Kamberi: Qeverisja aktuale e Buajnocit i ka dëmtuar interesat e shqiptarëve, jo më koalicione për poste
Lokale

Kamberi: Qeverisja aktuale e Buajnocit i ka dëmtuar interesat e shqiptarëve, jo më koalicione për poste

20.Apr.2015 11:41
0
Deputeti popullor në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se ka shtruar shumë çështje me rëndësi për pakicën shqiptare dhe ka kërkuar integrimin e shqiptarëve në organet shtetërore.

Ai në intervistën dhënë portalit dialogplus në Zvicër ka vlerësuar se  Demokracia serbe është ende e brishtë dhe ajo nuk ofron asnjë garanci se do të jetë më shpresëdhënëse për shqiptarët nëse ata shpërndahen nëpër parti me seli në qendrat e Serbisë.

“Tash në Bujanoc unitet kërkojnë ato subjekte të cilat me politikën e vet në tre vjetët e shkuara i kanë dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve, qoftë edhe duke përjashtuar shqiptarë nga puna. Paralajmërojnë rrezik për Bujanocin mu nga ata me të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në koalicion. Kjo është hipokrizi. Sepse, nëse e kanë të qartë se pala tjetër po na rrezikon, atëherë shtrohet pyetja ku qëndron arsyeja e vazhdimit të koalicionit aktual”, ka thënë Kamberi.

Pavarësisht sfidave të shumta, Kamberi beson se proceset integruese drejt Bashkimit Evropian do të jenë impuls i zgjidhjeve të problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. 

 

Zotri Kamberi, si është gjendja aktuale politike në Luginën e Preshevës? 

Situata e rëndë në Luginë të Preshevës vazhdon të jetë edhe më tej e rëndë. Kemi theksuar disa herë se diskriminimit sistematik shtetëror i është shtuar edhe mungesa e perspektivës ekonomike që po e krijon një gjendje të rëndë në këtë rajon.

A ka shpresa për ato treva shqiptare për një ditë më të mirë?

Gjendja është e rëndë, nuk ka dilemë, por nuk ka asnjë situatë të pashpresë. Edhe në ditët më të vështira njeriu duhet të dijë se në një moment hapet një derë drejt shpresës. Kjo shpresë për Luginën e Preshevës janë integrimet evropiane në të cilat Serbia ka hyrë. Hapja e bisedave për kapitujt e veçantë për bisedime – për ne është me rëndësi kapitulli 23 dhe 24, sundimi i të drejtës dhe të drejtat e pakicave, sikur dhe kapitulli 35 bashkëpunimi rajonal, që nënkupton përmirësimin e raporteve të Serbisë me fqinjët – janë rruga e përmirësimit të situatës.

Ju si deputet i Parlamentit të Serbisë keni pasur mundësi të bashkëbisedoni me ndonjë ministër apo me ministrin përkatës të Serbisë për ta përmirësuar papunësinë e madhe? 

Në Parlament kemi shtruar disa tema, siç është e integrimit të shqiptarëve në organet shtetërore, eliminimi i urrejtjes dhe ksenofobisë ndaj pakicave. Luginën e Preshevës e kanë vizituar së fundmi disa ministra nga Qeveria aktuale. Të presim rezultatet e këtyre vizitave.

Është ngritur zëri disa herë që edhe Lugina e Preshevës të jetë e përfaqësuar në bisedimet Serbi-Kosovë, por kjo si duket po shkon apo ka shkuar në vesh të shurdhër? 

Po, është theksuar kjo çështje, bile edhe në formën që problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të shtrohen në bisedimet e Brukselit. Duket se pala shqiptare nuk ka forcë për t’i imponuar këto tema në tavolinën e bisedave në Bruksel.

Keni kontakte me Qeverinë e re të Kosovës? 

Ditë më parë, bashkë me deputetin Halimi, kemi takuar kryeministrin Isa Mustafa, me të cilin në mënyrë të detajuar kemi biseduar për të gjitha problemet dhe sfidat që qëndrojnë edhe për Kosovën, edhe për shqiptarët e Luginës. Mirëkuptimi për problemet tona ka qenë në nivelet më të larta. Kryeministri Mustafa ka premtuar angazhimin e Qeverisë në çështje të caktuara që kanë të bëjnë me implementimin e marrëveshjeve të arritura me Beogradin.

Si e vlerësoni vizitën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që e bëri në Preshevë? 

E kemi cilësuar si historike, edhe për shkak të faktit se është i pari kryeministër shqiptar që i ka vizituar këto treva. Mendoj se Shqipëria ka më tepër mundësi se Kosova që në mekanizmat ndërkombëtarë të jetë më proaktive ndaj nevojave dhe kërkesave të shqiptarëve të këtushëm.

Mos rastësisht Lugina e Preshevës po drejtohet nga Shqipëria, duke e kuptuar se nga Kosova nuk ka asgjë? 

Nuk ka asnjë dilemë se ne kemi nevojë të kemi raporte të mira dhe më dinamike edhe me Kosovën, edhe me Shqipërinë. Nëse për arsye të caktuara politike apo diplomatike Shqipëria duket se luan një rol më dinamik rreth shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kjo nuk nënkupton se ne nuk do të kërkojmë që, në një moment tjetër politik, të jetë Kosova ajo që do të jetë më e angazhuar rreth nesh. Besoj se kur rrethanat politike e diplomatike e lejojnë një gjë të këtillë, edhe njëri, edhe shteti tjetër shqiptar, këtë rol edhe do ta luajnë.

Nuk e besoj se do të pajtohet politikëbërja në Luginë të Preshevës nëse ofrohet opsioni si pakicat që i gëzojnë në Shqipëri, t’i gëzojmë edhe ne? 

Kërkesa jonë për reciprocitet ka të bëjë me të drejtat e serbëve të Kosovës dhe respektimi i atyre standardeve që janë pjellë e legjislacionit për mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive brenda Bashkimit Evropian. Në Shqipëri nuk ka një pakicë të institucionalizuar serbe. Ideja për një reciprocitet me serbët e atjeshëm është produkt i politikës qeveritare serbe. Por, vështirë e ka edhe Serbia që një ide të këtillë ta institucionalizojë.

Pritet që në Shqipëri të shkojë për vizitë kryeministri i Serbisë. Komenti juaj? Do të takoheni ju me Edi Ramën më herët për këtë vizitë? 

Relaksimi i raporteve të ndërsjella ndërmjet dy shteteve është në agjendën evropiane edhe të Shqipërisë, edhe të Serbisë, dhe si e tillë nuk ekziston asnjë arsye që ne të jemi kundër takimeve të këtilla bilateral. Ajo që presim në që ky relaksim i raporteve mes dy shteteve të ndikojë edhe në klimën politike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. A do të takohemi me kryeministrin e Shqipërisë para takimit të tij me homologun serb, kjo nuk varet nga ne, por nga vetë kryeministri shqiptar dhe agjenda e tij.

Çka do t’i kërkoni kryeministrit shqiptar Edi Rama që t’i thotë kryeministrit serb? Si e vlerësoni vizitën e Edi Ramës në Beograd? 

Nëse vjen deri te një takim i tillë, kërkesa jonë për z. Rama do të jetë të përsërisë qëndrimet e tij dhe Qeverisë shqiptare rreth të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Vizita e z. Rama në Beograd ishte një hap i rëndësishëm drejt fillimit të një procesi të gjatë të normalizimit të raporteve me Serbinë.

Shqipëria ka filluar me disa ndihma në Luginën e Preshevës. Por, po besoj se Lugina e Preshevës më shumë kërkon që të ngrihet zëri nga dy shtetet shqiptare për një jetë më të mirë të banorëve autoktonë në këto treva sesa 100 000 eurot e dhëna? 

Gjithë spektri politik shqiptar në Luginën e Preshevës e ka përshëndetur iniciativën e dy qeverive, në Tiranë e Prishtinë, për themelimin e Fondit për Luginën e Preshevës. Ajo që kemi pritur ne ka qenë që ky fond do të duhej të fuqizohej më tepër. Është shumë normale që Lugina e Preshevës të ndihmohet edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, nëse dëshirohet që këtu të ruhet bërthama kombëtare shqiptare, e cila rrezikon të dëmtohet seriozisht me largimet në heshtje të shumë familjeve. Shembuj të ndihmave të këtilla ka në rajon. Hungaria dhe ndihma që ajo jep për hungarezët e Vojvodinës është shembull më i mirë se si u jepet ndihmë bashkëkombësve të vet në një shtet tjetër.

Problemet në Luginën e Preshevës janë të llojllojshme. Çka po bëhet me studentët e këtyre trevave që po i kryejnë studimet në Shqipëri apo në Kosovë e Maqedoni, e nuk po pranohen në Serbi? 

Problemi i diplomave edhe më tej mbetet problem më i theksuar për të rinjtë shqiptarë. Sa i përket Shqipërisë, është paralajmëruar një marrëveshje me Serbinë për njohjen reciproke të diplomave. Vetë kryeministri Rama e tha këtë kur ishte në Preshevës, presim që kjo të realizohet. Me Maqedoninë, një marrëveshje e këtillë është nënshkruar, pritet që të bëhet ratifikimi i saj edhe në Parlament. Sa u përket diplomave nga Kosova, problemi mbetet më kompleks. Edhe pse Qeveria e Serbisë, pas një vendimi të gjykatës Kushtetuese, e ka aprovuar një dekret të ri që rregullon këtë materie, ende nuk ka filluar edhe praktikisht njohja e diplomave nga Kosova. Kjo edhe për faktin se në këtë moment nuk është funksionale zyra e SPARK-ut, e cila do të duhej që në bashkëpunim e Asociacionin e Universiteteve Evropiane paraprakisht t’i certifikojë diplomat që lëshohen në Kosovë. Bashkë me deputetin Halimi kemi kërkuar sqarime në shumë adresa, por deri më tani nuk ka një sqarim konkret lidhur me këtë problem.

Po me delegacionin e Kosovës, që po bashkëbisedon me Serbinë, ju si deputet keni pasur ndonjë takim? Çka i keni kërkuar delegacionit të Kosovës? 

E theksova se takimi ynë i fundit ka qenë me kryeministrin Mustafa, me të cilin në mënyrë detale kemi biseduar për situatën.

Keni qenë kryetar i Bujanocit. Si e sheh Bujanocin sot? Kur do të kemi unitet politikë në Luginën e Preshevës? 

Uniteti politik në Luginën e Preshevës është i mundshëm me secilin faktor me të cilin ndajmë vlerat e përbashkëta politike. Mendoj se ka kaluar koha e bërjes së koalicioneve për ndarjen e posteve. Koalicionet e ardhshme duhet të bëhen për programe politike dhe për çuarjen përpara të kërkesave të shqiptarëve. Tash në Bujanoc unitet kërkojnë ato subjekte të cilat me politikën e vet në tre vjetët e shkuara i kanë dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve, qoftë edhe duke përjashtuar shqiptarë nga puna. Paralajmërojnë rrezik për Bujanocin mu nga ata me të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në koalicion. Kjo është hipokrizi. Sepse, nëse e kanë të qartë se pala tjetër po na rrezikon, atëherë shtrohet pyetja ku qëndron arsyeja e vazhdimit të koalicionit aktual. Mu kjo na shtyn të dyshojmë se kërkesat për unitet janë të rrejshme dhe se nuk kemi të bëjmë me iniciativa të mirëfillta për unitet ndërshqiptar, por për iniciativa që kanë për qëllim për t’i ruajtur pozitat e larta të disa individëve. Sa na përket ne, ia vlen të bisedojmë për unitet, por jo duke harruar atë që e ka karakterizuar periudhën e shkuar, jo duke i harruar dëmet që ua janë bërë shqiptarëve. Fundja, një fillim i ri nënkupton edhe shkëputjen e sinqertë nga e kaluara me gabime.

Edhe një parti tjetër ditë më parë është lajmëruar në Luginë, mendoni se do të ketë ndryshime? 

Problemi i Luginës nuk qëndron te mungesa e partive, por te numri i madh i tyre brenda një trupi të vogël votues. Edhe partia e re nuk besoj se mund të sjellë risi. Personalisht, nuk mund ta mohoj të drejtën e askujt për qëndrimet e tij politike, por po ashtu jam më se i bindur se e ardhmja e shqiptarëve nuk është duke u shpërndarë nëpër parti që e kanë selinë në Beograd, po gjetiu nëpër Serbi. Demokracia serbe është ende e brishtë dhe ajo nuk ofron asnjë garanci se do të jetë më shpresëdhënëse për shqiptarët nëse ata shpërndahen nëpër parti me seli në qendrat e Serbisë. E ardhmja e shqiptarëve është në konsolidimin e forcave politike brenda subjekteve që vërtet kanë marrë obligim dhe kanë gatishmëri të çojnë përpara kërkesat e shqiptarëve.

Si është gjendja në Medvegjë? Janë dëgjuar disa zëra kohëve të fundit se edhe ata pak banorë që kanë mbetur kanë filluar të largohen? 

Në Medvegjë ka disa ndasi ndërmjet grupit të këshilltarëve të PVD-së lidhur me partneritetin e tyre më njërin nga grupet tjera politike në këtë komunë. Besoj se kjo situatë do të tejkalohet në të mirë të qytetarëve të kësaj komune. Aktorët politikë në Medvegjë janë plotësisht të vetëdijshëm se cilat janë pasojat e një ndasie më të madhe ndërmjet shqiptarëve. Mjerisht, ka ndërhyrje nga qarqe të caktuara nga Bujanoci (shqiptarë) që po mundohen që sindromin e përçarjes që është instaluar në Bujanoc ta bartin edhe atje.

Po PVD-ja, a do të ketë fuqinë që e ka pasur edhe në Medvegjë? 

Në Medvegjë çështja nuk shtrohet për të ardhmen e PVD-së, por për të ardhmen e shqiptarëve. Për 25 vjet me radhë, vetëm PVD-ja ka qenë forca politike që i ka mbajtur shqiptarët e bashkuar. Gjithë iniciativat tjera kanë qenë afatshkurtra, në stilin e një aventure. Prandaj, të gjithë ata që po mundohen që në këtë komunë, ku situata për shqiptarët është më se e brishtë të ndërhyjnë me përçarje, nuk janë në shërbim të shqiptarëve atje. Cilat janë motivet që ata po tentojnë t’i përçajnë shqiptarët e dinë më së miri ata që po përzihen. Ndoshta po e ekzagjeroj, por ngjarjet në Medvegjë erdhën tek pas disa vizitave që zyrtarët e Trupit Koordinues i realizuan në këtë komunë. Ndoshta është krejt e rastësishme, ndoshta jo. Kush e di?

Ka ndonjë freskim PVD-ja që ta ndryshojë drejtimin apo strukturën më të lartë? 

PVD-ja edhe sot e ka freskinë e mjaftueshme për t’u përballur me të gjitha sfidat. Por, keni të drejtë, PVD-ja është në prag të fillimit të zgjedhjeve të brendshme në të cilat do të mundohemi të krijojmë hapësirë dhe vend për gjithë ata që janë të gatshëm të sakrifikojnë nga koha e vet, të japin nga dija e vet, për ta përmirësuar pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nuk mund të paragjykoj prej tash se si do të duket struktura e ardhme, pasi secili kuadër brenda partisë, me rregullat e reja do të zgjidhet në një proces zgjedhor plotësisht transparent dhe plotësisht demokratik.

Meqë jeni deputet, cilat janë raportet tua me partitë e tjera shqiptare në Luginë? 

Menjëherë pas zgjedhjes sonë, të gjithë liderët e partive tjera vrapuan në Prishtinë (RTK) për ta kumtuar lajmin se nuk i njohin deputetët e PVD-së. Ky qëndrim i tyre nuk ka ndryshuar edhe sot. Hipokrizia e tyre shihet në faktin se i njohin deputetët e SNS. Në Bujanoc, p.sh. deri para pak kohe deputeti i SNS ka qenë ndihmëskryetar i Komunës. Por, ta lëmë, kjo flet për moralin e tyre politik. Pavarësisht kësaj, edhe unë edhe z. Halimi jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me cilindo lider të partive tjera, kur është fjala realizimin e Planit shtatëpikësh. Ajo që dua të them është se në jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë për kërkesat, të cilat bashkërisht i kemi paraqitur në plan, pra të angazhohemi t’i realizojmë. Në këtë aspekt nuk prish punë a na pranojnë apo jo ata.


Serbia po mundohet që të jetë pjesë e BE-së. U është dhënë mundësia që të merrni ide apo të bashkëpunoni me faktorin ndërkombëtar, që ta shikojnë realisht se si është gjendja e shqiptarëve? 

Po, kemi kontakte me shumë ambasadorë perëndimorë, të cilëve u kemi dhënë informacione për gjendjen e shqiptarëve dhe kërkesat e tyre. Ditë më parë, unë dhe z. Halimi i jemi drejtuar me letër të veçantë Përfaqësues së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, znj. Federica Mogherini, të cilës i kemi dhënë informacione bazë për pozitën e shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës.

Cilat janë kërkesat elementare të banorëve të Luginës, e konkretisht të Bujanocit, meqë jetoni në atë komunë? Kemi ndonjë lajm për Lapidarin? 

Platforma e masave urgjente, e quajtur Plani shtatëpikësh, paraqet kërkesat bazë të shqiptarëve. Por, kërkesat tona strategjike janë për ndërtimin e parimeve të reciprocitetit me të drejtat e serbëve të Kosovës. Sa i përket Lapidarit të dëshmorëve, unë kam kërkuar nga ministri i policisë informacion se kur do të kthehet Lapidari. Përgjigje zyrtare ende nuk kam marrë, edhe pse sipas Rregullores së Kuvendit ministri i policisë këtë është dashur ta bëjë. Gjithsesi një përgjigje do të vijë. Por, ajo që më habit është fakti se pse Komuna e Preshevës nuk po i drejtohet ministrisë me kërkesë apo rastin ta paraqesë në gjykatë. Lapidari është pronë e saj dhe ajo ka të drejtë këta bëj. Për mua janë të panjohura arsyet pse Komuna e Preshevës heziton ta bëjë një gjë të këtillë.

Për fund të kësaj interviste, do të doja ta marrim një mendim tuajin se kur do të zgjidhet kjo nyje e lëmshit në Luginën e Preshevës?

Konsideroj se proceset integruese në BE do të jenë impuls kryesor i zgjidhjes së problemeve tona.(dialogplus.ch)

 

Readi nga Llapi porositë Luginën, këndoni e dëgjoni muzikë Hip Hop (Audio)
Shqiptari nga Lugina kapet duke kontrabanduar një motoçikletë!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration