Ju udhëheqës të pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile të Luginës!
Lokale

Ju udhëheqës të pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile të Luginës!

04.Feb.2016 18:58
0
Që nga ardhja e sistemin pluralist në këto anë, shqiptarët në përgjithësi, e ju liderë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë në veçanti, jeni përçarë dhe e keni ndarë popullin e shkretë sa që ka ardhur një moment kur edhe simpatizantët e subjekteve tuaja nuk flasin në mes vete. Madje madje ka të tillë që edhe pse janë të së njëjtës familje, nuk flasin me njëri tjetrin. Kjo, krejt shkaku juaj!

Shkruar nga : Fidan N. Shaqiri;

Kam bindjen që ka edhe shumë të tjerë që mendojnë se ju duhet të uleni dhe t’i lëni anash inatet tuaja, dëshirën e madhe për pushtet dhe përçarjen e popullit. Edhe ashtu jemi të harruar nga të gjithë. Ju lutem, mos na harroni edhe ju për egon tuaj! Qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë nevojë për një unifikim të faktorit politik në Luginë (Kosovë Lindore). Mos m’u ankoni se nuk po bën asgjë Kosova dhe Shqipëria.

Vetëm ndaluni një moment ju liderë të opozitës. Për një çast mos e mendoni ardhjen tuaj në pushtet, por mendoni çfarë do të ndodhte nëse do të bëheni bashkë. Dhe ju liderë që e keni pushtetin, a ka mundësi që t’i bëni thirrje të gjithë atyre që janë në opozitë, të uleni së bashku dhe të kërkoni zgjidhje sa më të mirë për mirëqenien e qytetarëve. Nëse them se duhet të jepni dorëheqje të gjithë ju liderë të të gjitha partive politike, e kam parasysh që kjo (për ju! ) do të ishte e pamundur, sepse do të krijohej një vakum politik (sipas jush!). Prandaj bëhuni bashkë!

Besoni se jemi lodhur me këto inate tuaja personale, dhe me komplekset tuaja egocentrike. Jemi lodhur me “bërrylat” që i fusni ndër qytetarët tuaj. Jemi lodhur me sjelljet tuaja diletante që po i shfaqni qoftë në publik qoftë edhe në takime interne. Madje edhe në takime me ndërkombëtarë, ju i shfaqni inatet që i keni me oponentët tuaj, dhe kështu jepni një mesazh shumë të keq. Kështu krijohet përshtypja që në Luginë ju jeni bërë “PIKË E PESË”.

Prandaj, jeni aty ku jeni dhe qysh jeni, provoni që të mos e përçani më qytetarin që ju mbajti gjatë aty ku jeni. Askënd mos e akuzoni, sepse kur fillon të akuzosh dikë,  do të kuptohet që nuk jeni për punë, por për fjalë. Dhe ky quhet “DËSHTIM”. E shqiptarët në Luginë vazhdimisht po dështojnë, kurse ju po vazhdoni ta injoroni njëri-tjetrin.

Ju udhëheqës të pozitës, opozitës dhe shoqërisë civile të Luginës!

Nëse dikujt provoni t’ia mbushni mendjen se këto veprime janë të drejta, gaboheni! Manipulimi me masën sot është pjesë e pandashme realitetit socio-politik. Dhe pikërisht sa më shumë që ju shajnë e ju kritikojnë, ju mendoni se jeni më të vlefshëm, më aktual, dhe vetë vlerësoheni si një personalitet, sepse mendoni se jeni më aktual në media. Kjo do t’ju rrënojë dhe bashkë me juve do ta shkatërrojë edhe pjesën tjetër të shoqërisë që e përfaqësoni.

E në anën tjetër, shoqëria civile ( që për mendimin tim as që ekziston! ) që e ka harruar Luginën, po bën sehir, duke u munduar “të zgjidhë” probleme regjionale e globale. Ajo vazhdimisht akuzon çdo veprim të qeverisjes lokale , kurse nuk është në gjendje të flet për ndonjë ide që do t’i paraprijë zgjidhjes së problemeve në Luginë. Madje si për ironi, shpesh rithekson që qytetarët në Luginë akoma nuk janë të politizuar.

Me sa po arrij të kuptoj, ju të nderuar udhëheqës të subjekteve politike në Luginë, dhe ju shoqëri civile, duke mos pasur një platformë të qartë për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve (pozitë e opozitë), vazhdimisht po e devijoni diskursin e problemeve dhe çështjeve të rëndësishme, duke akuzuar njëri-tjetrin për të pabërat, për mos punë dhe duke nënçmuar punët që janë bërë.

Duhet ta kemi të qartë të gjithë se strategjia e degradimit nga shteti serb për këto vendbanime nuk është e sodit. Për ta bërë të pranueshme nga shqiptarët këtë degradim, duhet një periudhë jo më pak se dhjetë vjet. Dhe pasi të kalojë kjo periudhë, është e kuptueshme që do të futemi në akuza të ndërsjella mes vete.

Dhe sa më shumë që po afrohen zgjedhjet në Serbi, aq më shumë po rritet toni i akuzave. Madje këto akuza po e tejkalojnë edhe fushatën e zakonshme parazgjedhore. Në media elektronike dhe sociale (sepse gazetat janë harruar tashmë), udhëheqës dhe aktivistë të subjekteve politike në Luginë kanë filluar të përdorin edhe fjalë të ulëta kundër njërit apo tjetrit subjekt. Diçka nuk shkon! Ose kanë urdhra nga lart, ose përnjëmend situata është acaruar deri në atë nivel sa që nuk do të mund të kontrollohet masa me këtë devijim.

Dy lloje të liderëve mbahen në mend gjatë historisë: ata që e zhvilluan vendin e vet, dhe ata që e shitën atë!

Prandaj, bëhuni bashkë dhe gjeni zgjidhje afatgjate për Luginë, ose vazhdoni ta rrënoni atë, duke i ndihmuar armiqtë që përmes jush ta realizojnë qëllimin përfundimtar ( boshatisjen e Luginës).

Vendosni se cili lider dëshironi të bëheni!

P.S. Nëse e merrni këtë mesazh si një qytetar i rëndomtë, do ta kuptoni më mirë!

Zgjedhjet parlamentare dhe pjesëmarrja e Luginës në këtë proces
Presheva në alarm nga qentë endacak, kërkohet qendër strehimi
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration