Lugina, rajoni shembullor i metodave moderne të shtypjes
Lokale

Lugina, rajoni shembullor i metodave moderne të shtypjes

15.Sep.2014 21:03
0

I lindur më 1975 në Belgjikë; Belgzim Kamberi është politolog, gazetar dhe veprimtar për të drejtat e njeriut nga Presheva. Ai bashkëpunon me mediat e ndryshme të huaja dhe rajonale; si “Agence France Presse” (AFP), “Radio France Internationnale “(RFI), “Le Monde”, “El Mundo”, “The Guardian”, “New York Times” etj. Aktualisht është redaktor përgjegjës për botën shqiptare në portalin frankofon « Courriers des Balkans », konsulent dhe ligjërues për gazetari; si dhe kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Si përkthyes i gjuhës frënge, ai ka përkthyer shumë artikuj shkencor dhe vepra filozofike, sociologjike dhe publicistike ; si « Fryma e Iluminizmit » nga Tzvetan Todorov; « Kosova ; kemi ecur mbi paqe » nga Pierre Dufour etj.

Evropa – Është jashtëzakonisht paradoksale se si e kemi ndërtuar idenë për Evropën dhe Perëndimin. Që nga ajo thënia e famshme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, gjatë protestave të dhjetorit ’90 në Tiranë dhe deri te parullat të së njëjtës periudhë, « Liri, demokraci, pavarësi » në Prishtinë; kemi hyrë në një fazë të idealizimit, paragjykimit, instrumentalizimit dhe keqkuptimit të Evropës në veçanti dhe të Perëndimit në përgjithësi. Sot, fjalët « Evropë » dhe « Perëndim » kanë zëvëndësuar popullizmat e dikurshme nacionaliste të « teknokratëve » politik dhe të oligarkëve ballkanik, me të kaluar kriminale dhe korruptive, duke e reflektuar kësisoj tërë absurditetin dhe banalitetin e sotshëm të diskursit të tyre « evropian ». Përderisa, atëbotë, populli e përqafonte idenë e Perëndimit idilik, në kërkim të shporrjes së shtypjes të sistemeve « lindore », si dhe të frymëzuar nga ideali universalist për lirinë dhe zhvillimin « perëndimor »;  elitat e vjetra dhe të reja politike dhe financiare, e përdorin atë si kartë për t’u (ri)legjitimuar dhe (ri)pozicionuar në « fshatin e ri global ». Pos tjerash, ky ligjërim ndikoj jashtëzakonisht negativisht në modelin e ndërtimit të së ardhmës kolektive, të cilin nuk arrijmë ta projektojmë edhe sot, ngaqë duket se jemi më shumë në fazën e të jetuarit në arratisje nga e djeshmja e shembur, sesa në ndërtimin e një projekti të nesërm emancipues. Dy dekada më vonë, problemi nuk është ndoshta tanimë vetëm manipulimi politik me këto narrativa; por që nuk arrijmë ende si shoqëri, ta tejkalojmë trajtën perceptuese romantike për evropën, perëndimin, lirinë, demokracinë dhe pavarësinë. Në këtë kuptim, mbetemi ende aq larg nga dëshira dhe nga ëndrra e protestuesve për « Shqipërinë si gjithë Evropa » dhe për Kosovën e « lirë, demokratike dhe të pavarur ». Më larg se që e mendojmë realisht.

Progresi – Shqetësues duket sot iluzioni që po krijojmë gradualisht për progresin. Ndonëse ideja për progresin krijohet zakonisht si « kundërshtim  ndaj së vjetrës regresive», megjithatë mendësia dominuese për progresin ka tendenca të marrë tipare iluzore. Duket se ideja për progresin thjeshtëzohet sot në shkallën e lirisë individuale dhe të pasurisë materiale private, apo edhe në zhvillimin e teknologjisë ose të infrastrukturave etj ; duke injoruar  modelin shoqëroro–politik që po ndërtohet para syve tanë, e që po (ri)prodhon çdo ditë e më shumë : korrupsion, krim të organizuar, pabarazi sociale, mediokrizim, terrorizëm, fashizëm, tribalizëm, fanatizëm etj. Edhe ideja për progresin nuk i shpëtoi procesit të individualizmit; ku privatja e përcakton shkallën e progresit. Për më keq, ky iluzion për modelin e progresit, po ndërton një mendësi verbëruese ndaj të gjitha dukurive negative përbashkuese, që po e shoqërojnë « tranzicionin » shqiptar;  apo, në rastin më të mirë, po i relativizon ato; në mungesë të një «  deziluzionizmi të progresit », që do të mund ta ndihmonte nismën e rimëkëmbjes sonë shoqërore.   

Liria – Me kohën, perceptimi ynë për lirinë ka pësuar ndryshime thelbësore në shoqëritë shqiptare. Përderisa liria kolektive ishte ajo që dikur mobilizonte dhe përbashkonte njerëzit; tashmë, ndjenja e « çlirimit  » na ka shndërruar në një shoqëri, që në rastin më të mirë joshet pothuajse vetëm për lirinë individuale; e në rastin më të keq, nuk diskuton fare për lirinë. Kjo frymë mbretëruese e ka shkëputur jo vetëm lirinë nga aspirata për barazi shoqërore; por për aq më keq, ka përforcuar dukurinë regresive të« heshtjes për lirinë », sikurse liria të jetë çështje e përmbyllur. 

Viktimat – Qasja jonë e sotme ndaj viktimave në përgjithësi, sidomos ndaj viktimave të luftërave dhe të regjimeve politike, dëshmon se sikur rajon nuk jemi përballur dhe shkëputur akoma me të kaluarën e errët, porse jemi më shumë në një proces vazhdimësie të saj. (Pa)drejtësia për viktimat ilustron realisht qasjen tonë ndaj lirisë e barazisë dhe siç thoshte Platoni, virtytin tonë moral si individë. Pikërisht mungesa e vullnetit institucional dhe shoqëror në tërë rajonin, për të sjellur drejtësi për viktimat dhe për t’u përballuar me të vërtetën, po ilustron më së miri mungesën e vullnetit të përgjithshëm për politika të pajtimit dhe për shtete të së drejtës. Për të mirën e përgjithshme, të cilën Hegeli e harmonizonte me të vërtetën.   

Shtypja –  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë sot rajoni shembullor i metodave moderne të shtypjes. Të një diskriminimi shtetëror që maskohet me një diskurs « demokratik » dhe « evropian ». Shtypja e dikurshme tradicionale është zëvëndësuar me format e « padukshme » bashkëkohore të shtypjes. Vrasja e dikurshme fizike me vrasjen psikike kolektive. Nën rrethim të « legjitimuar » ushtarako–policor, me nënpërfaqësim sistemor dhe me mungesë të « arsyetuar »  investimesh e zhvillimi ekonomik; migrimi i « vetëvullnetshëm » ka zëvëndësuar zhvendosjen e detyrueshme . Shuarja e dikurshme e dhunshme e rezistencës qytetare është zëvëndësuar me pasivizimin e tanishëm të saj, nëpërmjet korruptimit dhe shantazhimit të elitave lokale. E tëra në harresë dhe heshtje. Sikurse historia me pacientin e infektuar qëllimisht me kancer, që vdekja e tij të duket pastaj si një fatalitet i pashmangshëm, mbase edhe çlirues.

Krimi –  Gjithë periudha e « pluralizmit » shqiptar është karakterizuar pothuajse me një bashkëjetesë me krimin. Krimi është bërë aq shumë pjesë e përditshmërisë sonë, saqë kemi prirje për ta injoruar dhe relativizuar. Elitat qeverisëse politike dhe ekonomike ballkanike « sistematizuan » perandorinë e krimit në të gjitha poret e shoqërisë, pa kursyer mendjet tona; saqë nganjëherë ka filluar të duket i natyrshëm. Të kamuflohet dhe arsyetohet. Ky është krimi ynë. Më i madh se i kriminelëve që na rrethojnë dhe që veprojnë në emrin tonë. Krimi ynë që nuk falet. 

Paraja – Modeli arkaik i kapitalizmit ballkanik, me premisa mishëruese të kapitalizmit neoliberal amerikan dhe kapitalizmit autoritar– oligarkik rus, ka përforcuar pasionin e shfrenuar për të pasur me çdo kusht; ku paraja nënkupton mjet zotërimi dhe gllabërimi. « Njeriun tjetër ». Ky model ekonomik, politik dhe kulturor i shoqërisë konsumuese; po thellon jo vetëm kulturën e « vullnetit të fuqisë » (Nietzsche), por edhe fetishizmin për pasurim financiar dhe për dukjen personale si status social; duke i rrënuar gradualisht marrëdhëniet sociale, njerëzore dhe kulturore.        

  

Botuar në rubrikën « 7 Shkronjat » të së përditshmës « Koha Ditore  »,

"Pushteti lokal në Bujanoc me qasje revanshiste dhe antiligjore"
A do të bojkotojë PVD zgjedhjet e 26 tetorit?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration