Për një Këshill Nacional-Shumëdimensional!
Lokale

Për një Këshill Nacional-Shumëdimensional!

19.Oct.2014 23:28
0
" Politizimi i Këshillit Nacional solli edhe politizimin e institucioneve arsimore dhe kulturore, duke krijuar një shembull të keq të bashkëpunimit ndërinstitucional të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Për t'i tejkaluar këto barriera të rrezikshme në funksionimin e mëtejmë të Këshillit Nacional, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, zëri i Shoqërisë Civile, do të ndikoj shumë në depolitizimin e këtij institucioni", tha në një intervistë për Titullin, Sevdail Hyseni, bartës i Listës: "Për ardhmërinë e Shqiptarëve në Serbi", nga radhët e shoqërisë civile.

Ai gjithashtu theksoi se ish Këshilli Nacional dhe partitë në pushtet e kanë dhënë shembullin e keq, në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Serbi. Sipas tij ato edhe sot e kanë kompleks të thonë se jetojnë në Serbi, a marrin pozita, ofiqe, projekte, nga shteti që i administron.

 

 

Cilat janë motivet e pjesëmarrjes së Shoqërisë Civile “Perspektiva”, në zgjedhjet e Këshillave të pakicave nacionale në Serbi, të cilat do të mbahen, më 26 tetor, të këtij viti? 

Hyseni: Shoqëria Civile “Perspektiva”, është e para, që ka ngritur zërin pozitiv, për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e Këshillave të pakicave nacionale në Serbi, të cilat do të mbahen, më 26 tetor 2014. Duke parë rolin dhe rëndësinë, që kanë zgjedhjet për Këshillin Nacional, në Luginë të Preshevës, shoqëria civile, nuk e pat të vështirë t’i thotë “Po”, këtyre proceseve të dobishme shoqërore. Motivet pse shoqëria civile, merr pjesë në këto zgjedhje, janë të shumta dhe të arsyeshme. E para se Këshilli Nacional, në mandatin e kaluar ishte gjysmak, jo gjithëpërfshirës. Në mungesë të unitetit mes partive politike dhe shoqërisë civile, në këtë institucion të lartë shqiptar, ka bërë që shumë iniciativa të ngelin në gjysmë të rrugës, të krijohet një ngërç politik mes pushteteve lokale dhe Këshillit Nacional dhe si për pasojë të krijohen shumë probleme në sferën e arsimit, kulturës dhe informimit. E treta politizimi i Këshillit Nacional solli edhe politizimin e institucioneve arsimore dhe kulturore, duke krijuar një shembull të keq të bashkëpunimit ndërinstitucional të shqiptarëve. Për t’i tejkaluar këto barriera të rrezikshme në funksionimin e mëtejmë të Këshillit Nacional, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar zëri i Shoqërisë Civile, do të ndikoj shumë në depolitizimin e këtij institucioni. Ja, para, këto janë arsyet pse na motivuan të marrim pjesë aktive në këto zgjedhje me karakter nacional.

 

Fushata parazgjedhore, tashmë, ka filluar edhe zyrtarisht. Si është duke u zhvilluar ajo dhe ku është shoqëria civile? 

Hyseni: Po, fushata zgjedhore ka filluar. Shoqëria Civile, nuk e ka ndërmend të mbështillet me flamuj kombëtarë e as të çirret nëpër tubime me sloganet: “Fol shqip, shkruaj shqip, vendos shqip”, “Për gjuhë e Flamur” e as të thirret në Autonomi.

Kjo është demagogji. Nuk zgjidhet problemi i gjuhës shqipe dhe i flamurit kombëtar, nëpër rrugë dhe tubime parazgjedhore. Ish Këshilli Nacional dhe partitë në pushtet e kanë dhënë shembullin e keq, në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Serbi. Ato edhe sot e kanë kompleks të thonë se jetojnë në Serbi, a marrin pozita, ofiqe, projekte, nga shteti që i administron. Disa nga këto parti edhe sot simbolet kombëtare i përdorin gjatë fushatës si reklamacion, a bashkëqeverisin në pushtet me serbët, participojnë në Trupin Koordinues, bashkëpunojnë me gjyqet dhe policinë, në ndjekjen e kundërshtarëve politikë, duke u ngritur kallëzime penale dhe duke i larguar nga vendet e punës, vetëm e vetëm pse nuk mendojnë si ata dhe nuk bashkëveprojnë në një vijë partiake. Ky është mjerimi ynë politik dhe njerëzor.

 

Shoqëria civile, sa ka frikë nga konkurrenca zgjedhore, koalicionet e partive politike, jo më pak se tre me gjithsej 7 parti?

Hyseni: Aspak. Shoqëria civile, nuk ka dalë paraprakisht, se kush do të fitoj në këto zgjedhje. Vota e qytetarëve më 26 tetor, vendos se kush do të ngjitet shkallëve të Këshillit Nacional. Në qoftë se shoqëria jonë e pëlqen metodën e dikurshme të qeverisjes së Këshillit Nacional, partiak le ta mbështes listën e koalicioneve partiake. Po qe se dëshiron, që ky institucion të jetë mozaik i pasur edhe me kuadro nga jeta e shoqërisë civile, i kanë dy lista, që nuk janë partiake. Elektorati le të përcaktohet vetë. Po partitë politike, ato që janë mësuar me pozita, mund të manipulojnë me votat e qytetarëve, duke i mbushur kutitë e votimeve, për tu thirrur në legjitimitet, por, mos të harrojnë se zëri i shoqërisë civile do t’i ndjek nga pas, duke mos i lënë komod edhe pas 26 tetorit.

 

Po qe se vota e elektoratit, do t’ua mundësoj kyçjen në Këshillin Nacional. Çka do të kishit ndryshuar, apo më mirë të themi, çka do të kishit bërë më shumë nga Këshilli i mëparshëm? 

Hyseni: Shumëçka. Këshilli i ri Nacional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk do të jetë si më parë vetëm partiak, por do të dëgjohet edhe zëri i Shoqërisë Civile, në ushtrimin e veprimtarive me interes shoqëror e kombëtar, në katër fushat e parapara me ligj, të këtij institucioni të lartë shqiptar: Kultura, Arsimi, Informimi dhe simbolet kombëtare. Fitorja eventuale e Listës së Shoqërisë Civile “Perspektiva”, Këshillit Nacional Shqiptar, në Luginë të Preshevës, gjithashtu do t’i jap një qasje profesionale në mbrojtjen dhe afirmimin e vlerave kulturore: gjuhën, arsimin, simbolet kombëtare, karakteristika këto të veçanta, për shqiptarët në Serbi, pa të cilat nuk ka e nuk mund të ketë përparim kombëtar e shoqëror. Me Shoqërinë Civile “Perspektiva”, Këshilli Nacional i Shqiptarëve, në Luginë të Preshevës, do të jetë më afër realizimit të objektivave, që i dalin përpara këtij institucioni me rëndësi për shqiptarët e këtij rajoni.

 

Për fund, porosia juaj drejtuar elektoratit 

Hyseni: Nëse e doni një Këshill Nacional, shumëdimensional, mbipartiak, mos e harroni Shoqërinë Civile, e cila ka nevojë për Ju! Dilni e votoni,  nr.5,  vota Juaj, do ta bëjë një Këshill Nacional, ashtu siç e duam të gjithë, më ndryshe nga, ai, i mëparshmi.

Unë, gjithashtu, u falënderoj për kohën dhe hapësirën, që ndatë për mua dhe Listën, që përfaqësoj. “Titull”-i, është duke dhënë një kontribut të pakrahasueshëm në sensibilizimin e fushatës së zgjedhjeve për Këshillin Nacional. Portalit “Titull”-i, e them pa lavd, po bëhet një shembull i mirë i informimit të drejtë, të saktë, korrekt dhe një shtyllë e fort e predikimit të lirisë së shtypit. Ju, lumtë,vetëm ashtu vazhdoni, ngase vetëm në këtë mënyrë i bëni nder “Titull”-it dhe informimit në përgjithësi. Suksese…..  

Titulli shpërndan material informues rreth Këshillit Kombëtar Shqiptar (foto)
PD, "kontratë" me Malësinë e Bujanocit (foto & video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration