Deputetët Halimi e Kamberi ju ftojnë në debat publik
Lokale

Deputetët Halimi e Kamberi ju ftojnë në debat publik

05.May.2015 22:38
0
Problemi i teksteve mësimore në gjuhën shqipe për shkollat fillore dhe të mesme do të jetë temë debati mes deputetëve popullor nga Lugina e Preshevës si dhe përgjegjësve nga organet kompetente, punëtorëve arsimor e prindërve.

Përmes një deklarate me të cilën përshkruhet problematika e përdorimit të teksteve në gjuhën shqipe në shkollat e Luginës së Preshevës, mungesa e tyre, konfiskimi i teksteve, siç ishte rasti në shkollën e fshatit Raincë të komunës së Preshevës, deputetët Riza Halimi dhe Shaip Kamberi pasqyrojnë gjendjen ndër vite të kërkimit të zgjidhjes së këtij problemi. 

Propozimi i zgjidhjes së re ligjore që parasheh obligimin e Ministrisë që vetëm në çdo katër vite të organizohen ftesa publike për paraqitjen e kërkesave për lejimin e teksteve, doracakëve dhe materialeve mësimore, sipas deputetëve tregon se qasja e Ministrisë së Arsimit rreth problemeve shumë të rënda të pakicave nacionale në sigurimin e teksteve mësimore, është krejtësisht diskriminuese. 

“Në situatën e dhënë propozojmë që të premten në ora 17:00 në Sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës të zhvillohet debat për çështjen e teksteve mësimore me aksent të veçantë për propozim ligjin e teksteve mësimore që së shpejti do të procedohet në Kuvendin e Serbisë”, nënvizojnë deputetët në këtë dokument, transmeton Titulli.com. 

Sipas tyre në këtë debat do të jenë të vlefshme të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e punëtorëve të arsimit, prindërve, e posaçërisht janë të rëndësishme propozimet e strukturave profesionale të shkollave, e sidomos të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve./Titulli.com/

 

************************************************************************************************************************************************************************

Deklarata e deputetëve për problematikën e teksteve mësimore në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës 

Prej vitit të largët 1991, kur pas ndërhyrjes së vrazhdë të regjimit të Millosheviqit në sistemin arsimorë të Kosovës, u shkaktua edhe problemi i rëndë dhe shumë i ndieshëm i mungesës së teksteve mësimore në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës.

Prej atëherë ishin ndaluar tekstet mësimore të botuara në Prishtinë dhe filluan të imponohen tekstet mësimore të botuara në Beograd, që ishin përkthime shumë të dobëta me gabime të shumta materiale.

Në periudhën prej viteve shkollore prej 2003/04 e deri më 2007/08 me vendime të veçanta të ministrit të arsimit të Serbisë lejohej përdorimi i shumicës së teksteve mësimore të botuara në Prishtinë, me përjashtim të historisë, gjeografisë, artit muzikorë dhe figurativ.

Kjo praktikë u ndërpre pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Problemin e rëndë të mungesës totale të teksteve dhe doracakëve mësimorë në shkollat shqipe filloi ta zgjidhë Këshilli Nacional i Shqiptarëve, pas konstituimit të tij në korrik të vitit 2010.

Hap i parë i rëndësishëm i këtij aktiviteti ishte udhëheqja e procedurave për lejimin dhe botimin e Abetares nga Shqipëria, që e finansoi Ministria e Arsimit e Shqipërisë. Edhe pse procedurat e udhëhequra nga organet arsimore në Serbi ishin të stërzgjatura dhe në anën tjetër nga subjekte të caktuara politike në Preshevë u zhvillua fushatë kalkuluese dhe demagogjike politike, megjithatë sigurimi i Abetares e më vonë edhe libër leximeve për shkollën fillore nga Shqipëria ishte një nismë shumë e mirë për zgjidhjen e këtij problemi shumë të rëndë. Në kuadër të këtij aktiviteti u përkthyen në mënyra kualitative disa tekste të lëndëve natyrore dhe ç’është edhe më me rëndësi u lejua përdorimi edhe i teksteve të matematikës për klasët e ulta të shkollës fillore me autorë nga Lugina e Preshevës.

Mirëpo, në mandatin e parë të punës së KNSH-së u arrit të sigurohen vetëm rreth gjysma e teksteve dhe doracakëve mësimorë për shkollat fillore, ndërsa për shkollat e mesme kjo punë e vështirë ende nuk ka filluar. Andaj është e qartë se me dinamikën e deritanishme do të nevojitet kohë shumë e gjatë për t’u zgjidhur ky problem i ndieshëm.

Në anën tjetër rezultoi i pasuksesshëm dhe joserioz tentimi që një numër i madh i teksteve mësimore të siguruara nga Ministria e arsimit të Kosovës t’i shpërndahen shkollave në formë ilegale, sepse ato u konfiskuan nga policia në Shkollën fillore të Raincës.

Në këtë situatë, është e qartë se është e domosdoshme zgjidhja legale dhe efikase e këtij problemi. Nëse pushtetet lokale në Preshevë e Bujanoc si dhe të KNSH janë duke i rrespektuar ligjet e Serbisë në të gjitha aspektet tjera është e qartë se edhe çështja e teksteve dhe doracakëve mësimorë duhet të zgjidhet në frymën e ligjeve arsimore dhe të ligjit për tekstet mësimore të Serbisë.

Natyrisht duhet të insistojmë me vendosmëri që procedurat për lejimin e teksteve mësimore të shkurtohen dhe të jenë shumë më efikase se deri më tani. Mbi të gjitha duhet të insistojmë që fillimisht të arrihen marrëveshje ndërshtetërore, që do të mundësonin përdorimin e teksteve mësimore nga Shqipëria dhe Kosova në shkollat shqipe në Serbi.

Në këtë drejtim duhet të jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë dallime serioze në mes të plan-programeve mësimore të Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës edhe për shkak të faktit se shkollat fillore në Serbi janë tetë vjeçare, kurse në Shqipëri dhe Kosovë ato janë nëntë vjeçare.

Andaj kur dijmë se në Serbi aktualisht për çdo lëndë mësimore për çdo klasë janë në përdorim më së paku tri tekste mësimore, është e qartë se pos teksteve nga Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdohet të punohet edhe për tekste origjinale si dhe tekste dhe doracakë të përkthyer në mënyrë kualitative.

Në Serbi në 7 – 8 muajt e fundit është zhvilluar diskutimi publik për ligjin e ri për tekste mësimore. Ky propozim ligj ka hyrë në procedurë në Kuvendin e Serbisë.

Mjerisht në vend të përmirësimit të normës ligjore për procedurat e lejimit të teksteve mësimore në disa pjesë ky propozim ligj bënë edhe hapa mbrapa, që rrezikojnë të përkeqësojnë gjendjen edhe ashtu shumë të vështirë në fushën e sigurimit të teksteve mësimore kur janë në pyetje në përgjithësi pakicat nacionale, e posaçërisht Shqiptarët, që në këtë drejtim janë më të diskriminuarit.

Në rradhë të parë është brengosëse zgjidhja e re e propozim ligjit që parasheh obligimin e Këshillit të arsimtarëve të shkollave në gjuhën e pakicës që të përcaktohen për njërin nga tekstet në gjuhën serbe, i cili mandej do të duhej të përkthehej.

Gjithashtu zgjidhje e papranueshme propozohet për bartjen e përgjegjësisë për kualitetin e përkthimit prej Ministrisë së arsimit tek botuesit e teksteve mësimore. Ndërsa në procedurën e lejimit të teksteve mësimore nga shteti amë parashihet të kthehet përsëri kërkesa që paraprakisht këto tekste duhet patjetër të përkthehen në gjuhën serbe.

Ndërsa propozimi i zgjidhjes së re ligjore që parasheh obligimin e Ministrisë që vetëm në çdo katër vite të organizohen ftesa publike për paraqitjen e kërkesave për lejimin e teksteve, doracakëve dhe materialeve mësimore, tregon se qasja e Ministrisë së arsimit rreth problemeve shumë të rënda të pakicave nacionale në sigurimin e teksteve mësimore është krejtësisht diskriminuese.

Në situatën e dhënë propozojmë që të premten në ora 17:00 në Sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës të zhvillohet debat për çështjen e teksteve mësimore me aksent të veçantë për propozim ligjin e teksteve mësimore që së shpejti do të procedohet në Kuvendin e Serbisë.

Në këtë debat do të jenë të vlefshme të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e punëtorëve të arsimit, prindërve, e posaçërisht janë të rëndësishme propozimet e strukturave profesionale të shkollave, e sidomos të Këshillit Nacional të Shqiptarëve.

 

Preshevë, 05.05.2015                                                                                                                                                     Deputetët popullorë 

Riza HALIMI
Shaip KAMBERI
Dita e Shën Gjergjit në Preshevë
Punëtorët e përjashtuar të "Hebës" kërcënojnë se do të bëhen kamikazë (Video)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration