​Trazirat në Mal të Zi: Kosovës i kërkohet të ketë kujdes nga interesat serbo-ruse
Rajoni dhe Politika

​Trazirat në Mal të Zi: Kosovës i kërkohet të ketë kujdes nga interesat serbo-ruse

07.Sep.2021 07:27
0

Trazirat e djeshme në Mal të Zi po vlerësohen se mund të ndikojnë në destabilitetin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në rast se përsëriten veprime të tilla.

Në mënyrë që Kosova të jetë sa më e përgatitur, njohës të politikës dhe të sigurisë thonë se duhet të rritet siguria kombëtare, e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO.

Sipas tyre, thirrjet e djeshme për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve që kanë humbur kontrollin, pasi që Serbia qëndron mirë ushtarakisht dhe ka një aleate Rusinë.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajrullahu thotë për KosovaPress se Kisha Ortodokse Serbe përgjatë dekadave ka nxitur konflikte në rajon.

Ngjarjet e djeshme në Mal të Zi, Hajrullahu i sheh mjaft shqetësuese, teksa thotë se Rusia luan një rol shumë destruktiv në rajon me investime minimale.

“Rusia luan një rol shumë destruktiv dhe me investime minimale është duke arritur që të krijojë destabilizim maksimal. Kjo vërehet në Mal të Zi tash, por edhe më herët në Maqedoni, Kosovë, Bosnje etj., si mashë në krijimin e këtij destabiliteti dhe çorientimi të rajonit në rrugën e integrimeve euroatlantike e përdorë Serbinë, e cila është edhe aleate edhe vetë-viktimë e vullnetshme e interesave ruse në rajon… Mali i Zi, me faktin e të qenit anëtar i NATO-s, është më i sigurt dhe çështja është nëse ka këso lloj veprimesh në rajon, atëherë edhe Mali i Zi, po edhe Kosova dhe krejt rajoni mund të rrezikohen dhe mund të ketë destabilitet më të madh, të panevojshëm, kontra-produktiv sa i përket perspektivës evropiane të rajonit”, tha Hajrullahu.

Sipas tij, Kosova është e rrezikuar gjatë tërë kohës nga retorika dhe agresioni serb, i cili siç thotë ai, është “zëdhënës i politikave dhe interesave ruse”.

“Kosova është e rrezikuar vazhdimisht, në rend të parë prej retorikës apo agresionit serb, i cili është një lloj zëdhënësi i politikave dhe interesave ruse, dhe vet fakti kur i dëgjojmë ato këngë në Mal të Zi, me sloganin ‘kur një ditë të kthehet ushtria në Kosovë’, këto na kujtojnë një qasje të ngjashme ose të njëjtë me të talibanëve. Pra, në këtë rast, politika serbe është në të njëjtën vijë dhe me të njëjtën mendësi sikurse e talibanëve, që një ditë shpresojnë që do të krijohen mundësitë që një ditë të kthehen ushtarakisht në Kosovë… Kosova duhet ta ketë prioritet çështjen e sigurisë kombëtare, e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO. Në qoftë se anëtarësimi në NATO nuk do të jetë i mundur, atëherë Kosova duhet që sa më parë të punojë drejt realizimit të akteve të mbrojtjes në krye me SHBA-në”, tha Hajrullahu.

 

Eksperti i sigurisë ndërkombëtare, Ilir Kulla thotë për KosovaPress, se vendet e Ballkanit nuk mund të hyjnë në një konflikt të ri mes vete, porse mund të riciklohen konflikte të ngrira, si i Bosnjës dhe ai i Kosovës.

Sipas tij, Kosova duhet të punojë në mobilizimin ushtarak dhe konsolidimin shtetëror pasi që ka të bëjë me një fuqi të madhe ushtarake si Serbia, e që ka aleate Rusinë.

“Vendet ballkanike nuk mund te hyjnë në konflikt mes vete, por mund të riciklohen konfliktet e ngrira, ai i Bosnjës dhe ai i Kosovës, dhe kjo është një mundësi shumë konkrete në situatën në te cilën ndodhemi… Pas zhvillimeve ne Ukrainë, Lindjen e Mesme, në Nagorno-Karabakh dhe Afganistan, klasa politike e Kosovës dhe sidomos ajo udhëheqëse duhet të shohë mundësinë e armatimit të shpejtë të ushtrisë se Kosovës me kapacitete mbrojtëse, teknologji raketore mbrojtëse, mjete ushtarake fluturuese mbrojtëse, forca speciale dhe të rikthejë shërbimin e detyruar ushtarak. Përtej rikthimit të procesit të njohjeve të Kosovës deri në zgjerimin përfundimtar të BE-së në të gjithë Ballkanin, Kosova duhet ta ketë të qartë se ka në kufi një fuqi të madhe ushtarake me Rusinë aleate, e cila jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por juridikisht e konsideron veten se nuk është larguar kurrë nga Kosova. Ndaj edhe thirrjet e djeshme për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë nuk duhet të nënvleftësohen si thirrje të disa huliganëve që kanë humbur kontrollin”, tha Kulla.

Ai thekson se Kosova duhet të kthehet te projekti i saj dhe i vetëm, e që sipas tij është forcimi dhe konsolidimi i politikës së shtet-formimit modern të saj.

Kartë vaksinimi ose test për të hyrë në Shqipëri (masat e reja anti-COVID nga 9 shtatori)
Dezinformimi rus ka shënjestruar mediat perëndimore, thotë hulumtimi britanik
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration