Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat, finalja insistohet në “zgjidhje kompromisi”
Rajoni dhe Politika

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për targat, finalja insistohet në “zgjidhje kompromisi”

24.Nov.2022 07:49
0

Kryediplomati evropian, Josep Borell, ka thënë se Kosova dhe Serbia - nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian - kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Borrell ka thënë se Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Hollësitë shtesë të marrëveshjes nuk janë bërë të ditura.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

"Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve", ka thënë Borrell përmes një postimi në Twitter.

Ai ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të ftojë palët në Bruksel për të diskutuar hapat e radhës drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“BE-ja do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”, thuhet në një deklaratë të Borrellit.

Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se pala serbe ka arritur të ruajë paqen dhe stabilitetin, dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar në ditët e kaluara”.

Sipas tij, me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim tabelat KM (Mitrovicë e Kosovës), të cilat, sipas tij, do të mund t'i përdorin serbët në veri të Kosovës dhe nuk do të gjobiten për diçka të tillë.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalemi me lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat. Por, sidoqoftë, në tre vjetët e fundit targa të reja KM nuk janë lëshuar”, ka thënë Petkoviq.

 

Veçohet angazhimi i SHBA-së në arritje të marrëveshjes

Lajçak i ka falënderuar palët për angazhimin e tyre dhe e ka falënderuar Departamentin amerikan të Shtetit dhe diplomacinë amerikane për mbështetjen e dhënë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar Ambasadën amerikane në Kosovë për angazhimin e saj në arritjen e marrëveshjes për targat.

“Mbështetja e saj për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është kyçe. Kosova është mirënjohëse”, ka thënë ajo në një postim në Twitter.

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se pas disa orësh, “ne e kemi arritur objektivin tonë: kemi një marrëveshje”.

“Tani mund të nisin bisedimet intensive për normalizim të plotë”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Bajrami ka thënë në një bashkëbisedim virtual me qytetarët në Twitter se, marrëveshja përfundimtare është në tavolinën negociuese dhe se i gjithë informacioni do të jetë publik.

Zhvillimet deri te marrëveshja

Takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Borrell e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes më 21 nëntor.

Kurti ka thënë 23 nëntor se arsyeja kryesore pse ka shkuar në Bruksel dy ditë më parë ka pasur të bëjë me nisjen e diskutimit për marrëveshjen finale, bazuar në planin franko-gjerman, dhe jo diskutimi për targat.

Sipas tij, marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë pjesë e ftesës së BE-së, por që më pas “është braktisur dhe është kaluar vetëm te çështjet aktuale”.

 

Mirëpo, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Më 22 nëntor, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa ilegale serbe në RKS - Republika e Kosovës, ka pasur tri faza.

 

Faza e parë e qortimit është zbatuar deri më 22 nëntor.

Faza e dytë parashihte gjobën prej 150 eurosh për shoferët e makinave me targa të tilla dhe më pas prezantimin e targave të përkohshme deri më 21 prill, datë pas së cilës ishte planifikuar që të mos kishte më makina me targa serbe.

Serbia - e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan - duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës - ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme - më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

 

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL/

Serbisë i kushtëzohen negociatat për anëtarësim në BE me sanksionet ndaj Rusisë
Borelli paralajmëron fazë serioze të dialogut në lidhje me planin franko-gjerman
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration