Nisma, apel Beogradit: Zgjidhni problemet që lidhen me bojkotin e regjistrimit
Lokale

Nisma, apel Beogradit: Zgjidhni problemet që lidhen me bojkotin e regjistrimit

24.Sep.2014 12:49
0
Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut (Nisma) i bënë ftesë institucioneve të Republikës së Serbisë që urgjentisht të zgjidhin problemin i cili buron nga regjistrimi i fundit i popullsisë ku shqiptarët e Luginës e bojkotuan masovikisht. Kjo çështje është bërë edhe më e rëndë në prag të mbajtjes së zgjedhjeve për këshilla kombëtare të pakicave

Regjistrimi i fundit i zhvilluar në Republikën e Serbisë gjatë vitit 2011 është bojkotuar nga shumica e qytetarëve shqiptar me apelin e partive politike të Luginës. Ky bojkotim parashikohet që të shkaktojë probleme në funksionimin e përbërjes së re të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Pikërisht rreth kësaj problematike ka reaguar Nisma me seli në Beograd duke kërkuar nga institucionet e shtetit që mos të bëhet përgjysmim i KKSH-së.

“Shumica e pjesëtarëve të bashkësisë shqiptare në Serbi ka bojkotuar regjistrimin e vitit 2011 për shkak të problemeve të shumta në mënyrën e zbatimit të regjistrimit në jug të Serbisë, kështu që numri i atyre që janë deklaruar si shqiptarë është zvogëluar për dhjetëfish në krahasim me regjistrimin e mëparshëm – 5.809 kundrejt 61.647 në vitin 2002”, thuhet në reagimin e Nismës.

Ligji për këshillat kombëtare parasheh që numri i anëtarëve të Këshillit dhe mjetet që ndahen për funksionalizimin në raport me rezultatet e regjistrimit të fundit.

“Kjo nënkupton se pas zgjedhjeve të 26 tetorit aktivitetet e Këshillit Kombëtar Shqiptar në fushën e kulturës, arsimit, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit do të financohet nga mjetet buxhetore të parapara për një bashkësi shumë më të vogël sesa në të vërtetë janë shqiptarët në Serbi. Veç kësaj, numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptar do të jetë 15 (që korrespondon me bashkësitë kombëtare që kanë numër më të vogël se 10.000) dhe jo 29 (ashtu siç e parasheh Ligji për bashkësitë me 50 deri në 100 mijë banorë).”, sqarohet në reagim, transmeton Titulli. 

Nisma nënvizon se numri i shqiptarëve në këtë rajon nuk është zvogëluar në mënyrë drastike për shkak të shpërnguljes, luftës apo katastrofave natyrore por, në masë të madhe është rezultat i bojkotimit të regjistrimit për arsye teknike dhe administrative, për të cilët nuk kishte vullnet politik që të zgjidhen në vitin 2011.

“Këtë fakt nuk e mohojnë përfaqësuesit e institucioneve të Serbisë, si dhe as Enti Republikan për Statistika i cili ka zbatuar regjistrimin. Mirëpo, tre vite pas regjistrimit të viti 2011-të shteti nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zgjidhur problemet që rrjedhin nga bojkotimi i regjistrimit nga ana e shqiptarëve”, thekson Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut.

Kjo organizatë potencon faktin se në mungesë të regjistrimit të ri, për përfaqësimin e vërtetë të bashkësisë kombëtare shqiptare në Serbi mund të dëshmojë numri i papunësisë së regjistruar, numri i të regjistruarve në shkollë dhe të dhëna të tjera, përfshirë edhe listën e veçantë zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme për këshilla kombëtare, në të cilën gjenden afër 30.000 shqiptarë.

“Në një rajon të varfër dhe të brishtë në jug të Serbisë, është e rëndësisë së veçantë që të zbatohen zgjidhje konstruktive të cilat nuk do të ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës të bashkësive të grupeve të ndryshme etnike të cilat jetojnë atje. Interpretimi i rezultateve të regjistrimit i cili nuk reflekton gjendjen reale në terren vetëm se ka pasur pasojat e saj në legjislativ. Ligji për selit dhe vendet e gjykatave dhe prokurorive publike nuk ka paraparë Gjykatë themelore për Preshevën”.

Nisma paralajmëron se me reduktimin drastikë të fondeve të parapara për Këshillin Kombëtar Shqiptar në mënyrë të konsiderueshme do të pengohet realizimi i të drejtave themelore të njeriut për bashkësinë shqiptare në Serbi.

Zgjedhjet për këshilla të pakicave kombëtare janë paraparë të mbahen më 26 tetor të këtij viti./Titulli.com/

Vjen thirrja për bashkim të krerëve fetarë e politikë të Luginës
KKSH: Dënimi i lojtarëve tendecioz
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration