Dashuria nuk njeh kufi, as kufiri dhembshuri!
Vështrime

Dashuria nuk njeh kufi, as kufiri dhembshuri!

13.Sep.2013 16:08
0
Të mbyllin prore. Të thonë se zyrtarisht nuk ke të drejtë të kalosh matanë atij guri të krisur. Sikur dëshiron t’i pyesësh, - ore të krisur, përse nuk kemi të drejtë të kalojmë andej, kur unë sot duhet të shkoj për vizitë te daja im në Norçë të Preshevës, largësia e të cilit prej fshatit Llojan është vetëm 10 kilometra, përse ore dëshironi që unë të udhëtoj 45 kilometra, të presë një orë e gjysmë në kufi në Tabanoc?   Shkruan: Iljasa Salihu; iljasa salihuKjo pyetje vetëm më sillet vërdallë kokës, ndërsa në të vërtetë nuk guxoj ta parashtroj haptas, ngase mund të më marrin për djalë që dëshiron t’i rrënojë muret prej letre, edhe pse ky lloj i mureve grisen e nuk rrënohen. Madje edhe përgjigjen përpiqem ta shtrij në kazanin e mendjes sime. Mirë orë djalë, vallë babai yt para se të martohej nuk e kishte menduar dot këtë gjë me gëzof sfilitjeje? Sakaq mua mu kujtua diçka tjetër tani. Në kohën kur unë u pata fejuar me të dashurën time nga Bushtrani i Preshevës, disa gra të farefisit tim më patën thënë, - po mirë more djalë, ç’të gjeti të martohesh me vajzë që gjendet matanë kufirit, vallë a nuk po i sheh vështirësitë e babait tënd, të nënës sate, si për vajtje-ardhje ashtu edhe për rregullimin dhe marrjen e nënshtetësisë? Unë shkurt ia ktheva, - dashuria nuk njeh kufi, ngase ajo është e përthekuar edhe me dhembshuri, krahasur me pronarët e kufirit me mistri, të cilët edhe kur duan të drejtojnë ndonjë gjë, ata në të vërtetë shtrembërojnë, sepse shtrembërimi është misioni i tyre më i drejtë! Ka ditë që kufiri ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë gjendet në komë. As i vdekur dhe as i gjallë. Duke pasur për qëllim mbrojtjen e prodhimtarisë vendore, pastaj edhe mbrojtjen e njerëzve vendor, Maqedonia i vuri kufizime tregtare palës shqiptare të Kosvës, ndërsa Kosova ashtu e hidhëruar keqas me këtë politikë të kufizimit të importit, iu përgjigjë me ndërprerje të tërësishme të mallrave të Maqedonisë që si pikë synim kishin tregun e Kosovës. Zjarri me zjarr nuk shuhet, - thoshin të moçmit! Ujë asnjëra palë nuk u bë, edhe pse të dyja palët u bën qull përgjatë pritjes kilometrike në vendkalimin kufitar në Bllacë. Ekspertët ekonomik thanë se Maqedonia në aspektin financiar nga ky ngërç humb diku tetë herë më shumë se Kosova. Madje as marrëveshja për tregti të lirë (CEFTA) nuk arriti t’i jep zgjidhje të shpejtë këtij problemi tregtar të krijuar më shumë për inate politike, se sa për ndonjë mençuri që ka mbështetje në parimet dhe normat që parashihen brenda kornizës së marrëveshjes për  tregti të lirë. Zgjidhja është afër, por gjurmët e këtij fërkimi do të mbeten gjatë kohë. Përse të krijohet ky ngërç, duke qenë se qysh në fillim të zgjedhurit tanë, zgjidhjen kanë mundur ta kishin në tavolinë. Ajo ishte mos krijimi i mosmarrëveshjeve. Nuk duam që krijuesit e këtij ngërçi, pastaj t’i duartrokasim për zgjidhje të kësaj telashe. Nëse nuk kanë me çfarë të merren, të paktën mos të merren me krijim të problemit në mënyrë që pastaj të kenë punë drejtë zgjidhjes së kësaj gurre kontestesh. Më mirë mos bëzani fare, sesa të bëzani duke i trazuar fëmijtë prej gjumi në kohën kur ata vetëm sa i kishte marrë gjumi i ëmbël. Nëse nuk keni me çfarë të merreni, atëherë mos u merrni me asgjë, të paktën lëreni të qetë horizontin. Kufiri, ky që banorëve të fshatit Llojan i ndërmend shumë gjëra. Banorët e këtij fshati ngërçin e krijuar së fundmi në Bllacë më së mirë kanë mundur ta kuptojnë, madje edhe më së dhembshuri kanë mundur ta përjetojnë, edhe pse nuk u kishin mbetur maunat në vendkalimin në Bllacës. Ata tashmë kanë hyrë në dekadën e dytë që nuk po mund të hyjnë te të afërmit e tyre në Preshevë përmes vendkalimit Llojan - Miratoc. Ata mbahen të burgosur dhe jo si të burgosur! Ata nuk shihen me dylbi me nipërit e dajtë andej gardhit, porse ata shihen me sy, përderisa nuk mund të flet dorë për dore miku me mikun, ngasa dikush deshi që këta banorë ta shohin me sy njëri-tjetrin dhe të plasin me zemër për pamudësinë e takimit. Arsyeja e mos hapjes së këtij vendkalimi është e paqenë. Madje ata nuk kanë mundur të paktën ta sajojnë ndonjë gënjeshtër, duke thënë se për akëcil arsye nuk mund ta hapim këtë pikëkalim. Thjeshtë, ata luajnë tenis me shkaqet e mos hapjes së këtij vendkalimi. Pala serbe thotë se fajin e ka pala maqedonase, ndërsa pala maqedonase thotë se nyja e fajit është te pala serbe, ndërsa përgjithësisht banorët shqiptar të Komunës së Likovës dhe ata të Preshevës, këtë lojë e shikojnë në cilësinë e publikut, duke e lëvizur kokën herë andej e herë këndej, duke u munduar të futen në ndjenjat e lojtarëve, kurse në fund pavarësisht shqetësimit e humbjes së kohës, fitimin e marrin lojtarët dhe organizatorët e asaj ndeshje, mbase duke mos harruar që lojtarët t’ia falin në fund të lojës një ciritje prej artisti. Të nderuar politikan, gazetar, analistë dhe të gjithë ju që këto ditë gurgullonit me shkrime, paraqitje dhe komente rreth ngërçit të kufirit në Bllacë, tani praktikisht keni mundësi ta dini se sa keq qenka të mbyllet vëllai me vëllain e miku me mikun, tani të gjithë ju që ishit tog të zëshëm në këtë padrejtësi dhe pamendësi, mos ndaloni së kumbuari arsye për liri, se fatin e njëjtë tani e sa vite e kanë banorët e fshatit Llojan, me këtë e tërë Komuna e Likovës dhe e Preshevës, edhe pse në aspekt të qarkullimit nuk mund të barazohet në krahasim ky kufi me atë të Bllacës, por thelbi është i njëjtë, pra privohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, edhe atë në kohën kur të gjithë duan t’i bashkangjiten kontinentit pa kufi e me liri të lëvizjes. Sërish them se dashuria nuk njeh kufi, por me keqardhje them se pronari i kufirit të panevojshëm fare nuk ka dhembshuri, madje habitem se si ende nuk ka mbërritur ta kuptojë se edhe loja me kufi duhet ta ketë një kufi!  Opinionet e autorëve janë perosonale dhe nuk paraqesin edhe opinionin e redaksisë së portalit të pavarur informativ Titulli.com
Menaxhimi me ndryshime në kushtet moderne
Vizita "tranzit" e diplomatëve të OSBE-së në Bujanoc
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration