arritur këtë qëndrueshmëri dhe efekt, të cilat së shpejti do të dridhnin themelet e Jugosllavisë. (fq. 219-234)

LUFTA E KOSOVËS DHE INTERVENIMI I NATO-s (1998/99)

Nga mosdhuna te terrorizmi

Një «pikë e dobët» qëllimisht ishte harruar në Dayton. Tre muaj para fillimit të negociatave në Ohio Millosheviqi kishte vizituar Kosovën, për herë të parë pas tri vitesh. Atje ai siguroi se synim i tij ishte «paqja e vazhdueshme dhe e drejtë» në ish-Jugosllavi. Populli serb, shtoi ai, ka një përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e pakicave. Serbia është «shtet i të gjithë qytetarëve të saj» dhe Kosova duhet të jetë një «rajon i mirëkuptimit të ndërsjellë, i bashkëpunimit dhe bashkëjetesës». Kur kreu i delegacionit gjerman në Dayton, Wolfgang Ischinger, ia kishte përmendur Millosheviqit Kosovën, ky «tamam kishte eksploduar»: në rastin e Kosovës, kishte thënë Millosheviqi, bëhet fjalë për një problem ekskluzivisht të brendshëm të vendit të tij dhe vendosmërisht kishte hedhur poshtë çdo përpjekje për ndërkombëtarizim.

Që nga fillimi i viteve 90-të në Kosovë ishte ndërtuar një sistem, i cili shumë vëzhguesve ua kujtonte aparteidin në Afrikën e Jugut. Ky sistem nga politika ndërkombëtare kryesisht u injorua. Ambasadori i mëparshëm amerikan në Beograd, Warren Zimmermann, në pranverë të vitit 1992 foli për një «situatë tipike koloniale». Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mes tyre edhe OJQ aktive në gjithë botën si «Human Rights Watch», vazhdimisht dokumentonin diskriminimet e shqiptarëve dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë. Ato raportonin mbi përndjekjen e politikanëve shqiptarë, mbi keqtrajtimet dhe rastet e pasqaruara të vdekjes së të burgosurve, mbi helmimin e supozuar (dhe të pasqaruar tamam) të fëmijëve shqiptarë në mars 1990, mbi proceset e dyshimta kundër «terroristëve», mbi përjashtimet masive nga puna të shqiptarëve nga institucionet publike, mbi rastet e pasqaruara të vdekjes së rekrutëve shqiptarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë, mbi kufizimin e lirisë së shtypit, përndjekjen e gazetarëve, serbizimin e jetës publike (përfshirë edhe sistemin juridik), të sistemeve arsimore dhe shëndetësore etj. Gjithnjë e më shumë shqiptarë u përzunë në mjerim dhe shumë prej tyre braktisën vendin. Veçanërisht shqetësuese ishin lajmet mbi shpërndarjen e armëve pakicës serbe në Kosovë, mbi praninë e fuqishme të Armatës Popullore dhe shfaqjen e bandave ilegale serbe.

Përballë këtij zhvillimi shqiptarët hap pas hapi u tërhoqën në shoqërinë e tyre paralele. Më 7 shtator 1990 parlamenti i Kosovës, i cili pak më parë ishte shpërndarë nga pala serbe, në një mbledhje sekrete në Kaçanik miratoi një Kushtetutë, me të cilën shpallej pavarësia e krahinës. Në një referendum të mbajtur nga 26 deri më 30 shtator 1991 shumica absolute e shqiptarëve u deklarua për shtetin e tyre. Dhe nga zgjedhjet e 24 majit 1992 fituese doli «Lidhja Demokratike e Kosovës» (LDK). Lideri i saj, shkrimtari Ibrahim Rugova (1944-2006), babai dhe gjyshi i të cilit në fillim të vitit 1945 ishin vrarë nga komunistët si «kolaboracionistë», u zgjodh kryetar shteti. Rugova ndoqi një politikë të mosdhunës, e cila u përkrah nga shumica e popullsisë dhe sidomos nga popullsia e vjetër urbane. Me rastin e një vizite në Londër ai nga mesi i viteve 90-të deklaroi: «Kasaphana nuk është forma e vetme e betejës. Nuk kemi poshtërim masiv në Kosovë. Jemi të organizuar dhe po operojmë si shtet. Është lehtë të dalësh në rrugë dhe të shkosh drejt vetëvrasjes, por mençuria është që t’i iket katastrofës». Shqiptarët, financiarisht të mbështetur nga diaspora e tyre në Europën Perëndimore dhe në SHBA, hap pas hapi ndërtuan strukturat e tyre paralele: shkolla shqipe, spitale, medie, një sistem të tyre tatimor etj. dhe evitonin çdo kontakt me «padronët» serbë. Ata po ashtu bojkotuan zgjedhjet presidenciale në Serbi në dhjetor 1992, ndonëse me votat e tyre zgjedhja e Millosheviqit me gjasë do të ishte penguar. Zëvendëskryetari i LDK-së dhe këshilltari i Rugovës, Fehmi Agani, shpjegonte: «Nëse flasim hapur, atëherë është më mirë të vazhdohet me Millosheviqin […]. Millosheviqi ishte shumë i suksesshëm në shkatërrimin e Jugosllavisë, nëse vazhdon në mënyrë të njëjtë, ai do ta shkatërrojë edhe Serbinë […]». Fillimisht Millosheviqi nuk ndërmori asgjë, kështu që Kosova u nda në dy pjesë të pabarabarta: njëra gjysmë ishte publike, e dominuar nga serbët dhe gjysma tjetër jozyrtare e mbizotëruar nga institucionet në hije – dhe që të dyja këto gjysma ekzistonin pranë dhe të pavarura nga njëra-tjetra.

Strategjia e mosdhunës e Rugovës pësoi krizë, pasi që mungonin rezultate të prekshme të politikës së tij dhe gjendja e përgjithshme ashpërsohej. Fakti se përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës nuk u ftuan në negociatat në Dayton dhe Marrëveshja e Daytonit e përjashtoi çështjen e Kosovës, diskreditoi politikën e mosdhunës të Rugovës. Numri i të pakënaqurve rritej dhe shoqëria e Kosovës u përça në një kamp paqësor (akoma në shumicë) dhe në një kamp militant (fuqia e të cilit rritej). Veçanërisht të rinjtë – si në fshatra ashtu edhe të shkolluarit në qytete, të cilët nuk kishin çfarë të humbnin – kërkonin alternativa dhe radikalizoheshin. Që në fillim të viteve 90-të me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte themeluar një organizatë guerile në Kosovë dhe në disa pjesë të Maqedonisë. Fillimisht ajo kryesisht u dominua nga klanet si ai i Jasharajve apo Ahmeti, të cilat ngaherë ishin të njohura me luftëtarë rezistence. Deri në Dayton UÇK mbeti një dukuri margjinale. Edhe në vitin 1997 ajo numëronte vetëm rreth 150 anëtarë aktivë. Por, atmosfera kishte ndryshuar tani. Ndonëse Rugova në mars 1998 me rastin e zgjedhjeve të papranuara nga Jugosllavia e mbetur ishte konfirmuar në postin e tij si president, kritika kundër politikës së tij u shtua. Në një intervistë me gazetën shqiptaro-amerikane «Illyria» më 4 tetor 1996 shkrimtari shqiptar Ismail Kadare në New York atakoi politikën e mosdhunës të Rugovës: «Shqiptarët duhet ta tejkalojnë këtë periudhë të pafavorshme për ta. Duhet të vetëdijesohen për gjendjen e tyre, forcën e tyre, kulturën si dhe mundësitë që kanë. Ata duhet të çlirohen nga dobësia morale, nga albanofobia që fatkeqësisht ishte mbjellë si te qytetarët e zakonshëm ashtu edhe te një grup intelektualësh të degjeneruar. Dhe më e rëndësishmja, shqiptarët duhet të çlirohen nga kompleksi i frikës që dinakërisht është kultivuar në vitet e fundit në emër të pacifizmit».

Qysh në shkurt 1996 UÇK kishte filluar me sulmet e para kundër stacioneve policore dhe përfaqësuesve të Jugosllavisë së cunguar, kështu që pastaj qeveria e Beogradit shtoi numrin e forcave të saj të sigurisë në Kosovë dhe ndërmori reprezalje masive. Jo vetëm nga pikëpamja e Beogradit, por edhe ajo amerikane UÇK ishte një organizatë «terroriste». Ajo përbëhej prej grupeve të ndryshme, rivalizuese me njëra-tjetrën, anëtarët e së cilës rekrutoheshin prej strukturave klanore dhe familjare apo lojaliteteve lokale. «Grupi i Drenicës» përreth Hashim Thaçit kishte arritur që në rrjedhën e luftërave reciproke për pushtet të rrëmbejë pozitën udhëheqëse. Thuhet se për financimin e saj UÇK ishte involvuar edhe në tregtinë me drogë. Ashtu si lëvizjet e hershme kombëtare çlirimtare në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të edhe te UÇK-ja kufijtë mes luftëtarëve të lirisë dhe plaçkitësve, mes rezistencës dhe krimit të organizuar ishin fluid.

Shkatërrimi i rendit publik në shtetin fqinj, në Shqipëri, si pasojë e «skandalit të piramidave» të vitit 1997 i dha gueriles kosovare një shans të mirëseardhur të pajiset lirë me armë, t’i ushtrojë luftëtarët e saj në kampe të Shqipërisë veriore dhe në garë me regjimin e Beogradit të sjellë më tutje spiralen e dhunës. Përpjekjet e ndryshme të organizatave ndërkombëtare për të ndërmjetësuar mes Millosheviqit dhe Rugovës nuk sollën asgjë. «Ylli i Rugovës nisi të zbehej. Rënia e tij u përshpejtua kur ai në vjeshtë 1997, me rastin e protestave masive të studentëve në Prishtinë, të cilat ishin kryengritja e parë masive që nga viti 1990, nuk doli në krye të demonstruesve. Tetë vjet të politikës serbe të moslëshimit pe dhe papajtueshmërisë, ndërmjetësimit të kotë ndërkombëtar dhe mosdhunës së paefektshme i sollën shqiptarët e Kosovës deri aty që fatin e tyre ta vënin në duart e një trupe guerile të dezorganizuar, por shumë të motivuar. Me atë rast nuk luante rol që kundërshtari ishte superior dhe shkëputja nga Beogradi dukej larg vite drite» (cituar nga libri i Rafael Biermann: «Dështimi i preventivës ndërkombëtare të konfliktit»).

Eskalimi dhe dështimi i diplomacisë

Më 5 mars 1998 ushtria serbe dhe forcat policore sulmuan fshatin Prekaz në luginën e Drenicës (në Kosovën qendrore). Prekazi ishte vendlindja e Adem Jasharit, njërit prej organizatorëve të UÇK-së, ndërsa lugina e Drenicës ishte vatër e kryengritësve, prej së cilës vazhdimisht sulmoheshin njësitë serbe përkatësisht jugosllave. Nga pikëpamja e Beogradit Jashari ishte njëri prej kryeterroristëve. Gjatë një përleshjeje dyditore u vranë ai dhe familja e tij, gjithsej mbi 50 njerëz, mes tyre gra e fëmijë. Në një deklaratë Ministria e Brendshme në Beograd shprehu keqardhje dhe hidhërim që anëtarët e familjes Jashari ranë viktima të mizorisë dhe harbutërisë shqiptare (!). Me vrasjen e klanit të Jasharajve atmosfera në Kosovë ndryshoi komplet. Edhe bota e jashtme ishte e shqetësuar. Ministrja e jashtme amerikane Madeleine Albright ia tërhoqi vërejtjen udhëheqjes serbe nga përdorimi i mëtutjeshëm i dhunës: «Ne nuk do të rrimë duarkryq duke shikuar autoritetet serbe derisa bëjnë çfarë duan në Kosovë […]». Por, ky paralajmërim nuk solli asgjë. «Në muajt në vijim luftimet në Kosovë u zgjeruan me shpejtësi të zjarrit gjithëpërfshirës. UÇK terrorizonte dhe provokonte, dhe regjimi reagonte tamam ashtu siç e kishin pritur dhe shpresuar prijësit e UÇK-së. Pamje të fshatrave të shkatërruara dhe kolona refugjatësh merrnin botën, të shoqëruara me përpjekjet për ndërmjetësim të diplomatit amerikan Richard Holbrooke. Tashmë ishte shpërndarë frika nga një ‹Bosnjë e dytë› dhe – edhe më keq – nga involvimi i të gjitha viseve të banuara me shqiptarë të Ballkanit jugor (Shqipëri, Maqedoni perëndimore, Serbi jugore, Mali i Zi)» (cituar nga libri i Rafael Biermann: «Dështimi i preventivës ndërkombëtare të konfliktit»).

Shkeljet e të drejtave të njeriut ishin në rend të ditës në Kosovë dhe gjithnjë e më shumë shqiptarë përpiqeshin që përmes arratisjes të kalonin në vend të sigurt. Këshilli i Sigurimit i OKB-së në tri Rezoluta të 31 marsit, 23 shtatorit dhe 24 tetorit 1998 kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive, fillimin e negociatave konstruktive për realizimin e një autonomie substanciale për Kosovën, kthimin e të gjithë refugjatëve dhe dërgimin e një komisioni europian të vëzhguesve. Ai dënoi si «përdorimin ekscesiv dhe joselektiv të dhunës» nga forcat serbe të sigurisë ashtu edhe aktivitetet «terroriste» të UÇK-së. Gjendja në Kosovë, sipas Këshillit të Sigurimit të OKB-së, paraqiste kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon. Ministrja e jashtme Albright deklaronte: «Ia kemi bërë të qartë Millosheviqit dhe kosovarëve se ne nuk e përkrahim pavarësinë e Kosovës, se e duam Serbinë jashtë Kosovës, por jo Kosovën jashtë Serbisë». Më 8 tetor Këshilli i NATO-s miratoi planet operative për ndërhyrje ajrore me qëllim të «evitimit të një katastrofe humanitare» dhe Bundestagu gjerman më 16 tetor, pas një debati të ashpër dhe gjithsesi emocional, dha pëlqimin për pjesëmarrjen gjermane. Një marrëveshje e negociuar mes Holbrooke dhe Millosheviqit nga mesi i muajit solli vetëm një shtendosje të përkohshme, por nuk arriti ta stabilizojë situatën në një periudhë afatgjatë. UÇK e shfrytëzoi armëpushimin për armatosje dhe për zgjerimin e territoreve të kontrolluara prej saj, derisa udhëheqja e Beogradit shtoi praninë e trupave në krahinë dhe në kufijtë e saj. Tani mbi 400’000 njerëz ndodheshin në arrati. Më 15 janar 1999 shefi i Misionit të Verifikatorëve të OSBE-së, amerikani William Walker, mori disa raporte mbi një incident vdekjeprurës në fshatin e vogël Reçak në jug të Prishtinës. Bashkë me disa ekipe kamerash ai ditën tjetër vizitoi fshatin dhe zbuloi kufomat e 45 shqiptarëve. «Në një luginë mbi fshat unë pashë trupin e parë. Ishte i mbuluar me një batanije dhe kur e tërhoqën prapa, unë pashë që nuk kishte kokë në trup, por vetëm një masë e përgjakshme dhe e trishtueshme në qafë».

Për Walker-in bëhej fjalë për një «masakër», për një ekzekutim masiv të civilëve, që ishte kryer nga njësitë e policisë serbe. Se çfarë ka ndodhur me të vërtetë në Reçak nuk është sqaruar deri më sot. A ishte një masakër, një ballafaqim mes UÇK-së dhe njësive serbe apo një inskenim shqiptar i një masakre? Patologia finlandeze Helena Ranta, e cila me ekipin e saj kishte kryer obduksionin, nuk arriti t’i sqarojë përtej çdo dyshimi rrethanat e vdekjes, sepse vendi i krimit nuk ishte siguruar menjëherë në mënyrë profesionale, sepse para ardhjes së saj një ekip i ekspertëve jugosllavë dhe bjellorusë i kishte kontrolluar kufomat dhe sepse metodat e kontrollit ishin të diskutueshme dhe çuan në rezultate të ndryshme. Në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës rasti i Reçakut, pas marrjes në pyetje në mënyrë të detajuar të dëshmitares Ranta në mars 2003, u hoq nga aktakuza për shkak të mungesës së dëshmive.

Reçaku shënon një pikë kthesë në politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës. OSBE, BE, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, NATO, Grupi i Kontaktit për Ballkan (i përbërë nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Rusisë dhe SHBA-ve) si dhe shumë qeveri e dënuan unanimisht «masakrën». Ndonëse nuk kishte asnjë dyshim mbi politikën shtypëse të regjimit të Millosheviqit në Kosovë që nga viti 1989 dhe publiku ndërkombëtar në mënyrë të vazhdueshme ishte njoftuar për këtë, me sa duket për të vepruar politikës i duheshin ngjarje spektakulare me efekt sinjali. Deklarata të gabueshme apo së paku të paverifikuara si dhe krahasime të pamend me Auschwitz-in dhe Holocaust-in u shfrytëzuan për propagandë me qëllim të «arsyetimit» të vendimeve politike. Derisa gjendja në Kosovë ashpërsohej më tutje, Grupi i Kontaktit i urdhëroi palët në konflikt të fillojnë më 7 shkurt 1999 një maratonë negociatash në Kështjellën Rambouillet afër Parisit. UÇK përbënte një të tretën e anëtarëve të delegacionit shqiptar dhe me Hashim Thaçin edhe drejtuesin e delegacionit, në ç’mënyrë imazhi i saj u forcua dukshëm, derisa pozita e Rugovës, i cili po ashtu mori pjesë në bisedime, u dobësua. Pas dy javë e gjysmë negociatat u ndërprenë dhe asnjëra palë në konflikt nuk e nënshkroi «Marrëveshjen e Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë» (në versionin e 23 shkurtit). Më 15 mars bisedimet vazhduan në Paris. Pas divergjencave të ashpra interne delegacioni shqiptar i Kosovës tani ishte i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen. Më 17 mars NATO i bëri thirrje në mënyrë ultimative qeverisë së Beogradit të pranojë Marrëveshjen e Rambouillet dhe në rast mospranimi kërcënoi me bombardime. Pasi që delegacioni jugosllav nuk hoqi dorë nga refuzimi, konferenca përfundoi më 23 mars pa asnjë rezultat. Një ditë më vonë NATO filloi sulmet ajrore.

Çka përmbante Marrëveshja e Rambouillet? Dhe cilat qenë arsyet që Millosheviqi e hodhi poshtë dhe pse delegacioni shqiptar ngurroi gjatë derisa e nënshkroi? Pa hyrë në hollësi, po i rendisim shkurt pikat më të rëndësishme. Marrëveshja kërkoi dhënien fund të dhunës, tërheqjen e njësive paramilitare dhe të parregullta nga Kosova, çarmatosjen e UÇK-së, heqjen e gjendjes së luftës, kthimin e refugjatëve si dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës për Krime të Luftës. Marrëveshja theksonte integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë si dhe të drejtën për vetëqeverisje demokratike në një Kosovë autonome. Marrëveshja përmbante një Kushtetutë për krahinën, në të cilën përcaktoheshin kompetencat e federatës dhe të organeve krahinore. Ndryshimi i kufijve përjashtohej. Fakti se Kosova kështu do të mbetej pjesë përbërëse e Jugosllavisë respektivisht Serbisë ishte një dëshpërim i hidhur për palën shqiptare. Por, në kapitullin e 8-të, neni I, paragrafi 3, thuhej: «Tri vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshjeje do të thirret një takim ndërkombëtar për të përcaktuar mekanizmin për një marrëveshje përfundimtare për Kosovën mbi bazën e vullnetit të popullit, opinionin e autoriteteve relevante, duke marrë parasysh përpjekjet e secilës palë sa i përket implementimit të kësaj Marrëveshjeje dhe Aktit Final të Helsinkit dhe duke bërë një vlerësim gjithëpërfshirës mbi implementimin e kësaj Marrëveshjeje dhe duke konsideruar propozimet e secilës palë për masa plotësuese». Kjo domethënë: statusi përfundimtar i Kosovës nuk u përcaktua në Marrëveshjen e Rambouillet. Zgjidhja mbeti e rezervuar për një konferencë ndërkombëtare, e cila gjatë marrjes së vendimit duhej të kishte parasysh edhe «vullnetin e popullit». Për mbikëqyrjen e paqes në krahinë parashihej të stacionohej një trupë e prirë nga NATO-ja (KFOR). Aneksi B i Marrëveshjes i siguronte NATO-s liri të lëvizjes në gjithë Jugosllavinë, përfshirë edhe hapësirën ajrore. Pika 8 e aneksit ashpër të diskutueshëm dhe fillimisht të mbajtur fshehtë nga opinioni thoshte: «Personeli i NATO-s, përfshirë automjetet, anijet, avionët dhe pajisjet, do të ketë qasje të lirë dhe të papenguar në mbarë Republikën Federale të Jugosllavisë, përfshirë hapësirën ajrore dhe ujërat territoriale. Kjo përfshinë të drejtën, por nuk kufizohet në ngritjen e kampeve, në manovrim, dislokim dhe shfrytëzim të të gjitha territoreve dhe establishmenteve, të cilat janë të nevojshme për mbështetje, trajnime dhe operacione». Këto dispozita, të cilat ishin marrë nga Marrëveshja e Dayton-it, paraqisnin një kufizim të ndjeshëm të sovranitetit të Jugosllavisë. Thuhet se ato ishin arsyeja e refuzimit serb për të hedhur nënshkrimin. Ish-ministri i jashtëm amerikan Henry Kissinger thuhet se në një intervistë të datës 28 qershor 1999 kishte deklaruar: «Teksti i Rambouillet, i cili i bënte thirrje Serbisë të pranojë marshimin e trupave të NATO-s nëpër Jugosllavi, ishte një provokim, një shfajësim për të filluar bombardimet». Të tjerët, ndërkaq, dyshojnë se Serbia ishte e gatshme të pranojë Marrëveshjen e Rambouillet dhe supozojnë se aneksi B u shfrytëzua vetëm si pretekst për refuzim. Mendimet për këtë edhe sot janë të ndara.

Pavarësisht premisave politiko-ideologjike dhe interesave kombëtare në vlerësimin e Marrëveshjes së Rambouillet dhe luftës pasuese të NATO-s ballafaqohen dy qëndrime parimore. Ata që të drejtat e shteteve (sovranitetin, integritetin dhe rregullat procedurale ndërshtetërore) i zgjedhin si pikënisje të vlerësimit të tyre, detyrimisht arrijnë në përfundime të tjera se sa ata që prapavijën e konfliktit dhe shkeljet disavjeçare të të drejtave të njeriut i vendosin në qendër të argumentimit të tyre. Kjo kontradiktë duket e pakapërcyeshme dhe e ndau edhe Këshillin e Sigurimit në dy kampe.

Lufta e NATO-s

Ndër mbështetësit më të vendosur të një intervenimi ushtarak ishte kryeministri britanik Tony Blair, i cili në maj 1997 kishte zëvendësuar paraardhësin e tij konservativ John Major dhe kishte nisur një kthesë në politikën britanike ndaj Ballkanit. Blair ishte i mendimit se politika e nënshtrimit ndaj Milloshevqit kishte dështuar, se nuk duhej lejuar përsëritja e një «Bosnje të dytë» dhe se bashkësia ndërkombëtare ka obligim të mbrojë popullsinë civile në ato shtete, të cilat nuk mund apo nuk duan të garantojnë këtë mbrojtje («përgjegjësia ndërkombëtare për mbrojtje»). Nën presionin e Blair-it NATO vendosi të intervenojë. Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë. Intervenimi ishte shkelje e të drejtës ekzistuese ndërkombëtare. Një Komision i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën në raportin e tij të vitit 2000 arriti në përfundim se ndërhyrja ushtarake e NATO-s ishte «ilegale, por legjitime». «Ishte ilegale, sepse nuk mori pëlqimin paraprak nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Komisioni është i mendimit se intervenimi ishte i justifikueshëm pasi që më parë u shtorën të gjitha mundësitë diplomatike dhe pasi që intervenimi ndikoi në çlirimin e shumicës së popullsisë së Kosovës nga një periudhë e gjatë e shtypjes nën sundimin serb».

Ndryshe nga ç’kishte pritur NATO-ja, Millosheviqi pas fillimit të bombardimeve më 24 mars 1999 nuk hoqi dorë nga politika e tij. Qëllimi politik i Aleancës ishte evitimi i një «katastrofe humanitare». Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Rudolf Scharping e kishte përdorur këtë nocion për herë të parë në një fjalim më 6 shkurt 1999. Kancelari Gerhard Schröder më 24 mars e arsyetoi pjesëmarrjen e forcave ajrore gjermane në luftën kundër Jugosllavisë me synimin e «pengimit të një katastrofe humanitare në Kosovë». Në fakt ndodhi e kundërta. Sepse me sulme ajrore mund të shkatërrohen qendrat komanduese të kundërshtarit, magazinat ushtarake, artileria e rëndë dhe shumë gjëra të tjera, por spastrimet etnike, të kryera nga bandat paramilitare, nuk mund të pengohen nga ajri. Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Nga frika prej akteve hakmarrëse serbe brenda pak ditësh më shumë se 800’000 njerëz braktisën vendlindjen e tyre dhe shpëtuan kokën në Shqipëri dhe Maqedoni. Mijëra u vranë dhe u groposën në varre masive. Ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe ministri i mbrojtjes Scharping këtu shihnin dëshminë për ekzistencën e planit serb «Patkoi» për dëbimin sistematik të shqiptarëve të Kosovës në drejtim të Shqipërisë. Por, ekzistenca e këtij plani nuk u dëshmua kurrë. Mirëpo, edhe nëse ai nuk ka ekzistuar, veprimi i armatës jugosllave dhe i njësive policore të Ministrisë së Brendshme ndoqi një skemë unike (me ose pa plan të detajuar).

Cak ushtarak i sulmeve të NATO-s fillimisht ishte mbrojtja kundërajrore jugosllave, aeroportet, stacionet e radarëve, qendrat komanduese, kazermat, depot e armëve dhe municionit, më vonë edhe infrastruktura, ndërmarrje të rëndësishme të industrisë, rrjeti energjetik dhe të ngashme. 70 për qind e urave rrugore dhe 50 për qind e urave hekurudhore u shkatërruan. Në mënyrë të përsëritshme NATO bombardoi institucione në Beograd, me ç’rast u qëllua edhe ndërtesa e ambasadës kineze. Gjatë një sulmi më 12 prill mbi një urë në Gërdelicë (Gerdelica) në Moravën jugore në shënjestër të pilotit përfundoi një tren udhëtarësh. 14 njerëz u vranë, 16 u lënduan (sipas vokabularit të NATO-s: «Dëm kolateral»). Fakti se në rrjedhën e sulmeve ajrore u vranë civilë serbë përkatësisht sulmet nga ajri nuk mund të kryheshin aq «kirurgjikisht pastër», siç ishte sugjeruar, dhe fakti tjetër se NATO përdori cluster-bomba, mes përkrahësve dhe kritikëve në opinion ngjalli kontroversa me retorikë të ngarkuar. Në Tribunalin e Krimeve të Luftës në Hagë një kohë u mendua të ngrihet aktakuzë kundër NATO-s.

Pritjet e Millosheviqit se bashkësia ndërkombëtare do ta detyronte NATO-n të ndërpresë sulmet dhe se Rusia do të vihej hapur në anën e Serbisë nuk u bënë realitet. Po ashtu pakënaqësia e popullsisë serbe me qeverinë e saj u shtua dukshëm nga fillimi i majit, pasi NATO-ja dukshëm kishte intensifikuar sulmet ajrore, të cilat fillimisht ishin penguar për shkak të planifikimit joadekuat dhe motit të keq. Më 3 qershor – pas vizitës së emisarit të posaçëm rus Viktor Çernomyrdin dhe kryetarit finlandez Martti Ahtisaari në Beograd – Parlamenti serb miratoi një plan të përgatitur nga shtetet e G-8-shes, i cili u plotësua më 9 qershor përmes një marrëveshjeje ushtarake të negociuar në Kumanovë (në veri të Maqedonisë). Një ditë më vonë NATO i dha fund luftës pas 35’000 aksioneve ajrore. Rezoluta 1244 e OKB-së, e miratuar të njëjtën ditë, parashihte për krahinën, mes tjerash, stacionimin e një trupe ndërkombëtare paqësore (KFOR) dhe një administratë kalimtare (UNMIK). Statusi i ardhshëm i Kosovës në Rezolutë sërish nuk u sqarua. Përsëri u përmend sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës Federale të Jugosllavisë, por aneksi 1 dhe 2 këtë parim e ndërlidhën duke iu referuar Marrëveshjes së Ramouillet dhe rrjedhimisht edhe pasusit të cituar më lart në kapitullin e tij të 8-të. Krijimi i një administrate të përkohshme të OKB-së, formulimet e vagullta për të ardhmen e Kosovës, theksimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë si dhe heqja dorë e NATO-s nga e drejta për të marshuar nëpër Jugosllavi i mundësuan regjimit të Beogradit ta përfundojë luftën pa humbjen e dukshme të fytyrës. Së paku kështu dukej.

Shkaqet për kapitullimin e Millosheviqit, të cilat fillimisht u festuan në mënyrë propagandistike si fitore, ishin të ndryshme. Gjendja ekonomike e Jugosllavisë, e cila qysh para fillimit të sulmeve të NATO-s ishte e keqe, ishte përkeqësuar sërish në mënyrë dramatike. Si pasojë e shkatërrimit të ndërmarrjeve të rëndësishme ekonomike qindra-mijëra punëtorë humbën vendet e punës. Prodhimtaria ra në gjysmën e nivelit të paraluftës dhe shpenzimet për vënien e sërishme në prodhim arritën lartësi astronomike. Furnizimi me energji elektrike, me derivate të naftës dhe ujë herë pas here ishte i ndërprerë. Në mesin e popullsisë, e cila ndaj sulmeve të NATO-s fillimisht kishte reaguar me një valë solidarizimi, u shtua pakënaqësia sa më shumë që zgjatnin sulmet ajrore dhe sa më intensive bëheshin ato. Krahas refugjatëve dhe të përndjekurve nga Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina ishin edhe disa pjesë të popullsisë së Serbisë, veçanërisht në zonat me strukturë të dobët, të cilat dikur ishin qendra të mbështetësve të Millosheviqit dhe të cilat tani gjendeshin tamam para hiçit. Edhe elita e re ekonomike e Serbisë, e lidhur me regjimin e Millosheviqit, e cila përmes zënies së posteve të menaxherëve, privatizimeve apo bizneseve ilegale në vitet 90-të kishte arritur një pasuri të jashtëzakonshme, u godit ndjeshëm nga sulmet e NATO-s dhe sanksionet shoqëruese ndërkombëtare. Stabiliteti i regjimit të Millosheviqit po thërrmohej në çdo cep. Ultranacionalistët ishin të zhgënjyer dhe të pezmatuar, elita ekonomike frikësohej se do të humbiste pasurinë, ushtria dhe kompleksi ushtarako-industrial ishin të dëmtuar rëndë, popullsia vuante nga varfëria. Raporti mes Serbisë dhe Malit të Zi që nga viti 1998 ishte i tensionuar. Po ashtu Rusia nuk ishte e gatshme të angazhohej aktivisht për Serbinë, por e këshilloi qeverinë e Beogradit të arrijë një marrëveshje me NATO-n. Nëse Millosheviqi dëshironte të ruante pushtetin, atij nuk i mbeste zgjedhje tjetër përveç se të kapitullojë dhe kështu të fitojë kohë.

Pas përfundimit të luftës pasuan arratia dhe përndjekja e serbëve të Kosovës. Si në Krajinë tani edhe në Kosovë lavjerrësi i spastrimeve etnike luhatej në drejtim të kundërt. Të dhënat mbi refugjatët dhe të përndjekurit (shumica serbë, pastaj romë, ashkali etj.) sillen mes 130’000 dhe 220’000. Sidomos muajt e parë pas përfundimit të luftës, derisa UNMIK-u dhe KFOR-i ende ishin duke u stacionuar, u karakterizuan nga kaosi dhe dhuna e ashpër. Shumë prijës të UÇK-së shfrytëzuan vakuumin e pushtetit për t’i larë hesapet me kundërshtarët e tyre, për të forcuar pozitat dhe për t’u pasuruar personalisht. «Dëshmia ndoshta më e rëndësishme që kemi gjetur është në kundërshtim me imazhin e shumëlavdëruar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ushtri guerile, e cila trimërisht kishte luftuar për të mbrojtur të drejtën e popullit të saj për të banuar në territorin e Kosovës», thuhet në raportin hetues të ish-prokurorit zviceran dhe delegatit të Këshillit të Europës, Dick Marty të shkruar për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës më 12 dhjetor 2010. Viktima të qërimit të hesapeve dhe të aktiviteteve kriminale, mes tyre, siç supozohet, edhe tregti me organe njerëzore, ishin në radhë të parë serbët. Por, edhe romët e akuzuar për “bashkëpunim” me serbët dhe shqiptarët, të cilët ishin kritikë ndaj UÇK-së dhe konsideroheshin tradhtarë, u përndoqën sistematikisht. Kush nuk i nënshtrohej padronëve të vetëshpallur ose mund të bëhej i rrezikshëm si dëshmitar, frikësohej ose vritej, derisa trupat e NATO-s nuk ndërhynin. Prandaj krimet e kryera në muajt e pasluftës 1999/2000 nga prijësit e UÇK-së nuk janë sqaruar deri më sot.

Shkatërrimi i Jugosllavisë, i cili filloi me Kosovën në vitin 1989, pas dhjetë viteve plot vuajtje çoi në shkëputjen faktike të Kosovës nga Serbia. Sigurisht lufta e vitit 1999 ka mundur të evitohet. Parakusht do të ishte që regjimi i Millosheviqit të respektonte të drejtat e njeriut dhe parimet e shtetit juridik ose – pasi kjo nuk kishte ndodhur – që bashkësia ndërkombëtare shumë më herët dhe në mënyrë më konsekuente të kishte reaguar ndaj krizës dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. As njëra, as tjetra nuk ndodhi. Valorizimi i UÇK-së, i mbështetur sidomos nga SHBA që nga mesi i vitit 1998, shumë shpejt u dëshmua si thikë me dy tehe. (fq. 366-380)

PAVARËSIA E KOSOVËS

Kosova si Protektorat i OKB-së

Dy vite pas vendosjes së administratës së OKB-së në Kosovë, më 17 nëntor 2001 për herë të parë u mbajtën zgjedhje të lira parlamentare. Qëllim i zgjedhjeve ishte që një pjesë e përgjegjësisë politike për shtetndërtim t’i dorëzohej politikanëve me legjitimitet demokratik dhe për të avancuar krijimin e «institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse, IPVQ» (Provisional Institutions of Self-Government, PISG). Me zgjedhjen e një parlamenti, i cili duhej të zgjidhte presidentin e Kosovës, dhe me formimin e një qeverie synohej që elitat lokale të integroheshin në procesin e vendimmarrjes politike. Kjo konsiderohej si hap i rëndësishëm në rrugën e legjitimimit të pushtetit dhe reduktimin hap pas hapi të «administratës së protektoratit». Sipas Kornizës Kushtetuese të paraqitur nga UNMIK-u në maj 2001 disa kompetenca të rëndësishme (në fushën e të drejtave të pakicave, sigurisë së brendshme, politikës buxhetore dhe fiskale, përdorimit të donacioneve ndërkombëtare si dhe menaxhimit të pronës publike përkatësisht shoqërore) mbetën në duar të shefit të UNMIK-ut si të «drejta të rezervuara». Ishte e pritshme që përballë kësaj situate të lindnin tensione me përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Për votat e gjithsej 1,2 milionë zgjedhëseve dhe zgjedhësve respektivisht për 120 vende në parlament konkurruan 26 pari, koalicione dhe nisma qytetare, mes tyre 19 parti shqiptare, tri grupe të romëve, dy koalicione boshnjake, një serb dhe një turk. Njëzet vende në parlament u rezervuan për pakicat (dhjetë për serbët e Kosovës, pjesa tjetër për pakicat tjera). Gati dy të tretat e zgjedhësve të regjistruar morën pjesë në zgjedhje. Partia më e fuqishme me 46 për qind të votave (dhe 47 prej 100 mandateve shqiptare) doli Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nën drejtimin e Ibrahim Rugovës. Dy partitë e tjera të mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ish-udhëheqësit të UÇK-së Hashim Thaçi dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj morën 25 për qind respektivisht 8 për qind. Koalicioni serb «Kthimi» (Povratak) arriti t’i mobilizojë 8 për qind të zgjedhësve. Ky koalicion fitoi 12 mandate, krahas dhjetë vendeve të rezervuara për serbët e Kosovës. Në përgjithësi pakicat ishin të përfaqësuara me 35 vende në parlament (dhe mbiproporcionalisht kundrejt hises në popullsi).

Epërsia e dukshme e LDK-së së Rugovës para PDK-së dhe AAK-së si dhe dy grupimeve që përfaqësonin ish-UÇK-në tregonte humbjen e popullaritetit të «çlirimtarëve». Edhe fakti se në zgjedhje morën pjesë serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera (vetëm te serbët në veri pati përpjekje serioze për bojkot) nga vëzhguesit u vlerësua si përparim. Megjithatë, implementimi i IPVQ-ve u dëshmua si punë e zorshme. Deputetët nuk ishin të mësuar me rregullat parlamentare të lojës dhe anonin nga obstruksioni sapo nuk arrinin t’i realizonin qëllimet e tyre. Pasi që asnjë parti nuk kishte fituar shumicën absolute, kërkohej të gjendeshin kompromise mbipartiake. Por, tre liderët më të rëndësishëm të shqiptarëve të Kosovës me muaj të tërë nuk arritën të pajtoheshin mbi krijimin e IPVQ-ve. Tek pas tri përpjekjeve të dështuara Ibrahim Rugova në fillim të marsit 2002 u zgjodh president i Kosovës dhe pastaj ai emëroi kryeministrin. Problemet e shumëllojshme në përditshmërinë politike, tensionet mes UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës dhe vështirësitë e mëdha të akterëve lokalë dhe ndërkombëtarë në luftimin e varfërisë, garantimin e paqes së brendshme, ndërtimin e shtetit juridik dhe luftimin e krimit të organizuar këtu nuk mund të trajtohen më gjerësisht.

Në zgjedhjet e dyta parlamentare të 23 tetorit 2004 LDK e Rugovës arriti të ruajë epërsinë, e pasuar nga PDK e Thaçit. Por, pjesëmarrja në zgjedhje kishte rënë në 53 për qind. Duke ndjekur një apel të kryeministrit serb Vojislav Koshtunica dhe të Kishës Ortodokse Serbe shumica e serbëve të Kosovës bojkotoi zgjedhjet për shkak të «gjendjes katastrofale të sigurisë». As një për qind e serbëve nuk doli në zgjedhje. Pas vdekjes së Rugovës më 21 janar 2006 situata u ndërlikua edhe më shumë. Në zgjedhjet e treta parlamentare të 17 nëntorit 2007 Thaçi dhe PDK ia dolën të etablohen si forcë kryesore. PDK fitoi 34,3 për qind të votave, derisa LDK pa idhullin e saj prijës rrëshqiti në 22,6 për qind. Pjesëmarrja në zgjedhje ra në 43 për qind. «Pacifistët» dhe «titistët» e dikurshëm tani gjithnjë e më shumë detyroheshin të kalonin në defanzivë nga ana e ish-luftëtarëve dhe arrivistëve nga popullsia fshatare, derisa formësimi i kultit të UÇK-së dhe «martirëve» të saj të rënë përparonte hovshëm. Ndërtimi i një shteti juridik dhe demokratik, stabilizimi i rajonit, kthimi i refugjatëve dhe i të përndjekurve si dhe trajtimi i ngjarjeve të luftës stagnuan dhe për këtë disa e bënin përgjegjës joefikasitetin e administratës së OKB-së, të tjerët paaftësinë e politikanëve të Kosovës, të tretët plogëtinë e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ndjekjen e krimeve të luftës. Statusi i pazgjidhur i Kosovës dhe çështja se kush për çka ishte përgjegjës favorizuan një klimë të papërgjegjësisë së përgjithshme. UNMIK-u ishte i mbingarkuar dhe nuk kishte ide si të vepronte, ndërsa politikanët e Kosovës arsyetoheshin se nuk kishin pushtet apo tërhiqnin vëmendjen te ndërhyrjet e Beogradit.

Siç u përmend Rezoluta 1244 e OKB-së e datës 10 qershor 1999, me të cilën përfundoi lufta e Kosovës dhe krahina u vendos nën administrim ndërkombëtar, i referohej edhe Marrëveshjes së Rambouillet, në të cilën parashihej një afat prej tri vitesh për rregullimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Por, vitet kalonin dhe fare nuk shihej një afrim mes palëve në konflikt. Nacionalistët kosovarë dhe serbë vazhdimisht provokonin incidente të dhunshme. Atje ku nuk paraqisnin shumicën e popullsisë, rreth 130’000 serbët e mbetur në Kosovë ishin të diskriminuar në mënyrë masive dhe i nënshtroheshin akteve të përsëritshme të dhunës. Më 17 dhe 18 mars 2004 Kosova u pllakos nga trazirat më të rënda që nga viti 1999. Atyre u kishin paraprirë të shtënat vdekjeprurëse ndaj një të riu serb në Kosovën qendrore dhe zbulimi i dy kufomave të fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër (fëmija i tretë kishte shpëtuar). Para se të sqaroheshin këto raste, mediet shqiptare të Kosovës filluan një fushatë urrejtëse kundër pakicave. Në shumë pjesë të krahinës ndodhën trazira të stilit të pogromit, në rrjedhën e të cilave u vranë njëmbëdhjetë shqiptarë dhe tetë serbë, më shumë se 900 u plagosën, mbi 4’000 serbë, romë dhe ashkali u dëbuan, gjithsej 730 shtëpi të pakicave u shkatërruan dhe u përdhosën apo demoluan 36 manastire, kisha dhe objekte të tjera fetare. As forcat e rendit të shqiptarëve të Kosovës, as KFOR-i nuk arritën t’i pengojnë aksionet e dhunshme dhe ia hidhnin përgjegjësinë njëri-tjetrit. Shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri pak kohë më vonë dha dorëheqje nga posti i tij (gjoja për arsye shëndetësore). Zgjidhja e përkohshme për Kosovën kërcënonte të shndërrohej në një gjendje të përhershme konfliktouze. Prandaj, kërkesa për sqarimin e statusit dhe rrjedhimisht edhe të përgjegjësive bëhej gjithnjë e më e zëshme.

Çështja e statusit dhe e drejta ndërkombëtare

Çështja se si arsyetohet pretendimi ndaj Kosovës nga pala serbe dhe ajo shqiptare u trajtua në fillim të këtij teksti. Atje u fol mbi «të drejtat historike» dhe të drejtën e vetëvendosjes. E paprekur mbeti tema e të drejtës ndërkombëtare, e cila do të ndriçohet në vazhdim. E drejta ndërkombëtare, e cila për një kohë të gjatë më shumë ishte e drejtë shtetërore se sa ndërkombëtare, gjendet në zhvillim të përhershëm dhe ka shumë mangësi dhe kundërthënie. E pamohueshme është se Kosova ishte pjesë përbërëse integrale e ish-Jugosllavisë. Jugosllavia ishte shtet sovran, kufijtë e së cilës (përfshirë edhe Kosovën) ishin të pranuar ndërkombëtarisht, ndonëse bashkëngjitja e Kosovës Serbisë – si pjesë e Jugosllavisë së mëvonshme – kurrë nuk u bekua juridikisht përmes një Marrëveshjeje Paqësore mes Mbretërisë së atëhershme të Serbisë dhe Perandorisë Osmane. Para Luftës së Parë Botërore Fuqitë e Mëdha europiane gjatë caktimit të kufijve të Shqipërisë së sapothemeluar, me ç’rast Serbisë iu pamundësua dalja në Adriatik përmes Shqipërisë veriore, u udhëhoqën nga parimi i kompensimit të Serbisë, duke sakrifikuar parimet etnografike respektivisht linguistike për shoshitje gjeostrategjike dhe kështu viset e banuara kompakt me shqiptarë i lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Ky ishte një gabim dhe u bë e drejtë, ndonëse ishte padrejtësi, ashtu si shumë ndryshime kufijsh që nuk rezultojnë nga zbatimi i të drejtës ekzistuese, por krijojnë të drejtë të re. Kjo vlen për bashkëngjitjen e një territori një shteti tjetër po aq sa për shkëputjen e tij. Kështu përkatësia e Kosovës Serbisë respektivisht Jugosllavisë përherë është pranuar nga e drejta ndërkombëtare përkatësisht nuk është vënë në dyshim. Edhe në Rezolutën 1244 sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së atëhershme Federale të Jugosllavisë u përmend shprehimisht si në tekstin e Rezolutës ashtu edhe në aneksin 1, por ndërlidhur me vendimet e Rambouillet si referencë. Kjo ishte njëra prej atyre formulave të kompromisit, e cila gjeneron grindje. «Grupi Ndërkombëtar i Krizave» në një raport të publikuar në dhjetor 2007 kështu e komentonte situatën: «Rezoluta 1244, në kushtet e saj, nuk i garanton Serbisë sovranitet të vazhdueshëm deri në këtë kohë, derisa Këshilli i Sigurimit në mënyrë eksplicite e njeh këtë si diçka e kaluar në një entitet tjetër. Më shumë promovon një ‹proces politik për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës›. Pa asnjë fije dyshimi linte të kuptohej në mënyrë origjinale se procesi politik për të cilin bëhej fjalë do të ishte një proces negociatash i një lloji që në fund do të prodhonte një rezultat në Këshillin e Sigurimit. Kjo rezultoi se nuk ishte e mundshme».

Fakt është po ashtu se në Rezolutën 1244 nuk bëhet fjalë për Serbinë, por për «Republikën Federale të Jugosllavisë». Republika Federale e Jugosllavisë, e cila në vitin 1999 përbëhej nga dy pjesë të pabarabarta, pra prej Serbisë dhe Malit te Zi, u zëvendësua në vitin 2003 nga bashkësia shtetërore «Serbia dhe Mali i Zi», e cila mori fund në vitin 2006 me daljen e Malit të Zi nga kjo bashkësi. Nga shkatërrimi dhe shpërbërja e «Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë», «Republikës Federale të Jugosllavisë» dhe bashkësisë shtetërore «Serbia dhe Mali i Zi» rezultojnë çështje të ndërlikuara sa i përket trashëgimisë juridike. Në Kartën Kushtetuese të bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi të 4 shkurtit 2003 (neni 25) thuhet: «Në rast se Mali i Zi braktis Serbinë dhe Malin e Zi, atëherë dokumentet ndërkombëtare, të cilat i referohen Republikës Federale të Jugosllavisë, e sidomos vendimi 1244 i Këshillit të Sigurimit, do t’i referohen Serbisë dhe në tërësinë e tyre do të vlejnë për Serbinë si trashëgimtare juridike». Me vendimin e datës 6 qershor 2006 Parlamenti serb e ka konfirmuar këtë marrëveshje. Por, ky vendim nuk është obligues për bashkësinë ndërkombëtare. Kalimi nga shteti federal në bashkësi shtetërore dhe nga bashkësia shtetërore në dy shtete përkatëse nuk është vetëm formalitet. Mund të jetë dallim shumë i madh nëse Kosova është pjesë e një shteti federal, pjesë e një republike federale (brenda shtetit federal apo bashkësisë së shteteve) apo pjesë e një shteti të veçantë (Serbisë). Një shtet federal ka një balancë tjetër të brendshme se sa një shtet i veçantë. Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në vitin 1989 u provokua (ndonëse nuk u shkaktua) pikërisht për shkak se udhëheqja e atëhershme serbe nën Millosheviqin shkatërroi balancën e brendshme, në të cilën ishte bazuar federata jugosllave që nga fundi i viteve 1960-të, duke ua reduktuar në mënyrë drastike kompetencat Krahinave Autonome të Kosovës dhe Vojvodinës përmes ndryshimeve kushtetuese të 28 marsit 1989, por njëkohësisht duke i përvetësuar votat e dy krahinave në udhëheqjen kolektive shtetërore. Kjo nuk ishte – siç u përmend – vetëm shkelje e Kushtetutës së Jugosllavisë, por edhe kundërthënie: ose ishin Kosova dhe Vojvodina pjesë përbërëse konstituive të federatës me të drejtë vote (siç e parashihte Kushtetuta e vitit 1974) ose ishin krahina serbe pa të drejtë vote në nivel federativ. Ndryshimet kushtetuese serbe të vitit 1989 (respektivisht Kushtetuta e re serbe, e cila hyri në fuqi më 28 shtator 1990) ishin edhe fillimi formal i fundit të (Kon)federatës së Jugosllavisë. Faktikisht dhe në mënyrë kundërkushtetuese ishte krijuar një shtet tjetër (i ri), i cili, megjithatë, ishte ende shtet federal (në kufi të bashkësisë së shteteve). Ky shtet nuk ekziston më. Rezoluta 1244 i referohej Republikës Federale Jugosllave të cunguar, e cila po ashtu nuk ekziston më. Se si duhet të gjykohet kjo nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare duhet të vendosin gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. E padyshimtë është se rrethanat juridike dhe shtetërore në dekadën e parë të shekullit 21 ishin të ndryshme prej atyre të viteve 1974, 1989/90 apo 1999. Në kuadër të një federate – qoftë kjo federata socialiste e ish-Jugosllavisë apo federata e cunguar jugosllave e viteve 90-të – një kompromis mes kërkesave serbe dhe atyre të shqiptarëve të Kosovës do të mund të merrej me mend (së paku teorikisht). Kosova si republikë e shtatë e  Jugosllavisë së vjetër apo si republikë e tretë e Jugosllavisë së mbetur është diçka tjetër nga krahina autonome e një republike serbe, e cila nga ana e saj është pjesë e një shteti federal, dhe krejt diçka tjetër si krahinë autonome e Kosovës në një shtet të veçantë serb. Por, as qeveria në Beograd, as partitë opozitare, por as popullsia serbe në vitet 90-të nuk ishin të gatshme t’i japin Kosovës një pozitë të barabartë (të krahasueshme me Malin e Zi). (Pasi që nuk kishte politikë të aftë për kompromis, është e padobishme të spekulohet mbi atë nëse kështu ka mundur të pengohet edhe shkëputja e Malit të Zi në vitin 2006).

Shumë prej atyre që prej miratimit të Rezolutës 1244 i referohen të drejtës ndërkombëtare kanë heshtur kur qeveritarët në Beograd e kanë shkelur në mënyrë masive të drejtën ndërkombëtare. Një qytetar që shkelë ligjet, mund të humb të drejta të caktuara. Se a i humbin apo djegin edhe shtetet të drejtat e tyre, është e diskutueshme. Rezoluta e OKB-së 2625 e vitit 1970 e ndërlidhë të drejtën e një shteti për integritet territorial me respektimin e të drejtës për vetëvendosje të popujve që jetojnë në territorin e tij, por e lë hapur se çfarë duhet të ndodhë nëse shtetet e shkelin këtë obligim.

Pas rrëzimit të Millosheviqit Zoran Gjingjiqi fillimisht kishte kërkuar ndarjen e Kosovës. Se a do t’i kishte përfituar ai akterët ndërkombëtarë për këtë plan mbetet hapur. Pas vrasjes së tij ky opsion u hodh ad acta në favor të një zgjidhjeje maksimale. Në raundet e negociatave mes viteve 2005 dhe 2007 nga pala serbe shqiptarëve iu ofrua vetëm një «autonomi substanciale», e cila sipas kryeministrit Vojislav Koshtunica do të duhej të plotësohej me një «autonomi substanciale» për serbët e Kosovës (në formë të kantoneve të definuara etnikisht), domethënë përmes një autonomie substanciale në kuadër të një autonomie tjetër substanciale. Por, Kosova kishte pasur njëherë një autonomi substanciale. Me Kushtetutën jugosllave të vitit 1974 respektivisht me ndryshimet e mëhershme kushtetuese në fund të viteve 60-të dhe në fillim të viteve 70-të si krahinë e Serbisë Kosova kishte fituar një «autonomi substanciale». Ky vetëadministrim i gjithanshëm kurrë nuk është pranuar nga pala serbe (kështu ka qenë edhe para ardhjes së Millosheviqit në pushtet) dhe në fund, në vitin 1989, u pezullua. Vojisllav Koshtunica, i cili në momentin e Deklaratës kosovare të Pavarësisë ishte kryeministër serb, në vitin 1995 ishte deklaruar si kundërshtar i vendosur i çdo forme të autonomisë për Kosovën. Dy vite më vonë ai kishte propozuar regjionalizimin e Serbisë (sipas modelit të Spanjës). Më 1998 ai kritikoi ashpër qeverinë e atëhershme serbe për shkak se ajo nuk paskësh përgatitur një plan për Kosovën. Kështu, sipas tij, regjimi kishte «rrezikuar» të drejtën e Serbisë dhe të Republikës Federale të Jugosllavisë që çështjet e tyre të brendshme t’i rregullojnë vetë. «Hapësira për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nga brenda, brenda Serbisë, është ngushtuar». Gjithnjë sipas Koshtunicës, çfarë ishte e arritshme tetë vjet më parë (pra në kapërcyellin e viteve 80-të në vitet 90-të), domethënë lidhja edhe më e fuqishme e Kosovës me Serbinë, tani është shumë më vështirë të arrihet – nëse fare është e mundshme (!). Por, dhjetë vjet më vonë respektivisht nëntë vjet pas spastrimeve masive etnike të vitit 1999 dhe stacionimit të administratës së OKB-së në Kosovë Koshtunica ishte i bindur se politika serbe do të mund të zbatonte atë «plan jorealist», i cili, sipas pikëpamjes së tij, që në vitin 1998 nuk mund të zbatohej ose ishte vështirë do të zbatohej! Faktori kohë, të cilin ai në fund të viteve 90-të e kishte marrë në konsiderim si politikan opozitar, në vitin 2004 – derisa ishte kryeministër – nuk luante më rol. Prandaj, Koshtunica do të ishte gjithçka tjetër përveç se garantues besnik se «autonomia substanciale» për Kosovën do të kishte qëndrueshmëri. Politika ka të bëjë edhe me besim. Dhe kjo në vitet 80-të dhe 90-të te shqiptarët e Kosovës është shkatërruar pafundësisht dhe në mënyrë thelbësore. Pikëpamja e vulosur në preambulën e Kushtetutës së re serbe të fundvitit 2006 se Kosova qenkësh pjesë e «pandashme» e Serbisë (sastavni deo Srbije), i linte politikës serbe pak hapësirë negociuese. Thënë më saktë: nuk kishte hapësirë për negociata, përveç kthimin te ajo që tashmë kishte ekzistuar njëherë dhe kishte dështuar. Në nenet 108-112 të Kushtetutës së vitit 2006 rregullohet pozita e Krahinave Autonome të Vojvodinës dhe Kosovës e Metohisë. Në krahasim me Kushtetutën jugosllave të vitit 1974 Kushtetuta e vitit 2006 paraqet një kthim ekstrem prapa për Krahinat Autonome. Po ashtu është tepër e dyshimtë nëse nenet e reja 108-112 janë në përputhje me frymën e Rezolutës 1244 respektivisht me marrëveshjet e Ramouillet të inkorporuara aty. Por, edhe vetë politikanët proeuropianë si kryetari Boris Tadiqi, zëvendëskryeministri i atëhershëm Bozhidar Gjeliqi dhe shumë të tjerë që nga fundi i vitit 2006 ndodheshin në dilemë: ata e dinin se Kosova ishte humbur, por nuk guxonin ta thoshin me zë të lartë, sepse kështu do të shkelnin Kushtetutën dhe do të humbnin vota të zgjedhësve.

Plani i Ahtisaarit dhe Deklarata e Pavarësisë e vitit 2008

Më 26 mars 2007 sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon i dërgoi një shkresë presidentit të Këshillit të Sigurimit, në të cilën ia përcolli propozimet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për të ardhmen e Kosovës, ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, që ky i fundit i kishte bërë në fillim të shkurtit. Ahtisaari kishte negociuar me politikanët serbë dhe kosovarë që nga viti 2005 dhe kishte krijuar opinionin se një zgjidhje e dakorduar mes palëve ishte e pamundshme. Përfundimi i tij ishte ky: ka ardhur koha të zgjidhet statusi i Kosovës: «Duke parë me vëmendje historinë më të re të Kosovës, realitetet në Kosovën e sotme dhe duke marrë parasysh negociatat me palët, unë kam ardhur në përfundimin se i vetmi opsion i realizueshëm për Kosovën është pavarësia, e cila në fazën fillestare do të mbikëqyret nga bashkësia ndërkombëtare». Ahtisaari theksoi se Kosova është rast «unik», një «përjashtim», që kërkon një zgjidhje unike. Kjo, sipas tij, nuk paraqet rast precedent për zgjidhjen e konflikteve të tjera. Në të vërtetë paradigma se kemi të bëjmë me rast unik nuk është edhe aq e qëndrueshme, por ajo sinjalizon se çdo rast që mund të duket i ngjashëm duhet të shikohet në mënyrë të veçantë dhe se nuk ka automatizëm. Plani i Ahtisaarit, në të cilin u evitua fjala «pavarësi», përmban 15 nene (me ankese), në të cilat Kosova konceptohet si shtet juridik, multietnik, demokratik dhe i decentralizuar: me të drejta gjithëpërfshirëse për pakicën serbe dhe pakicat tjera të vendit, mbrojtje të trashëgimisë fetare dhe kulturore të serbëve, të drejtën e kthimit për refugjatët dhe të përndjekurit si dhe dëmshpërblim të pronës së tyre. Këto të drejta do të inkorporoheshin në një Kushtetutë të re për Kosovën dhe në ligjet përkatëse. Një Përfaqësues Civil Ndërkombëtar do të mbikëqyrte respektimin e dispozitave. Përkrah tij do të qëndrojë Misioni Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX), i cili do t’i mbështeste autoritetet kosovare në ndërtimin e një policie multietnike, sistemit gjyqësor dhe administratës derisa trupat e udhëhequra nga NATO-ja (KFOR) në Kosovë edhe më tutje konsideroheshin përgjegjëse për sigurinë në rajon.

Plani i Ahtisaarit menjëherë u hodh poshtë nga Serbia dhe ngjalli kundërshtim të dukshëm të përfaqësuesve të vijës së ashpër në mesin e serbëve në veri të krahinës. Edhe ndër shqiptarët e Kosovës shpërthyen protesta, të cilat drejtoheshin kundër kufizimit të pavarësisë dhe kontrollit ndërkombëtar. Bartëse e lëvizjes protestuese ishte shoqata «Vetëvendosje!», përkrahësit (kryesisht të rinj) të së cilës që në gusht 2005 dolën në rrugë për të kundërshtuar negociatat për status dhe propozimet e Ahtisaarit. «Vetëvendosje!» u shndërrua në kazan të të gjithë atyre që ishin të pakënaqur me protektoratin ndërkombëtar dhe me aranzhmanin mes ish-prijësve të UÇK-së dhe UNMIK-ut dhe kërkonin një zgjidhje radikale në kuptim të vetëvendosjes së pakufizuar dhe ekskluzivisht shqiptare. Në vigjilje të Deklaratës së Pavarësisë kundërshtarët argumentuan se ndryshimi i status quo-s do të vinte në lëvizje një spirale të re dhune. Ndonëse një gjë e tillë nuk mund të përjashtohej përballë gatishmërisë ende të madhe për dhunë te pala kosovare dhe ajo serbe, ky argument nuk ishte i bindshëm. Sepse jo vetëm ndryshimi i status quo-s, por edhe këmbëngulja në status quo mund të provokojë dhunë. Nëse çështja e Kosovës do të ishte zgjidhur me Marrëveshjen e Dayton-it në fund të vitit 1995, nuk do të kishte shpërthyer dhuna në gjysmën e dytë të viteve 90-të dhe nuk do të kishte ndodhur lufta më 1999. Sikur çështja e statusit të ishte zgjidhur në vitin 1999, me gjasë trazirat e marsit të vitit 2004 po ashtu nuk do të kishin shpërthyer. Kush besonte në vitin 2008 se mund të arrihet një kthim në status quo ante para vitit 1989, ishte ose i verbër përballë realitetit ose aprovonte (me apo pa dashje) shpërthimin e sërishëm të dhunës.

Më 17 shkurt 2008 parlamenti në Prishtinë shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës duke respektuar kushtet e Planit të Ahtisaar-it. Dhuna nuk shpërtheu, por deklarata në shumë pjesë të Serbisë nxiti një stuhi zemërimi: Kosova – «Jerusalemi serb» – ka qenë përherë serbe dhe do të jetë përherë serbe, edhe nëse atje nuk jeton asnjë serb; Kosova e pavarur është «akti më i madh i dhunës që iu bë një populli ndonjëherë»; Kosova – një shtet i rrejshëm, një shtet fantazmë etj. Me kërkesë të Serbisë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u mor me legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë. Më 22 korrik 2010 gjykatësit vendosën në një ekspertizë (e cila për asnjërën palë nuk është obliguese) se Deklarata nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Deri në atë moment 69 shtete, mes tyre shumica e anëtarëve të BE-së, kishin njohur Kosovën diplomatikisht. Ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiqi i zemëruar komentoi: «Kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës». Ai tha se lufta diplomatike do të vazhdojë.

Humbja e një territori është e dhimbshme për çdo shtet. Kjo vlen sidomos për shtetin modern kombëtar, i cili njëjtëson kombin dhe territorin dhe territore të caktuara i ngarkon me mite nacionale. Për këtë ka shumë shembuj. Në vitet 1922/23 grekët kanë humbur viset e banuara prej tyre në Azinë e Vogël dhe kryeqytetin jozyrtar, Konstantinopojën. Pas Luftës së Parë Botërore hungarezët kanë humbur më shumë se dy të tretat e territorit të tyre shtetëror. Pas Luftës së Parë Botërore gjermanët, mes tjerash, kanë humbur Elsass-Lothringen-in dhe pas Luftës së Dytë Botërore viset lindore, të cilat dikur ishin gjermane. Pas vitit 1962 Franca qe e shtyrë të pajtohet me humbjen e Algjerisë, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte çerdhe e rezistencës franceze kundër nazizmit. Ashtu si serbët e Kosovës edhe francezët e Algjerisë me këmbëngulje kundërshtuan ndryshimin e status quo-s territoriale. Edhe 12 deri 14 milionë refugjatët dhe të përndjekurit gjermanë si dhe shoqatat e tyre në Gjermaninë e pasluftës nuk e kanë pranuar humbjen e atdheut të tyre. Dhe është dashur të kalojë relativisht shumë kohë – një çerekshekulli – derisa politika gjermane u çlirua nga qasja e saj regresive dhe de fakto pranoi lumenjtë Oder dhe Neisse si kufi perëndimor polak. Ratifikimit të «Marrëveshjeve lindore» në parlamentin gjerman në maj 1972 i kishte paraprirë njëri prej ballafaqimeve më të ashpra politike mes qeverisë dhe opozitës në Republikën «e vjetër» Federale të Gjermanisë. Në një deklaratë shtesë mbi «Marrëveshjet lindore» thuhej: «Për Gjermaninë marrëveshjet nuk anticipojnë një rregullim me kontratë paqësore dhe nuk krijojnë një bazë juridike për kufijtë ekzistues». Si në Serbi edhe në Gjermani kundërshtarët e njohjes i referoheshin të drejtës ndërkombëtare. Kjo ishte dhe është legjitime, por me këtë nuk mund të ndryshoheshin realitetet. Gjendja e krijuar me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës është gjithçka tjetër përveç se unike.

Te një pjesë e madhe e popullsisë në Republikën «e vjetër» Federale të Gjermanisë një kohë të gjatë mbretëronte mendimi se pas arritjes së demokratizimit mund të realizohet kthimi në kufijtë e Rajhut Gjerman të vitit 1937. Thua se nuk kishin ekzistuar nacionalsocializmi dhe lufta botërore! Ky qëndrim nuk kishte të bënte me realitetin. Pas vitit 1945 nuk mund të ishte njëjtë sikur para vitit 1945. Po ashtu është iluzore të besohet se në ish-Jugosllavi përkatësisht në Serbi mund të arrihet kthimi në një situatë, e cila kishte ekzistuar nëse jo deri më 1999, atëherë deri më 1989. Thua se vitet 1990-të nuk kanë ekzistuar fare! Në një artikull për «New York Times» ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiqi më 27 shkurt 2008 shkroi: «Po aplikohet një padrejtësi historike kundër një vendi europian, i cili ka kaluar shumë pengesa që kur ne në tetor 2000 e rrëzuam Sllobodan Millosheviqin në mënyrë demokratike, për ç’gjë shumicës së kombeve të tjera do t’u duhej shumë më tepër kohë. Pranimi i Kosovës domethënë, në fakt, se duhet të dënohet demokracia serbe, sepse një tiran – i cili në vitet 90-të ka kryer akte të tmerrshme kundër shqiptarëve të Kosovës – mbeti i padënuar. Kjo hakmarrje e pavend mund t’i bëjë disa të ndihen më mirë, por e dëmton sistemin ndërkombëtar». Jeremiqi në të vërtetë i përmend «aktet e tmerrshme» të kryera në vitet 1990-të ndaj shqiptarëve (dhe këtu ai dallon prej shumë bashkëkombësve të tij nacionalistë), por i ndërlidhë ato vetëm me «tiranin» Millosheviq dhe procesin e tij të papërfunduar para Tribunalit për Krime të Luftës. Ky argumentim të kujton ata gjermanë pas vitit 1945, të cilët përgjegjësinë për krimet e nacionalsocializimit dëshironin t’i kufizonin vetëm te personi i Hitlerit dhe rrethi i tij besnik. Por, Millosheviqi nuk ka qenë doras individual, siç nuk ka qenë as Hitleri. Sidomos politika e tij ndaj Kosovës, falë indoktrinimit të opinionit publik që nga mesi i viteve 1980-të, gëzoi mbështetje të gjerë në popullsi dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, Akademia Serbe e Shkencave, Kisha Ortodokse Serbe, Armata Popullore e Jugosllavisë, bandat paramilitare serbe etj.

Humbja e territorit, sado e dhimbshme të jetë, hap opsione të tjera. Miqësia me Francën dhe pajtimi me Poloninë nuk do të mund të merreshin me mend sikur pala gjermane dikur të mos kishte pranuar se nuk mund të kthehet prapa rrota e historisë. Sot nuk është më e rëndësishme nëse Elsass-i i takon Francës dhe nëse territoret e dikurshme lindore gjermane i takojnë Polonisë. E njëjta do të duhej të vlente edhe për Kosovën dhe Serbinë. Sot nuk shtrohet më pyetja nëse Serbia e ka çliruar Kosovën në «luftërat ballkanike». Sot çështja është nëse Serbia mund të çlirohet nga Kosova. Siç dihet më lehtë është të «çlirohen» të tjerët se sa vetvetja. Pushtimi i Kosovës ishte relativisht i lehtë, por pastaj u bënë vetëm gabime. Me aneksimin e Kosovës (dhe Maqedonisë) politika serbe e kishte ngarkuar veten me një përgjegjësi, me të cilën asnjëherë nuk kishte arritur të ballafaqohej. Tash po vjen koha për të hapur një kapitull të ri.

Kosova – «një shtet i dështuar»?

Ta ndërrojmë perspektivën. Pavarësia e Kosovës është njëra anë e medaljes, ndërsa ndërtimi i shtetit është diçka krejt tjetër. Akterët politikë në Prishtinë (si ata ndërkombëtarë, po ashtu dhe ata shqiptarë) janë larg, shumë larg ndërtimit të një shteti funksional. Cinikët madje mund të përqafojnë mendimin se politikanët e Kosovës e kuptojnë artin e qeverisjes si vazhdim të «ilegalitetit» me mjete të tjera. Nacionalizmi, korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, keqmenaxhimi dhe disbalanca sociale kanë përfshirë vendin tërësisht. Në shkallën e korrupsionit Kosova renditet mes të gjitha shteteve të Europës Juglindore në vendin e fundit dhe atë në distancë të madhe me këto vende. Plotësisht e hapur mbetet nëse ndonjëherë do të realizohet multietniciteti i kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Pa trajtimin e krimeve të UÇK-së nga e kaluara e afërt edhe shteti juridik qëndron në këmbë të qelqta. Në këtë pikë kërkohet angazhim jo vetëm nga EULEX-i dhe Tribunali i Hagës, por edhe nga kosovarët. Nëse ata nuk ia dalin të çlirohen nga prangat e kriminalitetit, Kosova do të bëhet ose do të mbetet «shtet i dështuar».

Në zgjedhjet e para parlamentare pas pavarësisë në dhjetor 2010 dhe janar 2011 «Partia Demokratike e Kosovës» (PDK) e Thaçit arriti të ruajë pozitën si partia më e fuqishme me 32 për qind të votave, para «Lidhjes Demokratike të Kosovës» (LDK) të Rugovës tashmë të vdekur me 25 për qind të votave. Befasia e vërtetë ishte suksesi zgjedhor i «lëvizjes qytetare» «Vetëvendosje!» nën drejtimin e Albin Kurtit, e cila me 13% të votave përnjëherë u bë partia e tretë për nga fuqia. Ndonëse pjesëmarrja në zgjedhje sërish ishte dukshëm nën 50 për qind, suksesi i «Vetëvendosjes!» ishte një sinjal i qartë i pakënaqësisë. Përveç kërkesave të popullarizuara – luftimi i korrupsionit dhe kërkesa për rritje rrogash – «Vetëvendosje!» insistoi në integrimin e pakusht të veriut të Kosovës, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (pas një referendumi paraprak), shfuqizimin e Kushtetutës së Ahtisaarit dhe tërheqjen e të gjitha trupave të huaja. Realizimi i këtyre qëllimeve mund t’ia vë zjarrin sërish rajonit.

Në veri të Kosovës (në komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan si dhe në një pjesë të komunës së Mitrovicës në veri të lumit Ibër, domethënë në një territor prej rreth 1000 kilometra katrorë – një të dhjetën e territorit të Kosovës – me 55’000 deri 65’000 serbë dhe 6’000 deri 10’000 joserbë) që nga Deklarata e Pavarësisë mbretëron një situatë difuze. Serbët e atjeshëm e konsiderojnë këtë territor edhe më tutje si pjesë të Serbisë, nga Beogradi mbështeten financiarisht dhe janë akomoduar në struktura të veçanta administrative dhe politike. Ata refuzojnë me këmbëngulje të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës. Serbët në veri qëndrojnë më mirë materialisht se sa serbët që jetojnë në brendi të republikës së Kosovës, të cilët – nolens volens – aranzhohen me situatën e re politike. Serbët në veri dhe politikanët në Serbi, ndërkaq, po përpiqen ta përvetësojnë veriun për Serbinë (eventualisht në shkëmbim të njohjes së Kosovës). «Në praktikë si Serbia ashtu edhe Kosova ushtrojnë sovranitet të pjesshëm mbi veriun. Administrata civile, shëndetësia, arsimi, shërbimet publike dhe dispozitat e shfrytëzimit të tokës funksionojnë sipas ligjeve serbe, gjë që disa vëzhgues lokalë i bën të mohojnë se kjo ‹është pjesë e Kosovës› në veri. Nga ana tjetër policët bartin uniforma të Kosovës, i raportojnë Prishtinës dhe herë pas herë ia dorëzojnë ndonjë të dyshuar serb një gjykatësi shqiptar. […] Policët serbë, prokurorët dhe gjykatësit punojnë po ashtu, por pa uniforma dhe pa autoritet të detyrueshëm. […] Shpesh sovraniteti determinohet nga identiteti individual dhe zgjedhja” (cituar sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, mars 2011).

Në mars 2011 qeveritë e Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së, filluan negociatat mbi zgjidhjen e problemeve praktike. E ardhmja e Kosovës veriore nuk ishte në agjendë. Zëvendëskryeministri serb dhe ministri i brendshëm Ivica Daçiq nga Partia Socialiste deklaroi në maj dhe në qershor 2011 në disa intervista se ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë është zgjidhja e vetme realiste e çështjes së Kosovës, por nga ky qëndrim u distancua menjëherë qeveria e Beogradit (ndonëse nuk ishte distancim aq bindës). Përpjekja e qeverisë së Kosovës për t’i vënë nën kontroll dy pika kufitare në veri nxiti një krizë të rëndë në shtator 2011. Në vend se të ecnin përpara, akterët në rajon sërish bënë një hap prapa. (fq. 478-494)

Nga Holm Sundhaussen (nga gjermanishtja:Enver Robelli)

(Ky tekst është shkëputur nga libri «Jugosllavia dhe shtetet e saj pasardhëse – 1943-2011 – Një histori e pazakonshme e të zakonshmes», botuar nga shtëpia botuese «Böhlau». Autori i librit, profesori Holm Sundhaussen, i cili vdiq befas, në moshën 72-vjeçare, më 21 shkurt 2015, ishte njëri prej historianëve më të njohur gjermanë, i cili gjatë gati gjithë karrierës së tij shkencore është marrë me Europën Juglindore. Sundhaussen ka trajtuar sidomos temat që lidhen me krijimin e kombeve dhe nacionalizmin, konfliktet etnike, historinë e ekonomisë dhe shoqërisë, ndryshimet sociale dhe kulturat e kujtesës. Nga viti 1988 deri më 2007 ka qenë profesor i historisë së Europës Juglindore në Institutin e Europës Lindore të Universitetit të Lirë të Berlinit. Libri i tij «Historia e Serbisë» është një vepër e shumëlavdëruar nga qarqet akademike dhe publicistike në hapësirën gjermanofolëse. Në rrethet nacionaliste serbe Sundhaussen është sulmuar ashpër për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur në këtë libër dhe sidomos për shkak të kritikës që i ka bërë shovinizmit serb).

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration