Macron ia kujtoi Vuçiqit Banjskën: A do ta zgjidhë Beogradi rastin e sulmit në Kosovë? Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Paris.
Rajoni dhe Politika

Macron ia kujtoi Vuçiqit Banjskën: A do ta zgjidhë Beogradi rastin e sulmit në Kosovë?

11.Apr.2024 07:48
0

Edhe pse kaloi më shumë se gjysmë viti pas sulmit në Banjskë të Kosovës, Serbia nuk ngriti ndonjë padi kundër Millan Radoiçiqit.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk iu përgjigj pyetjes së përsëritur të Radios Evropa e Lirë për rrjedhën e procedurës kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, 2023.

Në atë sulm u vra polici kosovar, Afrim Bunjaku.

Në përgjigjen e fundit që REL-i mori më 8 shkurt, Prokuroria tha se është “duke verifikuar dëshminë e të dyshuarit” Radoiçiq.

Më 8 prill, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, foli për rëndësinë e zgjidhjes së rastit në Banjskë, gjatë një adresimi të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Paris.

 

Të nesërmen, Vuçiq u tha gazetarëve se bisedimet me presidentin francez për Kosovën nuk ishin të lehta, por se mendon se Macron “e kupton qëndrimin e Serbisë”.

Megjithatë, ai nuk i përmendi rezultatet e hetimeve për Banjskën.

“Nuk mund të ketë përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa ekziston kërcënimi se Banjska do të përsëritet”, thotë Engjëllushe Morina, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, për Radion Evropa e Lirë.

“Autorët duhet të sillen para drejtësisë, sepse situata e sigurisë duhet të jetë e mirë, në mënyrë që mosmarrëveshja Kosovë-Serbi të zgjidhet”, thotë ajo.

Morina shton se, përkundër thirrjeve për zbardhjen e rastit, bashkësia ndërkombëtare nuk po i bën presion të mjaftueshëm Serbisë.

“Ajo që po shohim tani dhe viteve të fundit, ka të bëjë më shumë me koncesionet, jo aq shumë me detyrimet”, thotë ajo.

 

Çfarë thonë zyrtarët ndërkombëtarë?

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha më 8 prill se vendi i tij do të sigurojë që të përmbushet çdo hap i Marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjatë një adresimi të përbashkët me Vuçiqin në Paris, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe një zotim për të ardhmen e rajonit”.

Ai, gjithashtu, tha se është e rëndësishme që pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.

“Është vetëm një konfirmim se evropianët nuk e kanë harruar atë që Vuçiq do të donte të harrohej”, vlerëson komentuesi serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se fakti që Macron nuk e ngriti çështjen “në mënyrë private”, tregon për rëndësinë e rastit Banjska.

“[Macron] mendoi se duhej ta thoshte këtë para publikut”, thotë Jakshiq.

 

Në fjalimin e tij, presidenti i Serbisë e akuzoi Kosovën për mospërmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja e Ohrit dhe për mosndjekjen penale të rasteve të sulmeve ndaj serbëve në Kosovë.

“Të gjithë tashmë përmendin vetëm Banjskën”, tha Vuçiq në Paris.

Më 24 shtator, 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e akuzoi Serbinë se qëndron pas organizimit të këtij sulmi, por Beogradi e mohoi.

Përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, i cili më pas dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë vlerëson se presidenti i Serbisë “është i vetëdijshëm se duhet të ndërmarrë veprime të caktuara kur është fjala për Banjskën”.

“...por, ai përpiqet të blejë sa më shumë kohë deri në nëntor [zgjedhjet në SHBA], kur shpreson që administrata në Amerikë të ndryshojë”, thotë Morina.

Ajo shton se është shumë e rëndësishme që liderët evropianë të mos e injorojnë sulmin e armatosur në veri të Kosovës.

“Mosmarrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë një çështje sigurie, dhe atë serioze, në kontekstin politik në të cilin ndodhet Evropa. Komuniteti euroatlantik po monitoron me kujdes paqëndrueshmërinë e mundshme në rajon”, thotë ajo.

 

A po shqyrton BE-ja masa ndëshkuese?

Komuniteti ndërkombëtar, disa herë, ka bërë thirrje për llogaridhënie dhe ka kërkuar që ata që janë të përfshirë në sulmin në Banjskë, të sillen para drejtësisë.

Brukseli nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrton vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, për të cilat insiston Kosova.

Kjo e fundit konsideron se bëhet fjalë për terrorizëm.

Më herët, BE-ja i tha REL-it se është ende në pritje të përfundimit të hetimeve zyrtare nga autoritetet e Kosovës.

“BE-ja nuk kryen në mënyrë të pavarur asnjë hetim për këtë sulm, e as nuk ka mandat për ta bërë këtë. BE-ja i ka dënuar ashpër sulmet, ka ofruar mbështetje në proces dhe, në nivelin më të lartë politik, ka theksuar nevojën që hetimet të përfundojnë shpejt dhe të gjithë personat e përfshirë të mbajnë përgjegjësi”, u tha në deklaratën e Brukselit.

 

Jakshiq beson se kërkesat për ndëshkimin e përgjegjësve, do të intensifikohen.

“Shpresat e Serbisë [që ajo ngjarje të harrohet] bazohen në praktikën që e zbaton Qeveria në Serbi, e cila është një teknikë për t’i harruar gjërat”, thotë ai.

Shton se “relativizimi” i rastit Banjska në Serbi është një politikë dritëshkurtër, që “nuk do të kalojë pa pasoja”.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha në fillim të vitit se duhet shprehur pakënaqësi për sjelljen e Qeverisë së Serbisë pas ngjarjeve në Banjskë.

“Duhet të tregojmë se jemi të zhgënjyer me sjelljen e Qeverisë së Serbisë. Nuk e di nëse Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e ndajnë këtë zhgënjim. Por, nga bisedat që kam bërë, kam parë se ka zhgënjim, sepse Banjska ka qenë një moment i rrezikut të madh”, tha Cameron më 9 janar.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja po i heton lidhjet e Serbisë me sulmin në Banjskë.

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë në tërësi”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 15 mars.

Ai, po ashtu, tha se është e papranueshme që Radoiçiq të jetë ende i lirë./REL/

Osmani detaje për planin 9 pikësh: Në Veri të Kosovës mund të krijohej një realitet i ri në vijë me ndryshimin e kufijve
Ekspozitë në Observerkult: Leoneta Abdyli, piktore
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration