Qëndrimi i mundshëm i Kosovës karshi normalizimit me Serbinë
Lokale

Qëndrimi i mundshëm i Kosovës karshi normalizimit me Serbinë

30.Apr.2021 09:10
0

Posa që xhindi të dalë nga shishja, zor që mund ta kthejmë atë në burgun ngujues. Qeveria e porsakrijuar e Kosovës nuk u ngut me vlerësimin e mundësive për vazhdimin e negociatave për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe ofrimin e pikëvështrimeve të saj mbi procesin. Një qasje e tillë është korrekte në parim, por tani rrezikon të rrëmbehet nga ngjarjet. Zhvillimet e kohëmëparshme, përfshirë publikimin e një “non-paperi” misterioz prej një burimi anonim rreth dialogut në Brusel, i kanë përshpejtuar gjërat.

Kosova do të duhej ta formulonte qasjen e vet bazë për negociatat e ardhshme, po qe se nuk dëshiron të jetë vetëm pasagjere në trenin që niset së shpejti. Kosovës do t’i duhet të ndihmojë në formësimin e mjedisit negociator dhe pritjeve të palës tjetër, ashtu si edhe të lehtësuesve. 

Në vijim janë dhjetë parime të shkurtra që mund ta udhëzojnë qasjen e Kosovës rreth kësaj çështjeje. Ato natyrisht se nuk pasqyrojnë qëndrimet e Kosovës në ndonjë formë, por paraqiten krejt në mënyrë të pavarur nga autori.

1. Negociatat kanë të bëjnë me normalizim raportesh, jo me shtetësinë

Kosova pati sukses si shtet tash e 13 vjet. Ajo njihet gjerësisht nga shumica e shteteve në botë, është anëtare e një numri institucionesh ndërkombëtare dhe i ka kontribuuar paqes e stabilitetit në rajon. Me vetë kërkesën e Serbisë, ligjshmëria e shpalljes së pavarësisë nga Kosova u konfirmua prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Vetë Serbia e paraqiti Rezolutën 64/298 të Asamblesë së Përgjithshme në Asamble të Përgjithshme. Në rezolutë, anëtarësia e OKB-së e pranoi njëzëri atë gjetje. Statusi i Kosovës si shtet nuk vihet në dyshim dhe nuk mund të jetë subjekt i negociatave të reja.

2. Nuk ka ndihmesë të dytë për Serbinë

Pasi Kosova është shtet, ajo nuk është e gatshme të bëjë koncesione të radhës për t’u bërë shtet. Marrë parasysh gjendjen unike të sajën, Kosova ka pranuar shumë përjashtime nga sovraniteti i saj dhe shumë zotime të veçanta, ashtu si edhe dispozita në të mirë të komuniteteve dhe tjerëve qysh pas pavarësisë. Që të gjitha këto janë përkthyer me besnikëri në Kushtetutën e Kosovës dhe zbatohen në përditshmëri përmes ligjeve dhe praktikave në Kosovë. Kërkesat e arsyeshme të Serbisë për zgjidhje të çështjes së statusit u akomoduan në plotni nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Nuk ka arsye për rihapjen e këtyre zotimeve dhe rinegocimin e tyre, duke cenuar rendin e vendosur dhe të vleftësuar ndërkombëtarisht kushtetues të Kosovës. Kosova e ka bërë pjesën e vet të punës dhe nuk duhet t’i bëhet një ndihmesë e dytë Serbisë, duke shtuar kërkesa të radhës.

3. Normalizimi ka të bëjë me të mirën e qytetarëve

Dialogu për normalizim mbështetet te Rezoluta 64/298 e Asamblesë së Përgjithshme, e sponsorisuar asokohe nga Serbia dhe duke e pranuar gjetjen e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Rezoluta, e mbështetur nga e tërë anëtarësia e OKB-së, vendos synimet kryesore të procesit të dialogut. Këto synime kanë të bëjnë me përparimin e të dyja palëve në shtegun drejt Bashkimit Evropian, si dhe përmirësimin e jetëve të njerëzve. Kosova është e përkushtuar në arritjen e atyre dy synimeve në mënyrë efektive dhe efikase, si përbrenda kontekstit të dialogut të Brukselit, ashtu edhe pavarësisht prej tij. Në një frymë të tillë, Kosova mbështet vijimësinë dhe përshkallëzimin e dialogut për normalizim, si mënyrë e çuarjes përpara të popullsive përkatëse. Pikërisht në një frymë të tillë, Kosova e ka mbështetur procesin e dialogut deri më tani dhe do të vazhdojë ta mbështesë.

4. Procesi i normalizimit duhet të rishikohet dhe përmirësohet

Procesi i normalizimit, i nisur më 2011, ka sjellë plot ujdi, të cilave rishtazi iu shtua edhe Marrëveshja e Washingtonit, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja në shtatorin e vitit 2020. Shumica e këtyre marrëveshjeve, po të zbatoheshin në tërësi, do t’i kontribuonin përmirësimit të jetëve të popullsive përkatëse. Megjithatë, zbatimi në të vërtetë është bërë herë-herë. Kosova e ka cekur mungesën e zbatimit nga pala serbe përmes raportimeve të rregullta te BE-ja. Megjithatë raportimi i kujdesshëm i saj dhe ankesat nuk kanë pasur ndonjë efekt. Në vend të sigurimit të zbatimit të marrëveshjeve fillestare, numri i tyre vetëm sa është shtuar. Ka ardhur koha që të rishikohet formalisht statusi i zotimeve të ndryshme të arritura, për të pasur një pikëvështrim me peshë rreth respektimit, si dhe për ta siguruar zbatimin e njëmendtë. Procesi i Brukselit për normalizim duhet të vendosë një shteg diskutimesh drejt atij qëllimi. Zotimet e bëra munden, pas rishikimit, t’u shtohen ujdive shtesë, aty ku një gjë e tillë është e nevojshme dhe në interes të përbashkët. Këtu duhet përfshirë mekanizmat e fuqizuar për ta siguruar zbatimin dhe një mekanizëm obligues për zgjidhjen e kontesteve.

5. Kosova do ta ofrojë një strategji për përmbylljen e procesit të normalizimit deri në fund të vitit 2022

Kosova do ta ofrojë një strategji për trajtimin e çështjeve të mbetura në procesin e normalizimit, që pritet të përmbyllet brenda një viti. Këtu përfshihet rishikimi i zotimeve ekzistuese që rrjedhin nga procesi i deritanishëm i normalizimit, siç u cek më lart, ashtu si edhe negocimi i marrëveshjeve të mëtejme që janë në interesin e përbashkët, sipas një kornize të dakorduar për renditjen dhe kohën. Kosova po ashtu do t’i trajtojë modalitetet e përgjithshme për rregullimin e marrëdhënieve të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë, sipas një renditjeje të parimeve bazë të paraqitura nga Kosova. Mbi bazën e këtyre parimeve, Kosova do t’i adresojë elementet e tjera të raporteve të saja të ardhshme me Serbinë. Këtu përfshihen konfirmimi i kufijve ekzistues, të cilët janë të pacenueshëm dhe nuk do të pësojnë ndryshime, zotimet për marrëdhënie paqësore dhe avancimi i interesave të popullsive përkatëse, zotimi për të drejtat themelore të njeriut, barazia e plotë dhe efektive për të gjithë, burrat dhe gratë, respektimi i plotë i të drejtave të komuniteteve, vendosja e raporteve diplomatike midis dy shteteve, si dhe themelimi i mekanizmave adekuatë për zgjidhjen e kontesteve. Kosova beson se pakoja e përgjithshme e masave rezultuese duhet të hyjë në fuqi posa të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe heqja e rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit. Kosova do të kërkojë edhe një zotim obligues që anëtarësimi i saj i herëdokurshëm në BE (ashtu si edhe instrumentet dhe organizatat e tjera) nuk do të pengohet.

6. Kosova do t’i gjejë mënyrat vetjake për trajtimin e çështjeve shtesë dhe do t’i fusë ato në dialog

Kosova merr plotësisht përsipër përgjegjësinë për të gjitha elementet e popullsisë së saj, pavarësisht aspektit etnik, gjuhësor, fetar, ndonjë pikëvështrimi apo orientimi. Serbia duket se ia ka mësyrë argumentimit për një zgjerim të të drejtave të popullsisë etnike serbe të Kosovës. Në të vërtetë, këto argumente synojnë shpërbërjen e personalitetit ligjor dhe ushtrimit të juridiksionit të institucioneve kosovare mbi territorin e Kosovës. Kosova nuk do ta pranojë krijimin apo ratifikimin e institucioneve paralele të qeverisjes në Kosovë. Përvojat që nga vitet nëntëdhjetë në vendet e tjera dëshmojnë se qasjet e tilla nuk i shërojnë plagët e luftës. Në vend të kësaj, ato i thellojnë ndasitë etnike dhe i bëjnë ato të përhershme përmes institucionalizimit të tyre. Sido që të jetë, në pajtim me Pakon e Ahtisaarit, Kosova ka themeluar atë që mund të jetë sistemi më i avancuar botëror i mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve (pakicave). Së shpejti do ta paraqesë Projektligjin për Bashkësinë/Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, siç parashihet me Marrëveshjen e parë të Brukselit mbi Parimet e Normalizimit të Raporteve më 2013, në përputhje të plotë me kushtetutën e saj. Kosova po ashtu do të angazhohet me organizatat përfaqësuese të komuniteteve etnike në Kosovë. Do t’i kërkojë pikëvështrimet e tyre rreth asaj nëse dispozitat ekzistuese, tejet të avancuara për mbrojtjen dhe promovimin e tyre, mund të fuqizohen edhe më tej. Kjo do t’i përfshijë organet e Kishës Ortodokse Serbe dhe organizatat e komunitetit serb. Kosova do t’i raportojë haptazi rezultatet e këtij rishikimi në dialogun e Brukselit, krahas çfarëdo dispozite të mëtejme për komunitetet që mund ta miratojë në kuadër të këtij rishikimi. Kosova do të jetë e gatshme ta përkujtojë çfarëdo hapi shtesë që mund të vendosë ta marrë në kontekst të dialogut.

7. Reciprociteti

Kosova pret që përpjekje të njëjta me të sajat të ndërmarrë edhe Serbia. Ajo mezi pret që Serbia të raportojë në kontekst të dialogut të Brukselit rreth dispozitave të lidhura me shqiptarët dhe komunitetet e tjera, veçanërisht ata në rajonet kufitare me Kosovën. Hapat që mund të ndërmerren nga Serbia për ta fuqizuar mbrojtjen dhe promovimin e komuniteteve të tilla duhet të merren parasysh krahas veprimeve që mund të ndërmerren prej të dyja palëve për t’i përmirësuar jetët e komuniteteve të ndara me kufirin shtetëror. Kosova do ta ofrojë Projektligjin e saj për krijimin e Bashkësisë/Asociacionit të Komunave si model që mund të merret parasysh nga Serbia lidhur me rajonet me shumicë shqiptare, krahas elementeve të tjera të legjislacionit, përfshirë Ligjin për komunitetet dhe Statutin e Këshillit Konsultativ për Komunitete. Ajo po ashtu duhet të jetë e gatshme t’i dëgjojë qëndrimet e grupeve fetare joshumicë në tërë Serbinë, përfshirë ato myslimane dhe të besimeve të tjera, rreth mënyrës se si trajtohen në Serbi interesat dhe shqetësimet e tyre.

8. Çështjet e trashëgimisë

Duke e pasur parasysh trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës, do të jetë e domosdoshme që të trajtohet një numër çështjesh të lidhura me periudhën e konfrontimit dhe luftës. Më e dhimbshmja duhet që në fund të ketë mbyllje të shpejtë, efektive dhe gjithëpërfshirëse në lidhje me çështjen e të zhdukurve dhe të vrarëve gjatë luftës, përfshirë kthimin e trupave të pajetë. Përderisa Kosova i është nënshtruar një grumbulli mekanizmash të llogaridhënies për veprimet e së kaluarës, në Serbi ka vakum lidhur me këtë çështje. Do të jetë i vështirë një fillim i ri në raportet me Serbinë, derisa edhe Serbia të mos jetë e gatshme të përballet me përgjegjësinë e saj në kryerjen e krimeve sistematike ndërkombëtare, përfshirë dhunën seksuale, vrasjet dhe torturat. Kosova është e gatshme të ndihmojë në lehtësim dhe të kontribuojë në një komision të përbashkët për trajtimin e së kaluarës, krahas hapave të tjerë të drejtësisë transicionale dhe një mekanizmi për kompensimin e më të dëmtuarve në konflikt. Ajo po ashtu do ta mbështesë krijimin e një fondi të miqësisë, për ta adresuar si të kaluarën, ashtu edhe të ardhmen. Këtu përfshihet një memorial i denjë për të gjitha viktimat e luftës, pavarësisht orientimit të tyre politik apo shtesës etnike. Kosova po ashtu do të ngulmojë në zotimin – edhe ashtu të përfshirë në Propozimin Gjithëpërfshirës të Ahtisaarit – që objektet me rëndësi historike dhe kulturore, të marra nga Kosova para, gjatë apo pas luftërave, duhet t’i kthehen. E njëjta vlen për arkivat, dokumentet zyrtare dhe dosjet e marra.

9. Çështjet financiare

Kosova u privua në aspektin ekonomik dhe fiskal gjatë dekadave të fundit të administrimit nga Serbia. Ajo u privua nga pjesa e saj e drejtë e infrastrukturës, investimeve dhe ofrimit të shërbimeve publike. Kosova nuk beson se ka përgjegjësi për ndonjë pjesë të ish-borxhit publik jugosllav, apo se ka ndonjë detyrim kompensimi lidhur me pronat shoqërore apo publike dhe të drejta të tjera të pretenduara mbi bazën e territorit të saj. Në vend të kësaj, ajo ka përllogaritur dëmet që i janë shkaktuar shtetit dhe qytetarëve të tij nga autoritetet e Beogradit, para dhe gjatë konfliktit. Këto pretendime e kalojnë tej mase secilin pretendim financiar që do të mund të paraqitej ndaj Kosovës dhe Kosova e ruan të drejtën e saj që t’i ngrejë në dialog. Për më tepër, Kosova do të insistojë në respektimin prej Serbisë të obligimeve të lidhura me pensionet shtetërore dhe pagesat e tjera që ua ka borxh individëve.

10. E ardhmja

Kosova është e gatshme për një fillim të ri në raportet me Serbinë, me gjithë të kaluarën e zorshme dhe vuajtjet e përjetuara nga aq shumë qytetarë të saj. Është e gatshme të marrë parasysh plane novative për fuqizimin e interesave të përbashkëta, si eksplorimin e shfrytëzimit të përbashkët të resurseve ndërkufitare, përfshirë ujin, krijimin e zonave ekonomike me stimuj për investim e zhvillim dhe të tjera. Kosova po ashtu është e vullnetshme të inkurajojë kontaktet mes qytetarëve, në veçanti mes të rinjve, ashtu si edhe aktivitetet kulturore ndërkufitare.

Shkruar nga: Profesor Dr jur, Dr phil Marc Weller, MA, MALD, PhD, FCIArb

(Marc Weller është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Ndërkombëtare Kushtetuese në Universitetin e Cambridgeit dhe autor i librit “Shtetësia e kontestuar: Beteja e Kosovës për Pavarësi”, Oxford University Press, 2009. Ka shërbyer si këshilltar për Kosovën në negociatat në Rambuje dhe ato të Ahtisaarit)

Përktheu: Arbana Mjekiqi

Çfarë lidhshmërie ka pllaka përkujtimore e UÇPMB-së në Preshevë dhe memoriali i Komandant Lleshit
Këta janë 10 politikanët më të votuar në Shqipëri
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration