Dialogu Kosovë-Serbia ndahet “pjesërisht” nga Fondi i BE-së, por jo edhe procesi i anëtarësimit
Rajoni dhe Politika

Dialogu Kosovë-Serbia ndahet “pjesërisht” nga Fondi i BE-së, por jo edhe procesi i anëtarësimit

25.Jan.2024 09:24
0

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE) është shoqërues i paevitueshëm i rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe përfitimi nga Fondi i BE-së për rritje ekonomike për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse edhe në këtë drejtim, parimi i fqinjësisë së mirë është kusht i domosdoshëm. 

Rreth dy ditë pas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drejtuar BE-së për ndarjen e procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në familjen e madhe evropiane, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, përsëriti se Kosova nuk mund të shkojë gjëkundi pa mbyllur çështjet e hapura.

“Politika e BE-së ka qenë e qartë ndër vite. Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë lëvizë nëpërmjet dialogut. Nga parimet themelore të aderimit në BE, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por më parë për Kroacinë dhe Slloveninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, parimi themelor është pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe zgjidhja e të gjitha problemeve nga e kaluara”, tha Stano.

Në një paraqitje pas konferencës së liderëve rajonalë “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi në BE” në Shkup të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Kurti kërkoi nga BE-ja ta ndajë procesin e normalizimit nga procesi i anëtarësimit, duke e cilësuar të padrejtë ndërlidhjen midis të dyjave – logjikë e shëndoshë, premisë krejtësisht e gabuar.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb të zgjerimit e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është lehtë të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin e as demokracinë”, argumentoi kryeministri Kurti para gazetarëve.

Megjithatë, kryeministri Kurti harroi që Kosova dhe Serbia arritën një “marrëveshje historike” vitin e kaluar, fillimisht në fund të shkurtit në Bruksel, pastaj në mes të marsit në Ohër, ku specifikohet qartë se marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve është pjesë integrale e proceseve respektive të anëtarësimit për Kosovën dhe Serbinë.

Në të njëjtën linjë u shpreh të mërkurën edhe zëvendëskryeministri kosovar, Besnik Bislimi, i cili, në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin çek për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, duke përsëritur fjalë për fjalë deklaratën e kreut të ekzekutivit, tha se është “shumë e rëndësishme” që procesi i dialogut të ndahet nga procesi i integrimeve evropiane.

Përgjigja e diplomatit të vëmendshëm çek ishte turpëruese. Në fakt, vijoi ministri Dovrak, procesi i integrimeve të Kosovës është i lidhur ngushtë me procesin e dialogut. Madje, sa për ta përforcuar edhe më shumë deklaratën, ai shtoi: “Shprehja e miqësisë përfshin edhe të qenit i hapur dhe i sinqertë. Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun”.

Në vorbullën e zhvillimeve të fundit, një gjë del të jetë pjesërisht e ndarë nga procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Drejtori i Përgjithshëm i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Gert Jan Koopman, deklaroi se në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përfitojnë nga Fondi i BE-së prej 6 miliardë euro, atëhërë duhet të bëjnë progres konkret drejt normalizimit.

Por, vija ndarëse konsiderohet të jetë vlerësimi individual për Kosovën dhe Serbinë në respektimin e kushteve specifike në mënyrë që të përfitojnë nga Fondi i BE-së për rritje ekonomike për periudhën 2024-2027: pra nëse njëri vend nuk avancon në përmbushjen e reformave, vendi tjetër nuk do të pengohet përgjatë rrugëtimit sikurse ngjau në të kaluarën.

“Kushtet specifike do të jenë për Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve. Kjo do të bëhet në mënyrë individuale për secilin nga dy vendet. Me fjalë të tjera, nëse njëri vend nuk avancon në reforma, vendi tjetër nuk do të pengohet”, deklaroi Koopman në seancën e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Buxhet.

Liderët e Ballkanit Perëndimor u paralajmëruan që nuk do të mund t’i vendosin veto njëri-tjetrit përgjatë këtij procesi dhe nëse hasin në tendenca të tilla, do të ndëshkohen. Ky paralajmërim erdhi nga Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i cili shtoi se asnjëri vend nuk do të lejohet ta pengojë rrugëtimin e tjetrit.

“Në këtë proces, askush nuk ka të drejtë të bllokojë avancimin e tjetrit, pra nuk mund të përdorë veto. Kushdo që e bën këtë do të përballet me pasoja. Nëse një shtet dëshiron të presë apo të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse liderët politikë janë të duhurit. Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani”.

Derisa vendet nga Ballkani Perëndimor anëtarësimin në BE e përjetojnë sikur njëfarë kthimi në kontinentin evropian, shumë nga shtetet perëndimore anëtare kanë një qëndrim skeptik, posaçërisht ndaj një rajoni të rrethuar nga armiqësitë etnike. Arsyet për këtë distancë janë të ndryshme, por kryesor është fakti se nuk duan të pranojnë në bllok shtete problematike.

Për këtë arsye, ndonëse për njërën palë tingëllon si ngushëllim, ndërsa për palën tjetrën si detyrim, shtetet anëtare obliguan BE-në që ta inkorporojë zbatimin e obligimeve të dialogut në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, ku i kërkohet njohja de-facto e Kosovës, deri në finalizimin e procesit që supozohet të përfundojë me njohje reciproke.

Emisari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajcak, në prag të përfundimit të vitit 2023, kishte përmendur fundin e janarit si afat optimal për formalizimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt dhe Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve, duke kushtëzuar rrugën e Serbisë drejt BE-së nëpërmjet normalizimit.

“Shtetet anëtare e kanë ngarkuar BE-në që zotimet e Serbisë të përfshihen në Kapitullin 35 të negociatave me Serbinë, i cili mbulon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e marrëveshjes – pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe kritereve të anëtarësimit të Serbisë”.

E për më tepër, normalizimi i marrëdhënieve nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme është kushti kryesor i pesë vendeve mosnjohëse të BE-së – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – që të lëvizin drejt njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës në mënyrë që vendi i vogël ballkanik të anëtarësohet në klubin e shteteve të barabarta evropiane.

Në këtë drejtim, ekziston bindja e liderëve se nëpërmjet armiqësive të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht zhvillimi ekonomik dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës dhe Serbisë. BE-ja dhe SHBA-ja presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve të dialogut. (AP)

Gjenerali britanik thotë se Britania duhet të bëhet gati për luftë
Vetëaksident me fatalitet në aksin rrugor Gjilan-Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration