Bytyqi-Abazoviq: Rajoni është i lodhur nga grindjet, t'i kthehemi ekonomisë
Rajoni dhe Politika

Bytyqi-Abazoviq: Rajoni është i lodhur nga grindjet, t'i kthehemi ekonomisë

11.Mar.2021 07:46
0

Konkurrentshmëria rajonale është çelësi që hapë derën e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, potencuan në takim zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi dhe zëvendës kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Pas takimit të mbajtur në Qeveri, Bytyqi dhe Abazoviq mbajtën konferencë të përbashkët për media. Zv.kryeministri Bytyqi tha se me kolegun e tij Abazoviq kishin një takim produktiv, duke theksuar se përcaktimi i tij personal është që në “takimet me liderët theksi i bisedimeve të vendoset në zgjidhjet, në vend se në problemet”.

Siç tha Bytyqi, në takimin e sotëm me zv.kryeministrin e Malit të Zi, Abazoviq, biseduan për bashkëpunimin dhe për atë se si ta përforcojnë bashkëpunimin mes dy vendeve që është interes i përbashkët dhe t'i shfrytëzojnë potencialet për këtë bashkëpunim që janë evidente.

Bytyqi tha se nuk mund të shikojnë në zhvillimin e dy vendeve pa mos biseduar për zhvillimin dhe konkurrencën e mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor, me këtë rast duke potencuar Procesin e Berlinit si një proces të rëndësishëm për qytetarët dhe ekonomitë për vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit.

“Qëllimi i tregut të përbashkët rajonal është që të forcohet bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit, të rritet konkurrentshmëria, por edhe atraktiviteti i rajonit në tregun e BE-së. Konkurrentshmëri rajonale në vend të konkurrencës rajonale, kjo është ardhmëria jonë. Kjo do të rrisë qëndrueshmërinë e rajonit ndaj rreziqeve të çdo lloji dhe do të forcojë aftësinë tonë për t'u marrë me sfidat dhe dukuritë e paparashikueshme siç është pandemia aktuale. Do të sjellë prosperitet për qytetarët tanë, përparim dhe ardhmëri për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do t’i përgatisë ekonomitë tona për hyrjen në BE”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se “Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kjo do të jetë e rëndësishme për rritjen e standardit të qytetarëve, rritjen e tregut për kompanitë ndërsa me këtë edhe të mundësive për zhvillim dhe për investime të reja. Konkurrentshmëria rajonale është çelësi që hapë derën për prosperitet të Ballkanit Perëndimor”,  raporton Anadolu Agency (AA).

Zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se Qeveria e re e Malit të Zi realizoi bashkëpunimin më të mirë rajonal pikërisht me Maqedoninë e Veriut.

“Këto dy shtete janë më shumë se mike, ato me të vërtetë tregojnë se janë në nivelin e marrëdhënieve vëllazërore, shumë konkrete dhe se vetëm për 100 ditë arritëm të kemi vizita kthyese. Ministri juaj i Punëve të Jashtme ishte zyrtari i parë që vizitoi Qeverinë e re të Malit të Zi ndërsa para meje këtu qëndroi ministri jonë i Punëve të Brendshme i cili realizoi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Ministrinë tuaj të Punëve të Brendshme. Ne falënderuam për dorën tuaj të shtrirë për Malin e Zi, por dëshirojmë të themi se të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut çdoherë dhe në çdo moment mund të llogarisin në dorën që Mali i Zi e jep për vendin tuaj dhe ndaj çdo suksesi tuaj gëzohemi si ndaj suksesit tonë”, tha Abazoviq.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është me rëndësi vendimtare, e veçmas për Malin e Zi.

“Me Maqedoninë e Veriut dëshirojmë të ndërtojmë marrëdhëniet më të mira të mundshme. Jemi shembull për shtetet tjera në rajon të cilat ndoshta janë të ngarkuara me disa situata më të mëdha dhe më të rëndësishme politike, që ta ndjekin shembullin tonë. Ta ndjekin shembullin e bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor. Bashkërisht të veprojmë drejt BE-së dhe së bashku të krijojmë një rrugë për të gjithë qytetarët tanë për një të ardhme evropiane. Rajoni është lodhur nga grindjet, nga nacionalizmi, problemet dhe ne duhet ta kthejmë diskursin drejt ekonomisë, drejt përparimit, drejt një standardi më të mirë të jetesës. Ju jeni një shembull i kësaj, në takimin e sotëm kemi pasur komunikim shumë produktiv dhe konstruktiv”, tha Abazoviq.

Ai theksoi se Mali i Zi është më i varur nga turizmi dhe se sezoni i kaluar turistik pësoi humbje për shkak të koronavirusit (COVID-19). Abazoviq u përqendrua edhe në problemet me të cilat përballet Mali i Zi, por edhe mbarë Ballkani si rajon.

"Problemi në Malin e Zi, ndërsa besoj edhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, mbetet shpërndarja e drejtësisë. Mendoj se duhet të luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, i cili dëmton shumë buxhetet shtetërore të të gjitha vendeve. Nëse duam të kemi sukses dhe t'u lëmë qytetarëve një vend të mirë dhe cilësor nga i cili ata nuk do të duan të largohen dhe të shpërngulen, por për të parë të ardhmen e tyre këtu, të gjithë duhet të punojmë së bashku për një shpërndarje më të mirë të drejtësisë. Ajo drejtpërdrejt është e lidhur me sistemin ekonomik", tha zv.kryeministri i Malit të Zi.

Abazoviq shprehu kënaqësinë që zv.kryeministri Bytyqi përmendi në takim, siç tha ai, një gjë shumë të rëndësishme për turizmin, e ai është krijimi i një korridori të gjelbër turistik. "Nëse vendet në rajon arrijnë marrëveshje për të krijuar një rajon [korridor] të gjelbër turistik, në të cilin do të ketë lëvizje të pandërprerë të njerëzve gjatë sezonit turistik, mendoj se është një hap i madh përpara jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për vendet tjera", shtoi Abazoviq.

 

Google përkujton shpikësin e maskave kirurgjikale
PE: Dezinformimi në Shqipëri dhe Kosovë rrezik për sigurinë kombëtare
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration