Çamëria e dytë dhe shuarja e heshtur e Luginës së Preshevës
Lokale

Çamëria e dytë dhe shuarja e heshtur e Luginës së Preshevës

24.Nov.2015 15:45
0
Në Kosovë kjo zonë quhet edhe "Kosova lindore"; vetë serbët e quajnë Serbia e jugut, ndërsa Shqipëria me Luginën e Preshevës, ca më gjatë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, e ka "vrarë veshin" më shpesh kur pas luftës së Kosovës, në skenë doli UÇPMB.

Ushtria Çlirimtare me inicialet e tre krahinave nuk pati suksesin e shpresuar; shumë ujëra kanë rrjedhur dhe kjo zonë periferike e trevave shqiptare në Ballkan përmendet tek-tuk, e pastaj zhytet sërish në harresë. Për shembull, kur qeveria jonë vendosi të çojë ca dhjetra mijëra euro ndihmë për ngritjen e një spitali; kur kryeministri Rama kaloi me makinë andej pas “bujës së Beogradit” dhe vizitës së tij të shumëkomentuar.

Por të bisedosh me Shqiprim Arifin, e kupton shumë shpejt se Presheva, Medvegja e Bujanoci janë shumë më tepër se disa tituj shtypi me sfond patriotik dhe flamujt që valaviten. Dhe për fat të keq, me kalimin e kohës kanë për të qenë shumë pak e në fund, hiç fare. Po, sepse krahina po tretet, po pakësohet, po asimilohet, po lihet enkas në prapambetje dhe varfëri nga shteti serb, pavarësisht (ose më saktë, pikërisht për arsye të) rëndësisë strategjike të zonës dhe potencialeve të saj të mëdha.

Shqiprim Arifi, një 40 vjeçar i rritur në Gjermani, është rikthyer në atdheun e vet dhe në muajin maj të kaluar i është bashkuar nismës për krijimin e një partie të re politike në Luginë. Të re në shumë kuptime, por jo se nuk e do elektoratin “e moshuar”.

“Themeluam Alternativën për Ndryshim”, thotë Shqiprimi, kryetar i Alternativës, me të cilin kemi bërë një bisedë të gjatë në Tiranë para disa ditësh, “ka qenë një nevojë e kohës dhe një kërkesë e madhe nga shumë të rinj  dhe të reja të Komunës së Preshevës”. Sipas tij, popullsia e pakësuar, e margjinalizuar dhe jo rrallë e manipuluar nga dinozaurët e politikës lokale shqiptare të cilët laj-thaj, bëjnë ligjin për rreth dy dekada në këtë cep “të Ilirisë së Sipërme”; nuk sheh më perspektivë nga partitë aktuale. Përtej politikës, gjithsesi, Shqiprimi bën një pasqyrë tronditëse të gjendjes në Luginë, duke u rënë (sado me skepticizëm) kambanave për ata që kanë veshë; për faktorin politik e institucional në dy shtetet shqiptare.

Ja ç’biseduam me Shqiprimin:

-Interesimi fillestar erdhi nga kërkesa e madhe që hasëm si në terren, edhe në diasporë; një dëshirë për të ndërruar gjendjen politike dhe prej këtej, edhe jetesën dhe kushtet e shqiptarëve në Luginë. U angazhuam tek Alternativa pasi po ndihej fort mentaliteti demode nga vetë popullata, që kërkon të lëvizin gjërat më në fund. E veçanta e ALTERNATIVËS  është se nuk është shkëputje nga një parti aktuale në Preshevë. Pra kryesisht (por jo ekskluzivisht) janë të rinjtë dhe të rejat të cilët kanë materializuar kërkesën për një ndryshim në skenën politike të Preshevës, me një parti të re në plot kuptimin e fjalës. Të  gjithë anëtarët janë qytetarë të  Luginës së Preshevës. Edhe në diasporë themelimi i partisë ka ngjallë një interes të madh, ku menjëherë janë krijuar Këshillat Iniciues edhe për degët e partisë jashtë. Deri tani është pritur shumë fuqishëm dhe janë shënuar 5000 anëtarë. Në zgjedhjet e ardhshme lokale (Prill/Maj 2016) pretendojmë të tregojmë forcën tonë në pushtetin lokal.

-Cila është panorama e forcave politike shqiptare që në vend; cila ka qenë sjellja e tyre gjithë këto vite?

Aktualisht në Komunën e Preshevës funksionojnë 4 parti (Partia Demokratike Shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Bashkimi Demokaratik i Luginës) dhe një Grup Qytetar i cili nuk ka funksionalitet. Çështja është se këto parti paraqesin në veprimin politik, një mentalitet postkomunist, ex-jugosllav, dhe kanë rrjedhur të gjitha nga njëra-tjetra; si shumica e partive tona që ndahen në copa…

Shqiprim Arifi 

-Sepse drejtuesit e tyre nuk konfliktohen për interesa personale…

-Pikërisht. Dhe ata në përplasje e beteja të ngushta me njëri-tjetrin, kanë sjellë që Komuna e Preshevës ka papunësinë me të madhe në Serbi me 75%; që popullata në vazhdimësi është  shpërngulur; pastaj kanë stopuar çdo investim të mundshëm për shkak të korrupsionit të theksuar, pastaj kanë prodhuar një Komunë joprofesionale me njerëz pa kualifikim të duhur nëpër institucionet e saj (vetëm e vetëm sepse janë militantë të Partisë)…

-Shqipërim, e thua me habi të madhe këtë të fundit, apo jo…

-Jo jo, e di që këto janë dukuri mbarëshqiptare. Ashtu siç janë punimet e infrastrukturës së Komunës që çdo 3-5 muaj bëhen nga e para…

Por ama, gjithë kjo histori ka zemëruar e dëshpëruar njerëzit; këta politikanë nxitën dhe

bojkotimin e Regjistrimit të Popullatës së 2011, çka dëmtoi vetë shqiptarët.

Pse?

-Sepse me atë numër popullsie që doli nga censusi, Buxheti i Këshillit Nacional është zvogëluar, këshilltarët e saj janë pakësuar, Gjygji Themelor (Gjykata) është larguar. etj. Tani, paramendoni me jetu në një Komunë ku nuk ka Gjygj themelor, ku egziston vetëm një Bankë e Serbisë (të gjitha të tjerat janë larguar për shkak të politikëbërjes konfliktuale ndaj Rep. së  Serbisë), ku nuk ka ujë të pijshëm në qytet dhe menaxhim të mbeturinave që nga koha e Millosheviqit; ku nuk ka vende pune, por edhe ato të cilat egzistojnë nuk janë të mjaftueshme për të ndërtuar një të ardhme të mirë; ku me një shi ndërpritet furnizimi me rrymë për disa orë dhe mbushen rrugët me ujë; ku arsimi është politizuar dhe notat jipen sipas përkatësisë  partiake, ku spitali më i afërt është  40 km larg, në një Komunë Serbe (eksluzivisht me mjekë serbë të korruptuar), ku rrethohesh nga kufij të cilët shkaktojnë udhëtime më të gjata (sepse në disa kufij nuk lejohen të kalojnë qytetarët) dhe harxhime më të  shumta, ku punësimi bëhet  në  baza partiake, ku vjidhet buxheti i komunës, ku bizneset e vogla nuk egzistojnë më, ku varesh vetëm prej Diasporës (me remitancat, si i thoni ju), ku vite me radhë është gënjyer qytetari që do të ketë Shqipëri të Madhe apo përmirësim të gjendjes, etj.!

 

-Përshkrim i zymtë…

-Kjo është reale. Paramendoni këtë dhe tash pyetni veten: A kishit jetuar në këtë vend? Së paku a kishit mundur të paramendoni të jetoni në kësi lloj Vendi?
ALTERNATIVA pikërisht erdhi si shtysë reaguese ndaj kësaj situate. Të përpiqet t‘i sjellë qytetarit tonë të Preshevës gjërat bazike të jetesës, para se të gënjejmë dhe t‘i premtojmë  atë që është shumë larg dhe nuk na përket neve ta realizojmë.

 

– Po çfarë ka ndodhur me popullsinë shqiptare të zonës përgjatë viteve? Kam parasysh zhvendosjet, ndryshimet e raporteve kundrejt serbëve dhe së fundi, rezultatet e çuditshme të censusit të popullsisë siç the më lart?

-Këto fenomene që i cekëm kanë shkaktuar tek popullata kërkimin e një rrugëdaljeje. Kuptohet, pikë së pari kanë kërkuar zgjidhje për veten e vet jashtë vendit. Janë shpërngulur në disa vende europiane ku kanë kërkuar azil apo qëndrojnë në të zezë dhe punojnë ashtu. Ka pasur edhe ndarje familjare, pra babai është shpërngulur dhe ka lënë mbrapa fëmijët dhe nënën. Kjo për fëmijët shkakton edhe pasoja psikologjike. Të gjitha këto kanë sjellë dëshpërim të madh dhe paralelisht edhe shpërnguljen masive. Shembull: Shpërngulja konkrete është më e theksuar në Medvegjë, ku tashmë nuk janë më shumë se 500 shqiptarë të regjistruar!!! Këtu Qeveria e Serbisë ndjek një plan, që politikanët shqiptarë për shkak të përçarjeve dhe interesave të tyre individuale dhe grupore, nuk i kundërvihen. Qeveria Serbe unifikon ata serbë në këtë Komunë me një Listë të përbashkët zgjedhore. Kjo është njëra, kurse tjetra është se i çregjistron nga vendbanimi ata shqiptarë të cilët gjinden përkohësisht jashtë vendit. Edhe pse kanë Numër Personal dhe Dokumentet e posaçme, Qeveria e Serbisë i çregjistron për të zvogëluar numrin e banorëve në këtë trevë, dhe kështu pra, edhe numrin e votuesve.

 

-Kështu e humbëm Medvegjën?

– Pikërisht. në Zgjedhjet e fundit kjo qasje ka sjellë që Pushteti Lokal tash është absolutisht nën udhëheqjen e komunitetit serb. Këtë qasje Serbia ka me e përdorë edhe ndaj Bujanocit në zgjedhjet Lokale 2016. Në Preshevë këtë mundësi konkrete nuk e posedon, pasi serbët në Preshevë janë vetëm 3%. Gjithsesi kjo qasje vjen edhe pse Faktori Politik Shqiptar është i përçarë; por edhe sepse disave pothuajse i konvenon një qasje e tillë e Qeverisë.

 

-Po atëherë “po i biem në qafë kot” Serbisë...

-Për këtë arsye ALTERNATIVA mendon se pikë së pari i ka fajet faktori shqiptar, due sjellë një situatë të cilën tani Qeveria Serbe e shfrytëzon teknikisht dhe jo konform Kodit Evropian dhe Etik.

 

peticioni per gjykaten

-Si e gjykon vëmendjen, nëse ka të tillë, të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare ndaj Preshevës? A janë lidhur faktorët ekzistues politikë në Preshevë me forca të caktuara, duke bërë lobime të ngushta dhe personale?

-Duhet të kuptojnë të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet tona, se paraqitja e Preshevës tek shqiptarët anembanë Botës nuk është ashtu si duket në të parin shikim. Për të kuptuar duhet të qendrosh në Preshevë disa ditë dhe të komunikosh me njerëzit. Edhe unë si i lindur dhe i rritur në Gjermani, pasi që jam shpërngulur në Preshevë me gjithë familjen, pas gjysmë viti e kuptova thellësisht gjendjen dhe problemet e vërteta të Preshevës. Qeveritë tona në Shqipëri dhe Kosovë pikë së pari nuk informohen realisht për problemet tona. Herë vjen njëra Parti në vizitë dhe anatemon gjithçka për tjetrën, pastaj vjen tjetra Parti. Është një konfuzion që Partitë e Luginës krijojnë tek qeveritë tona dhe në media. Më herët gjithashtu ka egzistuar një kohë ku ka pasur lobime të ngushta nga PDSH-ja me Sali Berishën. Por ato kanë qenë vetëm në fushën e Listës së Studentëve të Preshevës për në Fakultetin e Mjekësisë.
Gjithashtu qasja e Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë e kufizuar për arsye se e kanë ditur se të gjitha partitë politike në Preshevë janë të lidhura dhe kanë rrjedhë nga njëra-tjetra. Nuk kanë pasur opsion tjetër cilësor për të bashkëpunuar dhe për t‘i paraqit problemet vërtet ashtu si janë dhe jo me prapavijë interesash personale.
-Çfarë synoni ju me këtë iniciativë politike?

ALTERNATIVA synon që së pari të përfillen kërkesat bazike të Qytetarëve të Luginës së Preshevës. Po përmirësove jetesën në atdhe, mandej të tjerat vijnë me rradhë. Ama nëse nuk e bëre dhe njerëzit ikin, nuk ke më atdhe.

Menaxhimi profesional i Komunës me një staf profesional të papolitizuar; ndërtimin e një tjetër forme të komunikimit me Qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës, Qeverinë Serbe dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Nëpërmjet kësaj synojmë që të sjellim një tjetër atmosferë të bashkëpunimit me gjithë faktorët për të ndryshuar gjendjen në Preshevë. ALTERNATIVA synon që të japë një kontribut konstruktiv në procesin e integrimit të Republikës së Serbisë në BE, për shkak se pikërisht ne preshevarët jemi të parët shqiptarë ne BE dhe të gjitha të drejtat dhe kërkesat si minoritet në Serbi, duhet të realizohen. Gjithashtu synojmë që të sjellim investitorë të shumtë në Luginë të Preshevës. Në këtë formë mbrojmë substancën tonë Shqiptare në Luginë dhe sigurojmë një jetë cilësore pikë së pari për qytetarin tonë shqiptar, por edhe për komunitetin Serb dhe Rom.

 

Shqiprim, sado larg na duket nga Tirana, në hartë bie në sy pozicioni kyç i Luginës. Cila është vlera reale gjeografike dhe ekonomike, dhe si mund të potencohet ajo?

-Pikë së pari, pasi që jemi të parët Shqiptarë në Procesin e Integrimit në BE, ne paraqesim një mundësi konkrete për bizneset dhe investitorë nga Shqiperia dhe Kosova. Struktura juridike dhe infrastrukturore nëpërmjet këtij Procesi është e sigurt për të investuar në Preshevë dhe për të shijuar në të ardhmen të gjitha mundësitë ekonomike të tregut të madh të BE-së, në favor të produkteve shqiptare dhe kosovare. Pozita gjeografike krijon një mundësi shumë të favorshme, pasi që Presheva gjindet në Autostradën kryesore të ndërlidhjes mes Europës dhe Azisë. Njëkohësisht në Preshevë gjindet edhe linja hekurudhore kryesor mes Evropës dhe Azisë. Sipas statistikave shtetërore serbe në këtë Autostradë kalojnë mbi 11 milion turistë në Vit! Gjithashtu është edhe vendkalimi kryesor për mallrat Europë-Azi-Europë me kamionë, pa e ditur saktë se sa transportohen me tren. Pasi që papunësia është përafërsisht 75%, edhe rrogat tona janë një faktor i rëndësishëm për të tërhequr investorë. Presheva në Jugosllavi ka qenë një komunë me më së shumti fabrika prodhuese në gjithë Jugoslavinë. Kështu që ka infrastrukturë dhe staf profesional në Preshevë. Gjithashtu edhe rinia jonë, mbi 95% kanë të kryer fakultete të fushave të ndryshme…

Me të gjitha sa ju thashë, për fat të keq mungon vullneti Politik si Lokal, Qëndror dhe më larg. Kështu që ALTERNATIVA ka shumë punë për të bërë.

 

-Shqiprim, flasim pak për një lajm të kohëve të fundit. Si qëndron çështja e bazës ruse në Preshevë, në mos e kam gabim?
-Kryeministri Vuçiç në shtator ka qenë në “Shopping-Tour” në Rusi, ku ndër të tjera ka siguruar për vendin e vet disa armatime ushtarake. Nga burime ende jo të konfirmuara kanë biseduar gjithashtu edhe për blerjen e një Sistemi mbrojtës Raketor (me një rreze prej 400 km), të cilën kinse po planifikojnë të instalojnë në Luginë të Preshevës.
Ju duhet ta dini, se nga 2009 ekziston Baza Ushtarake më e madhe në Serbi, “JUG” në Luginë të  Preshevës. Dmth ne kemi një koncentrim të forcave ushtarake në Luginë të Preshevës nëpërmjet kësaj Baze ushtarake masive. Nuk është diçka e re për neve shqiptarët këtu, por hyn në vazhdën e gjërave negative që shqiptarët e Luginës së Preshevës janë duke hequr prej para dhe pas Luftës së Kosovës.
Ka dy momente këtu:
E para, flirti i Qeverisë së Serbisë me Pan-Sllavizmin e Rusisë, (Serbia, i vetmi shtet në Balkan ka marrë pjesë para disa muajsh në manovrat ushtarake në Rusi me emër Vëllaznia Sllave).
E dyta, procesi i integrimit të Serbis në BE dhe marrëveshja e synuar mes dy Popujve më të mëdhenj në Ballkan (Shqiptarët dhe Serbët), ku Serbia përdor kartën e negociatave me Kosovën në Bruksel për të ngadalësuar këtë proces dhe kështu pra për të krijuar fakte politike në Rajon, ndër të tjera në Luginë të Preshevës.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës në këtë lojë gjeostrategjike mes BE-së, Amerikës dhe Rusisë në Ballkan bëhen prapë viktimë e politikës dhe kohës. Shqiptarët si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni duhen të vetëdijësohen për këtë zhvillim me përmasa gjeopolitike dhe të lënë anash inatet dhe lojrat e tyre partiake. Në të kundërt, nuk është çudi që në Luginë të Preshevës, në plan afatgjatë të prodhohet një Çamëria II”.
Me çfarë teme do që ta mbyllim?

-Të falenderoj, kisha një mesazh të fundit: Të gjithë shqiptarë ku do që gjinden, ju lutem nga thellësia e zemrës, që të kuptoni se Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë peng i disa grupeve të caktuara të cilët partiakisht na sundojnë. Mos e mvarni interesin tuaj, sidomos ekonomik nga këto grupe. Mos të ndodhë me Preshevën e njëjta si me Çamërinë dhe Medvegjën. PATRIOTIZMI më i madh në këtë kohë është, me krijuar vende pune dhe zhvillim në Luginë të Preshevës./gazetadita/

Bujanovac, 23. novembra 2009. - Vojna baza

Baza ushtarake serbe “JUG” në Bujanoc

Vdiq veprimtari arsimor dhe kulturor Hasim Nuhiu, varrimi në Preshevë
Nëntë vite në krye të QSA-së, Lejlan Sadiku jep dorëheqje
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration