Hasmëria mes subjekteve shqiptare në Luginë, pengesë e avancimit të të drejtave
Vështrime

Hasmëria mes subjekteve shqiptare në Luginë, pengesë e avancimit të të drejtave

09.Dec.2014 10:57
0

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut shënohet që nga viti 1950, në ditën e njëjtë në të cilën, dy vjet më parë (1948) është nënshkruar Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe prej kur, për herë të parë në historinë e njerëzimit, është njohur e drejta e gjithë njerëzve për “jetë, liri dhe siguri, pa kurrfarë dallimi”.

Shkruan: Shaip Kamberi; 

Që nga viti i largët 1948, kur bota kishte hyrë në një fazë tjetër të ndërtimit të rendit të ri botëror, në të cilin të drejtat e individit do të kishin rol më të rëndësishëm, e deri më sot, kur bota, përsëri gjendet në udhëkryqin e rendit botëror të dalë pas shembjes së Murit të Berlinit, janë aprovuar edhe shumë dokumente të tjera të karakterit ndërkombëtar apo rajonal, të cilat kanë për detyrë të institucionalizojnë jo vetëm të drejtat dhe liritë e individit, por edhe të kolektiviteteve çfarë janë pakicat nacionale. Në këtë aspekt, përparimet më të rëndësishme janë bërë në Evropë me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, apo me Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale. Të dy këto dokumente të rëndësishme janë aprovuar brenda Këshillit të Evropës dhe janë të detyrueshme për anëtarët e mekanizmave evropianë të ndërveprimit.

Në kuadër të OSCE-së, janë të rëndësishme që, veç tjerash, të përmenden edhe rekomandimet e nxjerra nga Komisionari i lartë i OSBE-së për mbrojtjen e pakicave -Rekomandimet nga Haga, Oslo dhe Lundi dhe  së fundi edhe rekomandimet e Lubjanës, që kanë për qëllim që të sigurojnë participim sa më adekuat të pakicave nacionale në mekanizmat shtetërorë dhe publikë.

Ashtu siç është konstatuar edhe më parë, në asnjë moment tjetër të historisë njerëzore, njerëzimi nuk ka pasur dokumente obliguese ndërkombëtare apo rajonale, përmes të cilave mbron dhe garanton të drejtat e individit, por edhe kolektivitetit - pakicave nacionale.

Megjithatë, edhe në këtë epokë të ekzistimit të mekanizmave juridiko-politik mbrojtës të të drejtave individuale dhe kolektive, shqiptarët e Luginës së Preshevës po vazhdojnë të bëjnë luftë të pabarabartë me autoritetet në Beograd për përmirësimin e pozitës së vet politike dhe kualitetit të jetës.

Tejzgjatja e kësaj lufte me pak rezultate konkrete po sjell zhgënjim te një pjesë e popullatës, veçanërisht të rinjve, të cilët, gjithnjë e më shumë po orientohen që jetën e vet ta ndërtojnë në ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian. Kështu, largimi i të rinjve, asaj pjese të popullatës nga vrulli dhe entuziasti i të cilës priten ndryshimet, po rrezikon dukshëm bërthamën kombëtare të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, kësaj radhe me pasoja alarmante sidomos në Bujanoc (meqë në Medvegjë një proces i këtillë tashmë është kryer). Sepse, në asnjë hapësirë tjetër shqiptare sikurse në Bujanoc, mirëqenia e shqiptarëve nuk varet nga numri i tyre.

Shteti në të cilin po jetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, Serbia, e i cili po mundohet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian duke injoruar kërkesat legjitime të shqiptarëve për një jetë të dinjitetshme, po vazhdon të injorojë obligimet më fondamentale, të parapara me Nenin 2 të “Kontratës për Bashkimin Evropian”.

“Unioni bazohet në vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtat e pjesëtarëve të pakicave” thotë Neni 2 i kontratës.

Duke refuzuar të drejtën e shqiptarëve për pjesëmarrje proporcionale në institucionet publike; në përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip; në përdorim të lirë dhe zyrtar të simbolit kombëtar; në barazi ekonomike dhe investime të barabarta; në bashkëpunim pa pengesa me shtetin amë; në tekste shkollore kualitative; në siguri juridike dhe ndërprerje të presioneve të policisë politike përmes bisedave informative; e shumë të drejtave të tjera, Serbia në vazhdimësi po tregon mostolerancën dhe frymën e absolutizmit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Tashmë për gjithkënd është e qartë se shqiptarët e Luginës së Preshevës e kanë të pamundur që vetë të ballafaqohen me një filozofi përjashtuese ndaj pakicave të cilën, sidomos, ndaj shqiptarëve po e dëshmon Serbia.

Distancimi në heshtje, nga mbështetja e kërkesave të shqiptarëve që po e bën Bashkësia Ndërkombëtare, po e lehtëson këtë politikë ndëshkuese që ndaj shqiptarëve Serbia vazhdon ta ushtrojë, por, assesi nuk mund të thuhet se dy shtete amë (Kosova dhe Shqipëria) janë duke e bërë punën e vet karshi Luginës së Preshevës. Ka më tepër se një vit që dy qeveritë themeluan Fondin për Zhvillim, qëllimi i të cilit ishte të ndihmohet Presheva, por, veç 100 mijë eurove (të cilat nuk dihet as se si dhe për çka u harxhuan) në aspekt të fuqizimit të këtij Fondi nuk është bërë asgjë.

Nëse përjashtohen premtimet e dhëna nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Preshevë, në tetorin e shkuar, se ai dhe Qeveria e tij e “kanë obligim kushtetues të kujdesen për gjithë shqiptarët”, nuk mund të thuhet se “dy shtetet amë” kanë bërë diçka serioze dhe institucionale për të pasur një politikë të bashkërenduar dhe efikase ndaj Luginës së Preshevës. Nëse thjesht, të dy këto shtete nuk kanë arritur të krijojnë ndonjë strategji të përbashkët për këtë çështje, mjafton të sillen me shembullin e Hungarisë dhe ndihmën e saj që ajo ka dhënë për hungarezët e Vojvodinës.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, përçarjet e faktorit politik shqiptar në mënyrë plotësuese po e rëndojnë situatën, përçarje kjo e cila nuk po sjell asgjë veçse po krijon një alibi të rrejshëm për Beogradin, i cili po deklaron se “ndër shqiptarët nuk ka partner serioz për të biseduar”.

Nga ana tjetër, hasmëria mes subjekteve shqiptare është aq e skajshme saqë në orientime programore të disa subjekteve, sidomos, atyre që po qeverisin me dy komunat, nuk janë më ato që shkruhet në Programin e tyre, por se detyra kryesore është bërë si ta shkatërrojmë oponentin politik shqiptar. Në këtë drejtim, më së paku që po zgjidhen janë mjetet. Në frymën e një makiavelizmi të shfrenuar po aplikohet parimi se “për ne gjithçka është e pranueshme, nëse kjo i bën dëm kundërshtarit tonë shqiptar”.

Kjo politikë është ajo që po ndikon, që edhe në kushtet e përjashtimit ekstrem të prezencës së shqiptarëve nëpër institucionet publike dhe shtetërore dhe refuzimit permanent të Serbisë që këtë ta përmirësojë, Administrata e Bujanocit p.sh. gjen hapësirë për përjashtimin e shqiptarëve nga puna dhe në këtë mënyrë, duke lënë në rrugë qytetarët rezidentë të kësaj komune po i shndërron në azilkërkues potencialë.

Festat edhe të rinjtë tallava
Lakmitarët dhe pushtetmbajtësit
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration