Kuadrot shqiptare profesionale në rrethin e Preshevës më vitin 1947?
Lokale

Kuadrot shqiptare profesionale në rrethin e Preshevës më vitin 1947?

02.Sep.2015 11:10
0
Duke shfletuar materialin arkivor të mbledhur në Arkivin Shtetëror të Serbisë në Beograd dhe në Arkivin Historik në Vranjë hasa në dy lista, të hartuara , njëra nga Komiteti i Rrethit të Preshevës, e nënshkruar nga Desa Aritonoviq dhe titullohet:

 Lista e anëtarëve të Partisë- ekspertëve nga territori i Rrethit të Preshevës, por adresë kujt i drejtohet nuk ka  dhe e dyta listë, e hartuar nga Komiteti Rajonal i PKS në Vranjë,  nënshkrimi i pa njohur, nuk e deshifrova, i cili dokument i drejtohet Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë, me numër protokoli: 1817/465 të datës 14 janar 1947 dhe titullohet : Të dhëna për ekspertët anëtarë të PKJ-së.

Lista e parë në vete ka më pak të dhëna, ndërsa lista e dytë përfshinë pos ekspertëve edhe lëmi të tjera të të dhënave.

Sigurisht se dikush do të thoshte se për çfarë na duhen këto të dhëna dhe këto shënime. Unë do të thosha për asgjë, por vetëm për mbaj mendje dhe për një pasqyrë reale se në këtë vit dhe në këtë kohë, ne, Shqiptarët me çfarë kuadrosh dispononim, para 68 vjetëve.

Po shënojmë me radhë ekspertët e lëmive të ndryshme, vetëm emrat e ekspertëve serbë, ndërsa shënime dhe të dhëna më të plota për ekspertët  shqiptarë, sigurisht të nxjerrë nga këto dy dokumente arkivore.                             

 

I.INXHINIERË: Bogdan Gjakoviq, Bella Bunji, asnjë shqiptar.

II.MJEKË: Borisav Petroviq, asnjë shqiptar.

III.PROFESORË: Zhivko Nikollov, Sofia Radivojeviq, asnjë shqiptar.

IV.TEKNIKË :  6 teknikë serbë, asnjë shqiptar.

V.EKSPERTË XEHERORE: Disa serbë dhe

1. Muharrem Isa Kadriu, i lindur më 1924, në fshatin Tërnoc, Rrethit të Preshevës, Republika e Serbisë. ë mbaruar 5 vjet të Gjimnazit, anëtar i Qelisë. Punon në Xeheroren „Antimon“ në Tërnoc, si matës i kualitetit te xehes.

VI. EKSPERTË TË TJERË: Konfino Nisim, Lubica Petronijeviq, Sava Stoshiq, Mira Perkoviq dhe Radovan Jankoviq/të gjithë serbë/.  Nga shqiptarët ceken:

1.Ali Ahmed Bektashi, i lindur më 1917, në fshatin Nasalcë, rrethit të Preshevës, Republika Federative Popullore e Serbisë. Ka mbaruar 4 klasë të shkollës fillore dhe dy kurse pedagogjike prej tre muajve për mësues shqiptar. Anëtar i Qelisë. Mësues i përkohshëm në Nasalcë, rrethi i Preshevës.

2.Shukri Shaban Rahimi, i lindur më 1925, në fshatin Nasalcë, rrethi i Preshevës, Republika e Serbisë. ka mbaruar 4 klasë të shkollës qytetare, anëtar i Qelisë. Mësues i përkohshëm në fshatin Nasalcë, të rrethit të Preshevës.

3.Jusuf Rashit Selimi, i lindur më 1924, në fshatin nasalcë, rrethi i Preshevës, Republika e Serbisë. Ka mbaruar 4 klasë të Gjimnazit, anëtar i Qelisë. Mësues i përkohshëm në Nasalcë të rrethit të Preshevës.

4.Mustafë Hajriz Selimi, i lindur më 1926, në Preshevë, rrethi i Preshevës, Republika e Serbisë. Ka mbaruar 4 klasë të Gjimnazit, anëtar i Qelisë. Mësues i përkohshëm në Dobrosin të Bujanocit, rrethi i Preshevës.

5.Abdulla Shaban Ukshini, i lindur në Kmetoc  të Gjilanit, rrethit të Gjilanit, Republika e Serbisë. Ka mbaruar 4 klasë të shkollës qytetare dhe kursi pedagogjik tremujor për mësues shqiptar. Anëtar i Paraleles agitroptë të PKJ në Preshevë, përgjegjës në sektorin kulturor arsimor. Punon instruktor shkollor i shkollave shqipe në rrethin e Preshevës. Anëtar i PKJ-së që nga vitit 1946.

6. Zijush Ibrahim Shabani, i lindur më 1926, në Preshevë, rrethi i Preshevës, Republika e Serbisë. Ka mbarua 3 klasë të shkollës zejtare profesionale dhe kursin pedagogjik tremujor për mësues shqiptar. Anqtar i Qelisë. Mësues i përkohshëm në fshatin Miratocë, rrethi i Preshevës.

  Pos këtyre  në dokumente përmenden edhe këto kuadro-ekspertë nga Presheva:

1.Haki Bilaki/Bilalli-vërejtje e imja/, anëtar i SKOJ-it të PKJ-së dhe përgjegjës për fiskullturë. I lindur më 1928 në Preshevë. Profesioni i tij ishte bujk. Anëtar i PKJ-së që nga vitit 1946. Në aparatin shtetëror nuk punon.

2.Zyjdi Duraku, përgjegjës i sektorit organizativ teknik. I lindur më 1923, në Preshevë. Me profesion berber/rrojtar/, anëtar i PKJ-së që nga vitit 1946. Punon në depon popullore në Preshevë.  

Në mbështetje të të dhënave të lartshënuara përfundojmë së në këtë kohë kishte pak kuadro shqiptare me shkolla të mesme, mos të flasim për ato me fakultet.

Poashtu përfundojmë se në rrethin e Preshevës vatra të arsimimit ishin fshati Nasalcë dhe qyteti i Preshevës, që edhe sot prijnë në shkollimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Referencat

1.Lista e Anëtarëve të Partisë-ekspertëve nga territori i rrethit të Preshevës,e datës 2 janari 1947, Arkivi Historik i Vranjës

2.Letra përcjellëse e Komitetit të PKJ-së të Qarkut në Vranjë, dërguar KQ PKJ-së në Beograd, nr. 1817/465 të datës 14 janar 1947, Arkivi Shtetëror i Serbisë në Beograd

 

Përgatiti:  Xhemaledin Salihu;

Preshevë, shtator  2015

Musliu uron nxënësit, takim me Kadri Veselin dhe Arsim Bajramin për librat
"Jehona" e Luginës në Bursa të Turqisë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration