Letërkëmbimi Mapo-Danas: Vëllai ynë, Rahoj
Lokale

Letërkëmbimi Mapo-Danas: Vëllai ynë, Rahoj

10.Nov.2017 18:05
0
Teksa po të përgjigjem, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, komenton tërë lavdi se Surinami na e paska tërhequr njohjen e Kosovës.

I Dashur Mustafa,

Ky lajm arriti në momentin kur duhej të shpërthente “dialogu i brendshëm” serb mbi Kosovën që e inicioi Presidenti Vuçiq, të cilin opozita e quan farsë dhe alibi. Këtu ka edhe një dukuri të çuditshme; kur parandjehet se Vuçiqi do ta “marrë parasysh realitetin” akoma më shumë, opozitës (edhe asaj qytetare) i ngrihet akoma më shumë frymëzimi patriotik. Përsëri, nga ana tjetër, Vuçiqi, çështjen e Kosovës e shtron gjoja si europiane dhe demokratike, ndërkohë që paralelisht vazhdon revizionimi me shpejtësinë e breshkës i politikës “patriotike” të viteve nëntëdhjetë, një prej themeleve të së cilës ishte heqja nga ana e Millosheviqit e autonomisë së Kosovës. Mantra, ose ndoshta sofizmi i Vojisllav Koshtunicës “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, erdhi me një vonesë fatale prej dhjetë e kusur vjetësh.

Por këtu Mustafa, e tërë politika është reduktuar në “pro” dhe “kundër” Vuçiqit. Më pyesje nëse te ne debatohet nëpër televizione aq shumë sa edhe në Shqipëri. Pothuajse nuk ka fare debate mediatike mes përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës. Emisione të këtij lloji ka më pak madje edhe se në kohën e Millosheviqit. Deri te njëfarë konkluzioni kombëtar nga “dialogu i brendshëm” për Kosovën, mund të shkohet vetëm nëpërmjet një dialogu mbi gjendjen e përgjithshme në shoqërinë serbe. Pa hipokrizi. Por të tillë nuk ka. Ndaj histerizimit të opinionit publik, të cilin shpesh e indukton pushteti, opozita e fragmentuar reagon kryesisht me një cinizëm shterpë. Serbia e ka dëshpërimisht të nevojshëm një “tryezë të rrumbullakët” të qeverisë dhe opozitës. Me një temë të vetme: natyra e sistemit politik! Megjithëse ka legjitimitet zgjedhor, dhe ndoshta ka fituar relativisht bindshëm edhe në zgjedhje me standarde demokratike, pushteti i Vuçiqit shpeshherë të lë përshtypjen e atij uzurpator, ndërsa opozita, e vendosur në një pozitë antisistem, tërë strategjinë e saj e bazon në pritjen foshnjarake të “orës zero” të historisë. Që të nxjerrim një konkluzion, opozita do të bëjë një politikë të vërtetë, vetëm atëherë kur të largohet Vuçiqi nga pushteti. Kur t’u kthehet dinjiteti institucioneve dhe mediave në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe të krijohet një ambient demokratik. Vetëm atëherë, përsëri në kuptimin e vërtetë, do të ndizen debatet e fitimtarëve, nga të cilët një pjesë janë për njohjen e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër për të mos e njohur për kurrfarë çmimi.

Ti më thua se te ju atje poshtë tema e Katalonjës pothuajse injorohet. Pohon se shqiptarët do të duhej të rreshtoheshin përkrah çështjes katalanase, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Politika zyrtare e Tiranës dhe ajo e Prishtinës nuk është rreshtuar me asnjërën palë në këtë histori. Madje ju, këtë e vërej, nuk ju ka provokuar as qëndrimi i Beogradit, i cili vë shenjën e barazimit mes Katalonjës dhe Kosovës. Te ne është e kundërta: Nuk ka media në të cilën të mos flitet mbi Katalonjën (natyrisht pushteti dhe opozita në mënyrë jo direkte). Tabloidi me tirazhin më të madh madje ka blerë billborde nëpër Beograd ku shkruhet: “Katalonja është Spanjë! Kosova është Serbi!”.

Megjithëse, duke ndjekur reaksionet në rajon, më duket se Katalonja më parë është letër lakmusi për marrëdhëniet serbo-kroate sesa për ato serbo-shqiptare. Për sa u përket serbëve dhe shqiptarëve, Katalonja është një shtesë e re në katalogun e problemeve ose zgjidhjeve botërore, për të cilat ka përpjekje të aplikohen në rastin e Kosovës- që nga Tiroli i Jugut, Ishujt Oland, Qipro, dy Gjermanitë, Krimeja, Kurdistani, Podnjestri, Gaza… Nëse Serbia dhe Kroacia janë mendërisht të vogla për të qenë Gjermania dhe Franca ballkanike, e ushtarakisht akoma më dritëshkurtra për të qenë India dhe Pakistani ballkanik, në Katalonjë do të gjenin optimalizimin e konfliktit, duke u ndarë në mënyrë të qartë si në rastin e Lindjes, ku serbët janë natyrisht rusët, ndërsa kroatët ukrainasit. Po të kujtoj Mustafa se Kryeministri kroat Plenkoviq, që në fillim të mandatit të tij i ofroi Ukrainës eksperiencën kroate për reintegrimin e territoreve. Para disa ditësh Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq ishte për vizitë te Putini. Në Serbi kjo vizitë u minimizua, po ashtu sikurse rrallëkush në Serbi e mori vesh se këtë verë kanë pushuar në plazhet e bregdetit kroat dyqind mijë turistë rusë.

Këtyre ditëve dëgjohen në parlamentin kroat kërkesa, sipas të cilave Serbia duhet t’i paguajë Kroacisë 45 (!) miliardë euro dëmshpërblim lufte. Pak e çuditshme që pasuesit e presidentit të ndjerë kroat Franjo Tugjman, i cili ishte kombinimi i marshallit Tito me gjeneralismin Franko, tani na kërkojnë te popullorët e Rahojt rrënjët falangiste, madje Kryeministrin spanjoll Rahoj e akuzojnë se i ngjan Millosheviqit. E kanë pas krahasuar me Hitlerin, madje edhe me Carin Palpatin nga saga e Star Wars, por me kryeministrin e një vendi anëtar të BE-së deri tani nuk e kishin bërë. Në shtypin kroat lexoj se Rahoj mban në dorë shkopin si dikur Millosheviqi mbante Ushtrinë popullore jugosllave. Dëgjohet në Zagreb se është për të ardhur keq që gjysmë milioni mbrojtës (veteranë nga Lufta Patriotike e tabuizuar) heshtin. A mos do të duhej të zhvillonin ndonjë paradë në stadiumin Kamp Nou?

Është pikëlluese Mustafa, se si çdo krizë identiteti në botë (më mirë në Europë) përndez llogaritë e palara të këtushme dhe sesi nacionalizmat dhe narrativat tona ballkanike i hyjnë punës për të shfaqur karakterin e tyre prej vasali dhe luftënxitësi. Në vend që ne prej këndej, për shkak të eksperiencës tonë, të dërgojmë paralajmërime mbi tragjizmin e kacafytjeve etnike, përpiqemi të zëmë një pozicion starti sa më të mirë në pritje të ciklit të ri të llogari-larjeve të të vërtetave historike. Te ne ekziston shprehja “ndreqja e Drinës së shtrembër”, sepse lumi Drin, që ndan Serbinë me Bosnjën, vërtetë që është i shtrembër (madje në histori shpeshherë edhe i përgjakur), dhe flet edhe për kotësinë e këtij ciklit të llogari-larjes historike. Lumi Drin, sipas teorisë së Samuel Hantingtonit, mund të merret edhe si një prej vijave të demarkacionit në teorinë e “konfliktit të qytetërimeve”, e cila në Serbi ka shumë adhurues.

Rreth 140 kilometra në veri të Barcelonës gjendet vendi i quajtur Figueres, në cilin të bie në sy kështjella e kuqe me kullën Torre Galatea me disa vezë të mëdha të bardha në majë. Ky është muzeu i Salvador Dalisë. Figueres është vendi ku ka lindur. Dhe nuk më hyri në punë Frojdi, i cili ka ndikuar te surrealizmi i Dalisë, që shkrimet prej grafiti në muret e rrugëve të këtij qyteti – “Kjo nuk është Spanja, kjo është Katalonja” – të më duken aq “jugosllave”. Gjithsesi, ne “jugosllavët” jemi avangarda europiane në punë të tilla. Ruhu mos të të gënjejë njeri Mustafa duke të thënë se Jugosllavia është shkatërruar deri në fund. Ky proces do të zgjasë akoma. Ndoshta ta kam përmendur se kryeministri ynë i vrarë Xhinxhiq, si filozof politik (nxënës i Habermasit) kishte një metaforë mjaft të efektshme mbi qiriun që digjet nga të dy skajet, kur pati shkruar mbi krizën e federalizimit jugosllav. Ai skaji tjetër akoma nuk është djegur.

Këtu te ne ka filluar emetimi i TV serialit serb të quajtur “Hije mbi Ballkan”, e cila merret me realitetin jugosllav (më së shumti me atë beogradas), mes dy luftërave. Ka gjithfarëlloj personazhesh në të: që nga Karagjorgjeviqi, gjenerali rus “i bardhë” Vrangel, “i besuari” i Stalinit Mustafa Golluboviq, udhëheqësi i dikurshëm kroat ustash Ante Paveliqi. Por kjo Mbretëria e serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Jugosllavia) zgjati më pak sesa po zgjat Kroacia e sotme e pavarur. A mos do t’i mbijetojë Republika Srpska e sotme Jugosllavisë titiste të djeshme? A do të flasim në këtë periudhë si për një periudhë të tretë paqeje në territoret YU (monarkiste, titiste, brukselase)? Në lidhje me çështjen e Kosovës, sytë m’i ka hapur sociologu slloven Bozho Repe, i cili dikur pati ardhur në Beograd me rastin e xhirimit të një serie ambicioze për Titon. Atëbotë më tha se Kosova është problem i pazgjidhshëm.

Qëkur e mbaj mend veten Mustafa, di se ekziston problemi kosovar. Njoh njerëz që sot janë pensionistë të SUP-it federal (policia federale), dhe të cilët mbytën kryengritjen shqiptare në vitin 1981, në Kosovë, në kohën kur Tito akoma nuk ishte ftohur në varr. Po ashtu, sot mezi kujtohet kush se një shqiptar, Sinan Hasani, ka pas qenë president i 20 milionë jugosllavëve. Serbët më shumë ia kanë frikën gjeometrave (i kanë obsesion kufijtë ndarës) dhe rrymat e ajrit (si i quani ju rrymat e ajrit që formohen mes dy dritareve të hapura?), por frika më e madhe është se mos shqiptarët vijnë deri në Nish. Për këtë mund të thuhet se mbledhja e përbashkët e të dy qeverive, e Vuçiqit dhe e Ramës në Nish, do të ishte inkurajuese, megjithëse sot një pjesë e mirë e opozitës djathtiste të Vuçiqit mendon se ndërtimi i autostradës nga Nishi deri në Prishtinë do të thotë pikërisht këtë: që shqiptarët të vinë më lehtë deri në Nish. Vetëm se sot ne shpresojmë te lindshmëria e lartë.

Fakti që nuk ka dialog për Kosovën mes pushtetit dhe opozitës, nuk do të thotë se secili flet me veten. Ka madje edhe konkluzione mjaft bizarre. Në një tribunë të paradokohshme në Beograd, lideri i Ligës Vojvodinase socialdemokrati Nenad Çanak lexoi një pjesë të Marrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me formimin e Bashkësisë së komunave serbe (Vuçiqi thotë se është turpshme që vetëm ajo nuk është formuar), duke theksuar se kjo është shkallë më e madhe autonomie sesa ajo që ka Vojvodina në këtë moment.

Mos të të shkojë mendja se mes Ligës socialdemokrate të Çanakut dhe Aleancës së socialdemokratëve të pavarur të Millorad Dodikut ka ndonjë farë lidhjesh motërzimi të tipit “e majta europiane moderne”. Megjithëse, sipas përkatësisë në “internacionalen e partive popullore” (IPP), me CDU-në e Anxhela Merkelit si parti kryesore, i bie që Partia Përparimtare e Vuçiqit dhe Bashkësia Demokrate kroate e Plenkoviqit të jenë “parti motra”. Ndoshta tashmë kemi pak si shumë hynere për një tekst të vetëm, apo jo, i dashuri Mustafa.

 

Nga Zoran Panoviç

Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe MAPO nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së.

PVD nominon Ardita Sinanin kandidate për kryetare të Preshevës
Bujar Sopi, mjeku që rrugëtoi nga Bujanoci në Cyrih të Zvicrës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration