Fatmir Hasani: Kur Parlamenti serb, vepron në mënyrë selektive?
Intervista

Fatmir Hasani: Kur Parlamenti serb, vepron në mënyrë selektive?

14.Dec.2016 10:35
0
"Qeveria e Beogradit, nuk i përmbush standardet evropiane për zgjidhjen e problemeve të pakicave në këtë shtet shumetnik", kështu shprehet deputeti i vetëm popullor shqiptar në parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani.

Ai thotë se ne nuk shqetësohet shumë me reagimet e deputetëve serbë kundër nesh, me rëndësi është që zëri ynë  të dëgjohet në Parlamentin serb, nga i cili dalin ligje jo të favorshme për shqiptarët dhe të tjerët, që trajtohen si pakicë a ndjehen etnik në shtetin ku jetojnë.

 

Zotri Hasani, jeni deputet i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Sa dëgjohet zëri i deputetëve të pakicave kombëtare në Serbi? 

HASANI: Zëri i deputetëve të pakicave kombëtare në Kuvendit republikan të Serbisë, organit më të lartë shtetëror legjislativ, dëgjohet pjesërisht. Nuk do të thotë se mungon jehona e diskutimeve të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë në Serbi, në foltoren e Parlamentit, por realizimi i kërkesave të tyre bëhet në mënyrë selektive, varësisht nga cila pakicë vjen zëri. Kur themi kështu kemi parasysh diskutimet e hungarezëve, sanxhaklinjve, nga të cilët edhe kryesia e Kuvendit ka një rezervë, për shkak origjinës dhe shteteve që i mbështesin. Ne shqiptarët jemi pakica më e pambrojtur në Serbi dhe peng i marrëdhënieve të këqija në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Sa herë që trazohet situata te serbët e Kosovës, Serbia revanshohet ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke i vënë në pozita të palakmueshme.

 

Si është reagimi i deputetëve serbë, ndaj pyetjeve të deputetëve të pakicave në Parlament? 

HASANI: Sa herë që deputetët e pakicave kombëtare e sidomos nga ajo shqiptare, shtron ndonjë pyetje ose e merr fjalën për diskutim në foltoren e Kuvendit, zgjon reagimin e menjëhershëm të deputetëve serbë, të cilët janë të prirë për provokime të ulëta dhe jashtë njerëzore. A është punë që “non stop”, të jesh kujdestar në shtruarjen e kërkesave për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, kur nuk ka disponim nga deputetët e shumicës të dëgjojnë ankimime të tilla, a nga ana tjetër Qeveria e Beogradit, nuk i përmbush standardet evropiane për zgjidhjen e problemeve të pakicave në këtë shtet multietnik, multikulturor e multikonfeksional. Megjithatë, ne nuk mërzitemi e as shqetësohemi shumë me reagimet e deputetëve tjerë, me rëndësi është që zëri ynë  të dëgjohet në Parlamentin serb, nga i cili dalin ligje jo të favorshme për shqiptarët dhe të tjerët, që trajtohen si pakicë a ndjehen etnik në shtetin ku jetojnë.

 

Sa ka ndikuar Forumi i bizneseve shqiptaro - serbe të Nishit, në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Tiranës dhe Beogradit? 

HASANI:  Marrëdhëniet Shqipëri  -  Serbi, kanë filluar të përmirësohen ngadalë me takimin e kryeministrave: Vuçiq  -  Rama, sidomos me Forumin e biznese shqiptaro -  serbe, të organizuar, në nëntor të këtij viti, në Nish.  Ne i falënderohemi kryeministrit Rama, për organizimin e takimit tre palësh: Rama  - Vuçiq  - liderët institucionalë të shqiptarëve nga Lugina, në të cilin takim arritëm t’i shtrojmë disa çështje dhe probleme të pazgjidhura dhe të marrim përgjigje, aty për aty, nga kryeministri Vuçiq për disa probleme në fushën e arsimit dhe zhvillimit ekonomik. Ka filluar një bashkëpunim tregtar, por jo në atë masë që është pritur.

 

Këtyre ditëve, është mbajtur takimi i parë në mes përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë, ekonomisë dhe industrisë shqiptaro - serbe. Me çfarë përshtypjesh jeni ndarë nga ai takim? 

HASANI: Po, takimet e dhomave ekonomike të dy shteteve, po punojnë për lehtësimin e realizimit të bizneseve, por fillimi tregon disa vështirësi sepse plasimi i mallit të ri lyp pak kohë. Mendojmë se ka hapësirë për bashkëpunim tregtar, por duke shikuar raportin reciprok të eksport -  importit.

 

Meqë jeni i vetmi deputet republikan nga radhët e shqiptarëve në Serbi, cili është bashkëpunimi me deputetët e tjerë, grupet parlamentare dhe kryesinë e Parlamentit? 

HASANI: Unë jam i vetmi shqiptar nga Lugina e Preshevës, në Parlamentin serb, por aty ka edhe deputetë të tjerë me origjinë shqiptare nga Sanxhaku, të cilët hezitojnë të deklarohen publikisht. Kemi formuar grupin parlamentar me Lidhjen e hungarezëve të Vojvodinës. Ata janë katër deputetë edhe unë, gjithsej 5 deputetë. Para seancave të Kuvendit, gjatë dhe pas tyre, konsultohemi mes vete me një korrektësi dhe më ndihmojnë për disa punë ku ka ata kanë mundësi. Qëndroj mirë edhe me gjithë deputetët sanxhaklinj dhe me një kroat, pa përjashtuar ata të Serbisë së Re.”. Jam i rregullt në séance kuvendore dhe aktiv si në Kuvend si në Këshillin për arsim, si me diskutime ashtu edhe me pyetje.

 

Sa jeni të kënaqur me punën tuaj si deputet në një Parlament ku rrallë dëgjohet zëri i pakicave kombëtare, e posaçërisht i komunitetit shqiptar prej nga jeni zgjedhur? 

HASANI: Momentalisht i pakënaqur, por shpresoj se me një angazhim të denjë, të mbështetur nga ndërkombëtarët e diplomacia mike e Beogradit, pa harruar edhe shtetin amë, disa çështje të pazgjidhura të shqiptarëve të Luginës, do të vihen në binarë të duhur. Jam duke i zhvilluar disa vizita nëpër ambasadat e shteteve të huaja të akredituara në Beograd, pastaj edhe nëpër institucionet e larta shtetërore, për t’i lëvizur gjërat në frymën e zgjidhjes së problemeve shqiptare, të grumbulluara prej vitesh. Ne me preferimin e OSBE - së dhe faktorëve të tjerë relevantë, kemi pranuar të jemi pjesë e Qeverisë së Serbisë, por nuk do të thotë se jemi kurorëzuar me të. Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona për ndryshimin e gjendjes së vështirë politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Luginë dhe më gjerë, nuk do të thotë se s’do të veprojmë ndryshe, të kalimit në opozitë.

 

Në godinën e Komunës së Bujanocit, e keni edhe zyrën e deputet. Si funksionon ajo dhe sa jeni të kënaqur me takimet me qytetarë dhe në çka ata ankohen më shumë? 

HASANI: Po, është hapur zyra e deputetit, në godinën e Komunës së Bujanocit. Takimi me qytetarë zhvillohet dy tre herë në javë. Ndodhë nganjëherë të mos jem i pranishëm në zyre, ngase seancat kuvendore në Beograd zgjasin me ditë të tëra. Asistenti im është përherë i pranishëm në zyre dhe më raporton për vizitat e shumta të qytetarëve hallexhinj, të cilët presin nga kjo zyre për realizimin e kërkesave të tyre, disa prej të cilave nuk janë në kompetencë të komunave për zgjidhje, të cilat drejtohen në nivele më të larta shtetërore. Mirë u bë që u hap zyra, për çka i falënderohem pushtetit lokal dhe popullit amerikan, për rregullimin e saj.

 

Për fund, si zakonisht, cili është mesazhi Juaj drejtuar qytetarëve të Luginës së Preshevës? 

HASANI: Mesazhi im drejtuar popullit të Luginës, është të punojmë të gjithë bashkërisht, për t’i realizuar aspiratat tona qytetare e kombëtare. Në këtë drejtim nuk duhet harruar diasporën tonë të mrekullueshme e cila përbën 27 për qind nga popullata e përgjithshme, që punon dhe vepron në shtetet perëndimore dhe për ne përbën pjesën më vitale të shoqërisë shqiptare. Po ashtu në të ardhmen presim edhe ndihmën e Tiranës dhe Prishtinës, të cilat e kanë obligim vëllazëror të na ndihmojnë për të mbijetuar në këto kohë të krizës së përgjithshme politike dhe ekonomike, mbase deri tashti veç ndihmës morale, pak është shënuar ndonjë hap për realizimin e Fondit për zhvillimin e Luginës së Preshevës, të miratuar me një Rezolutë më Parlamentin e Kosovës./ Sevdail Hyseni-Titulli.com/

 

 

Statistikë:

Parlamenti i Republikës së Serbisë, numëron 250 deputetë, vetëm një është shqiptar. Në zgjedhjet parlamentare, të 24 prillit 2016, fituan këto lista zgjedhore: 131 deputetë partia e kryeministrit Vuçiq dhe partnerëve të tij të koalicionit, pastaj 29 deputetë koalicioni i  socialistit Ivica Daçiq radikalët e Sheshelit fituan 22 mandate, Lista për Serbinë 16 ulëse, po ashtu 16 deputetë Sasha Radulloviq "Mjaft më",  partnerët e opozitës Tadiq, Çeda, Çanak 13 deputetë dhe po me aq numër fituan edhe të partisë DVERI. Nga radhët e pakicave kombëtare në Serbi, hungarezët fituan 4 deputetë, sanxhaklinjtë 4, shqiptarët 1 dhe të Gjelbrit 1 deputetë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Nagip Arifi flet për ikjet nga Partia Demokratike: Rruga e mbarë i qoftë
Çka shkruan lajmëtari i Stambollit në vitin 1899 për Kazanë e Preshevës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration