Zvicër: Shoqata Humanitare "Medvegja" mbajti koncertin dhe turnirin tradicional
Lokale

Zvicër: Shoqata Humanitare "Medvegja" mbajti koncertin dhe turnirin tradicional

27.Jun.2016 09:21
0
Muaji qershor, tregonë edhe sofrën medvegjase, meqë i madh e i vogël drejtohen në Fully, që ta shijojnë këtë koncert dhe turnir futbolli tradicional, e që ka karakter humanitar në ndihmë Medvegjës.

Fully, ky qytet i bukur në mes të Valisit, një qytet i rrethuar me male të larta e thuajse të gjitha të mbushura me hardhi rrushi, njihet edhe si Medvegja e dytë për të gjithë bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër e më gjerë. Në këtë qytet me rrehinë, është pjesa dërmuese e mërgimtarëve medvegjas, që jetojnë e veprojnë. E shtuna e 25 qershorit në gjithë Zvicrën ishte me një mot kryesisht me shi dhe të shkonte mendja, se ky organizim do të dështoj sonte, duke e ditur, se organizohet në natyrë. Gjatë tërë rrugës nga Cyrihu në drejtim të Fully, binte shi, rrugë afërsisht 300 km, gjithandej binte shi, e për besë, e për çudi, sapo hynë në këtë qytet, sheh qiellin e kaltër dhe rreze dielli e i rrethuar me vranësira. Sa që habitesh me veten, mos vallë, jam gabim apo në botë tjetër, e sa që edhe veturat që kalojnë i bie në sy, se vetura ime ishte e lagur tërësisht. Padyshim, këtu ka diçka të veçantë hyjnore, se edhe perendia është me këta bëmirës që janë rreth shoqatës në fjalë, shoqatë, që për tre dekada kurrën e kurrës nuk u ndal. Gjihmonë që vjenë qershori, menjihere na shkon mendja te spektakli madhështor që e organizon Shoqata Humanitare „Medvegja“, me qendrën e saj në Fully të Valisit-Zvicër, edhe ate tradicionalisht hiç më pak se për 21 vjet me radhë.

SHHMedvegja2016-02
Një mbrëmje e madhe familjare e rinore me plot argëtim, me muzikë të bukur shqipe, valle nga SHKA Medvegja e plot befasi ishte e shtuna e 25 qershorit në këtë qytetzë të bukur të Zvicrës.
Koncert i mbajtur në natyrë, në afërsi të stadiumit të këtij qyteti edhe ate deri në orën 12.00 të mesnatës. Një sofër bashkimi, një takim i papërshkrueshëm medvegjas, të rinjë e pleqë, por edhe fëmijë, që të gjithë së bashku në këtë spektakël të përvjetshëm. Edhe banorët e tjerë që jetojnë në këtë pjesë, janë të pranishëm, si zviceranë, italianë, francezë etj, ju duket sikur të jetë festë e tyre, edhe pse gjithandej, është shqip dhe valon flamuri kuq e zi.Shumë prej medvegjasëve ndër të tjera thonin, se ndoshta gjatë tërë vitit nuk e takojnë njëri tjetrin, e vjen qershori, që takohen me medvegjasit jo vetëm me ata që jetojnë në Zvicër, por edhe më gjerë, nga Gjermania, Austria, Franca, e Italia. Falënderime dhe urata merrnin kryesia e shoqatës dhe anëtarët e saj.

Që të gjithë janë ftuar me moton “Ejani me medvegjasit, se edhe Medvegja është kuq e zi”. Një moto me shumë kuptim.

Shumica e banorëve të kësaj zone merren me bujqësi, e sidomos me pemëtari. Prej vitesh, një pjesë e mërgatës sonë jeton dhe vepron në këtë pjesë të Zvicrës, e natyrisht puna e tyre më e madhe bëhet në pemëtari. Ata gjetën punë dhe mbetën aty. E veçanta e mërgimtarëve tanë është se ata, si të moshuarit, por edhe të rinjtë, kanë miqësi të mirë me zviceranët dhe me popujt e tjerë. Në manifestimet e Shoqatës Humanitare “Medvegja”, shoqatë që rreth vetes ka një anëtarësi të madhe, në organizimet e saj marrin pjesë mijëra mërgimtarë, kryesisht medvegjas, por edhe bashkëkombës nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe rrethina e Ulqinit. Këtu ka të pranishëm edhe shumë zviceranë, e në mesin e tyre edhe kryetarë komunash, deputetë, por edhe kryetarë partish që janë në Qeverinë zvicerane. Duke ditur për punën e madhe që kanë bërë dhe që janë të integruar mirë edhe në shoqërinë zvicerane, ata kanë miqësi të shkëlqyeshme me shumë zviceranë, kështu që është e pamundur që në manifestimet e tyre të mos jenë të pranishëm të parët e Komunës.
Me një mikpritje tipike medvegjase, kryesia e shoqatës, anëtarët e saj dhe të gjithë medvegjasit mërgimtarë i pritnin bashkatdhetarët e trevave tjera shqiptare që të jenë pjesë e këtij koncerti humanitar.

SHHMedvegja2016-03
Në hyrje të stadiumit ku mbahej koncerti shihej flamuri ynë kombëtar, si dhe ai zviceran. Shiheshin edhe tavolina të rezervuara. Si edhe herave të tjera, edhe sivjet, familja Selmani, kishte rezervuar tavolinën jo më pak se për mbi 20 persona. E në anën tjetër, shiheshin edhe familje të tjera, duke qeshur e cakërruar gotat, po edhe duke bërë foto kujtimi. Pleqë e plaka, fëmijë e të rritur, të gjithë të buzëqeshur, që po takohen të gjithë bashkë. Shkurt e shqip, këto manifestime janë të mirëpritura për bashkatdhetarët medvegjas. Nuk mungon as ushqimi i freskët, pije të ndryshme. Në këto aktivitete që organizohen në këtë pjesë të Zvicrës, përveç se kanë marrë pjesë shumë veprimtarë nga atdheu ynë, medvegjasit i ka nderuar edhe ish-Ministri i Diasporës në Republikën e Kosovës, z.Ibrahim Makolli; ish- ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mehmet Elezi; ish-ambasadori i Maqedonisë, Ramadan Nazifi; ish-ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, konsulli i Kosovës në Cyrih, z.Sali Sefa; Stërnipi i Ismal Qemajlit, Darling Vlora; Publicisti Arsim Mulliqaj, piloti i pavarësisë, James Berisha; veprimtari Riza Demaj, Bajram Mulaj, publicisti Jonuz Fetahu nga Medvegja, Fazli Musliu, kryetar i SHHLP, e shumë e shumë të tjerë. Mes qershori, e tregonë edhe sofrën medvegjase, meqë i madh e i vogël drejtohen në Fully që ta shijojnë këtë koncert dhe turnir futbolli tradicional, e që ka karakter humanitar në ndihmë Medvegjës. Bashkatdhetarët tanë vinin grumbuj-grumbuj nga e tërë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Presheva e Bujanoci, e ndër ta shiheshin edhe politikanë e intelektualë të ndryshëm zviceranë, si dhe kryetari i Komunës së Fully, Eduard Felle, me stafin e tij. Programi filloi prej grupit të të vegjëlve, që e ndjekin edhe Shkollën Plotësuese Shqipe pjesë të SHKA „Medvgja“, me këngë e recitime, si dhe me valle të të gjitha trevave shqiptare. Kështu, edhe një herë u tregua se fëmijët mërgimtarë, edhe pse të rritur dhe të edukuar në Zvicër, ata nuk do ta harrojnë Medvegjën dhe herë do kur do të punojnë për ato treva të të parëve. Grupi i mesëm i kësaj shoqërie e dha edhe një program vërtet shumë të pasur, të cilit i qëndronin afër gjithnjë z.Musa Neziri. Shoqëria artistike, siç dihet, e ka edhe grupin folklorik, të përbërë nga Avni Neziri, Samir Neziri, Shqipe Neziri, Sofie Namani, Mevlan Thaçi, Marigona Neziri, Sadik Baftiu, Sulejman Musliu etj, të cilët i kënduan Medvegjës, Kosovës, Shqipërisë dhe këngë të bukura për unitetin kombëtar. Të gëzon fakti, se medvegjasit, në këto manifestime vijnë me familjet e tyre, e që është një gjest shumë i veçantë dhe me plot kuptim.
E Bleona e vogël, që kishte veshur për herë të parë veshjet kombëtare, duatrokitke dhe mezi priste të ngjitej në skenë. Ia bënte me dije përgjegjësve të shoqërisë, se edhe pse e vogël, ajo një ditë do të jetë aty në skenë duke vallëzuar e kënduar, por edhe recituar Medvegjës, e tokës shqiptare. Ajo ka një vit e ca muaj, por me shpirt është e madhe duke e kuptuar e parë, edhe babain Bashkimin dhe nënën Marigona, që po kontribuojnë në këtë shoqatë, pastaj gjyshin, gjyshen, stërgjyshin, stërgjyshen, dajtë, tezet e kështu me radhë. Trashëgim po i mbetet gjeneratave të reja, që të mos ndalen asnjëherë për të ruajtur traditën tonë, gjuhën e kulturën kombëtare.

SHHMedvegja2016-04
Kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja” Zenel Neziri, e hapi këtë jubile të 21 me radhë para të pranishmëve me këto fjalë: “ Përshëndetje të nderuar fëmijë, vëllezër e motra medvegjas, të nderuar bashkëkombas të të gjitha trevave shqiptare, miqë të dashur zviceranë, si kryetar i komunës, e deputetë. Mirëmbrëma dhe mirësekeni ardhur në këtë sofër të madhe me plot bereqet të Shoqatës Humanitare „Medvegja“. I vetmi manifestim që mbledh medvegjasit mërgimtarë në një vend, i vetmi eveniment, që njihen të rinjtë mes veti, i vetmi eveniment që bashkëbisedojmë sikur në ato tokat tona ku jemi lindur e rritur. Për besë të zotit, nga shpirti i falënderoj të gjithë që kanë kontribuar të organizohet ky koncert, kryesinë e shoqatës, anëtarët e shoqatës dhe donatorët, sponzorët tanë, që i kemi falënderuar dhe i falënderojmë për jetë të jetëve. Nuk besoj se ka fuqi që mundet të na ndaj neve medvegjasëve, ne vërtet mundemi të mos pajtohemi në shumë drejtime, por kur të vije më kryesorja, ne jemi një, jemi bashkë e bashkë do të jemi për jetë të jetëve. Falënderoj komunën e Fully, kryetarin e saj, të gjithë qytetarët zviceranë dhe banorët që jetojnë për rreth, që janë me ne dhe festojnë së bashku në çdo manifestim. Ne në emrin tuaj, i them Merci, Merci, Merci Fully, Merci Zvicër. Zoti ju bekoft dhe do të jemi me ju gjithnjë, prandaj Zvicra jo rastësisht për ne është edhe atdheu i dytë. Vëllezër e motra, ju që po na përkrahni edhe me prezencën tuaj, e di se pajtoheni, se në këto manifestime ne çmallemi me njëri tjetrin, duke e ditur, se jeta është bërë shumë dinamike, dhe e pamundur të vizitohemi shpesh, e ky manifestim po na bashkon e do na bashkoj edhe në të ardhmen.

Më lejoni ti falënderoj edhe njëherë e shumë hërë edhe këto shqiponja të Shoqërisë Kulturo Artistike Medvegja, prindërit e tyre dhe të gjithë ata që punuan dhe po punojnë, që kur po i shohim në skenë po kënaqemi.

E di, se nuk e keni pasur dhe nuk e keni të lehtë të organizoheni, se krejt puna është vullnetare, por ju keni fluturuar si shqiponja, kur është përmend Medvegja. Ata të rinjë e të reja, që nuk janë më pjesë e kësaj Shoqërie, e që kanë kontribuar, është mirë të afrohen, dhe të tjerë të rinjë e të reja, e të jemi edhe ne faktorë për organizime e pjesmarrje nëpër festa të ndryshme që mbahen në Zvicër, sepse kemi talentë të shumtë dhe mundësit i kemi për përgaditje. Asesi nuk harroj për ti falënderuar të gjthë ata që kanë kontribuar pak sado pakë për këtë shoqëri.

SHHMedvegja2016-05
Shoqata jonë ka emër, ka emër se qe 30 vjet po shërben për atdheun me ato forca që i kemi, edhe kryesitë e mëhershme kanë kontribuar por e do të kontribuojnë edhe kryesitë që do të vijnë pas nesh.

Ne duhet të jemi bashkë, ti lëjmë inatet, nëse janë të pranishme, për hatër të të rinjëve, sepse çdo punë që është bërë, nuk ka pas të bëj për emër, por vetëm për të mirën e Medvegjës. Jemi munduar që situatën aktuale në Medvegje ta përcjellim nëpër shumë vende të europës e deri në SHBA, me personalitete të ndryshme me ndikim. Nuk ishim e as që jemi me ndoj parti politike, partia jonë është Medvegja, është flamuri kuq e zi, ajo tokë, që sytë i ka nga ne, sepse ne jemi të fortë dhe mundemi të bëjmë shumë paqësisht. Vëllezër e motra, afrohuni në shoqatë më shumë, e dini se këtu nuk ka rroga, por historia do ta dëshmoj, dhe besoj se do jetë mirënjohës për të gjithë që kanë kontribuar. Nuk dua të ju marrë kohë, të vallëzojmë e këndojmë dhe nesër ejani në turnir. Koha si duket nuk po na mbanë si duam ne, por edhe kjo është një shenjë e mirë, se pas çdo vape vjenë një freskim e dasht perendia, që të vij freskia edhe në Medvegjën tonë. I falënderoj edhe mediat që kanë kontribuar dhe të gjithë veprimtarët anë e mbarë Zvicrës, që ishin me ne, duke u nis nga ambasadorë, konzuj, kryetar shoqatash, partish, e intelektualë të pavaruar. Edhe Medvegja është kuq e zi, perendia e bekoft Medvegjën, popullin shqiptarë, Zvicrën, SHBA-të dhe gjithë miqtë tanë ndërkombëtar. Gëzuar, e ju pafsha mirë e bashkë për hatër të flamurit tonë kombëtar kuq e zi, për hatër të gjuhës sonë amtare, për hatër të të parëve tanë. Vallzoni e këndoni, si dikur në Medvegjën tonë“. Më pastaj fjala iu dha edhe Selman Rexhepi, drejtor i shoqërisë „Shqiponjat e Medvegjës“ që veprojnë në Kosovë, e që kishte ardhur nga Kosova, pasi mbajti një fjalim përshëndetës, ai i dhuroi shoqatës Medvegja një mirënjohje për kontributin e tyre që e kanë dhënë e këtë mirënjohje e pranoi Zenel Neziri kryetar i shoqatës. Pas fjalës së z.Rexhepi me një përshëndetje të shkurtër, i përshëndeti edhe zonja Luljeta Deda nga Shoqëria Kulturo Artistike „Liria“ me qendër në Francë. Fjalën e mori edhe kryetari i komunës Fully, z.Eduar Felley, kuptohet duke potencuar, se ka respekt të veçantë për gjithë kryesinë e anëtarët e shoqatës, e padyshim edhe me kryetarin e kësaj shoqate z.Zenel Neziri. Ai ndër të tjera përmendi edhe golin e shënuar të Xherdan Shaqirit kundër Francës. Edhe z.Janik Bytte, deputet në Parlamentin e Zvicrës nga partia e CVP i përshëndeti të pranishmit. Programi festiv vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit me këngë e valle, nga këngëtarë të ardhur enkas nga Kosova, si Remzije Osmani dhe Nexhat Osmani. Z.Musa Neziri, Ismet e Fadil Selmani, Zejnullah Namani, Mevlan Thaqi dhe e gjithë kryesia e shoqatës ishin shumë të kënaqur me ecurinë e këtij programi dhe i falënderojnë të gjithë ata që po ndihmojnë në forma të ndryshme që të mos harrohet Medvegja, si mediet, e po ashtu edhe veprimtarët e tjerë, si dhe prindërit. Është vërtet për ta përshëndetur këtë organizim të Shoqatës Humanitare “Medvegja” dhe nuk do të ndalet asnjëherë për të rinjtë dhe të rejat, pra për gjeneratën e tretë dhe për Medvegjën. Ndërsa ditën e nesërme, pra të dielën, vazhdoi turniri në futboll të vogël, në të cilin morën pjesë mbi 30 ekipe nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe ekipe zvicerane.

Në orën 9:00 filloi edhe loja e parë në futboll të vogël dhe ndeshje pas ndeshje erdhëm deri në finale.

Gjatë tërë ditës ishte edhe freskët, e herë pas here edhe me disa rreze të diellit, bashkatdhetarët tanë patën mundësi të shohin ndeshje të mira. Sikur edhe vjet, edhe sivjet, fitues doli me plot meritë ekipi ‘Gejzeri’. Edhe referët, por edhe të gjitha ekipet pjesëmarrëse u ndanë të kënaqura me organizimin dhe lojërat e zhvilluara fer, e pa asnjë lëndim dhe kacafytje, siç jemi të mësuar shpesh t’i shohim nëpër stadiume të ndryshme në atdheun tonë. Në fund të këtij turniri u ndanë kupat e medaljet, të cilat i ndanë Zenel Neziri, Fadil Selmani, Zejnullah Namani. Medalje iu dhanë edhe lojtarit të më të mirë, edhe portierit, pastaj edhe referëve.
U falënderuan edhe sponzotët e këtij evenimenti.

Kryetari i shoqatës Zenel Neziri edhe një herë bëri thirrje që Medvegja të ndihmohet edhe më shumë nga të gjithë shqiptarët duke e ditur se në çfarë situate është ajo dhe mbylli këtë jubile të 21 të këtij organizimi sa sportiv-kulturorë dhe humanitarë. Në fund, pas këtyre dy ditëve plot aktivitete e takime të gjithë u ndanë edhe të lodhur, sidomos organizatorët, por të kënaqur me mbarëvajtjen e koncertit dhe turnirit, duke shpresuar, se ky manifestim do të mbahet edhe vitin tjetër dhe nuk do të ndalet asnjëherë. Koncerti dhe turniri që organizoi kjo shoqatë, edhe njëherë dëshmon, se në këtë shoqatë, ka pasur, ka e do të ketë gjithmonë veprimtarë, që nuk dorëzohen çfarëdo fortune që vjen apo atakohen dhe me shpirt e zemër janë në Medvegjë e për Medvegjë. / Përgatiti: Dashnim HEBIBI/

Fikret Limani: Do të reagojmë ndaj shpifjeve dhe nxitjeve të Sevdail Jakupit
Bujanoc: Prezantohet projekti "Me diturinë dhe proaktivitetin e të rinjëve deri tek vendet e reja të punës"
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration