Rainca e Preshevës: Mëhallët dhe toponimia
Lokale

Rainca e Preshevës: Mëhallët dhe toponimia

23.Aug.2014 11:19
0
E kaluara historike e fshatit Raincë lidhet me Biganocin, vendbanim  antic, nga i cili më vonë, një pjesë e popullatës së tij u shpërngul në fshatin e sotëm Raincë, ndërsa pjesa tjetër e popullatës u shpërngul në Luginë të Preshevës e më gjërë. Pra, vendbanimi Biganoc ishte paraardhës i fshatit Raincë.

Rainca - vendbanim i vjetër Dardan - Shqiptar në Rajonin e Preshevës - Pjesa II

Për fshatin Raincë, etimologjinë e emrit Raincë, për Mëhallët dhe toponiminë e tij kanë shkruar shumë studiuesë. Në këtë shkrim do të ndalemi në shkrimet e Jovan F. Trifunoskit lidhur me emrin Raincë dhe mëhallët e saja, në librin e tij: Karadaku i Kumanovës dhe i Preshevës, Beograd, 1951, si  dhe demantimet tona lidhur me këto shkrime.

Emri Raincës, sipas Trifunoskit, i ka mbetur nga themeluesi i fshatit që është quajtur Raja/ A. raja-ja f. arabisht raa’ya-tufë, kope, shtetas – turqisht reaya. 1.historikisht nënshtetas jo musliman në Perandorinë osmane, që nuk kishte të drejta 2.fig. a/ fshatar i varfër dhe i shtypur b/ njeri i nënshtruar, shërbëtor i dikujt, në f.592, në Fjalor Fjalësh dhe Shprehjesh të Huaja, Prishtinë, 1986 dhe B. raja tur./raijje/ 1. Në Turqi nënshtetasit, çifçit të krishterë. Prid. Rajin, rajinski, rajetin-i krishteri në Turqi, i cili është dashur të paguajë haraç, në Fjalorin e Madh të Fjalëve të Huaja, të Bratolub Klaiq, Zagreb, 1968, f.1104/, sipas të dytëve emri  Raincës i ka mbetur nga popullsia e nënshtruar “raja” dhe e treta, sipas fjalës serbe “raj” parajsë, sepse vendbanimi ka pasur pasuri dhe pozitë të volitshme gjeografike. Në të trijat variantat, Trifunoski toponimin Raincë e ka nxjerrë nga serbishtja dhe e dyta, sigurisht nuk ka dashur që emrin Raincë ta vendos në emrat e vendbanimeve shqiptare. Pra, pas vitit 1912 edhe toponimitë shqiptare janë përkthyer dhe janë futur si toponimi serbe në administratën serbe, në librat e katastrit, në hartat topografike, e tjerë, ndërsa shqiptarët nuk kanë lënë të dhëna me shkrim, por kanë mbajtur në mendje dhe përcjellur gojë më gojë, përçka edhe shumë emërtime janë harruar. 

Poashtu është e njohur se në Rajonin e Preshevës toponimet sllave janë shumë të pakta dhe kryesisht rrjedhin prej kohës së ardhjes së serbëve, prej vitit 1912, shkruan Hivzi Islami, në: E vërteta mbi Shqiptarët në disa vepra antropogjeografike, Dituria, nr. 1, Prishtinë, 1971, f.88.

Edhe studiuesi i njohur shqiptar Prof. Skender Rizaj e quan Raincën, RAINQA, në librin: Kaza Presova 1896/97, Vranje, 1968.

Hurdha, Rrethi, Pyllajt, Katundi, Murgash, Plepishte, Shtek, Gurishte, Fushë e Madhe, Lugina, Livadhe, Lithijat, Prroni i Keq, Guri Drangojt, Kodër Dreni, Ahishte, Vneshtë, Gropa, Çuka, ndërsa ne autorët po ia shtojmë edhe disa toponimi të fushës dhe malit të fshatit Raincë:Maxhja e Thatë,Kodra e Bungës, Lluga e Devës, Kolibja e Polakit, Prroni i Thive, Lugi i Mollave,e tjerë, dhe një sërë elementesh të tilla  vetëm përforcojnë mendimin se para sundimit turk, Shqiptarët  kishin krijuar një sistem të vetin toponimesh. Këtë e vërteton edhe dija jo fort e përparuar e onomastikës shqiptare.

Tekefundit, emrat e krijuar nga Shqiptarët në periodën e islamizimit kanë njëfarë vule turke, ndaj këtu s’u morën në shqyrtim.

Toponimia e kësaj ane ka edhe rëndësi metodologjike sa i përket studimit të emrave të vendeve me popullatë shumëgjuhësore. 

Në fund,vetëvetiu del ky përfundim: elementi shqiptar në toponiminë e Serbisë Jugore dhe të Maqedonisë së Veriut shënon ngjarjet me rëndësi shoqërore-historike që shënohen edhe në toponiminë e vendeve të tjera të banuara nga shqiptarët”./Rexhep Ismajli, Mbi disa toponime në Serbi të Jugut dhe në Maqedoni të Veriut, Gjurmime Albanologjike, nr.1-2, Prishtinë, 1970, f. 266-267/. 

Të gjitha këto argumente dhe të dhënat gojore të Haxhi Jakup Bajram Rexhepit për themelimin e fshatit Raincë e demantojnë plotësisht  Trifunoskin. 

Poashtu në këtë libër Trifunoski shkruan për dy Rainca, Raincën e Vogël, për të cilën  thotë se gjendet në jug të Raincës së Madhe. Pra është fjala për një Mëhallë të Muhaxhirëve, e cila ishte në përberje të Raincës së Madhe, por me ardhjen e disa familjeve serbe pas vitit 1912, Rainca e Vogël nuk është Mëhallë e Raincës së Madhe, por një vendbanim i vogël afër asaj Raincës së Madhe dhe se Mëhalla quhet serbe. Trifunoski qëllimisht shkruan për këtë vendbanim, për të theksuar se ka pasur popullatë serbe dhe se Rainca e Vogël ishte serbe. Në realitet kemi të bëjmë vetëm me disa familje që kanë ardhur pas vitit 1912. Edhe ate, Janevët, dy shtëpi, erdhën pas vitit 1912 nga Klinoci i Pçinjës, Deshiqët apo Tërniçanët, dy shtëpi, erdhën pas vitit 1912 nga Tërnica e Vranjës, Bogdanoviqët, dy shtëpi, erdhën pas vitit 1915 nga Tërnica e Vranjës, Stankoviqët, një shtëpi, erdhën pas 1912 nga Klinoci, pastaj Arseniqët, një shtëpi, erdhën nga Pçinja, Miteviqët, një shtëpi, erdhën nga Pçinja, Iliqët, një shtëpi, erdhën nga Bogosheva e Vranjës dhe Peshiqët, një shtëpi, erdhën nga Masurica, të gjithë pas vitit 1912 dhe të gjithë kolonista. Pra, me argument  shihet se popullata serbe është e ardhur shumë vonë, pas vitit 1912 dhe se nuk mund të qendrojë se emri Raincë ka prejardhje sllave.

Muhaxhirët erdhën nga rajoni i Vranjës, sipas Trifunoskit pas vitit 1878, ndërsa pas ardhjes së ushtrisë serbe, më 1912 ikën për Kumanovë dhe Turqi.

 

4.1.Mëhallët e fshatit Raincë

Në Raincë sipas Trifunoskit  janë këto mëhallë: Mëhalla e Rexhepëve, 16 shtëpi, të fisit Sop, Mëhalla e Mehajve, 21 shtëpi, të ardhur menjëherë pas Rexhepovitëve, Mëhalla e Hutunëve,17 shtëpi, të fisit Thaç, Mëhalla e Bakanëve,8 shtëpi, të fisit Thaç, Mëhalla e Ukajve, 10 shtëpi, Mëhalla e Tabakëve, 15 shtëpi, Mëhalla e Sylë Sefës, 4 shtëpi, të fisit Thaç, Mëhalla e Zenelëve, 14 shtëpi, të fisit Kryeziu,Mëhalla e Asllanëve, 11 shtëpi, të fisit Sop, të ardhur nga Mirasheci, Mëhalla e Garecëve,16 shtëpi, të fisit Shalë, të ardhur nga Garja dhe  Mëhalla e Selmanëve, 1 shtëpi, të fisit Kryeziu.

Poashtu Trifunoski shkruan për disa familje serbe, të ardhura pas vitit 1912 në Raincë, të cilat kanë ardhur me ushtrinë serbë dhe kolonista dhe për të cilat nuk do të bëjmë fjalë në këtë shkrim. “Edhe rrethina e Preshevës dhe Bujanovcit është kolonizuar , këtë J.Trifunoski gjithmonë e hesht në publikimet e veta. Mirëpo ai “gabon” kur përmend se pas 1912 dhe 1918 në fshatrat e këtyre komunavë, në Bilaç erdhën 121 familje serbe, në Samolicë 70 familje, në Bushtran 74, në Letovicë,54 familje serbe,në Raincë, 52 familje, e tj., më tepër nga Pçinja”./Hivzi Islami, E vërteta mbi Shqiptarët në disa vepra antropogjeografike, Dituria, nr.1, Prishtinë, 1971, f.82/

Këtë na vërtetojnë edhe vëllezërit  Tomisllav dhe Svetisllav Petroviq, në librin: Presevo, istorija i sudbina, Jagodina, 2009, ku i numërojnë në formë taksative, të saktë, familjet serbe të ardhura pas vitit 1912, në Preshevë, kryesisht nga Pçinja. Për këtë u vërtetuam edhe gjatë realizimit të projektit: Trashëgimia e Bujanocit është e jona” në komunën e Bujanocit, ku gjatë ekspeditave hulumtuese të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës hasëm në banorë të fshatrave të Malësisë së Bujanocit, të cilët na vërtetonin për shumë familje serbe të gjinisë që kanë shkuar në Preshevë pas viteve 1912/13 dhe se ata janë mbetur atje. Na vërtetonin me emra e mbiemra familjet e ndara që kanë mbetur aty dhe që kanë shkuar në Preshevë dhe në Bujanoc.

Mulla Xhemail Musliu i Raincës na numron këto mëhallë: Ukaj, Latifët, Memishët, Nallbanët, Hutajt, Garecët, Kasovitët, Rexhajt, Bakanët, Zenelët dhe Hutunët, në bisedë me autorët,më 30.09.2011.

Ndërsa Qani Rexhepi, ofiqar në Preshevë numron këto mëhallë: Mëhalla e Ukajve, Nallbanëve, Latifëve, Asllanëve, Mehajve, Kasovitëve, Hutunëve, Bakanëve, Garecëve, Rexhajve, Zenelëve, Bërçecëve dhe Mëhallën e Hutajve.në bisedë më 14.08.2014.

Autorët hulumtuan lidhur me mëhallët dhe erdhën në përfundim se në Raincë ekzistojne 14 Mëhallë.

4.1.1.Mëhalla e Ukajve është më e vjetra, e fisit Thaç. Me i vjetri nga kjo Mëhallë ishte Ukë Thaçi, i cili i pati 5 djemë. Mëhallë e Ukajve janë familjet Rexhepi, Limani, Jahiu, Musliu. Disa prej këtyre familjeve tashti jetojnë në Bujanoc e Shkup.Nga gjiri i Mëhallës së Ukajve u nda Mëhalla e Hoxhajve.

4.1.2.Mëhalla e Rexhajve, fisit Sop,i pari i kësaj mëhalle ishte Rexha/Rexhep/ Sopi, është Mëhallë e dytë përkah vjetërsia. Në këtë mëhallë bëjnë pjesë familjet Ymeri, Bajrami, Aliu, Jusufi, Salihu, Veliu. Disa nga familjet e Rexhajve jetojnë në Shkup, Preshevë. Në botën e jashtme janë nga familjet Bajrami, Hyseni, Aliu, Ymeri, Jusufi, Ramadani, Arifi dhe Veliu. Nga gjiri i madh i kësaj Mëhalle u formuan edhe tri Mëhallë, ajo e Hutunëve, e Mehajve dhe e Kasovitëve. 

4.1.3.Mëhalla e Kasovitëve, fisit Sop, i pari i kësaj mëhalle ishte Kasë Sopi. Nga Mëhalla e Kasovitëve janë familjet Kurdiu, Jusufi, Ymeri, Selimi, Xhelili dhe Xhaferi. Nga kjo Mëhallë shumë familje jetojnë në Prishtinë, Shkup, Gjilan, Prizren, Bujanoc dhe Preshevë. 

4.1.4.Mëhalla e Hutunëve, fisit Sop,  i pari i kësaj mëhalle ishte Hutun Sopi. Në këtë mëhallë bëjnë pjesë familjet Nuredini, Mehmeti, Limani, Sherifi dhe Sylejmani.Nga Mëhallaë e Hutunëve ishte Emin Aga në Perandorinë osmane që kishte pronë të madhe bujqësore në fshat. Disa familje nga kjo mëhallë jetojnë në Bujanoc dhe Prishtinë si dhe në botën e jashtme.

4.1.5.Mëhalla e Nallbanëve, fisit Thaç, i pari i kësaj mëhalle ishte Tabak Thaçi. Në këtë mëhallë bënin pjesë familjet Arifi, Ymeri, Sherifi dhe Kadriu.

4.1.6.Mëhalla e Latifëve, fisit Thaç,e cila u nda nga Mëhalla e Nallbanëve, kështu Latifi e kishte vëlla Ymerin e Nallbanëve. Në këtë mëhallë bëjnë pjesë familjet Latifi, Abdullahu, Zahiri dhe Iljazi.

4.1.7.Mëhalla e Asllanëve, fisit Sop, i pari i kësaj Mëhallë ishte Asllan Sopi. Kjo mëhallë erdhi në Raincë nga vendbanimi i vjetër dardan Mirashec afër Rahovicës. Në këtë mëhallë bëjnë pjesë familjet Halimi, Jahiu, Hasani, Veliu, Selimi, Jusufi dhe Fazliu. Pjesëtarë të këtyre familjeve jetojnë në Prishtinë, Kumanovë  dhe Bujanoc. Nga kjo mëhallë pati edhe Spahillarë, ishte Halim Spahiu,i cili pati shumë prona, por Hasani, djali i Halimit më vonë e humbi pasurine dhe humbi  titullin spahi.

4.1.8.Mëhalla e Hutunëve, fisit Thaç, i pari i kësaj mëhallë ishte Hutun Thaçi. Familjet e mëhallës së Hutunëve ishin muhaxhirë, të ardhur nga Prokupla, i dëbuar pas Kongresit të Berlinit nga shteti serb. Familjet e Mëhallës së Hutunëve janë: Memishi, Salihu, Halimi, Jusufi, Rexhepi, Veseli dhe Haliti. Nga këto familje jetojnë në Bujanoc, Preshevë, Prishtinë, por edhe të shpërngulur në Turqi.

4.1.9.Mëhalla e Mehajve, fisit Sop, i pari i kësaj Mëhalle ishte Meha Sopi, i cili kishte tre nipa. Kjo mëhallë u shkëput nga Mëhalla e madhe e Rexhajve.Familjet e kësaj mëhalle janë: Xhelili dhe Ibrahimi.

4.1.10.Mëhalla e Bakanëve, fisit  Thaç, i pari ishte Bakan Thaçi. Ishin dy vëllezër Sula dhe Limani, i pari mbeti në Raincë, ndërsa Limani shkoi në Letovicë.Djali i Sulës ishte Rama, ndërsa djali i Ramës Faza/Fazliu/. Faza kishte katër djemë:Ismaili, Kadriu, Sylejmani dhe Musa.Familjet e kësaj mëhalle janë Mustafa, Sylejmani, Kadriu,Salihu, Musahu dhe Hajredini.Shumë prej këtyre familjarëve jetojnë në Kumanovë dhe Kërçovë.

4.1.11.Mëhalla e Hoxhëve, fisit Thaç, i pari i kësaj Mëhalle ishte djali i pestë i Ukë Thaçit.Familjet e kësaj mëhalle janë:Memishi, Muharremi,Zeqiri. Disa nga këto familje janë shpërngullur në Kumanovë,Preshevë e gjetiu. Nga kjo mëhallë lindën hoxhallarë, andaj edhe emri i hoxhëve. Por i thërrasin edhe Mëhallë e Mirashëve.

4.1.12.Mëhalla e Zenelëve, i pari i kësaj mëhalle ishte Zenel Kryeziu,janë të ardhur nga Bërçeci.Mëhalla e Zenelëve është mëhallë territorial e jo gjinie, sepse në te jetojnë disa fise: Sopi, Gashi, Berisha dhe Kryeziu.Thuhet se këta janë të afërmë me Mëhallën e Alimetëve të Preshevës, që janë poashtu të fisit Sop. Familjet janë: Bajrami, Rashiti që jetojnë në Gjilan, Qerimi, Ymeri në Bilaç dhe Kumanovë. Gashët erdhën nga Rahovica, ndërsa Berishët nga Kurbalia.Në këtë mëhallë bëjnë pjesë edhe familjet Fazliu, Bajrami, Zymberi dhe Beqiri, pastaj Kadriu, Jahiu dhe Islami. Nga familja e Zenelëve ka pasur çausha. Ibrahim dhe Bajram çaushi.

4.1.13.Mëhalla e Garecëve, fisit Shalë. Familjet e Mëhallës së Garecëve erdhën në Raincë në vitin 1823. Familjet e kësaj mëhalle janë:Veseli, Shaqiri, Shabani, Maliqi, Jusufi, Sulejmani dhe Zeqiri.Shumë familje nga Garja, pos në Raincë u vendosën edhe në Bilaç, Preshevë, Letovicë, Leran dhe Rahovicë.

4.1.14.Mëhalla e Bërçecëve është mëhallë më e re në Raincë, janë të fisit Sop e Kryezi.Në Raincë erdhën nga Bërçeci, atu kah vitet 1960/61

 

4.2.Toponimia 

 

4.2.1.Fusha e fshatit Raincë

 
Pamje nga fusha e Raincës

Fshati Raincë ka një sipërfaqe të madhe të fushës, në lindje kufizohet me fushën e Somolicës, në veri me fushën e Letovicës, në perëndim me fshatin dhe malin e tij, ndërsa në jug me fushën e Corroticës. Fusha e Raincës është pjesë përbërëse e Luginës së Preshevës dhe të gjitha emërtimet janë shqiptare. 


Pamje nga fusha e Raincës

 

Fusha e Raincës përbëhet prej disa pjesëve dhe kanë këto emërtime:

1.Maxhja e Thatë,  2.Livadhet e Halitit, 3.Gjereni i Poshtëm, 4.Gjereni i Epërmë, 5.Livadhet e Zenelëve,  6.Bllata, 7.Isëbegu, 8.Kodra e Bungës, 9.Shelgjishta, 10.Vakëfi, 11.Lluga e Devës, 12.Buxhaki, 13.Kodra e Gjerenit, 14.Kolibja e Polakit.


Pamje nga fusha e Raincës

4.2.1.1.Maxhja e Thatë është pjesë e fushës së Raincës, për të cilën rrëfen Haxhi Jakup Bajram Rexhepi, i cili thotë se Maxhja e Thatë shtrihet ndër fshatin Raincë dhe se interesant është si ka mbetur emri. Kështu para 100 vjetëve ka qenë thatësi e madhe, do të thotë se gjatë verës nuk ka pasur reshje shiu dhe në mungesë të lagështisë nuk ka pasur të mbjellura bujqësore.

Duke mos pasur në ara bereqete, bujqit e arave, kësaj fushe në shenjë dëshprimi vendin, fushën e quajtën Maxhja e Thatë. Pra, në mungesë të bereqetit në ara, maxhet në shtëpi mbeten  thatë.

Bile, përshkak të thatësisë së madhe, jo vetëm që bereqeti nuk u bë, por edhe u shterrën krrojet, pusat dhe kështu banorët e Raincës në mungesë të ujit, i dërguan kafshët për t’i dhënë ujë në lumin Moravë, te Konçuli.

4.2.1.2.Livadhet e Halitit janë pjesë e fushës që shtrihet ndër shtëpitë e familjes Haliti. Emrin e marrin nga pronësia e familjes Haliti, pra quheshin Livadhet e Halitit.

Një pjesë e Livadheve të Halitit shfrytëzohen për ara dhe mbillen të lashtat aty. Toka është shumë pjellore dhe prodhon bollshëm bereqet.

4.2.1.3.Gjereni i Poshtëm ka marrë emrin në mbështetje të asaj se kjo tokë ka lagështi të madhë dhe si fjalë turke ka hy në përdorim. Gjereni i Poshtëm kufizohet me Gjerenin e Epërmë në perëndim, si dhe Zallinat dhe Livadhet e Zenelëve. Në veri kufizohet me rrugën lokale Raincë-Autoudhë, kurse në jug me Bllatën. Gjereni i Poshtëm është tokë me ara pjellore, ku mbillet misër, grur, perime e tjerë.

4.2.1.4.Gjereni i Epërmë është vazhdimësi e Gjerenit të Poshtëm dhe emrin e ka marrë sipas pozitës së epërme ndaj Gjerenit të Poshtëm. Edhepse ka marrë emrin sipas lagështisë, Gjereni iEpërmë ka më pak lagështi se i Poshtmi dhe këtu kultivohen kulturat bujqësore:gruri, misri, perime e tjerë.

4.2.1.5.Livadhet e Zenelëve shtrihen ndërmjet Zallinës, Bllatës dhe Gjerenit të Poshtëm. Kanë marrë emrin sipas pronarëve të livadheve. Këto Livadhe janë të grumbulluara në formë të një grope të madhe. Dikur këto livadhe ishin moçalike. Këtu është rritur kallami dhe shavari, të cilët janë përdorur për nevoja shtëpiake, tregtare e zejtare. 

4.2.1.6.Bllata ka marrë emrin sipas sasisë së baltës/bllatës/. Ajo kufizohet me livadhet e Corroticës, Bilaçit dhe Gjerenin e Poshtëm.Vendi Bllatë apo Livadhet e Bllatës kanë qenë vend me shumë baltë dhe ujë. Këtu është rritur kallami dhe shavari që janë përdorur për nevoja shtëpiake, tregti dhe zejtari.Tashti përshkak të thatësisë Bllata nuke ka at sasi balte dhe uji dhe përdoret më shumë për ushqim të kafshëve si bari.

4.2.1.7.Isëbegu shtrihet prej varrezave të Romëve deri te buzalluku i Dolëve. E quajnë  Isëbegu sipas pronarit të kësaj toke.

4.2.1.8.Kodra e Bungës ka marrë emrin sipas asaj se vendi ku gjendet ka qenë i veshur me drunjë prej bungu.Kodra e Bungës, në fillim është përdorur për kullosa, ndërsa më vonë, përshkak të nevojës së ushqimit njerëzor është lavruar dhe bë tokë pjellore.Kështu ka filluar të mbjellin grur, misër e kultura të tjera bujqësore.

4.2.1.9.Shelgjishta është tokë shumë pjellore, por me sipërfaqe jo shumë të madhe. Në këtë vend ka pasur shumë shelgje të kuqe, të cilat janë përdorur për  shporta.Nga shelgjet e shumta ka marrë edhe merin.

4.2.1.10.Vakëfi shtrihet ndërmjet Gjerenit të Epërmë dhe rrugës Raincë-Autoudhë. Ka marrë emrin sipas asaj së është pronë Vakëfi, pronë e Xhamisë, pronë e Bashkësisë islamë të Preshevës.

4.2.1.11.Lluga e Devës  ka marrë emrin sipas udhëtarëve dhe karavaneve me deva që kanë kaluar aty pari në kohëra të hershme dhe aty kanë pushuar  karavanet udhëtarësh me deva.

4.2.1.12.Buxhaki shtrihet ndërmjet livadheve të Somolicës dhe Hekurudhës, nuk ka shumë sipërfaqe, por është tokë pjellore. Për emërtimin nuk ka të dhëna.

4.2.1.13.Kodra e Gjerenit dikur ka qenë kullosë, me vonë u shdërrua në ara pjellore.Kodra e Gjerenit është vazhdimësi e Gjerenit, e cila në lindje kufizohet me Hekurudhën që i ndanë në dy pjesë, vazhdon deri te varrezat e reja të fshatit. Kjo kodër është pjesë e Kodrës së Madhe të Malit.Me kohë kjo kodër fillon të lavrohet dhe është ndarë në parcela pas vitit 1924/25, kur ndodhi reforma agrare. Tashti ajo mbillet me kultura bujqësore.

4.2.1.14.Kolibja e Polakit ka marrë emrin sipas kolibeve të Poleqëve.Kolibja është vendosur në pikën më të lartë, prej nga është vëzhguar e tërë rajoni i Raincës. Dikur ishte kullosë, por më vonë shdërrohen në ara të Kolibja e Polakit.

4.2.1.15.Zallinat kanë marrë emrin sipas pasurisë së arave me zallë.Këto në lindje kufizohen me Bilaçin, Negocin dhe Somolicën, në perëndim me Gjerenin e Poshtëm, në jug më Livadhet e Zenelëve, kurse në veri më një pjesë të atarit të fshatit Somolicë.Nëpër këtë fushë kalon rruga lokale Raincë-Autoudhë.

4.2.1.16.Osoja nuk ka hapësirë të madhe, por është pjellore. Nuk ka të dhëna për emrin e saj. Është vazhdimësi e Gjerenit të Epërmë dhe Kodrës së Gjerenit.

4.2.1.17.Kodra e Bllatës është vazhdimësi e Bllatës dhe vendin e ka marrë sipas kodrës së bllatës.Edhe kjo ishte kullosë, por më vonë u shndërrua në ara pjellore.

4.2.1.18.Tatarkat janë vazhdimësi e Kodrës së Gjerenit. Shtrihen prej Prronit të Muhaxhirëve deri në atarin e fshatit Corroticë.Dikur Tatarkat ishin kullosë, më vonë u shndërruan në ara. Dude i punuar dikush ka përsëritur që shpejt si tatarët t’i lavrojme dhe shpejt t’i mbjellim,sepse kjo tokë është e rrallë dhe humb lagështinë dhe shpejt duhet të lavrohet e mbillet, përndryshe thahet dhe bëhet e vështirë për punim.

4.2.1.19.Arat e Gata janë ato ara të gjata sipas të cilave edhe vendi ka marrë emrin Arat e Gata. Ashtu populli i quan në Raincë.Këto janë afët Buxhakit.

4.2.1.20.Livadhet e Bungës janë vazhdimësi e Kodrës së Bungës dhe kanë marrë emrin sipas pasurisë së drunjve bungu.Në lindje përkufizohen me Livadhet e Somolicës, ndërsa në perëndim me Kodrën e Bungës.

4.2.1.21.Kajsia është vazhdimësi e Kodrës së Bungës. Dikur ishte kullosë, ndërsa më vonë u shndërrua në ara pjellore.Ka marrë emrin sipas pemës kajsia që është rritur aty.

4.2.1.22.Arat e Tabakit shtrihen afër Çezmës së Bakanëve, kah rruga e poshtme e Bungës, te Dervishka.Emrin kanë marrë se arat kanë formën e tabakut. Dikur kanë qenë kullosë, më vonë janë shndërruar në ara pjellore.


Pamje nga fusha e Raincës

4.2.2.Mali i fshatit Raincë


Pamje nga mali i Raincës

Mali i fshatit Raincë shtrihet në një sipërfaqe të madhe, i cili në lindje kufizohet me vet fshatin Raincë, në jug me malin e Corroticës, Shoshajës së Epërme dhe Bukocit, në perëndim me malin e Garës, Bërçecit dhe në veri më malin e Letovicës.


Pamje nga mali i Raincës

Mali i Raincës është pjesë përbërëse e Maleve të Karadakut.Mali i Raincës ka tokë të butë dhe është i veshur mirë me drunjë të llojllojshëm.Po ka edhe bukuri natyrore, pra, ai është tërheqës për vizitorë. 

Para shumë viteve edhe ajo tokë e malit pa drunjë u mboll me pisha dhe akacie që sot janë bë drunjë të lartë e shfrytëzohen për nevoja të ndryshme të banorëve, por edhe më gjërë.


Pamje nga mali i Raincës

Mali  fshatit Raincë përbëhet prej shumë pjesëve dhe ka një begati të emërtimeve. Të gjitha toponimet janë shqiptare.Ato janë: 1.Lugi i Bugarëve, 2.Prroni i Koçakit, 3.Prroni i Gropave, 4.Prroni i Plepave, 5.Lugi i Ahit, 6.Lugi i Mollave, 7. Lugi i Gjonë, 8.Lugi i Vogël, 9.Lugi i Thellë, 10.Sharanpolli, 11.Osoja e Madhe, 12.Kodra e Ndërmjeme, 13.Gropat, 14.Prroni i Keq, 15.Prroni i Thive, 16.Loma e Sharkut, 17.Shpati i Rrasave, 18.Xhuxhat, 19. Gurët e Gatë dhe 20.Korrizi i Shkozës.

 4.2.2.1.Lugi i Bugarëve shtrihet mbi Mëhallën  e Muhaxhirëve dhe është i pasur më tepër me bung.

Ka marrë emrin sipas asaj se në këtë Lug janë vendosur ushtarët bullgarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.Banorëve në kujtesë i kambetur Lugi i Bugarëve. 

4.2.2.2.Prroni i Koçakit, për emrin e të cilit ekzistojnë dy legjenda: e para se Prroni ka marrë emrin sipas asaj se prroni ka formën e Koçakit, fenomen natyror dhe e dyta se në pjesë të malit gjuetarët kanë dalur për të gjuajtur dhe kanë vuar prita në formë të koçakit. Më së shumti kanë gjuajtur me koçak dhelpra dhe në gjueti kanë pasur shumë sukses.

4.2.2.3.Prroni i Gropave ka marrë emrin se vendi ka formën e gropave dhe se krejt vendi është me gropa. Andaj edhe quhet Prroni i Gropave. Prroni ka drunjë të lartë, por edhe kullosa.

4.2.2.4.Prroni i Plepave është vazhdimësi e Prronit të Gropave dhe në anën tjetër kufizohet me Ahishten apo Lugin e Ahit.

Vendi ka marrë emrin sepse ky prrua është përplotë me plepa të egër. Andaj edhe emri Prroni i Plepave.

4.2.2.5.Lugi i Ahit ka vend qendror në malin e Raincës.Në Lug kryesisht rritet Ahu, andaj edhe i gjthë lugu quhet Lugi i Ahit. Banorët e Raincës e quajne edhe Ahishtja sipas drurit që dominon në lug, ahut. 

4.2.2.6.Lugi i Mollave është vazhdimësi i Lugit të Ahit. Emrin ka marrë sipas asaj se lugu është i pasur me molla të egra. Mollat e egra, fryti i saj, më tepër shfrytëzohet për ilaç të uljes së tensionit të gjakut.

4.2.2.7.Lugi i Gjonë ka hapësirë të madhë malore, në lindje kufizohet me Lugin e Mollave, në perëndim me Lugin e Vogël. Emrin ka marrë sipas hapësirës së gjërë që ka lugu. Në Lugin e Gjonë ka drunjë të lartë, kullosa. Pos këtyreve, në Lugin e Gjonë ka vend edhe për lojëra të fëmijëve dhe të barinjëve.

4.2.2.8.Lugi i Vogël është vend malor me sipërfaqe dhe hapësirë të  vogël, andaj edhe banorët e fshatit e quajtën dhe emri i tij është Lugi i Vogël.

4.2.2.9.Lugi i Thellë ka një karakteristikë sepse pozita dhe forma e lugut është e thellë.Ai kufizohet në lindje me Lugin e Vogël, ndërsa në perëndim me Sharanpollin.

4.2.2.10.Sharanpolli, në mungesë të të dhënave, bile edhe banorët e fshatit të vjetër nuk dijnë si i ka mbetur emri.Sharanpolli është vazhdimësi e Lugit të Thellë dhe në perëndim shkon deri te Osoja e Madhe.Pos drunjëve është i pasur edhe me kullosa.

4.2.2.11.Osoja e Madhe shtrihet në sipërfaqe të madhe territorial, e cila në lindje kufizohet me Sharanpollin, ndërsa në perëndim me malin e fshatit Bukoc.Është një ndër pjesët më të mëdha malore. Në Osojë të Madhe rriten lisa të lartë dhe të trashë dhe  ka kullosa.Nuk ka të dhëna për emrin e saj. 

4.2.2.12. Kodra e Ndërmjeme është pjesë përbërëse e malit të Raincës dhe ka sipërfaqe të madhe tokësore. Kodra shtrihet në mes të dy lumenjve, në jug kufizohet me Lumin e Madh, ndërsa në veri me Lumin e Dragonjëve, në lindje shtrihet deri te Lisi i Xhemit, ndërsa në perëndim kufizohet me malin e fshatit Gare.Ka marrë emrin sepse gjendet në ndërmjet dy lumenjve, e ndërmjeme.

4.2.2.13.Gropat shtrihen përballë Lumit të Vogël. Ky vend malor është gropë, andaj emri i saj Gropat.

4.2.2.14.Prroni i Keq kufizohet me malin e Letovicës dhe Garës, në veri, ndërsa nëjug me Lumin e Vogël, me Gropat në lindje dhe me Prronin e Thive, në perëndim.Emrin e ka marrë se ka pozitë  dhe formë të keqe.Kështu gjatë kalimit banorët, por edhe barinjët kanë pasur vështirësi kalimi nëpër Prronin e Keq.

4.2.2.15.Prroni i Thive ka tërhequr vemendjen e shumë vizitorëve se ku gjendet Prroni i Thive.Ky vend është i njohur se ka qenë çerdhe e thive, ku janë larë dhe ku kanë ndejtur thitë.Andaj edhe emri i Prronit i Thive.

Prroni kufizohet më Prronin e Keq, në lindje dhe me malin e Bërçecit, në perëndim, me malin e Letovicës në veri, ndërsa në jug me Lumin e Vogël.Ky vedn është I pasur me derra të egër, andaj edhe është vend i volitshëm për gjueti. 

4.2.2.16.Loma e Sharkit gjendet mbi Prronin e Thive, deri në kufi me malin e Letovicës.legjenda tregon se Mustafë Sharku, pos që i ka vuar kufinjtë e fshatit Raincë, ai ka marrë duajë të grurit, i ka vuar në një vend, të cilin e ka quajtur  lomë, fshirjen e ka bërë këtu, andaj edhe ky, por edhe banorët e Raincës e kanë quajtur Loma e Sharkit.Njëkohësisht vendi Loma e Sharkit paraqet edhe nje kufi të fshatit Raincë kah Letovica.

4.2.2.17.Shpati i Rrasave ka një sipërfaqe tokësore në formë të rrasave, andaj edhe emri Shpati i Rrasave.Shpati shtrihet përskaj Lumit të Vogël deri te Kodra e Bagremave.Edhe pse quhet Shpati i Rrasave të gurit, me herët është mbjellë me pisha.

4.2.2.18.Xhuxhat shtrihen që nga Lumi i Vogël deri te Shpati i Rrasave dhe Prroni i Veselit.Më herët ky vend ka qenë i mbjellur me drunjë bungu, shkoze, e tjerë, ndërsa më vonë është mbjellë me bagrema. Në këtë vend barinjët kanë luajtur një lojë të njohur xhuxhat, andaj edhe emri i ka mbetur Xhuxhat.

4.2.2.19.Gurët e Gatë gjenden afër shtëpivë të Banushëve të Bërçecit.Banorët e fshatit tregojnë legjendën e dy palë krushqëve që janë takuar në rrugën e vendit Gurtë e Gatë dhe asnjëra krushqi nuk e ka lëshuar rrugën. Aty janë përleshur dhe nuk ka mbetur asnjë gjallë. Në vend të tyre kemi Gurët e Gatë. Të gjithë gurët janë të gjatë, pos gurit qe simbolizon daullen e krushqive që është i rrumbullakët.

4.2.2.20.Kurrizi i Shkozës shtrihet në një sipërfaqe te vogël tokësore dhe në formë të kurrizit, ku prej drunjëve më tepër rritet druri shkoza. Andaj edhe emrin e mori Kurrizi i Shkozës. Kurrizi shtrihet prej Mullirit të Hajdarit, përskaj Lumit të Vogël deri te Prroni i Veselit.

 

 

REFERENCAT

 

 

1.Trifunoski, Jovan F., Kumanovska-Presevska Crna Gora, Beograd, 1951

2.Ndreca, Mikel, Fjalor Fjalësh dhe Shprehjesh të Huaja, Prishtinë, 1986 

3.Klaic, Bratoljub, Veliki recnik stranih rijeci, Zagreb, 1968

4. Islami, Hivzi, E vërteta mbi Shqiptarët në disa vepra antropogjeografike, Dituria, nr. 1, Prishtinë, 1971

5. Ismajli, Rexhep, Mbi disa toponime në Serbi të Jugut dhe në Maqedoni të Veriut, Gjurmime Albanologjike, nr.1-2, Prishtinë, 1970

6. Petroviq,  Tomislav, Svetislav, Presevo, istorija i sudbina, Jagodina, 2009

7.Të dhëna për fushën e fshatit Raincë, të shënuara nga autorët, në bisedë me Haxhi Jakup Bajram Rexhepin nga Rainca, më 1988

8.Të dhëna për malin e fshatit Raincë, të shënuara nga autorët, në bisedë me Haxhi Liman Hasan Limani nga Rainca, më 02.10.2011

9.Të dhëna për Mëhallët, të shënuara nga autorët, në bisedë me Mulla Xhemail Musliu nga Rainca, më 30.09.2011

10.Të dhëna për mëhallët, të shënuara nga autorët në bisedë me Qani Rexhepi nga Rainca, më 

14.08. 2014

11.Rizaj, Skender, Kaza Presova 1896/97, Vranje, 1968.

 

 

                                                                   -vazhdon-

 

 

Shkruajnë: Xhemaledin SALIHU&Vebi FAZLIU

 

Preshevë, më 22 gusht 2014

"Pa kufi" në Luginë, artistët përmbyllën koloninë e tyre, merr pjesë edhe ministri Makolli (foto)
Vrasësi i preshevarit në Zvicër: Mos u tutni se u kry
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration