Letër proteste: Askush nuk qanë hallin e shqiptarëve të Luginës!
Vështrime

Letër proteste: Askush nuk qanë hallin e shqiptarëve të Luginës!

02.Oct.2017 08:55
0
Kjo letër proteste u drejtohet fillimisht institucioneve diskriminuese të shtetit serb, më pastaj politikanëve shqiptarë të Luginës, autoriteteve shtetërore të Kosovës e Shqipërisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Keni durim t’i lexoni këto pak rreshta, në të cilat theksohen aq shumë probleme që vështirësojnë, e madje kohëve të fundit e bëjnë edhe të pamundshme jetesën e shqiptarëve të Luginës.

E në këtë pikë, padyshim, kontribuoni të gjithë ju të lartpërmendur. 

Rezistenca e popullit shqiptarë të Luginës karshi dhunës dhe terrorit shtetëror serb, ka vazhduar me dekada, për t’mos thënë që ka vdekur sot!

Deri para përfundimit të luftës në Luginë, ajo ka qenë aktive, duke u konkretizuar më në fund edhe me një konflikt të armatosur. Pas lufte, si duket, kanë ndërruar gjërat!

Përfshirja e shqiptarëve të Luginës në jetën institucionale, nën Serbi, ka mundësuar njëkohësisht kamuflimin e diskriminimit shtetëror serb karshi popullatës shqiptare të Luginës. E këtë gjë, duhet ta dini, sidomos ju ndërkombëtarët. 

Të nderuar diplomatë të huaj, ju duhet të jeni në dijeni, se, Serbia edhe pse pretendon të integrohet në Bashkimin Evropian, aty ku njerëzit nuk diskriminohen për hir të përkatësive etnike, ajo përgjatë këtij rrugëtimi nuk ka reshtur duke diskriminuar shqiptarët e kësaj zone etnike. E, nuk ka plan të ndalojë së bëri një gjë të tillë.

Shqiptarët e Luginës, vazhdojnë t’i vuajnë mosmarrëveshjet me Serbinë, në të gjitha sferat e jetës.

Diskriminohen politikisht e ekonomikisht!

Pyetni ndonjëherë, ata përfaqësuesit politik të kësaj popullsie, kur t’i takoni diku nëpër dreka e darka, se si ia bëjnë shqiptarët në Luginë, me mbijetesën sociale, ekonomike e kulturore?

Neve, as sot, Serbia nuk na i njeh simbolet kombëtare! Nuk na njeh identitetin tonë! E pamundëson zhvillimin e arsimit e kulturës sonë! Na bllokon financiarisht! Na bënë presion ushtarak e policor!

Për të gjitha këto keni diskutuar e nënshkruar edhe marrëveshje e memorandume bashkëpunimi, të gjithë ju të lartpërmendurit në mes vete, por ku janë librat shqip për Luginën sot, p.sh? 

Duhet të ju vijë turp, kur ta dëgjoni këtë pyetje. Gjithsecilit prej jush! Kur bota diskuton metoda e reforma rrënjësore në arsim, shqiptarët e Luginës diskutojnë ekzistencën e librave shqip nëpër shkollat shqipe. 

Tash, kohëve të fundit në Serbi është hapur debati për Kosovën.

Padyshim që ky debat është dashur t’i prekë edhe shqiptarët e Luginës, por nuk po i prekë, sikur nuk i pat prekur as gjatë tërë procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Kështu, të jepet një përshtypje sikur ne, shqiptarët e Luginës fare nuk ekzistojmë! 

Dialogu mes Kosovës e Serbisë po i bënë 6 vite që ka filluar, e në të cilin as edhe njëherë nuk u diskutua çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për gjithçka është folur në këtë dialog, vetëm për shqiptarët e Luginës nuk është hapur goja as nga njëra palë. 

Qasjet e Beogradit zyrtarë karshi ekzistencës etnike të shqiptarëve të Luginës janë antinjerëzore. Sikur janë të dhimbshme edhe mos interesimet e Kosovës e Shqipërisë në zgjidhjen e problemeve të këtyre të fundit. 

Deri tani, marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, kanë qenë me bilanc negativ për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Edhe ashtu të pa realizueshme në praktikë, sidomos nga pale serbe, marrëveshjet e deritanishme në mes këtyre dy shteteve vetëm sa kanë vështirësuar jetesën e shqiptarëve të kësaj ane.

DIALOG PËR BËRLLOG! Neve, shqiptarëve të Luginës, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës p.sh, na brenë një kauzë në këtë mes: Njohja e diplomave të Kosovës nga shteti i cili na administron!

Po bëhen gati 10 vite, e po vijnë 10 gjenerata, të cilave nuk u njihen diplomat.

Me një llogari të thjeshtë, na del që numri i atyre që diplomojnë e që nuk u njihen diplomat, kapërcen hallet e interesat e atyre që janë të thirrur të zgjidhin këtë problem.

10 vite, hej! 

Është arritur një marrëveshje, që duket të jetë e zbatueshme, për menaxhimin e integruar të kufijve. Edhe në këtë mes janë prekur e vazhdojnë të preken shqiptarët e Luginës. Sot, p.sh ata, edhe pse Serbia e Kosova krenohen me lëvizjen e lirë të qytetarëve, shqiptarët e Luginës vazhdojnë të keqtrajtohen nëpër pikat kufitare me Kosovën, të cilat Serbia i konsideron akoma vetëm si kufij administrativ.

Deri dje, në një reciprocitet të pa menduar mirë nga pala Kosovare, shqiptarët e Luginës qenë të obliguar për të paguar shifra të mëdha financiare, vetëm për të qarkulluar lirshëm në territorin e Kosovës! 

E pas gjithë kësaj, politikanët shqiptarë në Luginë vazhdojnë me agjendat e tyre që lidhen me pretendimet e preokupimet e pushteteve, kryesisht lokale.

Sot e kësaj dite, u mungon një koncenzus i përbashkët politik nacional! 

Prandaj ju lus, sinqerisht, të gjithë ju, të reflektoni para këtyre problemeve që me vite kërkojnë zgjidhje, e hasin gjithmonë në veshë të shurdhur!

Koha nuk pret më, për shqiptarët e Luginës.  

- Kjo letër proteste iu është dërguar në formë elektronike më se 30 emailave zyrtarë të faktorëve të lartpërmendur.

 

Shkruar nga Drilon Hyseni-Bujanoc

 

Nga joserioziteti politik, vijnë edhe masat e përkohshme në Preshevë?
Edhe skizofrenia e Ligjit të Luftës e ka një ilaç
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration