Rivalitetet brenda shqiptare, pengesë e jetësimit të të drejtave në Luginë
Intervista

Rivalitetet brenda shqiptare, pengesë e jetësimit të të drejtave në Luginë

30.Jul.2014 12:54
0

Me legjislacionin aktual në fuqi, Këshilli Kombëtarë Shqiptarë mund të kontribuoj pjesërisht në zhvillimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit të gjuhës, ka vlerësuar Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës. Kamberi gjatë një interviste dhënë Portalit Informativ-TITULLI ka thënë se KKSH gjatë këtyre katër viteve të funksionimit energjia është konsumuar shumë në rivalitetet dhe koketimet e fshehta midis KKSH-së dhe pushteteve lokale, veçmas lidhur me çështjet e drejtorëve të shkollave, ngaqë kur kishte mundësi dhe kur nuk rrezikoheshin shumë interesat e brendshme të blloqeve rivale, konflikti politik shpërfaqej me procese procedurale dhe ligjore reciproke, duke lobuar në Qeverinë e Serbisë kundër tjetrit, ndërsa në rastet kur kishte interesa të përbashkëta, atëherë jetësoheshin marrëveshjet e fshehta “xhentëlmene” midis krerëve të pushtetit lokal dhe atyreve të KKSH-së, sidomos në Preshevë.

 

Kohën e fundit keni organizuar një tryezë ku keni diskutuar për të arriturat e Këshillit Kombëtarë Shqiptarë në fushat e caktuara të veprimit. Sipas jush, cila është gjendja reale në këtë institucion?

Kamberi: Tryeza është organizuar në kuadër të projektit “Këshilli Kombëtar dhe unë”, të cilin e implementon Këshilli për të Drejtat e Njeriut, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, të akredituar në Beograd. Ky projekt realizohet ngase mendojmë se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve vendorë nuk kanë ende njohuri të mjaftueshme, për kompetencat dhe rolin e Këshillave Kombëtare, si institucione të krijuara për zhvillimin e të drejtave të minoriteteve në Serbi. Nëpërmjet aktiviteteve të tij, projekti ka për qëllim që ta sensibilizoj dhe ta njoftoj më shumë opinionin lidhur me kuadrin ligjor, kompetencat dhe mekanizmat; që ndërlidhen me veprimtarinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Njëherësh, kam megjithatë përshtypjen se Këshilli Kombëtar Shqiptar është glorifikuar dhe nënvlerësuar njëkohësisht nga politikanët vendorë, për motivet e tyre të brendshme politike. Së pari, ai nuk duhet të perceptohet sikur një institucion i cili do ta zgjidhë çështjen e shqiptarëve në Preshevë; Bujanoc dhe Medvegjë. Beogradi zyrtar, aktorët ndërkombëtarë dhe partitë politike vendore shqiptare; të cilët e kanë mbështetur KKSH-në, për arsye të ndryshme, e kanë mbivlerësuar shpeshherë KKSH-në. Mirëpo, Beogradi zyrtar e ka mbështetur dhe sabotuar paralelisht. Shteti serb e ka mbështetur KKSH-në, aq sa i është nevojitur për politikat e saja,  por e ka sabotuar dhe margjinalizuar, që të mos avancohen të drejtat kolektive të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Pjesë e kësaj politike janë edhe përpjekjet e fundit të Beogradit zyrtar për t’i minimizuar edhe më shumë kapacitetet financiare e përfaqësuese të KKSH-së, duke e përdorur bojkotin e regjistrimit të popullsisë nga shqiptarët lokal si argument dhe pretekst legjitimues. Nëpërmjet KKSH-së vërehet se Beogradi zyrtar vazhdon të parandaloj dhe pengoj çdo proces, që mund t’i tejkaloj përmasat e të drejtave individuale të shqiptarëve. Nëpërmjet pengesave “burokratike”, apo edhe nëpërmjet mbështetjes politike, financiare dhe institucionale; që Beogradi i jep të dy krahëve politik rival shqiptar, në nivele të ndryshme të pushteteve simbolike të tyre; ai i ruan të faktorizuar simbolikisht të dy taborrët, pa i faktorizuar politikisht asnjërin prej tyre. Shteti serb e ka minimizuar KKSH-në,  duke ushqyer, thelluar dhe ndihmuar rivalitetin e tyre me pushtetet lokale; të ndihmuar (pa)vetëdijshëm nga drejtuesit e partive politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të etur për ta shkatërruar njëri-tjetrin politikisht, qoftë edhe me ndihmën e Beogradit “armik”.

Sidoqoftë, realisht, me rendin e tanishëm kushtetues dhe me kuadrin ligjor në fuqi; pushtetet lokale, por edhe KKSH-ja, si të tilla, nuk munden me i zgjidhur çështjet jetike të të drejtave kolektive të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Gjithashtu, buxheti simbolik i KKSH-së nuk krijon shumë mundësi për realizimin e synimeve të proklamuara të tij. Kësisoj, KKSH-ja ka përfunduar si një institucion me legjitimitet të kufizuar politik, me kapacitete të mangëta financiare dhe profesionale, si dhe kryesisht në shërbim të politikave të të dy partive politike që e përbëjnë atë. Nga ana tjetër, partitë politike shqiptare, të cilat nuk kanë marrë pjesë në procesin e themelimit të KKSH, siç e kanë artikuluar veprimin, arsyetimin dhe qëndrimin e tyre politik për bojkotimin e KKSH-së, kanë nënkuptuar se e kanë mohuar dhe nënvlerësuar KKSH-në, vetëm për nevojat e tyre partiake, në emër të kufizimeve ligjore dhe buxhetore. Thjesht, ato subjekte politike kanë qenë të orientuara për ta ruajtur ose për ta fituar pushtetin lokal, aty ku kishin hapësira më të favorshme për t’i dominuar rivalët e tyre politik shqiptar dhe sepse në vetëqeverisjen lokale, ka më shumë kapacitete financiare dhe pushtetare, sesa në KKSH.

Gjatë këtyre katër viteve, në vend se të kishim një politikë e cila do të përqendrohej në zhvillimin e KKSH-së në funksion të avancimit të të drejtave që parashihen me legjislacionin përkatës në fuqi,  energjia është konsumuar shumë në rivalitetet dhe koketimet e fshehta midis KKSH-së dhe pushteteve lokale, veçmas lidhur me çështjet e drejtorëve të shkollave, ngaqë kur kishte mundësi dhe kur nuk rrezikoheshin shumë interesat e brendshme të blloqeve rivale, konflikti politik shpërfaqej me procese procedurale dhe ligjore reciproke, duke lobuar në Qeverinë e Serbisë kundër tjetrit; ndërsa në rastet kur kishte interesa të përbashkëta, atëherë jetësoheshin marrëveshjet e fshehta “xhentëlmene” midis krerëve të pushtetit lokal dhe atyreve të KKSH-së, sidomos në Preshevë.

Problematikën e kanë komplikuar edhe më shumë Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat kanë krijuar politika dualiste dhe mjegulluese, si me KKSH-në ashtu edhe me pushtetet lokale, sidomos rreth politikave arsimore; në emër të “barazpeshës” politike dhe respektimit të legjitimitetit politik të institucioneve përkatëse. Fatkeqësisht, politikat e Shqipërisë dhe Kosovës ndaj çështjes së KKSH-së kanë vërtetuar sërish mungesën e një vizioni të tyre politik ndaj proceseve të përgjithshme politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Edhe me këtë rast, Shqipëria dhe Kosova kanë reflektuar mungesë serioziteti dhe profesionalizmi, përkatësisht mungesën e një strategjie politike shtetërore, që do të duhej të ndiqnin politikat lokale shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Pra, katër vite pas themelimit të KKSH-së, ndonëse mund të thuhet se tanimë janë vendosur themelet e brishta të këtij institucioni, megjithatë mund të thuhet se nuk janë shfrytëzuar sa duhet mundësitë e kufizuara ligjore dhe buxhetore të KKSH-së, për t’i avancuar paksa më shumë të drejtat kolektive të shqiptarëve, si nga ana e partive politike shqiptare, të cilat marrin pjesë në këtë institucion, që nuk arritën ta ndërtojnë atë, si një institucion më efikas dhe më gjithëpërfshirës politikisht dhe profesionalisht; ashtu edhe nga subjektet e tjera politike, të cilat me bojkotin e tyre, nuk arritën të krijojnë politika, që do të ndikonin në përmirësimin e mangësive dhe diskriminimeve ligjore, lidhur me të drejtat kolektive të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.   

      

Këtë vit janë paralajmëruar zgjedhjet për këtë organ të pakicës shqiptare në Serbi, a prisni që pjesëmarrja e partive politike në këtë proces do të jetë me e madhe në krahasim më zgjedhjet e kaluara.

Kamberi: Ka gjasa që kësaj herë, partitë politike të cilat e bojkotuan KKSH-në, të marrin pjesë në zgjedhje. Nga bojkoti i tyre inert, jo vetëm se nuk përfituan asgjë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës,  por edhe ato si subjekte politike, nuk patën realisht asnjë përfitim politik. Mbase në raste të caktuara, edhe ishin të varura nga KKSH-ja (partitë rivale të tyre). PDSH-ja dhe PD-ja, si subjekte që drejtojnë qeverisjet lokale në Preshevë dhe në Bujanoc kanë nevojë për më shumë pushtet nëpër institucione lokale arsimore, për ta konsoliduar edhe më shumë pushtetin e tyre me prirje absolutiste, që për momentin, pamundësohet edhe nga KKSH-ja e tanishme - që qeveriset nga rivalët politik të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH) - ngaqë gëzon kompetenca të caktuara, në procesin e zgjedhjes dhe emërimit të drejtorëve në institucionet lokale arsimore. Tani që e kanë vërejtur se mënyra e bojkotit të tyre nuk ishte frytdhënës për interesat e tyre, ato mund të marrin pjesë në zgjedhje, aq më tepër që tani në skenën konkurruese zgjedhore për KKSH-në është edhe Partia Demokratike (PD) e Nagip Arifit - atëbotë pjesë përbërëse e PVD-së së Riza Halimit - tashmë formalisht aleat pragmatist i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) të Ragmi Mustafës.

Por, zgjedhjet e KKSH-së mund edhe të rikonfigurojnë pozicionimet e tanishme të dy blloqeve politike, zyrtarisht rivale, ngase zgjedhjet për KKSH-në janë edhe “pararendëse” të pozicionimeve të ardhshme politike për zgjedhjet lokale, më të rëndësishme për subjektet konkurruese politike. 

Një mundësi që nuk duhet përjashtuar për zgjedhjet e KKSH-së është një marrëveshje jozyrtare midis PDSH-së dhe PVD-së në Preshevë, që do të rezultonte me bojkotin e sërishëm të PDSH-së me argumente fiktive politike, që do të siguronte një mandat të ri të PVD-së në qeverisjen e KKSH-së, me bekimin e heshtur të PDSH-së. Një marrëveshje e tillë do ta garantonte vazhdimin e ruajtjes së gjendjes aktuale të ndarjes së heshtur të pushtetit në Preshevë midis PDSH-së pushtetare dhe PVD-së opozitare, që mund të konsiderohet si më joshëse për të dy partitë dominuese lokale, të cilat nuk shohin interes nga konflikti i hapur politik midis tyre, nga frika se mund të humbin gjithçka nga pushtetet simbolike që zotërojnë. Në këtë rast, PD-ja e Nagip Arifit nuk do të të kishte ndonjë rol të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme të KKSH-së dhe pushteti aktual në KKSH nuk do të kishte sfidues të vërtetë në zgjedhje.   

Ndërsa, në rast se të gjitha partitë relevante marrin pjesë në zgjedhjet e KKSH-së, që do të ishte politikisht më pozitive dhe ku do të zyrtarizoheshin alternativat parazgjedhore midis dy blloqeve, kjo do të ishte edhe një test dhe një mundësi për të dy blloqet, që t’i qartësojnë fuqitë e tyre të tanishme elektorale dhe që të (para)ndërtojnë aleancat dhe ofertat eventuale politike, që do të mund të sfidoheshin në zgjedhje lokale.

Prandaj, më shumë se ndonjë synim për zhvillimin e KKSH-së dhe avancimin e të drejtave kolektive shqiptare nëpërmjet legjislacionit të mangët në fuqi, realisht diskriminues, interesi klientelist i partive dominuese politike shqiptare për thellimin e partizimit të tyre absolut të institucioneve lokale – në rastin e KKSH-së, të institucioneve lokale arsimore - do të ishte arsyeja kryesore, që do të mund të ndikonte në pjesëmarrjen e mundshme më gjithëpërfshirëse politike në procesin vijues zgjedhor për KKSH-në; aq më shumë që në kushtet e tanishme të thellimit të varfërisë dhe të papunësisë; institucionet publike arsimore lokale, mbeten një nga sektorët e paktë, ku partitë politike shqiptare munden ende të punësojnë ndonjë votues të tyre, qoftë edhe me çmimin e degradimit të mëtejmë të institucioneve arsimore në gjuhën shqipe. E mira e kësaj pjesëmarrje gjithëpërfshirëse do të ishte që KKSH-ja do të kishte së paku më shumë legjitimitet politik. E keqja do të jetë se ajo pjesëmarrje, me mendësinë aktuale të mendimit dhe të veprimit politik, nuk do të ndikoj në përmirësimin e efikasitetit, zhvillimit dhe profesionalizimit të KKSH-së.    

     

Sa është i rëndësishëm funksionimi i Këshillit kombëtarë Shqiptarë në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit të gjuhës.

Kamberi: Me legjislacionin aktual në fuqi, KKSH-ja mund të kontribuoj pjesërisht në zhvillimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit të gjuhës. Kjo nuk është shfrytëzuar sa ka qenë e mundur, për arsyet e sipërmendura. KKSH-ja nuk mjafton si mekanizëm për t’i zgjidhur problemet e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit të gjuhës, porse ai mund të ndihmoj këto procese. Lidhur me këto fusha, problemi nuk është KKSH-ja, por rendi kushtetues serb me ligjet e ndryshme, që burojnë nga kjo kushtetutë. KKSH-ja është një institucion i pamjaftueshëm, por që mund t’i ndihmoj proceset për të cilat ka kompentenca, aq më shumë, nëse KKSh-ja nuk do të sabotohej nga shteti që nuk e do avancim të të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe nuk do të degradohej nga vetë partitë politike shqiptare për interesat e tyre.

  

Çka e shqetëson më së shumti KDNJ-në lidhur me këtë proces?

Kamberi: Fakti se KKSH-ja është instrumentalizuar nga të gjitha palët, për interesat e tyre të brendshme. KKSH-ja nuk është institucion që zgjidhë çështjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai mund të ndihmoj dhe duhet të shfrytëzohet si i tillë. Por, problemi është se ka tendenca të shmanget esenca e problemit, modeli kushtetues i Serbisë, që pasohet edhe me organizimin e tanishëm territorial dhe politik të shtetit, si dhe me modelin ekonomik të politikave shtetërore; të cilat nuk garantojnë të drejtat e duhura për komunitetet minoritare etnike, sociale etj.; por as zhvillim ekonomik për rajonet e margjinalizuara. Nuk është tejkaluar logjika dominuese se shteti serb i takon vetëm serbëve. Pikërisht qasja ndaj joserbëve, përfshirë edhe shqiptarët, ilustron vështirësitë e modernizimit të shtetit serb dhe diskriminimin e tij shtetëror. Përderisa në njërën anë, Kushtetuta e Serbisë, si dhe legjislacioni përcjellës, nuk mundësojnë avancimin e mjaftueshëm të të drejtave të komuniteteve joserbe në Serbi, në anën tjetër, papjekuria e spektrit politik shqiptar është gjithashtu ajo që nuk e mundëson avancimin e mjaftueshëm të të drejtave të shqiptarëve. Në thelb, politika shqiptare shërben, para së gjithash, për interesat e përfaqësuesve të saj, e jo për interesat e atyre që përfaqësojnë. Prandaj, spektri politik shqiptar i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ka një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë për dështimet e procesit politik të nisur pas përfundimit të konfliktit të armatosur midis forcave të sigurisë serbe dhe kryengritësve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Një proces që ka dështuar në realizimin e të gjitha synimeve të saja kryesore.

 

Sa jeni të kënaqur me rezultatet në fushën e informimit,  dhe si e shihni rolin e medias shqiptare të Luginës në këto procese kryesisht rolin e Portaleve Informative?

Kamberi: Informimi në gjuhën shqipe nuk paraqet ndonjë përjashtim me sferat e tjera shoqërore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë ato degradohen dhe mediokrizohen profesionalisht e kulturalisht. Personalisht kam përshtypjen se gazetaria në gjuhën shqipe ishte më cilësore para disa vitesh sesa sot. Sot kemi më shumë mediume në gjuhën shqipe dhe më shumë mungesë profesionalizmi, si problem parësor i tyre. Shumësia dhe konkurrenca mediatike nuk prodhuan cilësi profesionale. Përkundrazi. Janë shtuar edhe më shumë varësia financiare dhe kontrolli politik e ekonomik. Nga ana e tyre, mediat komunale, të themeluara nga Kuvendet Komunale dhe të financuara me paratë e taksapaguesve, kanë marrë trajta tragjikomike. Tragjike për nga niveli i tyre i servilizmit ndaj pushtetarëve dhe komike për nga niveli i tyre profesional. Mbase, mediumet përkatëse do të ishin një temë e mirë studimore për studentët e nesërm të gazetarisë. Thjesht, këto media do të ishin për mëshirë, nëse nuk do të kishin ndikim jashtëzakonisht negativ në dezinformimin dhe në mediokratizimin kulturor masiv shoqëror, të cilin po e përhapin në mendimin kolektiv vendor. Ndoshta më së miri do të ishte që veprimtaria e tyre të pezullohet përkohësisht, deri në ristrukturimin dhe reformimin e tyre,  gjë që nuk ka gjasa të bëhet tani për tani, duke e marrë parasysh mendësinë e vendimmarrësve politik, që parapëlqejnë t’i shfrytëzojnë ato për propagandat e tyre qesharake politike me tipare provincialiste dhe komplet patetike. Politikanë, që nuk ngurrojnë të urdhërojnë jashtë çdo procedurave, përjashtimin e gazetarëve nga mbledhjet, ku ata marrin vendime të karakterit publik. Ky është vetëm një shembull më eklatant i mendësisë dhe nivelit të politikanëve lokalë shqiptarë, që dominojnë skenën lokale institucionale, të cilët nuk kanë njohuri dhe ndjeshmëri për informimin dhe median bashkëkohore. E mos të flasim për shtetin, që si alternativë për mediat “publike”, po propozon privatizimin e tyre, që në rastin më të mirë mund të përfundojnë në media “à la Pink”-ut serb, me përmasa dhe karakteristika lokale.

Mediat private në gjuhën shqipe kanë gjithashtu probleme të theksuara profesionalizmi, por më shumë për shkak të mangësive financiare, sesa për shkak të ndikimit direkt nga politika dhe nga qarqet e ndryshme të “biznes-mafia-politikës”, e që edhe kur mund të jetë i pranishëm, ai ndikim realizohet kryesisht përmes flirtimeve dhe joshjeve financiare. Personalisht, mendoj se portalet mund të jenë alternativa më e mirë për zhvillimin e një gazetarie profesionale dhe luftimin e (vetë)censurës, por vetëm nëse ato arrijnë të sigurojnë burime vetanake të financimit, që ndonëse është mision i vështirë, ai është parakusht themelor për zhvillimin e mëtejmë të një gazetarie më objektive, hulumtuese, emancipuese dhe kritike,  më se të domosdoshme në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.  

Kamberi: Bisedat informative në Bujanoc, qëllim frikësimin...do të njoftojmë ndërkombëtarët
Kamberi: Vuçiqi ishte skandaloz
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration