Lojërat pa kufi
Vështrime

Lojërat pa kufi

27.Oct.2014 16:58
0

Edhe në Qeverinë e dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, të kryesuar nga radikali i “moderuar” Aleksandar Vuçiq, shqiptarët e Luginës së Preshevës, vazhdojnë të trajtohen me metodat e kaluara të diskriminimit sistematik.

Nga Qeveria, e cila prioritet të vetin ka shpallur integrimin në Bashkimin Evropian, kanë qenë më të mëdha pritjet se do të ndryshojë qasjen dhe metodat e veprimit diskriminues ndaj shqiptarëve, në radhë të parë për shkak të obligimeve që sjell procesi i anëtarësimit në BE.

Një vlerësim ndërkombëtar i pozitës së pakicave në Serbi (Opinioni i Tretë i Komitetit Këshillëdhënës të Konventës kuadër të KE) flet se legjislatura e Serbisë ka dispozita të lavdërueshme, të cilat janë të orientuara në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, por, tërheq vërejtjen në mungesën e “një qasje gjithëpërfshirëse për integrimin e pakicave” ndërsa, marrëdhëniet e tensionuara ndëretnike edhe më tej i konsideron burim të brengosjes. “Ksenofobia dhe in toleranca fetare” janë prezentë edhe më tej në Serbi, thotë raporti në fjalë.

Një hulumtim i vitit 2012, i kryer nga Qendra për Zgjedhjet e Lira dhe Demokraci (CESID) flet se distanca etnike në Serbi është më e madhja ndaj shqiptarëve, kroatëve, romëve dhe boshnjakëve. Derisa në raport me shqiptarët, distancën e madhe, politikanët serbë mundohen ta arsyetojnë me mosnjohjen e gjuhës serbe nga ana e shqiptarëve, që “po detyron shqiptarët të vetë izolohen”, argumenti i gjuhës, atyre nuk i shkon kur është fjala për kroatët, romët dhe boshnjakët, gjuha e të cilëve ose është e njëjtë me serbishten ose vetë, sikur në rastin e romëve, e flasin serbishten.

Fytyra e vërtetë e ekzistimit të urrejtjes së organizuar antishqiptare, po shihet edhe pas ngjarjeve të fundit në Beograd, në ndeshjen futbollistike mes kombëtareve të Serbisë dhe Shqipërisë. Urrejtja e shprehur në stadium, shumë shpejt u bart dhe u transferua edhe nëpër të gjitha qytetet e Serbisë, nën shënjestrën e të cilës u gjendën shumë shqiptarë, që me dekada jetojnë dhe punojnë nëpër ato mjedise. Disa analistë të pavarur në Serbi, konsiderojnë se shteti me tolerancën e shprehur ndaj krimit, duke mos reaguar në dy-tri ditët e para pas ndeshjes, ka nxitur dhe motivuar këto vepra ndaj shqiptarëve. Aq më tepër, brohoritjet e mbi 30 mijë shikuesve në kor, “vraje, preje që shqiptarë të mos ketë” jo veç që tregojnë jotolerancë, aq më tepër ato ishin thirrje për fashizëm dhe aq më keq ndodhën në prezencën e presidentit të shtetit (Nikoliq), i cili me asnjë veprim nuk u distancua nga ato.

Këto janë rrethanat e përgjithshme në të cilat po mundohet të mbijetojë popullata shqiptare në Luginë të Preshevës. Format e diskriminimit perfid, të cilat iu shtuan formave klasike të diskriminimit. Përjashtimi i prezencës së shqiptarëve nga institucionet publike, mungesa e hapësirës për zhvillim të biznesit, mbajtja në formë të shtetrrethimit me prezencë të Forcave Speciale të Policisë, sikurse të mos jenë të mjaftueshme, po plotësohen edhe me masa tjera drastike që në esencë po ngushtojnë të drejtat e shqiptarëve.

Logjika e imponimit të rezultateve jo të plota të Regjistrimit të popullatës nga viti 2011 sipas të cilave në mbarë Serbinë jetojnë vetëm 5800 shqiptarë, për dallim nga 63 mijë sa kanë qenë me regjistrimin e vitit 2002, po ndikon drejtpërdrejt në nivelin e të drejtave të shqiptarëve. Bojkoti i regjistrimit nga të gjithë dhe bojkoti i zgjedhjeve parlamentare nga shumica e partive politike shqiptare tani po përdoren si mekanizma ndëshkues ndaj të drejtave të shqiptarëve. Por, edhe në këtë aspekt vërehet politika e standardeve të dyfishta të Serbisë ndaj shqiptarëve,raporton Zëri.

Derisa bojkotin e shqiptarëve në raport me ndërkombëtarët, Serbia, e përdor si alibi të vazhdimit të diskriminimit, në praktikë ajo, me faktin që partitë që përbëjnë Qeverinë në Beograd, koalicionet lokale i bëjnë po me partitë bojkotuese shqiptare, e stimulojnë bojkotin vetëm e vetëm për ta ruajtur alibinë e vazhdimit të diskriminimit ndaj popullatës shqiptare – një lojë pakufi.

Nuk u respektuan as sugjerimet e ndërkombëtarëve që në rajonet në të cilat është bojkotuar regjistrimi (Lugina e Preshevës) të përdoren me fleksibilitet rezultatet e regjistrimit të fundit. Autoritetet ndërkombëtare bile sugjerojnë që këto të dhëna, që kanë vetëm vlera statistikore, nuk duhet në ndikojnë në nivelin e të drejtave të pakicave.

Kjo, jo vetëm që ndikoi në zvogëlimin e numrit të anëtarëve të kuvendeve të këshillave nacionale, por, ajo preki edhe sistemin gjyqësorë. Në Preshevë, u shua edhe Gjykata edhe Prokuroria Themelore (komunale), ndërsa në Bujanoc kjo u reduktua vetëm në ekzistimin e gjykatës themelore, e cila mbulon edhe territorin e Preshevës. Prokuroria si organ ndjekës mbeti në Vranjë, gjë që dëshmon tendencën e mëtejshme të shtetit serb që politikën e ndjekjes penale dhe kualifikimit të veprave ndaj shqiptarëve ta ruajë në qendrat serbe të vendosjes.

Degradimi i sistemit gjyqësore nuk reflekton vetëm në mungesë të gjykatës së institucion, por, ndikon edhe në të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip në këto institucione, e drejtë kjo e garantuar edhe me ligjet e brendshme edhe ato ndërkombëtare. Institucionet gjyqësore në Vranjë, nuk kanë as kapacitete njerëzore as infrastrukturë për të mundësuar dhe lehtësuar realizimin e të drejtave gjuhësore.

Probleme të veçanta paraqiten edhe në lëmine e të drejtës për emër personal, veçanërisht kur regjistrimet e fëmijëve bëhen në komunën e Vranjës. Administrata e këtij qyteti, shpesh edhe policia nuk respektojnë normat ligjore për këtë çështje. Arsyetimi më i shpeshtë është se sistemi me të cilin punojnë nuk i njeh  shkronjat e gjuhës shqipe që nuk i ka alfabeti serb.

Mungesa e vendeve të punës, privatizimi i dështuar, mungesa e programeve për stimulim të biznesit lokal, prolongimi i gjetjes së zgjidhjes për njohjen e diplomave po ngushtojnë dukshëm hapësirën për jetë normale të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Ajo që paraqet shqetësim më të madh është largimi i dukshëm i vëmendjes së Bashkësisë Ndërkombëtare nga ky rajon. /Titulli.com/

Satirë: Dr. Gjilpëra "Nacionale"!
A u shit çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Bruksel?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration