Problemi i Luginës do të radikalizohet
Intervista

Problemi i Luginës do të radikalizohet

25.Nov.2013 11:19
0
Ish-drejtori politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu, ka paralajmëruar radikalizim të situatës në Luginë të Preshevës nëse çështja e shqiptarëve të kësaj ane nuk diskutohet në takimin e radhës që do të mbahet më 5 dhjetor në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Musliu ka thënë se brenda tri ditëve do të mblidhet lidershipi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe do të dalë me disa kërkesa drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Ai ka përmendur njërën prej kërkesave: “Serbia nga buxheti i vet ka ndarë 45 milionë euro për serbët e veriut. Edhe ne kërkojmë të jemi pjesë e buxhetit të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Musliu në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka bërë me dije se vendimi i lidershipit shqiptar për t’i ndërprerë bisedimet me Qeverinë e Serbisë ka qenë i detyruar, pasi vazhdimisht janë injoruar kërkesat e tyre nga autoritetet serbe.
Pse vendosët njëzëri t’i ndërprisni bisedimet me Beogradin? Çfarë ju shtyri të merrni këtë vendim?
[caption id="attachment_56403" align="alignleft" width="300"]Jonuz Musliu Jonuz Musliu[/caption] Musliu: Deri te ndërprerja e dialogut ka ardhur për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm të kërkesave tona nga ana e shtetit serb. Pra, ishin disa arsye t’u themi jo bisedimeve me Qeverinë e Serbisë. Një ndër arsyet ishte heqja e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë nga ana e forcave serbe, konfiskimi i librave shkollorë në Raincë të Preshevës, refuzimi i Kuvendit të Serbisë për t’i kaluar amendamentet që kërkuan shqiptarët për çështjen e gjyqësisë dhe, së fundi, vrasja pa gjyq e Reshat Bajramit. Pas këtyre veprimeve, përpos ndërprerjes së dialogut, s’kemi pasur rrugë tjetër. Kërkuam të jemi pjesë e dialogut dhe të mos u ikim bisedimeve, por e gjithë përpjekja jonë shkoi në vesh të shurdhër. U pa qartë se Serbia nuk ka vullnet të bisedojë me shqiptarët dhe t’i zgjidhë problemet e tyre në bazë të standardeve evropiane. Kjo u vërtetua edhe në takimin e fundit që patëm me kryeministrin serb, ku na është kërkuar të marrim krejt çka na ofrohet, pavarësisht se a na pëlqen. Kemi bërë përpjekje maksimale që çështjet tona t’i zgjidhim me dialog, por derisa jemi të ngufatur nuk kemi mundur të shkojmë më tutje, prandaj morëm vendim t’i ndërpresim bisedimet me shtetin serb.
Cilat janë kushtet e liderëve të Luginës së Preshevës që t’u kthehen sërish bisedimeve me Beogradin?
Musliu: Pa u pranuar të gjitha kërkesat tona nuk kthehemi në procesin e bisedimeve. Pa ua dhënë shqiptarëve të Luginës së Preshevës të drejtat që i janë dhënë komunitetit serb në veri të Kosovës ne nuk do të bisedojmë me Qeverinë e Serbisë.
Para se ta merrni vendimin, jeni konsultuar me faktorin ndërkombëtar? Të paktën keni marrë ndonjë shkresë se do të realizohen të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës?
Musliu: Edhe ata janë të shqetësuar me gjendjen diskriminuese të shqiptarëve, por nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për ta ndërruar këtë gjendje të keqe të shqiptarëve, duke parë se në Luginë të Preshevës ka dhunë, terror dhe vrasje, ashtu siç dëshmon edhe vrasja e fundit e Reshat Bajramit pa gjyq në burgun e Vranjës. Nuk e di se deri kur do të vazhdojë kjo situatë që të vriten shqiptarët në këtë mënyrë.
 Keni bërë ndonjë shkresë zyrtare për institucionet e Kosovës, ato të Shqipërisë dhe për BE-në për këtë çështje?
Musliu: Këto ditë do të dalim me kërkesat tona të qarta dhe konkrete drejtuar Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Shqipërisë dhe Brukselit. Besojmë se brenda dy tre-ditëve do të mblidhet lidershipi shqiptar i Luginës së Preshevës dhe do të diskutojë për kërkesat konkrete që shqiptarët e kësaj pjese kanë për Qeverinë e Kosovës, atë të Shqipërisë dhe Brukselin.
Çfarë do të kërkoni prej Kosovës dhe Shqipërisë që t’ju ndihmojnë?
Musliu: Tash të shohim se çfarë hapash do të marrin për shqiptarët e Luginës, Kosova dhe Shqipëria. Serbia nga buxheti i vet ka ndarë 45 milionë euro për serbët e veriut. Pra, edhe ne kërkojmë të jemi pjesë e buxhetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Në qoftë se nuk ka tjetër rrugëdalje ne duhet të bëjmë edhe komuna paralele.
 
Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të mbahet më 5 dhjetor. Do të kërkoni që kjo çështje të diskutohet në këtë takim?
Musliu: Patjetër. Kemi kërkuar edhe më herët të jemi pjesë e delegacionit. Nëse nuk jemi pjesë e delegacionit, së paku kemi kërkuar të bisedohet në Bruksel për shqiptarët e Luginës së Preshevës. U pa edhe në Nju Jork se si kryeministri serb i injoronte pyetjet për shqiptarët e Luginës. Meqë ata nuk po duan, atëherë ne si shqiptarë duhet të merremi vesh, sepse kjo tokë është e shqiptarëve, jo e Serbisë. Ne kemi luftuar për këtë tokë.
Çfarë nëse as këtë herë nuk do të diskutohet kjo çështje në Bruksel?
Musliu: Shpresojmë shumë se do të diskutohet në këtë takim. Por, në qoftë se nuk do të diskutohet as këtë herë, atëherë do të radikalizohet problemi i Luginës së Preshevës, sepse rrugë tjetër nuk na ka mbetur.
 Që nënkupton?
Mulsiu: Pas dështimit të dialogut dihet se çka mund të ndodhë në Luginë të Preshevës. Mund të përsëritet një dhunë të cilën nuk e dëshiron askush.
 
(“Epoka e re”: Muhamet KOCI) 
Shqiptarët e Bullgarisë dokumentojnë historinë e tyre
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration