Kompanitë private, sfidat dhe sukseset e tyre në Luginë (Video)
Lokale

Kompanitë private, sfidat dhe sukseset e tyre në Luginë (Video)

31.Jul.2015 04:13
0
Shumë ekspertë të ekonomisë thonë se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendeve në tranzicion. Duke marr parasysh dështimin e ndërmarrjeve shoqërore në komunat e Bujanocit dhe Preshevës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të këtyre komunave përveç në zhvillimin ekonomik janë të rëndësishme edhe në punësim. Por, sa janë të zhvilluara këto ndërmarrje, sa punëtorë kanë, me çfarë probleme po ballafaqohen, ku po plasojnë prodhimet e tyre, dhe a kanë mbështetje nga komunat, respektivisht shteti.

Në disa shkrime radhazi portali informativ Titulli do të shtjellojë këto çështje për të informuar publikun me gjendjen e këtyre ndërmarrjeve në komunat e Bujanocit dhe Preshevës.

Fabrika e mobiljeve “Omorika” nga Bujanoci është njëra prej ndërmarrjeve që aktualisht punëson 16 punëtorë, por ka pasur deri në 40 punëtorë.

Drejtori i kësaj ndërmarrje, Hajrush Sefedini thotë se kohëve të fundit nuk është i kënaqur me punën, sepse ka pak kërkesa.

“Problemi është se nuk ka mjete dhe nuk ka shitje sa duhet. Nuk është problemi të prodhimi, por të plasmani. Pastaj çmimi i mobiljeve ka rënë, ndërsa çmimet e materialit janë shtrenjtuar”, thotë Sefedini, i cili shton se “nëse shkon kështu, nuk bën puna, sepse shpenzimet, sigurimet e punëtorëve duhet paguar pa marr parasysh shitjen”.

Kjo ndërmarrje shet prodhimet e tyre nëpër tërë Serbinë, në Kosovë, Mal të Zi, por edhe në shtete evropiane Zvicër e Gjermani.

Njëri prej qytetarëve të rrallë shqiptar që është kthyer nga Zvicra dhe ka investuar në vendlindje është Naser Junuzi nga Tërnoci. Ai thotë se ka investuar një milion euro në ndërtimin e objektit me lokale afariste “Swiss Center”, ndërsa së fundmi ka hapur edhe objektin tjetër automekanik dhe elektricist “Auto Swiss”, të cilin e udhëheq vetë.

“Jam i kënaqur me jetën këtu dhe deri tash gjithçka është në rregull. Sa i përket punës, në fillim kemi pasur problem të madh me punëtorë, por tani është më mirë. Sa i përket klientëve ka interesim të lartë pasi njerëzit kanë fituar besimin tek unë, e unë duhet ta shfrytëzojë këtë”, thotë për Titullin, Naser Junuzi.

Junuzi thotë se ka problem edhe me nxënësit, pasi nuk ka të interesuar të vijnë, derisa për punën thotë se i ofron klientëve edhe pjesë nga Gjermania e Zvicra, por edhe pjesë që i siguron këtu, varet sa dëshirojnë të paguajnë.

“Unë mendoj se këtu ka shumë mundësi të mëdha, dhe ja vlen. Ka shumë fusha ku mund të investohet, varet vetëm nga vullneti dhe profesioni i tyre. Unë me familjen time jemi të kënaqur me kthimin dhe nuk jemi penduar”, thotë porosinë për mërgimtarët Naser Junuzi, duke shtuar se “mungon komunikimi i mirëfilltë ndërmjet shqiptarëve që jetojnë këtu dhe mërgimtarëve, duhet shkatërruar këto barriera dhe të investojmë edhe këtu, pasi kualitet ka, por vetëm nevojitet një komunikim më i sinqertë”.

Njëra prej ndërmarrjeve private me numër më të lartë të punëtorëve është kompania “Tobler Skele” nga Rainca, komuna e Preshevës, e cila aktualisht ka 70 të punësuar. Kjo kompani është themeluar në vitin 2006, selinë e ka në Rheineck në kantonin St. Gallen të Zvicrës, ndërsa përfaqësitë në Beograd, Shkup, Prishtinë e Lubjanë. Duke i llogaritur edhe punëtorët e selive, atëherë “Toble Skele” numëron mbi 100 të punësuar.

Drejtori i kësaj kompanie, Argjent Bajrami, thotë se në funksionimin e kësaj ndërmarrje prodhuese nuk ka probleme serioze, por për të shtuar kapacitetet duhet edhe mbështetja e shtetit.

“Prodhimet tona 80 për qind i shesim në Zvicër, ndërsa pjesën tjetër në vendet ku kemi edhe përfaqësitë tona. Probleme serioze s’kemi. Komuna nuk mund të na ndihmojë edhe aq, por për rritjen e kapaciteteve tona, e me këtë për hapjen e vendeve të reja të punës, mund të na ndihmojë shteti, respektivisht Fondi republikan për zhvillim, ku kemi plan të aplikojmë për një kredi. Aktualisht sa kemi kërkesa në treg, ne nuk po mund të prodhojmë, e për këtë arsye do të alikojmë për këtë kredi për të zgjeruar kapacitetet tona prodhuese”, thotë drejtori Bajrami.

“Tobler Skele” prodhon skele ndërtimi dhe gjithë pjesët tjera përcjellëse që montohen në këto skele, ndërsa sipas drejtorit, posedon të gjitha sertifikatat për kualitet dhe shitje në shtetet perëndimore.

Fahir Sadiku, drejtor i ndërmarrjes “Çeliku” nga Presheva, thotë se kjo kompani është e themeluar në vitin 1969 si punëtori e pavarur artizanati, e më pas duke u avancuar në ndërmarrje për prodhimin e dyerve dhe dritareve nga alumini dhe PVC materiali.

“Momentalisht i kemi 12 punëtorë e në sezonë e rrisim edhe më shumë numrin e punëtorëve. Kemi probleme të shumta, nga fuqia punëtore deri tek administrata komunale. Sa i përket administratës, ne gjithnjë anashkalohemi në tenderë, edhe pse kemi aplikuar me çmime më të lira dhe kualitet, si njëra ndër kompanitë më të vjetra në rajon”, thotë Sadiku.

Sa i përket donacioneve, “Tobler Skele” dhe “Çeliku” në vitin 2008 kanë përfituar nga një donacion me vlerë 20 mijë dollarë nga Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar – USAID.

Me këtë donacion, siç sprehen përfaqësuesit e këtyre kompanive kanë blerë pajisje të reja dhe kanë zgjeruar kapacitetet dhe kualitetin e punës.

Këto dy kompani, si dhe “Omorika” nga Bujanoci, gjithashtu kanë përfituar nga një donacion prej tre milion dinarëve nga Trupi Koordinues, për Presheve, Medvegjë e Bujanoc.

Sa i përket donacioneve, drejtori i ndërmarrjes “Omorika”  nuk është ndarë aq i kënaqur.

“Faleminderit për ndihmën, por kemi pasur kusht të mbajmë punëtorët dhe për të punësuar dy punëtorë të rinj. Kur ka punë s’ka problem, por kur ndalet puna, atëherë s’bën”, thotë Hajrush Sefedini.

Në fund të shtojmë se lidhur me funskionimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Serbi, ekziston edhe Agjencia republikane për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, e themeluar në vitin 2004.

Në shkrimet tjera do të prezantojmë edhe ndërmarrje tjera nga komunat Bujanoc dhe Preshevë, e në këto shrkrime do të paraqesim edhe sfidat me të cilat po kalojnë këto ndërmarrje./Titulli.com/

VIDEO

Gjysma e Bujanocit pa energji elektrike!
Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc kërkon nga qeveria zbatimin e Rezolutës së vitit 2013
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration