Drafti i Asociacionit dhe Vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë – temat kyçe në takimin Kurti-Vuçiç
Rajoni dhe Politika

Drafti i Asociacionit dhe Vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë – temat kyçe në takimin Kurti-Vuçiç

02.May.2023 08:03
0

Drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë.

Këto dy çështje do shtrohen në tavolinën e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel këtë të marte, përfshirë edhe temën e të zhdukurve me dhunë/të pagjeturve, për të cilën veçse është arritur pajtim.

“Kosova dhe Serbia fillojnë procesin e negocimit mbi atë se çfarë është Asociacioni dhe Vetëmenaxhimi dhe çfarë nuk është Asociacioni dhe Vetëmenaxhimi. Nesër fillon dhe mbaron diku në shtator, tetor”, i ka thënë Albanian Post-it një burim i afërt me procesin dialogues në Bruksel.

Nga ajo se çfarë prezanton draft-statuti për Asociacionin aktualisht, ai është një dokument i papranueshëm për palën kosovare, kanë bërë të ditura burime të afërta me procesin për AP. 

Ky është takimi i parë mes Kurtit e Vuçiç-it që nga ai i 18 marsit në Ohër, kur u arrit akordi për aneksin implementues të Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të pajtuar me 27 shkurt. 

Ndërsa Kurti ka theksuar të hënën se “i lumtur” po e pret draftin që e kanë përgatitur për Asociacionin.

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë”, tha Kurti në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina“.

“Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve”, shtoi Kurti.

Edhe Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, e konfirmoi se mbi tryezën negociuese ku do të ulen e të bisedojnë Kurti dhe Vuçiç, do të jetë Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për të “përcaktuar statusin ligjor të serbëve të Kosovës” dhe “se çfarë kompetencash do të ketë”.

“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak.

Kush është Danijela, “shefja e Asociacionit”?

Qeveria e Kosovës, sipas zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, nuk do të marrë pjesë në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa grupi i serbëve që me vendim qeveritar janë të autorizuar ta punojnë statutin, nuk i janë përgjigjur asnjëherë qeverisë së Kosovës.

Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, në një intervistë për Kallxo.com, tregoi se draft-statuti do të hartohet nga Ekipi Menaxhues, i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Ekipi Menaxhues përveç deputetes së Kuvendit të Serbisë do të jetë i përbërë nga katër serbë të tjerë, të cilët do të përgatisin një draft-statut fillestar mbi të cilin më pastaj Kosova dhe Serbia do të negociojnë.

Danijela Vujiçiç, u zgjodh si ligjvënëse në Kuvendin e Serbisë në Zgjedhjet Parlamentar të vitit 2020 nën siglën e Partisë Progresive Serbe  – e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Deputetja serbe me origjinë nga Kosova është aktive në jetën politike që nga viti 2001, kur iu bashkua partisë së qendrës së djathtë në Serbi “G17 Plus”. Ajo shërbeu si përfaqësuese e kësaj partie në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut deri në vitin 2013.

 

Vujiçiç e cila nisi karrierën e saj politike në Kosovë, në vitin 2013 udhëhoqi listën zgjedhore të Iniciativës Qytetare “Srpska” në Mitrovicën Veriore në Zgjedhjet Lokale – Zgjedhjet e para Lokale që u mbajtën në komunitet serbe të Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

Ndonëse Lista e Vujiçiç nuk korri sukses, pasi Lista Serbe morri gjashtë mandate duke lënë pas Iniciativën Qytetare “SDP” të ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç, ajo u zgjodh si asamblistë.

Vujiçiç në Zgjedhjet Komunale të vitit 2017 garoi si përfaqësuese në Listën Serbe.

Lista Serbe ani pse arriti një fitore absolute në Veri, Vujiçiç fillimisht nuk arriti të zgjidhet si asambliste, por më pastaj fitoi një mandat së zëvendësuese për një anëtar tjetër të Listës Serbe.

Vujiçiç, tashmë si deputete në Kuvendin e Serbisë është anëtare e Komisionit për Punë, Çështje Sociale dhe Ulje të Varfërisë, zëvendës-anëtare e të ashtuquajturës Komisioni për Kosovën si dhe zëvendës-anëtare të Komisionit për Integrime Evropiane.

Ajo gjithashtu përfaqëson Serbinë si zëvendës-anëtare e delegacionit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Chollet flet me Kurtin: Biseduam për rëndësinë e themelimit të menjëhershëm të Asociacionit

Themelim të menjëhershëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i ka kërkuar Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, para takimit të këtij të fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 2 maj në Bruksel.

“Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurti për takimin e liderëve të 2 majit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, rëndësinë e themelimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me Shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”, njoftoi Chollet në Twitter. 

Edhe Kurti ka shkruar për bisedën që pati me diplomatin amerikan me të cilin tha se ka diskutuar “për agjendën e takimit të nesërm”.

“Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova gjithashtu për mbështetjen e SHBA-së”, shkroi Kurti në Twitter.

Opozita për takimin Kurti-Vuçiç: Kryeministri vazhdimisht ka arritur që të na befasojë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha se Qeveria e Kosovës ende s’e di se çfarë ka punuar deri tash grupi punues për këtë mekanizëm.

“Madje kryeministrit Kurti do t’i paraqitet draft-statuti i këtij mekanizmi pa e takuar grupin punues të Kosovës, pa e ditur përbërjen sipas tyre të këtij grupi punues dhe pa e ditur se çka kanë punuar, dhe në çfarë niveli ka mbërri niveli i këtij draft-statuti”, tha Haziri për Albanian Post.

“Gjysma e Qeverisë aktuale thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër thotë ka. Me ndërmjetësin ndërkombëtar ka bërë marrëveshje, para deputetëve zbulon ‘tradhtarët’ e para popullit nuk ka bërë asgjë!”, shtoi Haziri, duke iu referuar divergjencave brenda ekzekutivit lidhur me këtë çështje. 

Ndërsa nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, theksoi se partia e saj nuk ka ndonjë pritje për takimin e 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiç.

Ky pesimizëm Çitakut i është krijuar pasi që ka parë veprimet e Kurtit në procesin e dialogut, pasi siç thotë ajo “ kryeministri ka qenë vazhdimisht jokonsistent në çështjen e dialogut”.

“Jokonsistent ka qenë si në formë, ashtu edhe në përmbajtje”, tha ajo për AP.

“Kryeministri vazhdimisht ka arritur që të na befasojë”, tha ajo dhe vazhdoi “e më shumti e ka befasuar vetveten”.

Takimi Kurti-Vuçiç vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Marrëveshjes – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Ky aspekt është vlerësuar nga njohësit e çështjeve politike si pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Takimi i Ohri

Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç paraprakisht ishin pajtuar me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë i rëndësishëm dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe t’i formalizohet statusi Kishës Ortodokse Serbe. /Albanianpost.com/

Ngrënia e frutave dhe perimeve të stinës çdo ditë, 5 përfitime shëndetësore
Vuçiq: Kosova s’e pranoi draft-statutin për Asociacionin
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration