Shoqëria civile në Preshevë ende pa ndikim në jetën publike e shoqërore (Foto & Video)
Lokale

Shoqëria civile në Preshevë ende pa ndikim në jetën publike e shoqërore (Foto & Video)

04.Sep.2015 01:13
0
Edhe pse me numër më të vogël se në Bujanoc, shoqatat e qytetarëve në Preshevë ballafaqohen pothuajse me të njejtat probleme, siç janë mungesa e strategjisë dhe mosorganizimi i përbashkët e tyre. Kjo sipas përfaqësuesve të këtyre shoqatave, ndikon që gjendja e shoqërisë civile të mos jetë në nivel të kënaqshëm dhe ky sektor të mos ketë ndikimin që e ka në shoqëri në vendet me demokraci të zhvilluar.

Sa i përket mbështetjes nga pushteti lokal në Preshevë për shoqatat e qytetarëve, kjo komunë për këtë vit ka ndarë mjete dyfish më pak se në vitin e kaluar.

Fatmir Azizi, kryetar i komisionit për konkursin e shoqatave të qytetarëve pranë komunës së Preshevës, thotë se për dallim nga vitet e kaluara kur këto shoqata kanë marrë mjete drejtpërdrejtë nga buxheti komunal, këtë vit komuna ka shpallur konkurs.

“Në këtë vit me rregulloren e re të ligjit mbi sistemin buxhetor, kemi qenë në njëfarë mënyre të detyruar të shpallim konkurs. Në vitin 2014 për organizatat joqeveritare i kemi ndarë dy milionë dinarë, e ato organizata kanë qenë nga komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Vranjës. Në vitin 2015 është hera e parë që kemi shpallur konkursin dhe kemi ndarë gjithsej një milion dinarë. Kanë konkuruar gjithsej 12 aplikues dhe shtatë prej tyre i kanë përmbushur kriteret e konkursit. Në konkursin e këtij viti kanë pasur të drejtë të aplikojnë vetëm organizatat nga komuna e Preshevës, kurse vlera më e vogël që do të përfitojnë do të jetë 50 mijë e vlera më e madhe 200 mijë dinarë”, shprehet Azizi për portalin informativ Titulli.

“E dijmë se këto mjete nuk mjaftojnë por besoj që viteve tjera të ndajmë shuma më të mëdha sipas mundësive buxhetore”, shton Azizi.

Si edhe komunat tjera, edhe komuna e Preshevës ka Zyrën për të Rinj, e cila kohëve të fundit është mjaftë aktive, sidomos me ndihmat që i ofrojnë refugjatëve që kryesisht vijnë nga Siria.

“Si rezultat i fluksit të madh të refugjatëve që po kalojnë në vendin tonë kemi filluar aktivitete që të ndihmojmë refugjatët, ne fillimisht si grup joformal i të rinjëve kemi filluar t’i ndihmojmë me ujë, pije, gjëra ushqimore e veshmbathje të siguruara nga donatorët lokal. Ndërsa, nga data 8 gusht si rezultat i bashkëpunimit tonë të frytshëm me UNHCR-në, kemi krijuar staf që merret me organizimin e bartjes së refugjatëve nga fshati Miratoc deri tek qendra e pranimit në Preshevë”, thotë Agon Ajeti, përfaqësues i Zyres për të Rinj në Preshevë.

Ajeti thotë se “Zyra për të Rinj është shumë aktive me projekte të ndryshme që nga themelimi në vitin 2009, kryesisht me të rinjë. Kemi realizuar projekte të ndryshme me të rinjtë siç janë kampanja vetëdijësuese, aksione rrugore dhe projekte tjera”.

Sipas tij, për projekte kjo zyre kryesisht aplikon tek ministria e rinisë dhe sporteve por edhe në organizatat vendore e ndërkombëtare.

Ajeti thotë se buxheti i zyres për të rinj këtë vit është dyfishuar si rezultat e angazhimeve të tyre nga vitet e kaluara, ndërsa lidhur me bashkëpunimin, ai thotë se “Zypër të Rinj në Preshevë bashkëpunon dhe kemi pasur projekte të përbashkëta me zyra të ndryshme nëpër Serbi, siç janë zjo e Uzhices dhe Bosilegradit, ndërsa bashkëpunim shumë të mirë kemi me zyrën për të rinj në Bujanoc”.

Organizata më aktive joqeveritare në Luginë të Preshevës është Qendra e Solidarizimit dhe Avancimit - QSA me seli në Preshevë, dhe që ka zyrat e saj në diasporë, si në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e Austri, si dhe në Kumanovë të Maqedonisë.

Kjo organizatë prej vitit 2007 kur është themeluar ka realizuar shumë projekte humanitare,sociale e edukative, si projekti “Bukë dhe shpresë”, ndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë në muajin e Ramazanit dhe për Bajram, ka ndihmuar fëmijët bonjakë dhe shumë projekte tjera.

Në mesin e projekteve të rëndësishëm është edhe ndërtimi i 11 shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale.

“Ne këtë projekt e kemi filluar në vitin 2009, kur një familjeje në fshatin Dobrosin i kemi ndërtuar shtëpinë. Kemi qenë të parët në Luginë që e kemi implementuar këtë projekt. Kemi vërejtur se në Kosovë ndërtoheshin shtëpitë por ka ekzistuar një skepticizëm se me kapacitetet tona lokale në provincë nuk mund të arrijmë të realizojmë një projekt të këtillë. Falë kontributit të bashkëqytetarëve tanë, bashkatdhetarëve, kompanive lokale, me një organizim nëpërmjet QSA-së, ne kemi arritur deri më tani të ndërtojmë 11 shtëpi”, thotë për Titullin, Xhelal Hasani, menaxher administrativ i organizatës Qendra e Solidarizimit dhe Avancimit – QSA në Preshevë.

Sipas tij, QSA është themeluar në vitin 2007 si rezultat i nevojave dhe gjendjes në shoqërinë tone, pasi themeluesit e kësaj shoqate kishin hasur në familje që janë përballë me ekzistencën.

Sa i përket financimit ai thotë se projektet e QSA-së financohen nga bashkëqytetarët, kompanitë lokale, bashkëatdhetarët, siç shprehet ai, meqenëse kanë ndërtuar një organizatë me kuptimin e plotë të fjalës kanë arritur të sigurojmë edhe partnerët që në mënyrë konstante  nëpërmjet projekteve mbështesin aktivitetet e tyre.

Lidhur me gjendjen e shoqërisë civile në Luginë të Preshevës,  Xhelal Hasani e vlerëson si jo në nivel të kënaqshëm.

“Thjeshtë mungon një organizim, një trupë e përbashkët që do të themelohet nga këto organizata, që në këtë mënyrë nuk do të vepronin në mënyrë individuale kur vjen punë për të ngritur zërin për një fenomen të caktuar apo për të ndërmarrë aktivitete të përbashkëta. Në Luginë nuk ka të zhvilluar dialog institucional për të trajtuar tema dhe fenomene të ndryshme. Këtu mungon shoqëria civile, e cila reagon vetëm në formën e artikujve nëpër vebfaqe”, thotë Hasani.

Ai shton se ata kanë ndërmarrë një iniciativë për të bërë një unifikim të OJQ-ve, për të forcuar zërin e tyre dhe për të ngritur nivelin e ndikimit në shoqëri.

Përveç QSA-së, një organizatë që shquhet me aktivitete të ndryshme humanitare e kulturore është Shoqata kulturore “Dituria”, me seli në Preshevë, por që ka edhe zyren në Bujanoc, e themeluar në vitin 2002.

“Shoqata Dituria ka dy segmente të aktiviteteve, segmenti kulturor dhe ai humanitar. Gjatë kohës së konflikteve në rajon, kemi qenë mjaftë aktiv me aktivitete humanitare, ndërsa kohëve të fundit jemi fokusuar në aktivitete kulturore, megjithëse së fundmi kemi dhënë një kontribut modest në ndihma refugjatëve që po vijnë kryesisht nga Siria. Në tre vitet e fundit në mënyrë logjistike ndihmojmë nxënësit që dëshirojnë të studiojnë në Turqi, pasi në lokalet e shoqatës mbi 150 kandidatë i kanë bërë aplikimet, kurse para ca kohësh kemi botuar edhe revistën shkencore informative “Freskia”. Nëse arrijmë të gjejmë ndonjë donacion planifikojmë që ky botim të jetë i vazhdueshëm edhe në të ardhmen”, thotë Nexhmedin Ademi, kryetar i shoqatës kulturore Dituria.

Projektet e Diturisë, sipas Ademit, financohen nga donatorë të ndryshëm, siç është një organizatë qeveritare turke, pastaj nga diaspora, e cila, siç shprehet ai, ka dhënë kontributin edhe në momentet më të vështira, edhe për çështje kombëtare.

Sa i përket gjendjes së sektorit civil, Nexhmedin Ademi thotë se në Luginë të Preshevës zëri i shoqërisë civile po vazhdon të mbetet i heshtur.

“Popullata jonë nuk po arrin një kulturë të vetëdijës së shoqërisë civile. Në vendet me demokraci të zhvilluar shoqëria civile ka një ndikim shumë të madh. Ajo madje është një lloj mbikqyrësi i lëshimeve që bëjnë pushtetet, qofshin ato lokale apo qendrore. Shoqëria civile gjithnjë e ngrit zërin kundër atyre padrejtësive dhe pakënaqësive të qytetarëve ndaj zhvillimeve qofshin ato politike apo kulturore. Tek ne në Luginën e Preshevës aktiviteti dhe zëri i shoqërisë civile po vazhdon të mbetet i heshtur. Shoqëria civile tek ne nuk ka krijuar një traditë për të ngritur vetëdijen e popullit për avancimin e të drejtave të tyre”, thekson Ademi.

Sa i përket bashkëpunimit dhe mbështetjes nga pushtetet lokale, Nexhmedin Ademi, thekson se shoqatat e qytetarëve nuk po trajtohen njësoj nga pushtetet.

“Nuk them se pushteti lokal ka për detyrë që secilës shoqatë t’i ndajë buxhet të njejtë, por pushtetet lokale duhet të përcaktojnë politikat e veta dhe pastaj në kuadër të këtyre politikave të mos bëjnë seleksionime, të mos ketë anshmëri, të mos ketë organizata me preferenca, të cilët e dijmë si funksionojnë tek ne. Në këtë drejtim transparenca duhet të jetë më e madhe”, përfundon ai./Titulli.com/

VIDEO

 

Shqiponja: Biblioteka e parë shqiptare në Mynih të Gjermanisë, themeluesja nga Presheva (foto)
Dy studentet nga Bujanoci për herë të parë në Universitetin e Elbasanit (Video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration