Shumë kërkesa, pakë mjete për kulturë (Video)
Lokale

Shumë kërkesa, pakë mjete për kulturë (Video)

22.May.2015 08:32
0
Ruajtja, kultivimi dhe zhvillimi i kulturës dhe traditës, është një nga të drejtat e pamohueshme të pjesëtarëve të pakicave kombëtare, të cilët për avancimin e kulturës dhe traditës së vet, mund të themelojnë institucione të veçanta kulturore, artistike dhe shkencore, shoqëri dhe shoqata të ndryshme. Kështu thuhet në hyrje të kaptinës numër 5 të Planit strategjik të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kaptinë që ka të bëjë me kulturën.

Por, sa është e gjallë jeta kulturore tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, sa është duke u punuar në avancimin e kulturës dhe traditës, çfarë institucione kanë shqiptarët e këtij rajoni dhe sa mjete ndahen për këto çështje?

Sipas kryetarit të komisionit për kulturë pranë Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Naim Salihut, ky komision ka për bazë strategjinë e përpiluar më herët dhe shpreson të realizojnë pikat e parapara.

“Për komisionin për kulturë KKSH ka ndarë 690 mijë dinarë për një vit, por sa do të realizojmë të shohim. Kjo shumë e mjeteve është pakë vetëm për të furnizuar me tekste bibliotekat, por ne do të mundohemi të gjejmë burime tjera, siç janë konkurset e ministrisë republikane të kulturës”, thotë Salihu.

Në tre komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë nuk ekziston asnjë kinema aktive. Bujanoci dhe Presheva kanë shtëpitë e tyre të kulturës, në të cilat zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, por mungojnë institucionet kulturore, siç janë teatri, muzeu dhe arkivat.

“Në strategji kemi edhe themelimin e teatrit profesionist, si edhe shumë institucione tjera që do të ndihmojnë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave kulturore, por këto varen nga buxheti. Realizimi i këtij projekti është i vështirë për shkak të mungesës së mjeteve, që ne do të mundohemi t’i gjejmë”, theksoi kryetari i komisionit për kulturë pranë KKSH-së, Naim Salihu.

Gani Veseli nga Presheva, është njëri prej aktorëve profesionist të Luginës. Veseli, i diplomuar në Akademinë e Arteve në Tetovë, dega aktrim, thotë se Lugina e Preshevës ka nevojë për themelimin e teatrit profesionist.

“Sot Luginës i mungon një teatër profesionist, si një institucion i domosdoshëm, pasi tani kemi kuadro. Themelimi i teatrit nuk është një shpenzim i jashtëzakonshëm, siç e paraqesin të tjerët nga mosdija. Presheva aktualisht ka gjashtë aktorë të diplomuar, Bujanoci një, e gjithashtu kemi edhe dy regjisorë profesionist, njëri prej të cilëve është detyruar të punojë në Kosovë”, shprehet aktori Veseli.

Në këtë rajon nuk është që shfaqjet teatrale mungojnë në tërësi, qofshin edhe amatore apo profesioniste. Në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë më 8 maj është shfaqur premiera e dramës “Jashtë bie borë”, një bashkëpunim i aktorëve profesionistë nga Presheva dhe Kumanova, ndërsa më 15 maj në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc ishte mysafir teatri profesionist “Oda” nga Prishtina me shfaqjen “Femrat”.

Sipas Gani Veselit, ekziston bashkëpunimi me institucionet kulturore, por ky bashkëpunim nuk mjafton. Ai përmend bashkëpunimin në realizimin e shfaqjes “Jashtë bie borë”, ndërmjet Shtëpisë së Kulturës në Preshevë, KKSH-së dhe komunës së Bujanocit, e cila sipas Veselit, e ka financuar me 60 për qind të mjeteve realizimin e këtij projekti.

“Por, kam frikën se ky është projekti i parë dhe i fundit për vitin 2015, pasi e kemi bërë një projekt sa për të folur karshi popullit. Neve na duhet patjetër teatri, pasi kjo nuk do të thotë qe ne do të bëjmë vetëm shfaqje, por brenda të teatrit mund të aktivizohen të gjithë aktorët për të krijuar shfaqje tjera, siç janë shfaqjet me kukulla. Sot është mëkat që nxënësit e shkollave tona nuk dinë çfarë është personazhi, e vogëlushët e çerdheve nuk kanë parë kurrë një shfaqje me kukulla”, thotë Veseli.

Sipas Bajram Fejzullahut, kryeshef i Drejtoratit për shërbime publike dhe veprimtari shoqërore pranë komunës së Bujanocit, ideja për themelimin e teatrit profesionist është e mirë, por ka mungesë të mjeteve, sepse komuna ka mundësi vetëm të ndihmojë e jo të financojë teatrin në plan afatgjatë.

“Mendoj se është ide e mirë, por as qytete më të mëdha se Bujanoci nuk kanë teatër profesionist. Mundësitë janë të këtilla që ne mund vetëm të ndihmojmë, sepse të financojmë me mundësitë që kemi është shumë vështirë. Unë mendoj se së pari duhet të fillohet me teatër amator e pastaj të kalijmë në teatër profesionist”, thotë Fejzullahu.

Sipas tij, komuna e Bujanocit ndihmon kulturën dhe institucionet kulturore me mundësitë që ka. Shtëpia e Kulturës që financohet nga buxheti komunal ka buxhetin vjetor prej 21 milionë dinarëve, duke i shtuar këtu mjete shtesë për manifestimet, siç janë vera kulturore me 250 mijë dinarë.

Prej këtij viti është ndryshuar edhe mënyra e financimit të shoqërive kulturoro – artistike që mundohen të mbajnë gjallë jetën kulturore në vend. Këto shoqëri këtë vit kanë aplikuar me projekte vjetore dhe komisioni për kulturë për shtatë shoqëri kulturoro – artistike shqiptare, serbe dhe rome, si dhe për një teatër amator, ka ndarë 1.7 milionë dinarë.

Sa i përket shoqërive kulturoro – artistike shqiptare në Bujanoc funksionojnë SHKA “Jehona”dhe SHKA “Zëri i Luginës”, ndërsa në Preshevë SHKA “Rexho Mulliqi”.

Veprimtaria më e rëndësishme kulturore në Luginën e Preshevës është festivali i komedisë shqiptare “Ditët e komedisë shqiptare”, i themeluar në vitin 1994, i cili për çdo vit mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë. Në këtë manifestim tradicional zakonisht në Preshevë vijnë teatrot profesioniste nga Prishtina, Tirana, Shkupi e Tetova, si dhe nga qytete tjera kosovare e nga Shqipëria.

Naser Nuredini, drejtor i Shtëpisë së Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, thotë se Presheva tanimë po identifikohet me këtë festival prestigjioz, por si organizator gjithnjë ballafaqohen me sigurimin e mjeteve për mbajtjen e këtij festivali.

“Në rend të parë vetë akomodimi i mysafirëve është problem, pasi Presheva ka mungesë të hoteleve, por me ndihmën e mjeteve që vijnë nga buxheti komunal, me ndihëm e mjeteve vetanake që krijojmë dhe me mjetet që përfitojmë nga konkurset e ministrisë së kulturës, dedikuar pakicave, arrijmë që ta realizojmë këtë festival duke tejkaluar edhe mundësitë që ka. Meqenëse festivali bëhet për publikun dhe ai nuk mungon, atëherë jemi shumë të kënaqur”, thotë drejtori Nuredini.

Buxheti i përgjithshëm vjetor i Shtëpisë së Kulturës është 19 milionë e 300 mijë dinarë, dhe sipas Nuredinit, nuk janë të mjaftueshme për veprimtaritë që zhvillohen në këtë institucion, sepse sipas tij, nëse kemi probleme në sferat e përgjithshme shoqërore, domosdoshmërisht kanë ndikim edhe në sferën e kulturës.

Edhe Nuredini mbështet themelimin e teatrit profesionist rajonal, duke shtuar që Luginës i mungon edhe një galeri e artit, e qytetit të Preshevës i mungon edhe shkolla e muzikës, së paku shkolla e ulët, për dallim nga Bujanoci ku funksionon kjo shkollë.

Ndërkaq, Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, me seli në Preshevë, thotë se Luginës së Preshevës i mungon një muze dhe arkivat, sepse sipas tij “eksponatet dhe trashëgimia materiale dita – ditës po shkatërrohet dhe nuk po ruhet sa duhet”. /Titulli.com/

VIDEO

 
 
SHBA, BE dhe OSBE me ekspert për numërimin e shqiptarëve në Luginë (Video)
Arrihet marrëveshja, Medvegjës i hapet kufiri
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration