Lokale
PVD do të vazhdojë aktivitetet zgjedhore, mund të bashkëngjiten edhe të tjerët
Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka dal sot me një deklaratë të shkruar pas takimit të zhvilluar të premten mes delegacionit nga Lugina dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Në takimin e djeshëm në Ministrinë e jashtme të Republikës së Shqipërisë ku merrnin pjesë kryetari i PVD – së dhe deputeti aktual Riza Halimi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Galip Beqiri, kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi dhe kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa u diskutua përsëri çështja e zgjedhjeve parlamentare të 16 marsit.
Sipas deklaratës së PVD-së, ministri Bushati ka rikonfirmuar interesimin dhe përkrahjen për pjesëmarrjen e Shqiptarëve në këto zgjedhje me listë të përbashkët.
“Mirëpo edhe kësaj radhe kryetarët e pushteteve lokale, përkatësisht kryetari i PDSH dhe kryetari i PD nuk e pranuan propozimin e PVD – së për përpilimin e listës së përbashkët në bazë të parimit të proporcionalitetit të forcës zgjedhore që subjektet politike shqiptare e kanë arritur në zgjedhjet e fundit lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thuhet në deklaratën e PVD-së, transmeton Titulli.
Në këtë situatë PVD në bazë të vendimit të Kuvendit të përgjithshëm do t’i vazhdojë aktivitetet zgjedhore si me grumbullimin e nënshkrimeve të përkrahjes ashtu edhe me tubimet zgjedhore duke filluar me tubimin e sotshëm në ora 14:00 në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, shpjegon ky subjekt politik.
“Mirëpo, këto aktivitete nuk duhet të jenë pengesë, në rast se subjektet tjera politike e ndërrojnë qëndrimin e tyre të bojkotit që edhe në këto momente të bisedojmë për mundësinë e arritjes së listës së përbashkët por duke i respektuar forcën reale të të gjitha subjekteve politike, e jo duke krijuar blloqe brenda spektrit politik Shqiptarë, ashtu si e propozuan kryetarët e PDSH-së dhe PD-së”, thuhet në deklaratën e Partisë për Veprim Demokratik./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!