Medvegja kërkon fond zhvillimor nga Kosova e Shqipëria
Lokale

Medvegja kërkon fond zhvillimor nga Kosova e Shqipëria

01.May.2013 18:53
0
Afro 500 njerëz i duartrokitën një moderatori që paralajmëronte fillimin e mbledhjes tradicionale të shqiptarëve në fshatin Tupallë të komunës së Medvegjës. Kishin ardhur i madh e i vogël për të parë këtë tubim folklorik që një herë në vit dyfishon numrin e banorëve të këtyre trevave. Komuna në jug të Serbisë, që gjendet rreth 65 kilometra në lindje nga Prishtina, numëron vetëm 550 shqiptarë, sipas nënkryetarit të Kuvendit komunal të Medvegjës, Fehmi Beha. Ai tha se është i lumtur që njëherë në vit, e di sigurt se po bëhen dyfish sesa që janë, pas largimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre të kësaj treve, me t’u përfunduar lufta në Kosovë, në vitin 1999. “Njerëzit, të cilët nuk kanë qenë më parë në Medvegjë, tash e kanë kuptuar se është vështirë që të jetohet në Medvegjë. Mirëpo, mungesa e popullatës, sidomos e popullatës shqiptare, pasi që në vitin 1999 u shpërngulën nga këtu, më shkurt u dëbuan nga Medvegja me dhunë, atëherë edhe nuk mund të thuhet se është lehtë të jetohet në Medvegjë”, tha Beha për Radion Evropa e Lirë. Beha, që është edhe kryetar i degës së Partisë për Veprim Demokratik në këtë komunë, theksoi se para luftës në Kosovë, regjistrat tregonin për një numër dhjetëfish më të madh të shqiptarëve në Medvegjë. “Po në vitin 1999, sipas të gjitha të dhënave, mbi 5000 shqiptarë janë dëbuar nga komuna e Medvegjës. Në Medvegjë për momentin jetojnë diku rreth 550 shqiptarë”, shpjegoi ai për Radion Evropa e Lirë. Takimet e vendlindjes në Medvegjë, edhe këtë vit sollën në oborrin e shkollës fillore të Tupallës tupanin dhe surlen, që e ka përcjellë me vjet këtë tubim të shqiptarëve. Me tingujt e tyre vallëzonin djem e vajza të këtyre trevave, që dikur ishin më shumë në numër. Se sa ishin dikur dhe sa janë tani në këto anë, e shpjegoi për Radion Evropa e Lirë, kryetari i bashkësisë lokale të fshatit, Sokol Halimi: “Ne jetojmë në kushte të vështira. Shiko, ne i kemi pasur 450 nxënës në këtë shkollë këtu. Sot sa i kemi? 21 nxënës, me dy paralele të ndara. Besoni që dhuratat për Vitin e Ri, personalisht unë ua kam blerë, se nuk kanë pasur familjet e tyre. Një krizë në të gjitha anët. Kemi presion në të gjitha mënyrat, domethënë pa marrë parasysh s’kemi kushte për jetesë”. Të mbledhurve në tubim u foli edhe kryetari i komunës, Sllobodan Drashkoviq, i cili tha se së shpejti pritet të hapet një vendkalim i ri mes Kosovës dhe Serbisë, në drejtim të Kamenicës. “Ne, si komunë, do të mundohemi që t’i bëjmë edhe më të mira manifestimet. Që të shoqërohemi, të luajmë futboll, dhe të jemi miq, sepse vetëm ashtu mund të mbijetojmë dhe të jemi bashkë”, tha Drashkoviq. Në Tubimet e Vendlindjes në Tupallë u pa edhe një deputet i Kosovës. Jeton Svirca, me prejardhje nga fshati Svircë i komunës së Medvegjës, tha se të parët e tij ishin larguar nga trojet e veta në vitin 1878, dhe se në shikim të parë vërehet mungesa e shqiptarëve në këtë komunë. “Në një moment të caktuar ata (të shpërngulurit) mund të kthehen. Por, kjo duhet të jetë politikë e komunës së Medvegjës, por edhe e politikës së politikanëve në Kosovë, që të angazhohen të kthehen të gjithë të shpërngulurit, të cilët janë larguar nga këto treva. Le të kthehen dhe të punojnë e ta zhvillojnë këtë vend”, tha Svirca. Mirëpo, sipas nënkryetarit të Kuvendit Komunal të Medvegjës, vetëm fjalët nuk mjaftojnë. Fehmi Beha tha se qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të thurin plane, dhe të ndihmojnë financiarisht kthimin e shqiptarëve, sepse kjo trevë po boshatiset nga shqiptarët. “Duke marrë parasysh numrin e vogël të popullatës shqiptare që jeton këtu, atëherë me të vërtetë po frikësohemi se dita-ditës duke u zvogëluar numri i shqiptarëve, Medvegja do të mbetet pa shqiptarë, në qoftë se nuk ndërmerret diçka, sidomos nga qeveritë e dy shteteve, të Kosovës dhe Shqipërisë, që ta ndihmojmë kthimin e shqiptarëve”. “Ta financojnë dhe ndihmojnë pra të krijojnë fonde të posaçme për kthimin e shqiptarëve ne Medvegjë. Janë të boshatisura shtëpitë, janë të rrënuara, oborret e shtëpive janë mbushur me ferra me drunj, ta merr mendja se qe 100 vjet s’ka jetuar askush aty”, tha Beha./Titulli.com/
Mërgimtarëve nga 41 euro, Luginës 80 euro!
Kamberi: Interesi dhe leverdia për pushtet bashkoi partnerët qeverisës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration