Kopallat-globale të politikës shqiptare po lënë Luginën e Preshevës pa rini!
Lokale

Kopallat-globale të politikës shqiptare po lënë Luginën e Preshevës pa rini!

24.Jul.2017 09:06
0
Drilon Hyseni i sapo diplomuar në Universitetin e Prishtinës e ka të vështirë të gjejë hapësirë në vendlindjen e tij në Bujanoc në mungesë të perspektivës dhe se i vetmi vend që ata i pret me dëshirë është enti për punësim.

Ai gjatë një interviste për Titulli.com tha se qasja e rinisë në krijimin e politikave qeverisëse lokale, është mision i pamundur. “Pushtete lokale, si sot edhe dje, favorizojnë atë pjesë të rinisë e cila është aktive nëpër fushatat zgjedhore, duke i nderuar me ndonjë projekt sa për të thënë”, është shprehur Hyseni. Sipas tij rinia shqiptare nga Bujanoci dhe Preshevë po largohet duke kërkuar një jetë më të mirë në vende të ndryshme të perëndimit. Drilon Hyseni është një opinionist i pavarur në Luginë të Preshevës dhe shtjellon tema të ndryshme që përballen shqiptarët në këto treva.

 

 

Shumë të rinj shqiptarë po largohen nga Lugina në drejtim të perëndimit, në mungesë të perspektivës në këtë rajon. Ku është problemi sipas jush? 

Hyseni: Fenomeni i largimit të rinisë shqiptare nga Lugina e Preshevës në parim është problem politik. Rinia, si shtyllë kryesore e ardhmërisë sonë, po ikën, jashtë vullnetit të saj, drejt perëndimit ose drejt dy shteteve tona amë, për një jetë më të mirë. Në mungesë të një perspektive, për shkollim, punësim e integrim në vendlindje, ajo merr botën në sy, duke lënë prapa të dashurit e tyre, që nuk ndjehen rehat me këtë “hemorragji”, e cila po pakëson gjakun shqiptar në damarët e shoqërisë sonë.

Ku qëndron problemi i një ekzodusi rinor, me të cilin po brengoset e shqetësohet shoqëria jonë, por jo edhe klasa e saj politike? Rrënjët e një shqetësimi të tillë janë të thella dhe kërkojnë një analizë më të zgjeruar të këtij fenomeni. Po kalojnë 15 vjet, që nga ardhja në pushtet e spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës, pas një konflikti të armatosur, plagët e së cilës ende kullojnë gjak, e problemi rinor i kësaj krahine shqiptare, mbetet po ai i viteve të 90-ta, pa ndonjë përparim, bile edhe më keq se sa në sistemin komunist.

Kur themi kështu kemi parasysh disa fakte: Tri komunat shqiptare në lindje të Kosovës, mjerisht edhe sot nuk kanë një program e vizion të qartë, se si duhet të zgjidhet problemi i rinisë në këto anë. Përkundër sloganeve partiake me gojën plot, nuk ka ndonjë plan aksional, që rinia jonë të integrohet në jetën politike dhe ekonomike, ashtu siç e meriton ajo.

Zyre e të rinjve, në kuadër të komunave, madje edhe kancelaritë partiake, janë disa enklava, ku grumbullohen disa të rinj, disa prej të cilëve që moti e kanë kaluar fazën e adoleshencës, e nuk reflektojnë, fatkeqësisht, pozitivitet për përmirësimin e pozitës së të rinjve në këto hapësira. Kjo vlen për të gjitha mandatet e pushteteve, të cilat me rotacion i ndërrojnë strukturat rinore të këtyre kancelarive. Thjesht, tërhiqeni një paralele nga vitet e “arta”, të pushteteve shqiptare në Serbi dhe do të shihni, se sa është “vepruar” e “folur” për fenomenin e largimit të rinisë nga Lugina e Preshevës. Edhe sot, pas kaq vitesh, rinia shqiptare përballet me vështirësi në shkollim, punësim e integrim. Të mos i përmendim me radhë: mungesa e teksteve shkollore, nostrifikimi i diplomave, punësimi, etj.   

 

Në fjalorin politik shqiptar përmenden tema të mëdha rajonale gjersa ata nuk arrijnë të zgjidhin as problemet elementare të qytetarëve. Si po ndikojnë deklaratat folklorike tek rinia shqiptare? 

Hyseni: Shumica e atyre, që sot qëndrojnë në pozita udhëheqëse pushtetarë e opozitare, na kanë mësuar, se për zgjidhjen e problemeve, duhet nisur nga ato lokale, për të shkuar drejt atyre globale. Mirëpo, te ne ndodh e kundërta, ata mendojnë lokalisht e veprojnë globalisht! Fjalori politik i liderëve tanë, kalon kufijtë e normalitetit, me të cilin më shumë irritohet rinia, e cila nuk ngopet me kopalla e folklorizëm. Ka perënduar koha e fjalëve të mëdha!

Rinia shqiptare e Luginës meriton të kërkojë vepra konkrete, të cilat i mungojnë prej vitesh. Veç retorikës dhe fjalëve të thata, rinia jonë nuk kap me veshtë e saj, ndaj po ikën “kah sytë këmbët!”. E për këtë, padyshim se dikush duhet të jetë përgjegjës e të japë llogari.

 

Shumë të rinj që përfundojnë shkollimin e lartë në Kosovë nuk kthehen në Bujanoc e Preshevë, sepse nuk i njihet diploma dhe për këtë temë spektri politik shqiptar hesht. Si i komentoni këto zhvillime? 

Hyseni: Jo, ata kthehen, po s’kanë ku të shkojnë, përveç në Entin Nacional për Punësim, apo ndonjë konkursi për kryerjen e praktikës gjashtëmujore ose njëvjeçare, e asgjë më shumë. Me ato diploma të Kosovës, të cilat nuk i njeh Serbia, vetëm mund të bëjnë ndonjë “selfi”, por jo edhe të punësohen për të dhënë kontributin e tyre. Çështja e nostrifikimit të diplomave, është bërë një temë sa bajate, aq edhe neveritëse. Të rinjtë me diploma nën sjetull, po bredhin rrugëve, duke u rekrutuar në evidencën e të papunëve dhe duke mbushur kafiteritë e bastoret e qyteteve, me një perspektivë shumë të zymtë për ardhmërinë e tyre. Ata për ditë, po ikin në heshtje, pa bërë ndonjë zhurmë protestuese, për të mos i lënduar e lëkundur pozitat e liderëve të tyre, të cilët i votuan për ndryshime, për disa mandate, pa ndonjë ndryshim në sjelljet e tyre rrotulluese.

Klasa jonë politike, deri më tani s’ka ofruar asnjëherë ndonjë strategji me afat të gjatë kohorë, për evitimin e këtij fenomeni negativ social, që edhe mund të mos jetë i pranishëm vetëm në zonën tonë etnike. Por, është dashtë të merret parasysh fakti, se te ne, kjo problematikë sociale është më e ndjeshme, nëse pretendohet të ruhet elementi etnik në tokat tona.

 

Sa kanë hapësirë të rinjtë në Bujanoc për qasjen në krijimin e politikave qeverisëse lokale dhe zhvillimin e përgjithshëm? 

Hyseni: Qasja e rinisë në krijimin e politikave qeverisëse lokale, është mision i pamundur. Pushtete lokale, si sot edhe dje, favorizojnë atë pjesë të rinisë e cila është aktive nëpër fushatat zgjedhore, duke i nderuar me ndonjë projekt sa për të thënë. Këta militantë të rinj partiakë, kënaqen me atë çka i servon pushteti nëpër mandate, duke ngelur në pozita shërbimi, se sa ndonjë roli kyç për ndryshime. Shikoni pozitat udhëheqëse të departamenteve komunale, sa  të rinj janë përfshirë e çfarë moshe e përgatitje arsimore gëzojnë dhe do të bindeni se në çfarë gjendje ndodhet rinia jonë e dashur?! Nuk ka zhvillim e përparim, pa përfshirjen e të rinjve në vendim-marrje, pa integrimin e tyre meritor në shoqërinë tonë. E mjerë është ajo politikë, e cila bënë dallime mes të rinjve, duke i favorizuar jashtë mase disa e duke i shkelur e përbuzur ata që mendojnë ndryshe. Një politikë e tillë steriotipe e nepotiste, është e gjykuar të dështojë, herë do kurë, ngase nuk ofron perspektivë të shëndoshë për pjesën më vitale të saj!

 

Çfarë duhet të bëjë rinia shqiptare për t’u prosperuar në vendin e tyre, e jo si zgjidhje të kenë largimin?

Hyseni: Siç thotë Abdelnour: “Një nga vendimet më të vështira që do të përballosh në jetë është të zgjedhësh nëse do të largohesh, apo do të përpiqesh më shumë.” Në këtë kontekst, rinia jonë duket se preferon më shumë alternativën e parë! Rinia shqiptare, jo vetëm ajo e Komunës së Bujanocit, por në përgjithësi e Luginës së Preshevës, nuk duhet të heshtë para këtij fenomeni, i cili po i shtrëngon ata të ikin nga vendlindja. Ata duhet të jenë më të zëshëm dhe zëri i tyre të jetë më i fuqishëm karshi këtyre mangësive e anomalive politike, të cilat janë burim kryesor i largimit të rinisë drejt perëndimit për një jetë më të mirë. Nëse rinia shqiptare hesht e pajtohet me këtë politikë pa perspektivë, nesër do të jetë vonë për një ndryshim të mundshëm të situatës. Po qe se nuk merr iniciativa rinia, jashtë asaj që i servohet nga lart, klasa jonë politike do të plaket me atë mendësi, që kishin pararendësit e tyre. Largimi në heshtje është një vdekje klinike për rininë tonë, e cila nuk e ka merituar të sillet metropoleve të botës, në kërkim të një jete më të mirë, të cilën ka mundur ta sigurojë edhe në Luginë, po qe se në krye të saj vijnë njerëz profesionistë,  jo vetëm nga fusha e politikës.

Në këtë aspekt, shpresa e humbur e rinisë sonë, pa diskutim se duhet të zëvendësohet me guximin e tyre!

 

Zafiroviq: Detyra e qeverisje lokale nuk është gjeopolitika por hapja e vendeve të reja të punës
Fejzullahu drejt transferimit në Kroaci
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration