Titulli "ndërtoi" objektin e Fakultetit Ekonomik në Bujanoc! (Foto)
Lokale

Titulli "ndërtoi" objektin e Fakultetit Ekonomik në Bujanoc! (Foto)

25.Jan.2015 16:47
0
I premtuar se do të ndërtohet në vitin 2013, e më pas edhe në vitin 2014, objekti i Fakultetit Ekonomik të Suboticës paralelja në Bujanoc, edhe mëtej nuk po ndërtohet në vendin e përzgjedhur nga udhëheqësia e kësaj komune në Luginë të Preshevës.

Duke parë boshllëkun e krijuar dhe shtyrjen e afateve për fillimin e ndërtimit të këtij objekti të arsimit të lartë, Titulli.com u detyrua që të angazhojë ekspertë në fushën e ndërtimeve virtuale, që më në fund ta ngrisim këtë godinë të shumëpritur.

“Ndërtimi” shkoi shumë mirë, pa probleme, pa humbje në material e njerëz dhe u “ngritë” sipas planit të kamotshëm të komunës së Bujanocit.

Titulli “uron” së pari kryetarin e komunës së Bujanocit Nagip Arifi, e pastaj profesorët, stafin dhe studentët e Fakultetit të Suboticës për objektin e ri, objekt të cilin, për fat të keq, mund ta shohin vetëm në faqen e këtij mediumi dhe jo në parcelën ku tashmë duhej të qëndronte.

Objektin e vërtetë me tulla e beton, që do të ketë një vlerë afro 1,5 milion euro, i cili u premtua se do të fillojë të ndërtohet në pranverën e vitit 2013, më pas në vitin 2014, e së fundi dhjetë ditë para përfundimit të vitit paraprak, tashmë nuk dihet se kur do t’i hidhen themelet.

Në janar të vitit 2013, gjatë vizitës së Komisarit për Pakica Kombëtare pranë OSBE-së, Knut Volebek, kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi pat deklaruar se kishte marrë përkrahjen nga ambasadori Volebek për ndërtimin e këtij objekti.

Aq më shumë, mysafirin ndërkombëtar e kishte dërguar në parcelën ku është paraparë ndërtimi i kësaj godine, edhe pse kjo pronë ishte në kontest gjyqësor.

Kjo nuk e pengoi Arifin që të deklarojë se ndërtimi i objektit do të fillojë në pranverën e vitit 2013.

Kaloi ky vit dhe projekti, duke pas pengesë kryesore kontestin mbi pronën, nuk arriti të fillojë, edhe pse në qershor të vitit 2013 u nënshkrua kontrata mes programin “EU Progres”, Trupit Koordinues dhe komunës, për fazën e parë të ndërtimeve.

Viti 2014 si ai paraprak, kaloi vetëm me deklarata se do të fillohet ndërtimi. Shpresat se realizimi i këtij projekti do të përshpejtohej u rikthye sërish në muajin prill kur u bë nënshkrimi i memorandumit për mirëkuptim rreth ndërtimit të objektit të Fakultetit Ekonomik paralelja në Bujanoc.

Në ceremoninë e nënshkrimit, tashmë në kuadër programit të dytë “Progresit Evropian”, morën pjesë Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues, Tomislav Jovanoviq, ministër i arsimit në Qeverinë teknike të Republikës së Serbisë, Majkëll Devenport, shef i Delegacionit të UE-së në Serbi, Peter Burkhard, shef i Misionit të OSBE-së dhe Gram Tyndall, përfaqësues i Zyrës së KB për shërbime projektuese dhe natyrisht kryetari i komunës së Bujanocit.

Pas nënshkrimit , Arifi tha se „nga sot Bujanoci mund të quhet qytet universitar“, duke nënvizuar se ky institucion i lartë arsimor do të kontribuojë „edhe në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin politik“.

Por, prapë nuk pati punime në ngritjen e këtij objekti. Kaluan tetë muaj për të t’u ritakuar sërish disa nga pjesëmarrësit e memorandumit.

Tashmë, në vendin ku duhet të ngritet godina e Fakultetit Ekonomik të Suboticës, më dy dhjetor të 2014-s me nikoqirin Arifi u paraqitë delegacioni vendor e ndërkombëtar. Edhe këtu u deklaruar se punimet do të fillojnë brenda 10 ditëve, e cila deri në ditën e sotme nuk ka ndodhur.

Viti 2015 duhet të jetë edhe vit i fillimit të ndërtimit të objektit të shumëpritur të fakultetit, në parcelën përballë Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc.

Për të parë se si do të duket ky objekt, portali informativ Titulli.com ekskluzivisht për lexuesit e saj ka siguruar një kopje të projektit ideor të godinës së ardhshme të këtij fakulteti, në të cilin këtë vit akademik është regjistruar gjenerata e katërt me afro 350 studentë shqiptar, serb e romë. /Titulli.com/

Myftiu i Luginës, telegram ngushëllimi për vdekjen e mbretit të Arabisë Saudite
Lugina me shtatë parti, shkaku i interesave, tekeve e inateve personale (Video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration