A po na përsëritet historia e Lapidarit në Luginë të Preshevës?
Lokale

A po na përsëritet historia e Lapidarit në Luginë të Preshevës?

27.Aug.2015 11:09
0
Në këto momente shtrohet dilema sa është serioze iniciativa që ta "ringjallin" Kuvendin e këshilltarëve shqiptarë ata të cilët për katër vjet radhazi e mbajtën këtë trup politik në gjendjen e vdekjes klinike.
Shkruan: Shaip Kamberi
Për gati katër vjet me radhë, sa e kishin shumicën në këtë  trup politik  partitë që po qeverisin me Preshevën dhe Bujanocin dhe më KKSh-në, Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të PMB-së,  ishte në gjendje komatike.

Vetëm tash, pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit në mesin e të cilave edhe ajo e krijimit të Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës, një  iniciativë e dalë nga kryetari i KKSh-së Jonuz Musliu, që të mbahet një seancë e këtij  trupi politik ka grumbulluar krerët e subjekteve politike në Luginë të Preshevës.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk ka dilemë se kanë nevojë për një mekanizëm politik të koordinimit të veprimeve të tyre politike, por, shtrohet pyetja se sa është serioze tentativa e “ringjalljes” së Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë nga ata që me vetë dëshirë, për interesa të ngushta grupore e klanore, “vranë” Kuvendin në këto subjekte që po qeverisin me këto komuna, dhe sa është serioze që të mbahet Kuvendi për të “përcaktuar hapat e mëtutjeshme të subjekteve politike” pa u marrë edhe me të shkuarën e këtyre katër viteve  në Luginë të Preshevës.

Çështja e parë e cila duhet diskutuar, siç e ka thënë edhe në takimin e djeshëm kryetari i PVD-së, Riza Halimi, është analiza e realizimit të Planit 7 pikësh, edhe atë në dritën e vizitës së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, në Preshevë e Bujanoc, pak kohë më parë?, të analizohet si janë qeverisë komunat në këto katër vitet e kaluara?, si do të funksionojë pushteti multietnik në Bujanoc mes partive shqiptare dhe atyre serbe? Sa janë të gatshme partitë shqiptare qeverisëse në Bujanoc që të ‘investojnë” në “çështjen e përgjithshme” apo do ta vazhdojnë avazin e vjetër “mos e përzini pushtetin lokal me politikën”.

Në pushtet lokal ne mund të përjashtojmë shqiptarë nga puna, por, mos e përzieni këtë me politikën kombëtare. Në Shtëpinë e shëndetit në Bujanoc mund të marrin vendime punësimi 3 serb (prej të cilëve dy mjek) dhe vetëm një motër medicinale shqiptare (e cila rastësisht është familjare e kryetarit të komunës së Bujanocit) kur atje numri i të punësuarve shqiptarë është dukshëm dukshëm në disfavor të shqiptarëve.

 Nëse nuk ka gatishmëri që këto tema të diskutohen në mënyrën më serioze, mbajtja e kuvendit të këshilltarëve shqiptarë me detyrë vetëm të “përcaktojë veprimet e ardhshme” mund të konsiderohet farsë që në këtë moment.

Kjo për arsye se edhe nëse shqiptarët vendosin që të veprojnë me reciprocitet dhe të krijojnë asociacion të komunave, kjo çështje duhet të diskutohet edhe nëpër Kuvendet komunale. Fundja çfarëdo vendimi serioz lidhur me qëndrimet e ardhshme të subjekteve politike pashmangshëm nënkupton edhe qëndrimin e qartë rreth pushtetit lokal në Buajnoc. Logjika se në pushtet lokal me SNS-në dhe SPS-në e për çështjet e përgjithshme me shqiptarët nuk mund të vazhdojë më tutje. Asociacioni apo diçka e ngjashme është bashkësi e komunave jo e partive politike, prandaj, do të duhet që edhe Kuvendet e këtyre komunave të marrin vendime lidhur me këtë çështje.

Nuk mund të veprojmë bashkërisht me metodën e marrëzive politike si në kohën e krizës së Lapidarit në Preshevë. “Do ta mbrojmë lapidarin”, “le të vijë Daçiqi ta hjekë”, “do të jap dorëheqje nëse e hjekin” dhe kur të gjitha këto ndodhën, askush nuk deshi as të dëgjojë për përgjegjësi politike. Gjithë çështja u la prapa shpine, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Krijohet përshtypja se edhe kjo iniciativë e fundit e dalë nga kuzhina e partive që po qeverisin me komunat dhe KKSH-në, nuk ka qëllim tjetër. Sepse tendenca që të mbahet Kuvendi me të vetmen detyrë “ për hapat e mëtutjeshme” është tendencë për të harruar premtimet e djeshme. Është premtuar se do të sillen librat nga Kosova me 1 shtator, janë premtuar 2 mijë vende pune, janë dhënë premtime nga më të ndryshmet, dhe tash, kur po flitet se mund të mbahen zgjedhjet lokale, mënyra më e mirë për të harruar se çka është premtuar, janë idetë e mëdha.

Të mos harrojmë, po flitet se në Preshevë është në përgatitje e sipër protesta gjithë popullore për pakënaqësitë në këtë komunë.

Të shpresojmë se iniciativa për mbajtjes e Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë nuk ka për qëllim të na bëjë që t’i harrojmë gjitha këto. 

 

Autori është deputet popullor në Parlamentin e Serbisë, opinionet janë personale dhe nuk paraqesin domosdoshmërish edhe qëndrimin e Portalit Informativ-TITULLI

"Vatra" kërkon dalje masovike në zgjedhjet e Medvegjës
Veliaj pret mikun nga Presheva
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration